E marte, 30.04.2024, 10:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Ksenofon M. Dilo: 1000 fjalurta ngarkuar në shpinë

E premte, 09.07.2010, 09:58 PM


1000 FJALURTA NGARKUAR    SHPINË

                             

“NJË KOMB DUHET TË JETË I VIRTYTSHËM,

NËSE DO QË  TË JETË I LIRË”

(XH. UASHINGTON)

 

Nga Ksenofon M. Dilo

 

    Një libër me një mijë fjalë të urta (proverba) ka krijuar  mes të tjerash gjatë 10 vjetëve né mërgim të detyruar shkrimtari dhe publicisti i njohur Agim Shehu. Edhe né këtë fushë ky shkrimtar bashkë me vlerat e shënuara me krijimet e tij shfaqet herë herë dhe pararojë mendimi i popullit të vet. Duke njohur penën e tij, veprën e re origjinale gjithkush do ta priste me interes të veçantë, po aq dhe për kënaqësi leximi. Kush njeh jetën e tij sa të pasur dhe tronditëse, bindet se aty është përvoja e gjatë tre çerek shekulli tanimë e një figure që i mbetet artit dhe kohës. Unë kam qënë shok i afërt  gjimnazi dikur, dhe e njoh vërtetësinë e materies sado pjesërisht të këtyre Fjalurtave, pasi të dyve shteti i kohës na shihte shtrembër si të « kampit tjetër » (Agimi qe i vetmi maturant i shkëlqyer e letrar i njohur i ri, dhe e dërguan në studime për doktor kafshësh). Nisi të fliste me vete e me shokë tepër të ngushtë…pa e ditur se ato mendime po ngjizeshin « Fjalurta » në kujtesën e tij e një ditë, të mbipasuruara nga jeta me dhimbje të reja më tej,  gjer te goditja për vdekje që e çoi në mërgim, do shfaqeshin në këtë libër të ri të mrekullueshëm. Humbi jetë të qetë nga vetja dhe pasuroi letërsinë nga një fushë në tjetrën.  Ende pa dalë, e lexova me kureshtje diku shpejt e shpejt (që të njohësh verën nuk ka nevojë të pish tërë fuçinë) dhe u binda se ç’vlerë të re do ketë përpara lexuesi shqiptar ! Ai vazhdon traditën e mëparëshme të Frang Bardhit, Mitkos, Spiro Dines e tjerë…Trashëgon mendimin e thellë të popullit në krijimin e proverbave, duke i ngritur e pasuruar në shkallën e krijuesit të talentuar. Këtë e shpreh vetë:

 ”Fjalurtat janë një ‘shtrat lumi’ hapur nga mënçuria e njeriut. Cdo brez aty hedh rëkezat e përvojës sé vet né shtratin e përbashkët njerëzor”. E tillë  është kjo krijimtari e re brillante për atdheun dhe njeriun.

    Një shkrimtar i  shquar  si Agimi me vetëdijë kombëtare dhe artistike shfaqet dhe një prej penave  më aktivë pasi mbetet i bindur në nevojën që kanë shqiptarët sot në ndriçimin e udhëve drejt bashkimit kombëtar dhe integrimit me dinjitet qytetar në Europë. Ai i paraprin kësaj duke e hapur librin me Fjalurtën e thellë filozofike e kombëtare, tepër kuptimplote për kohën: «Jam krenar nga prejardhja I-M-E « ILIR-MAQEDONI-EPIR ». E më tej : « Atdheun e kemi në zemër nëse shqetsimet ia ngarkojmë në shpinë». E më tej : «Athina dhe Beogradi – A -ja dhe B-ja e tërë fatkeqësive të kombit shqiptar». Ja dhe konkretizimi me humor të hollë shqiptar : « Kishat serbe në Kosovë themelet i kanë latino-ilire, kështuqë për t’i ruajtur ato sot duhen dy roje: një shqiptar t’u ruajë themelet, dhe një serb t’u truajë çatinë ».

Fjalurtat e tij ai i shpreh jo si dëshira subjektive, por si një të drejtë kombëtare e demokratike pranuar nga gjithë Kartat Ndërkombëtare. Për këtë ai i bën të ndërgjegjshëm veçanërisht me rënien e komunizmit kur ndodhi që me zhurmën për « demokraci » po harrohej kombi. Ahere Agimi botoi duke e kthyer dhe Fjalurtë): «Demokracia pa kombin është lule në kostumin e të vdekurit». « Shinat e trenit janë demokracia, kurse treni është kombi ». Është e drejat e  gjithkujt ta kërkojë dhe ta mbrojë këtë akt madhor, e autori krijoi më tej pa mëdyshje:

 “E drejta nuk ka ‘mbiemër’. Ajo  o  është,  o  s’është ! ” Koha tregoi e trewgon se ai mbeti i vendosur të dëgjojë zërin e ndërgjegjes kombëtare, i vetëdijshëm t’i shërbejë me nder kulturës kombëtare dhe popullit të tij me armën kryesore të krijuesit - fjalën e shkruar, jo më pak e dobishme se ekonomia. Për këtë qëndrim ai mori plagë që e detyruan të emigrojë me familjen, dhe duke i përballuar dhe në moshë të thyer, krijon fjalurtën për të gjithë: « Trimat i durojnë plagët ; te dhimbja e tyre ata ndjejnë dhimbjen e lindjes së lirisë ».  Për ata që e goditën, krijon : « Se sa duhet falur kundërshtari, pyet plagët që të ka krijuar»! Ai mendon për atdheun në gjëndjen e sotme kur gjithandej synohet të prishet në qelizë shqiptari, e krijon aforizmën kuptimplotë: « Diogjeni me qiri në dorë ditën me diell kërkonte njerinë. Shqiptari sot, ditën me diell kërkon me qiri Diogjenin ».

  Në tërë  keto proverba të  nxjerra nga bota e jashtme dhe shpirti i brendshëm i tij, ka krijuar një një botë të re arti e mendimi me përmasa të veçanta  për t’u admiruar. Një mendim i kthjellët, një gjuhë e pastër dhe e kulluar, një kursim fjalësh që i duan veçanërisht proverbat me filozofi të koncentruar. Shpesh një ironi që pickon të keqen dhe një humor i hollë elegant  që të lëmon shpirtin. Sigurisht është çështje kulture e talenti. Jo më kot krijon : « Talenti është lule e egër : çan dhe shkëmbin e mbin dhe në të çarat e tij ». 

            Këto proverba tregojnë fuqi të madhe shpirti, sidomos kur ke qënë i persekutuar gjatë. Ai e përballoi këtë errësirë jete dhe nga ajo nxorri drita krijimi artistik, sepse i mposhti të gjitha vështirësitë. E thotë vetë: «Nuk mund ta fitosh luftën me jetën po nuk fitove sé pari luftën me  veten tënde atje ku ajo ecën shtrëmbër ». Dhe më tej po aq bukur e me humor : « Në arritjen e një synimi i pari është Zoti, e para Zotit – i zoti ». Ai nuk e duron dot mburrjen e meskinitetin: «Mëndjelehti të cilit diku i ecën fati i ngjan mizës që ngrë lart era: ajo mburret se lart e ngritën krahët e saj». Kujton kolegët e pabesë e intrigantë me fuqi shteti e krijon: «Ai që s’të sheh né sy por nga kembët, aty të studion se ku e ke “thëmbrën e akilit”. Më tej shton natyrshëm e bukur: «Shpifja mbi njeriun e ndershëm është si fryma mbi qelqin : e mvesh né fillim por kur e fshin, qelqi shkëlqen më shumë   » . Për këtë i jep zemër karakterit e burrërisë së njeriut për fisnikëri flijimi ndaj atdheut: «Eshtë më fatkeq ai që harrohet i gjallë se ai që kujtohet i vdekur» Ai i kujton njerëzit se «Plaga e mikut të pabesë është diabetike, mezi mbyllet ». E më tej: «Vesi i rri pranë virtytit si nata te dita; ndahen vetëm te muzgu si kufi i padukshëm mes tyre». Se «Njeriu i lig është si qymyri, po nuk të dogji të nxin. Po u nxive, është ai fajtor. Po u dogje, fajtor je ti ».

  Duke ruajtur freskinë  e mendimit e të gjuhës, kthehet përsëri nga e mira dhe i miri në peisazh fusharak prej Lasgushi:  “Njeriu i mirë as nuk ka as nuk i mbarohen. I ngjan sylynjarit të krojeve: ujët ua zgjat bujarisht të tjerëve përpara e s’kujtohet t’ua kthejë dhe mureve të tij pas për t’u larë dhe vetë”.  Se “Te  njeriu  i  mirë  dhe   kërcënimi  i  tij  është i butë, ashtu si te kaprolli brirët mbrojtës janë më bukuri stolie”. Sado pak e pjesërisht, në mes vepron dhe fataliteti i kohës për të cilin autori është aq i ndërgjegjshëm e dëshmitar vetë: “Kur ‘të zezës’ s’i thua dot e bardhë, do pranosh që e bardha e jetës mund të të bëhet e zezë”. E më tej:  “Çdo njeri i paguan haraç karakterit të vet. Edhe pse e di këtë  pagesë të detyrueshme, vështirë t’i shmanget pasi nuk e lë karakteri”. Kujton “shokun” i cili e lavdëronte aq shumë, pastaj shkruan Letër-padi lart, se si i kishte sharë rëndë udhëheqjen tek ai. Mori dënimin, dhe jep fjalurtën e hidhur: “Lavderimet qe bën servili i ngjajnë cicërimës së zogut sipër arkivolit”. E vuajti shumë dënimin, e mbi të gjykon proverbialisht për të gjithë njerëzit: “Karakteri i njeriut shkëlqen më shumë në vuajtje ashtu si diamanti në të prerat “. Etj.

            Siç thamë, persekutimi me 10 vjet punë internimi në Metalurgji, në shpirtin e ndjeshëm të poetit ka zgjuar mendimet më të thella njerëzore e ndjenjat më të holla artistike. Trysnia e kohës ato i ktheu në fjalurta, gjatë meditimeve të tij në vetmi. Mbeturinat e diktaturës edhe në ‘demokraci’ e kërcënuan me vdekje për qëndrimet e guximshme kombëtare në emër të një demokracie të pastër, e për to një ditë m’u përgjegj qetësisht “Të vdekur jemi më të fortë se të gjallë”. Këtë aforizmë të tij e botova të tillë si artikull në “Balli i Kombit”. Autori duke gjykuar botën brënda vetes së tij, shton më tej: “Diktatura sidoqoftë i ngjan djallit: djalli nuk do qe aq i rrezikshëm nëse nuk do ta kishte aq të frikshëm emrin”. Një gjeneral krihinar e i përgjakshëm që e luftoi me çdo mënyrë jetoi gjatë, e autori portretizon: “Rron gjatë e ka aq gjak viktimash, sa shokët nën dhë nuk e qasin, ngaqë dhe nën dhë do t’i vriste me pabesi”.

            Nga majat e mendimit kombëtar e demokratik, libri me xhevahire zbret në lëndinat e buta të artit e të erotikës. Është po ai Agim, por me faqe të reja rezatuese, me shpirt të hollë njerëzor prej poeti e mendimtari. I lexon e nuk të harrohen. Të mbeten në mëndje si kokra margaritari. Mendoj se vërtetësinë dhe bukurinë e kanë dhe ngaqë aty shihen rezatime nga vetë jeta e autorit. Citojmë diçka nga “Arti”:”Arti jetën ta shkurton para vdekjes dhe ta zgjat pas vdekjes”. “Në art fjala po s’u nis nga një zemër, nuk ka fuqi të arrijë te zemra tjetër”. “Në një vepër letrare nëse faqja e fundit nuk të shtyn të kthehesh te faqja e parë, atë vepër edhe mund të mos e filloje”. “Kur artisti flet shumë për veten e vet, do të thotë se ajo vetë u flet pak të tjerëve”. “Poetët u ngjajnë zogjve: fluturimin e kanë përpara, këngën e lënë prapa”. “Shumë hymne për diktatorin qenë disi të qëndisura, gjersa dhe të vdekurit i hidhet parfum i mirë”. “Pak ves apo huq i falet çdo talenti të shquar, ashtu si pak kripë i shkon çdo ëmbëlsire”. “Krijues të privilegjuar në diktaturë bënin jetë centauri: gjysma-njeri krijonte, gjysma-kafshë shkelmonte” etj…

            E mbyllim me pak citim dhe nga erotika: “Vajzat e reja i rrit syri i nënës dhe i zbukuron syri i djalit”. “Shumë të rinj të dashurën e duan “Helenë” pa qënë vetë “Parid”.   “Femra ka fuqi të të tronditë për aq sa ka fuqi të të tërheqë”. “Mosha e re çel lulet, mosha e mesme lidh kokrat, pleqëria i vjel”. “Kënga për vajzën e dashur është dhe me prush dielli, dhe me kadife hëne. Zjarmia për të është e pandarë nga nderimi për të”. “Disa femra i ngjajnë tokës arabe: aspak tërheqëse sipër, tepër të pasura në thellësi”…e të tjera.

            Mendoj, asnjë shkrim nuk e zevëndëson leximin e këtij libri. Ai që do ta ketë në dorë do më japë të drejtë.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora