E marte, 30.04.2024, 02:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuk ka vend për Martin Camajn

E shtune, 10.07.2010, 07:29 PM


Nga Elsa Demo

 

Propozimi për shpalljen "Viti i Martin Camajt" nuk merret parasysh nga Ministria e Kulturës. Më 21 korrik është 85-vjetori i lindjes së poetit dhe intelektualit që e çoi jetën në mërgim

 

Pyetjes a është shqyrtuar propozimi për shpalljen e 2010-ës "Vit i Martin Camajt", zyra e shtypit në Ministrinë e Kulturës iu përgjigj: "Ky vit është shpallur Vit i Nënë Terezës. Nuk ndryshohet më."

 

Marsin e shkuar, Hans-Joachim Lanksch, përkthyes gjermanisht i Martin Camajt, kryetar i Shoqatës "Martin Camaj" (Fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë "Penda e Argjendtë"), i mbështetur nga disa dhjetëra njerëz të letrave shqipe, hartoi apelin drejtuar ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferaj të cilit mendohet t'i ketë rënë në dorë vetëm në qershor.

 

Aty vlerësohet dimensioni human, raporti që ruajti Camaj me Shqipërinë duke punuar për të, megjithëse në distancë, fillimisht nga Italia dhe nga Gjermania më vonë, deri sa ndërroi jetë në Mynih më 1992.

 

Për meritat e tij, mbi të gjitha, si poet, në atë apel dhe propozim njëherësh, shkruhet: "Poezia e Martin Camajt, i cili tha për veten se "Qenia malësor s'ndahet meje", ndërtuar mbi strukturat e traditave gojore të vendlindjes së tij dukagjinase është thellësisht shqiptare dhe njëkohësisht europiane.

 

Mbi struktura të stërlashta Camaj krijoi vepra letrare kryekëput moderne që i pasqyrojnë shqetësimet, ankthet, izolimet, vetminë, dëshpërimet e njeriut në ambientet nga më të ndryshmet, prej bjeshkëve dukagjinase gjer te mjediset urbane në Europë a Amerikë.

 

Martin Camaj është një poet modern i letërsisë shqipe e rangut europian dhe botëror. Martin Camaj ka qenë njëri i poetëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Sot, Camaj është strumbullari i poezisë moderne shqiptare për brezat e rinj shkrimtarësh. Poezia e tij u përkthye italisht, anglisht dhe gjermanisht."

 

Më 21 korrikun që po vjen bëhen 85 vjet nga lindja e shkrimtarit në Temal të Mbishkodrës. Kjo është arsyeja që i priu disa muaj para ky propozim, në vijim të nderimeve që Ministria u ka bërë disa figurave të letrave, duke filluar më 2006 me "Vitin e Kadaresë", "Vitin e Mitrush Kutelit", "Vitin e Lasgush Poradecit, "Vitin e Eqrem Çabejt", "Vitin e Odise Paskalit", dhe viti 2010 si "Viti i Nënë Terezës" dhe i Vaçe Zelës.

Nga kjo ministri Camaj ka marrë vetëm vlerësimin post mortem me Çmimin Kombëtar "Penda e Artë", më 2002.

 

Por Hans-Joachim Lanksch ka bindjen se edhe 20 vjet pas rënies së izolimit nuk është bërë në Shqipëri riatdhesimi i Martin Camajt. "Në vetëdijen e publikut të gjërë lexues", thotë përkthyesi, ai klasifikohet si "rast i veçantë - qoftë si autor që e shkruan gegnishten ekzotike, qoftë dhe si shkrimtar në mërgim, por ama ai nuk figuron si pjesë përbërëse e kulturës shqiptare.

 

Mungon vetëdija që Martin Camaj është njëri i shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe që meriton dhe duhet patjetër të përkthehet në gjuhë të huaja, ku do të stimulohen përkthyes për t'u marrë me veprën e Camajt dhe jo vetëm me emrat e zakonshëm të karuselit të vjetër emrash "të afirmuar" të letrave shqipe."

 

Lanksch paralajmëronte botimin e veprës së plotë të Camajt nën redaktimin e prof. Bardhyl Demiraj. Bëhet fjalë për dy romanet "Rrathë" dhe "Karpa", për poezinë e hershme dhe lirikat. Por deri tani asnjë shenjë, as nga Qendra e Studimeve Albanologjike që mendohej të përfshihej në përvjetor.

 

Përgjigja dhënë gazetës nëpërmjet zëdhënëses, lë të kuptojë se nuk paskësh më vende për të nderuar një njeri profan për shijet politike të Ministrisë së Kulturës.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora