E enjte, 01.05.2025, 03:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Kaçaku i maleve

E hene, 05.07.2010, 09:58 PM


KALOSH ÇELIKU

 

KAÇAKU I MALEVE

 

Kryengritja mori hov maleve. Popullata e fshatrave të Kumanovës si gjithmonë nëpër shekuj edhe kësaj radhe e dha provimin kombëtar, nuk i la vatrat e tyre, po u ngujuan nëpër bodrume. Qeveria mes mjeteve të informacionit u bënte thirrje, u caktonte afate. Po, ata nuk lëviznin asnjë hap nga pragu i shtëpisë… Varret e të parëve... U përballuan të gjithave bombardimeve të artilerisë së rëndë dhe helikopterëve që Qeveria i bleu me paratë e tyre nga Rusia.

Edhe hafiet e Qeverisë vazhdonin me propagandën. E dogjën Manastirin. Tashti radhën e ka Çairi… Çairin do ta kallim në flakë… Gjithë kohën cingërronin telefonat… Kërcnimet… Frika… Brenda një jave u zbraz i gjithë Çairi. Njerëzit ikën sa çelë e mbyllë sytë. Aty-këtu nëpër ndërtesa kishte mbetur ndonjë familje maqedone… Edhe Gazi Baba u zbraz… Edhe Bit- Pazari… Lagjet, rrugët dukeshin si shkretirë. Pak njerëz, pak makina nguteshin si pa kokë…

Rrapi edhe më thellë i kishte ngulur rrënjët. Kokën e kishte ngritur në qiell. Degët të gatshme për armë. Po, kush do t’i varte përveç Shkrimtarit dhe pesë gjashtë vetave që kishin mbetur nën hije. Askush. Shumica që gjatë verës rrinin kokë më kokë, tashti ua kishin mbathur nga sytë këmbët…

Shkrimtari u ul në një tavolinë nën hije. I porositi shtambat me verë. Miken, dihet nuk e kishte me vete, e kishte murosur përpara “Ilirisë” në Prishtinë duke ia lënë një gji jashtë për poetët që nuk ikin nga Atdheu…

-         Hi-hi-hiii… Përsëri të kanë lënë vetëm. Qeshi Patrioti i Vonuar… Tashti, më nuk ka as kush të të shajë nëpër gazeta…

-         E vërtetë, nuk e luan as topi. Po, ecë ulu, ngreje edhe ti një gotë… Rrapit edhe në këto ditë të vështira duhet dalë zot…

-         E di… Vetëm na ikën “patriotët“ kuqezi… Qeveritarët na lanë në baltë… Shumica me familjet e tyre u arratisën në bregdet…

-         Nuk prish punë… Armët moti i kam varë në një degë… Gjokun e kam lidhur nën hije… Nuk e dorëzojmë Rrapin aq lehtë pa e shkrepur edhe një fishek… Para mejdanin se armët…

-         Gëzuar, e ngriti gotën Patrioti i Vonuar.

-         Gëzuar…

Matanë rrugës kaloi Cuca Boheme. E hiqte vallën dhe këndonte me dajre:

 

O çka kanë malet që po vjellin flakë

Shqiptarët na kanë dalë kaçakë.

I kanë rrokë armët, o për liri

UÇK-ja në male po u pri…

U zgjuan malet, thërret Prekazi

U ngritë nga varret Kalosh Zajazi…

 

Dhe, përderisa ne i ngritëm edhe njëherë shtambat me verë, Cuca Boheme erdhi para nesh me gjithë dajre.

-         Hë, çka i keni hapur sytë si mëzetën?! E doni edhe ju një këngë?…

-         Po, e duam… Vetëm, mundësisht atë të Kalosh Zajazit…

-         Para lekët, e pastaj këngën… Mos doni të thoni se edhe ju jeni “patriotë” kuqezi si ata të Nënës Parti…

-         Jo, ne nuk jemi patriotë…

-         E shoh që nuk jeni se, rrini nën Rrap. “Patriotët” ikin nga Atdheu… E juve si duket nuk u lë Rrapi… Vera… Mikja…

-         E ke qëlluar me një plumbë… Po, hajde njëherë na e këndo atë këngën e Kalosh Zajazit!…

-         Cilën këngë, të Plakut apo të Riut?!...

-         Hi-hi-hiii… E ku ka i riu këngë?!... E duam atë, të Plakut!…

-         Cuca Boheme e lidhi edhe njëherë shaminë mbas qafe. E shtrëngoi pashterkën e bardhë me pala dhe i dha zjarr këngës…

 

Hajde na u rraf teli ne, a more pi në Dibër – o

Pi në Dibër ej more në Tiron-o

Hajde ç’na ka dalë, ene, ej mor nji kapido

Kapidoni, ej more Kalosh Dani

Hajde pret ke Çeshmja, ne, ej mor my Bykujçon ,

ene Mun ke Çeshmja, ne, ej more na u bo nomi

Hajde ke liftonte, ne, ej more Kalosh Dani !

Abidinit-ej na i çon selom-e

Hajde Abidini, ne, ej nji çaush i ri, ene

Mun ke Gara, ej na ka vou pusej-e!

Hajde mun ke Gara ne, ej more n’atë përrouj-e

Me Kaloshin ne, ej more me liftouj-e

Hajde ky Kaloshi ne, ej mor na rrejn meshtet-e

Kjo manxerrka trejmit-o i kërset-o

Hajde sa herë çet ene, ej ka dy po vret-e

Vlla Lazomin trejmi je thërret-o!

Hajde ja çu bone ne, ej Lazom bre vëllaj-e!

Nja dy vet-o, ej more i kum vraj-e!

Hajde njonin tourk ene, ej mor qetrin shja-e

Nja trej vet-o, ej i kum zonë të xhallë-e!

Hajde ky Kaloshi ne, ej mor nji burri unjët-o

Mol më mol-o, ej mor fliron si flutur-o

Haj fliron si flutur-o, ej mor fliron havaj-e

Në molet e Brodit trejmi bre kishte ra-je

Haj Kalosh Zajazi ne, ej u nal me pej uj-e

Këta tradhëtarët ej pusej i kan vou-e

Hajde ja çu bone ne, ej Lazom bre vëlla-je

Se tradhëtarët ej më besë na kanë vra-je!

Hajde mo ki gajle ne, ej Kalosh bre vëlla-je

Se tradhëtarët ej nuk t’i lojë pa vra-je!



(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx