Kulturë
Esat Stavileci: Përmendore e shkruar për të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë
E merkure, 07.07.2010, 09:58 PM
MONOGRAFI SHKENCORE, PËRMENDORE E SHKRUAR PËR TË BURGOSURIT POLITIK SHQIPTARË NË KOSOVË
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha “Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990, Gjatë viteve 1945-1990 në ish-Jugosllavi shqiptarët kaluan në burgjet 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burgim). Botoi Sh.B. Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2010,
Nga Akademik Esat Stavileci
Sa herë që flas për ndonjë libër kam parasysh aforizmin, ndoshta më të mirin, për librin: “libri është më i vlershëm se të gjitha përmendoret, sepse ai vetë ngre përmendore”.
Ky aforizëm gjen shprehjen më të mirë në librin që përurohet sot. Autorja e librit ngre përmendore të gjithë të burgosurve politik shqiptarë në Kosovë në periudhën 1945-1990, një përmendore të madhe atyre (të vdekur , a të gjallë), që kaluan në burgje (nuk është gabim as në të shprehur, as në të shkruar) 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj.
Mbamendja dhe ruajtja e kujtesës janë cilësi e historisë- Detyrë e historianit është që ta kultivojë atë cilësi.
Sa herë që flas për një libër kam parasysh edhe faktin se vlerësimi i një vepre dhe hulumtimi i saj, provokojnë ndërgjegjen e kritikut, që atë ta vlerësojë drejtë, objektivisht dhe realisht, sepse është tradicionale alergjia e krijuesit të veprës ndaj kritikut. Sabile Keçmezi- Basha nuk ka arsye të tregojë shenja të alergjisë, e ndërgjegjshme për punën që ka bërë, gjithashtu e vetëdijshme për ndonjë mangësi që do ta mënjanonte në ribotimin e librit ose në librin e ri për të cilin e paralajmëron lexuesin.
Krijuesi i vërtetë e quan librin më të mirë atë që do ta shkruaj. Zonja Sabile do ta shkruaj edhe atë libër!
Po të thuhej fjala e fundit- e para, do të mund të pohohej se zonja Sabile Keçmezi-Basha na ka dhuruar librin jo që e ka dëshiruar autorja, por që e ka porositur koha, koha nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët, koha që vazhdon të bëjë porosi të reja-për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur palcën kurrizore të popullit që po rritet si numër e po kërcënohet të tkurret si komb.
Hiq më larg se dje, shqiptarët sërish protestuan në mbrojtje të integritetit territorial të vendit. Historia e shqiptarëve nuk është tjetër veçse histori e protestave të tyre për vuajtjet e një populli të ndjekur dhe të ndaluar.
Simbolikisht, në Sallën e Kuqe po e përurojmë një libër me kopertina të zeza. E kuqja simbolizon luftën dhe gjakun e shqiptarëve për liri e bashkim, ndërsa e zeza vuajtjen e tyre.!
Nuk marr përsipër të përcaktoi “gjininë e këtij libri në vështrim të rreptë shkencor”, por përherë kam vlerësuar librat e shkruara “mbi bazën e ngjarjeve dhe fakteve të dokumentuara, siç bën “çdo historian kur trajton një tematikë të caktuar”. Autorja ka arritur që të pasqyrojë të vërteta tronditëse që janë heshtur për një periudhë të gjatë për të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë.
Ka libra prej të cilave i mësojmë të gjitha. Nuk thuhet më kot se faktet janë përherë lakuriqe, madje edhe atëherë “kur vishen sipas modës së fundit”.
Janë libra të mirë ato në të cilat nuk flasin autorët, por flasin faktet. Zonja Sabile Keçmezi-Basha u ka lënë fakteve të flasin dhe të kërcasin në ndërgjegjen e njeriut. Faktet kanë folur vetë në këtë libër dhe ato kanë dhënë dhe kanë thënë shumë.
Sabile Keçmezit-Bashës, nuk i ka munguar guximi për të trajtuar një temë sa të rëndësishme, po aq edhe të dhimbshme.
E quaj të rëndësishme për faktografinë, e quaj të dhimbshme për shprehjen e vuajtjes së të burgosurve. Sa për ilustrim: Kur e kishin dënuar një 55 vjeçar me 35 vjet burg, i ishte falënderuar gjyqit se nuk e dinte që do të jetojë aq gjatë. Të gjata janë vuajtjet, edhe më të gjata rrëfimet e kujtimet për to që nuk arrijnë t’i shprehin as vargjet e poetit dhe as këngët e rapsodit. Autorja është përpjekur që ta ruaj kujtesën për ta.
Për librin e saj, autores i është dashur të bëjë shumë përpjekje që të grumbullojë sa më shumë të dhëna dokumentare për të burgosurit politikë shqiptarë.
Zonja Sabile Keçmezi-Basha po e plotëson një boshllëk me shkrime të kësaj natyre, shkrime që ngërthejnë fragmente të historisë së jetës kombëtare të shqiptarëve. Pasqyrimi i asaj pjese të historisë ishte preokupim i autores dhe ajo premton se do të qëndrojë stoike për të zbardhur atë. Do të vazhdojë të shkruaj për organizatat dhe grupet ilegale të shqiptarëve që “nuk pushuan së kërkuari të drejtat e veta legjitime” për “realizimin e qëllimit suprem të tyre”. Shkrimet e saja do të shërbejnë si burim për studiuesit e ardhshëm.
Sabile Keçmezi-Basha, nëpërmjet listave të pafundme të të burgosurve shpreh “urrejtjen e pushtetit të Beogradit” e cila “u manifestua me burgosje dhe likuidime të shumta të grupeve e individëve, duke u përpjekur që të zhdukte çdo ndjenjë të atdhetarëve dhe çdo gjurmë të krimit mbi ta”
Mirëpo, siç vëren vet autorja, politika antishqiptare “mbajti ndezur zjarrin e luftës për liri e të drejta politike dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare”.
Çështja e Kosovës gjithherë mbajti vulën aspirimit të popullit shqiptarë të Kosovës, qoftë për bashkim kombëtar, qoftë për identitet kombëtar të tij, qoftë për barazi kombëtare.
Autorja e librit është përpjekur që të bëjë, si shprehet “bashkimin ideologjik” të të burgosurve shqiptarë, duke nxjerr përfundime “se nuk kishte shqiptarë të burgosur politikë që do të ishin të majtë apo të djathtë, por tek ta mbi të gjitha ishin atdhetarizmi e kombëtarja dhe fati i Kosovës së lirë, të pavarur, lufta e tyre për bashkim kombëtar si qëllim suprem”
Për të përforcuar këtë bindje kanë mjaftuar pasqyra e programeve të organizatave ilegale shqiptare në Kosovë; përmbledhja e reagimeve të forcave nacionaliste në Kosovë ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit (1945) dhe përpjekja e autores së monografisë për t’iu përgjigjur pyetjes : Pse, Si dhe Sa u dënuan shqiptarët në ish-Jugosllavi (1945-1990).
Vlerat e librit janë në mundësimin e secilit “të mësoj atë që nuk di”; “të kuptojë atë që nuk ka marrë vesh”; “të shohë atë që është fshehur”; “të sqarojë atë për të cilën i është thënë ndryshe”
Historia ka përvetësuar principin se vlera e një vepre nuk mund të vërehet vetëm me ndikimin që bënë ajo në veprat e tjera, veçse me praninë e saj të përhershme. Tematika për të cilën bëhet fjalë në këtë libër, i sigurojnë atij prani të përhershme.
Po e mbyll fjalën time edhe me një aforizëm tjetër për librin. Libri është për krijuesin po sikurse fotografia për bukuroshen e varur në pasqyrë.