E enjte, 01.05.2025, 03:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Jusuf Gërvalla

E diele, 11.07.2010, 06:27 PM


Jusuf Gërvalla

SHTËPIA NË KORNIZË

 

 

SHTËPIA QË RRËZOHET

 

tash shtrati rri në oborr dhe do rraqe

t'zënë këmbët e merr në thua

gjësendet që shkëlqenin para një çasti tani prapë

si në kohëra të praptisura me pluhur mbuluar

hamenjtë e nxjerrin me kujdes një arkë korridorit

ora e madhe në mur ka pushuar

vetëm fëmijët tani lodrojnë e shkelin barin

këtë ditë do ta kalojnë si zogjtë nën qiellin blu

 

 

SHTËPIA QË NDËRTOJ

 

në një skutë do të ketë më shumë dritë

në tjetrën vend për shtratin dhe minjtë

një derë do ta ketë për në rrugën kryesore

një tjetër për kopshtin me lule të bardha

një verandë do ta ketë me një fuçi druri portokalli

do ta llogarisë këndin e diellit mbi dritare

 

2.

 

do të ketë aty pak trosha buke do të zihet çaji

një komë e shtruar në mesore do gazeta dite

do të vë portretin e një dashurie në dhomën e pritjes

do të më vijnë shokë e do të më vijnë prindër

s'do të ketë kurtina të larme në dritare

dhe krejt dyert e drurit do t'o ngjyej

me bojë plepi e gjethesh me të gjelbër

e do të kthej për çdo mbrëmje aty

 

 

SHTËPIA NË KORNIZË

 

në vitrinat e verdha nga drita një natë e kam parë

mes do gjësendesh prej kashte dhe pëlhurash

rrinte pak si e shtrmbëruar mbi përfytyrimin

dhe erë luleshqerrash shpërndante nëpër trotuar

njerëzit ktheheshin nga turnet e natës të lodhur

aty kishte drunj të vjetër dhe trungje rrëzuar

një shteg i ngusht barin e kishte tharë me shkelje

aty e pash t'ime amë me govatë në dorë e vetmuar

shkonte e gëmuqur shtegut drejt derës së saj

s'di a do të ketë qenë ditë apo në rreze hëne larë

tym nga oxhaku i kërrusur dhe në kusi diçka që zien

do stiva drunjsh të nxira shiu rrinë te shkallët.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx