E marte, 30.04.2024, 03:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Arbnori: Greva e urisë, momenti më i vështirë me Pjetrin

E shtune, 10.07.2010, 07:25 PM


Nga Fatmira Nikolli


8 korrik 2006. Pjetër Arbnori ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare duke lënë pas gruan dhe dy fëmijë ende të vegjël. Sot, data shënon sërish 8 korrik. E vorfën! Kështu ndjehet Suzana Arbnori, bashkëshortja e shkrimtarit, politikanit e intelektualit Pjetër Arbnori, katër vite pas ndarjes nga jeta të të shoqit. 14 vitet e kaluara së bashku, tashmë pa praninë e tij, kanë lënë një boshllëk të madh. Vendi i tij është bosh, dhe ky boshllëk mbushet veç prej kujtimeve e fotografive që kanë mbushur muret. "Ishte i qetë. Djali i ka ngjarë shumë Pierinit", - thotë Suzana, teksa kujton të shoqin. Me sa duket, kohët pa të nuk e kanë bërë më të fortë dhe as ia kanë zbehur kujtimin për të, e aq më pak dhimbjen për humbjen. Çdo gjë ka mbetur njësoj që prej ikjes së tij. Ka vetëm një ndryshim, dashuria është rritur prej mallit e mungesës. Dje, kur e takuam në shtëpinë e saj, ajo kujtoi me sy të përlotur: "Si sot katër vite më parë, në këtë orë (dje ora 12:00), ai më mori në telefon e më pyeti për fëmijët. Më tha që ishte mirë dhe u interesua të dinte se si ishim ne. Dy orë më vonë më morën në telefon për të më thënë se Pierini (siç i thërrisnin familjarët) ishte keq...". Këtu ajo e ndal rrëfimin për bashkëshortin, sepse dhimbja e lotët e bëjnë të pamundur. Si dje katër vite më parë, ai ishte ende në jetë, ndonëse sëmundja po e mposhtte. Zëri i tij kumboi për herë të fundit në receptorin e telefonit. Të nesërmen ai do të ndahej nga jeta. "Fëmijët po rriten. Ata kanë jetën e tyre dhe unë dua t'i shoh vetëm mirë. Ndërsa unë, ndihem e vorfën pa të. Jam vetëm", - thotë mes lotëve Suazana. Aktualisht, vajza Gjyzepina sapo ka mbaruar maturën, ndërsa djali, Filipi, 9-vjeçaren. Suzana kujdeset për të dy, edhe për vete edhe për Pjetrin. Katër vitet e fundit jeta e saj pa të shoqin ka qenë e vështirë. Shtëpia pranë stadiumit "Dinamo", i duket disi bosh tani. Muret e sallonit janë "pushtuar" nga fotot me Pjetrin. Kur e pyesim se, a e sheh në ëndërr ajo pohon. "Po, e shoh duke këshilluar fëmijët", - thotë ajo me gjysmë zëri. Edhe pas ikjes së tij, në shtëpinë ku familja jeton, ende asgjë nuk ka ndryshuar. Edhe studioja është po njësoj, veçse është e heshtur. Arbnori, i quajtur ndryshe Mandela shqiptare, u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare në një spital të Napolit në Itali. Politikan dhe ish-kryetar i parlamentit shqiptar, Pjetër Arbnori ndodhej për kurim në një spital në Napoli, por shëndeti i tij i rënduar mjaft, bëri që ai të ndërronte jetë si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Në përvjetorin e katërt të humbjes, e shoqja rrëfen në një intervistë për "Summer Pages" njohjen dhe jetën me të. Sot në mëngjes ajo ka udhëtuar drejt Shkodrës, ku së bashku me dy fëmijët dhe të afërmit do të shkojë tek varri i Pjetrit, siç ka bërë një herë në çdo muaj që prej ikjes së tij. 
Si sot katër vite më parë, Pjetër Arbnori u nda nga jeta. Si i keni kaluar këto vite pa të? 
Të them të drejtën, ne ende na duket si një ëndërr ikja e tij. Më duket se ka ikur, por do kthehet sërish. Sa herë bie telefoni apo dikush troket në derë, për një çast mendojmë se është ai. Më duket sikur po më merr të më pyesë se si jemi. Për mua e për familjen time mbetet një humbje shumë e madhe. Por, jeta i ka edhe këto. 
Si do ta përkujtoni në këtë përvjetor? 
Unë do të shkoj në Shkodër me dy fëmijët e mi. Atje, së bashku me të afërmit e mi dhe të Pjetrit, do të shkojmë tek varri i tij. Ai është varrosur pranë të atit dhe së ëmës. Ndërsa, pasdite do jem këtu në Tiranë për të pritur vizita nga miqtë e tij. 
Pas humbjes së tij, ju kanë qëndruar afër miqtë që kishte ai? 
Ka shumë miq të tij që më rrinë afër, që kujtohen e kujdesen. Na pyesin se si jemi e nëse kemi ndonjë problem, ashtu sikurse edhe interesohen për fëmijët e shkollimin e tyre. Këta janë vetëm disa, ndërsa pjesa tjetër nuk kujtohet. Vjen dhe interesohet shpesh ose telefonon, miku i tij me të cilin ka qenë në burg Demir Pojani, është Uran Butka, Liliana Ndoci, e shumë të tjerë, që mbase s'më kujtohen për momentin. 
Ndërkaq, nuk ka ndonjë ceremoni të parashikuar, sepse ai qe edhe shkrimtar... 
Jo nuk jam në dijeni, s'më ka lajmëruar njeri deri më tani. 
Mendoni se kjo është "harresë", sepse ai i la shumë letërsisë shqipe? 
Unë nuk mund të gjykoj asnjë. 
Shkoni shpesh tek varri i tij? 
Që kur ai ka vdekur unë kam shkuar çdo muaj. 
E shihni në ëndërr? 
Po, e shoh shpesh. Më shumë në ëndrra e shoh duke këshilluar fëmijët. Ky ka qenë meraku i tij. Donte t'i shihte të rriteshin, të ishin mirë e të shkolluar. Vajza tani e mbaroi maturën dhe doli shumë mirë, por ai nuk e sheh dot dhe më vjen shumë keq për këtë. Nuk do ta dijë as se ç'degë do të ndjekë, edhe pse donte shumë. Të dy i ngjajnë atij, por djali i ka ngjarë më shumë, me qëndrimin e tij, me qetësinë e me mënyrën e të folurit. Vajza i ka ngjarë më shumë Antonetës, së motrës. 
Keni jetuar 14 vite me të. Cilat kanë qenë momentet më të bukura me të? 
Unë do t'i mbaj mend gjithnjë vitet që kam kaluar me të. Ka qenë një njeri shumë i qetë dhe i dashur. I qetë ishte në parlament, në shoqëri, por edhe në familje. Ishte njeri i dashur e sidomos më fëmijët, i donte jashtëzakonisht shumë. Momentet më të bukura që mbaj mend, ishin kur festonim ditëlindjet e fëmijëve. Iu gëzoheshim atyre, e sidomos kur vajza u bë 1 vjeç. Ndërsa, kur ajo u bë 10 vjeç ia kemi festuar në Shkodër me të afërmit. 
Emrat fëmijëve kush ua ka vënë? 
Emrat ua kemi vendosur bashkë. Ata kanë marrë emrat e vjehrrës dhe vjehrrit tim, pra të prindërve të Pjetrit. Ajo quhej Gjystina e vjehrri Filip. Jam shumë e kënaqur që fëmijët tanë tani mbajnë emrat e gjyshërve të tyre. Sidomos që ata mbajnë emrat e dy njerëzve që kanë sakrifikuar shumë për fëmijët. 
Sa të lidhur janë fëmijët me Shkodrën? 
Janë shumë. Ne shkojmë shpesh atje dhe iu pëlqen të rrimë, e sidomos në Shirokë. 
Sot, pas kaq vitesh, si i mbani mend takimet tuaja të para me Pjetrin? 
Ne jemi fejuar me mblesëri në vitin 1990 dhe jemi martuar në vitin 1991. E njihja familjen e tij më përpara, dhe gjithnjë kam pasur marrëdhënie të mira me ta. Ka qenë një komshie që na ka prezantuar. Unë punoja magaziniere tek trikotazhet. Fillimisht jetuam në Shkodër tek "Arra e madhe". 
Ju kishit eksperienca shumë të ndryshme jetësore. Sa kuptoheshit me njëri-tjetrin? 
Unë mund të them se e kam mbështetur në çdo gjë që ka bërë, dhe isha me të kudo që ai shkonte. Isha me të në mitingje e në fushata. E kam mbështetur edhe për grevën e urisë. Ai e dinte se çfarë bënte. 
Si e mbani mend atë kohë, ato tri javë të tijat në grevë? 
Kur Pjetri hyri në grevë urie për të drejtat e njeriut, më njoftoi edhe mua. Unë vetëm e pyeta nëse mund ta çonte deri në fund këtë grevë, e më pas i thashë nëse do të mund ta përballonte dhe nëse ishte i aftë për ta realizuar këtë. M'u përgjigj që këtë grevë urie e kishte bërë edhe në burg, dhe ai e përballoi këtë sfidë me sukses. Greva ishte e gjatë, 21 ditë. Ajo ka qenë shumë shqetësuese për familjen tonë, për mua si bashkëshorte, por edhe për fëmijët. Jeta e kishte lodhur së shumti, por ai më tha se donte ta çonte deri në fund dhe e bëri. Shkoja ta takoja çdo ditë dhe më vinte keq sepse ai kishte vuajtur mjaftueshëm në burgje, nuk i duhej edhe ajo, por ai deshi ta bënte. Një herë i shkova bashkë me fëmijët dhe nuk më lanë të hyja. Kjo ka qenë periudha më e vështirë në jetën time me të. Ai shpalli grevën e urisë në 19 gusht 1997 dhe u ngujua në një nga zyrat e parlamentit, e pikërisht në zyrën e komisionit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Ai protestoi ndaj ligjit të miratuar nga Kuvendi për mediat vizive në vend. Asokohe u ndryshua ligji dhe u aprovua "Amendamenti Arbnori". Ajo kohë qe periudha më e vështirë e jetës me të. E them këtë sepse takoja çdo ditë një njeri që po "tretej". Pas 29 vitesh burg për fjalën e lirë, ai bëri edhe 21 ditë po për të njëjtën gjë, e të mendosh se kjo ishte në demokraci, në pluralizëm. 
Ju fliste juve për ato 29 vite? 
Jo, nuk donte. Më thoshte se nuk dua që fëmijët të rriten me urrejtje, se duhet të kenë jetën e tyre dhe duhet ta kenë të qetë dhe pa inate. Unë e dija jetën e tij, e dija se kishte qenë i burgosur dhe po ashtu e dija se çfarë kishte ndodhur me të, ashtu si e gjithë Shkodra. Ai thoshte se nuk donte që ne të dinim vuajtjet e tij, sepse nuk donte që të mërziteshim e as të shqetësoheshim për të. Nuk kishte dëshirë të fliste për ato që kishte hequr dhe nuk fliste në shtëpi, vetëm kur ishte me miqtë e tij. Dhe atëherë kur e ngacmonin ata, ai thoshte se "duhet t'i harrojmë ato, duhet të shohim përpara, jo pas". Shumë gjëra për Pjetrin i kam mësuar prej tyre dhe prej prindërve të mi, të cilët më thoshin se ai është një njeri i mirë e i zgjuar. Por, unë kam njohur dhe nënën e Pjetrit dhe motrat e tij, para se të njihja atë. 
Si i keni marrëdhëniet me Antonetën, motrën e Pjetrit? 
Shumë të mira. Ajo nuk është vetëm kunata për mua, është shumë më tepër, e konsideroj si motër. Edhe ajo ka bërë burg dhe më vjen shumë keq që jeta e saj kaloi mes dhimbjesh. Vjen herë pas here këtu, ashtu si edhe unë shkoj në Shkodër. Më vjen keq që sot ajo është vetëm, sepse vdiq edhe Pjetri, vëllai që e deshi aq shumë e për më tepër nuk ka as fëmijë. 
Para pak muajsh u botua ditari i Pjetrit, ndërkaq në studio ka shumë dorëshkrime. Çfarë do të bëni me to? 
Unë nuk kam pasur ndonjë kërkesë për t'i botuar. Mendoj t'i lë aty, sepse fëmijët do të rriten dhe janë vetë ata që do merren me dorëshkrimet e të atit. Unë si kam prekur asgjë. Studioja është siç e ka lënë ai. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora