Kulturë
Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (XIII)
E diele, 11.07.2010, 09:57 PM
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
nuhiveselaj@hotmail.com
V. Nga grupimi dhe analizA E shembujve konkretë
me prejardhje arabo-turkO-persiane
Duke pasur parasysh tiparet dalluese të shembujve, emrat në shqyrtim i kemi ndarë në tetë grupe a tipa si vijon:
1.emrat mashkullorë me fundoren –IM edhe femërorëzimi i tyre,
2.emrat mashkullorë me fundoren –I dhe femërorëzimi i tyre,
3. emrat mashkullorë e femërorë me fundoren –ET,
4. emrat mashkullorë me konsonant fundor dhe femërorja paralele me –E fundore,
5. emrat mashkullorë me –IN e –DIN fundore,
6 emrat mashkullorë me konsonant fundor pa femërorë paralelë,
7. emra femërorë pa mashkullorë paralelë, dhe
8. emra femërorë e mashkullorë me fundoren –A në temë.
Në vijim po i analizojmë grupet e tilla sipas radhës së sipërshënuar.
1) Emrat mashkullorë me fundoren -IM
dhe femërorërzimi i tyre
Edhe pse raste të emrave të përveçëm të njerëzve me –IM ndeshen edhe me prejardhje hebraike ose greke, si: Efraim, Jaokim, Maksim, Gjerasim, Jeronim e ndopnjë tjetër, nuk mund të thuhet se emrat e tillë patën jehonë e përhapje apo ndikimin aq të madh në strukturën emërformuese të gjuhës shqipe, sa patën, siç do të shohim emrat me prejardhje arabe me fundoren –IM.
Kjo është arsyeja që ne si grup të parë me ndikim nga emrat me prejardhje arabo-turke veçuam emrat me fundoren –IM në mashkullore, përkatësisht –IME në atë femërore, të cilët edhe për nga forma dhe për nga përmbajtja përkojnë me emrat abstraktë prejpjesorë të veprimit të gjuhës shqipe të konvertuar me shumicë edhe si emra vetjakë të përveçëm, të cilët dalin si prejfoljorë, nga tipi i foljeve më prodhimtare më -O/j, -UAJ dhe -E/j (pjesërisht), tipi duroj durim, shkruaj shkrim, shkëlqej shkëlqim, të cilët sidomos nga foljet më -Oj dhe -Ej ndeshim edhe si emra të përveçëm, tipi: Durim, Shkëlqim.
Në gjuhën arabe, së andejmi edhe atë turke, shembuj të tillë me -IM fundor nuk janë të pakët, përveç emrave të përgjithshëm e ndonjë shprehje në gjuhën tonë si huazime të hershme i ndeshim të përdorura fjalët; aferim, belçim, biçim, heqim, jetim, mallim, myltezim, qesim, sallgim, taksim, talim, teslim, veshim e ndonjë tjetër. Fjalët e tilla nuk janë edhe aq pak, por edhe më shumë se këto dhe më frekuentuese ndeshim trajta të tilla si emra të përveçëm të njerëzve, si:
Abdirrahim, Abdylhakim, Abdylhalim, Abdylkerim, Abdurrahim, Abdylrrahim, Alim, Asim, Besim, Bislim, Brahim e Ibrahim, Edim, Fahim, Fehim, Fidaim, Hakim, Halim, Hasim, Hazim, Hashim, Ifraim, Kasim, Kazim, Kerim, Lazim, Milaim, Milazim, Misim!, Muslim, Naim, Nadim, Nazim, Nedim, Neim, Nesim, Nezim, Qazim, Qerim, Rahim e Rrahim,, Rasim, Razim, Raxhim e Rraxhim, Salim, Saim, Selim, Sevim, Sevdaim, Shazim, Tasim, Tazim, Vasim, Vesim, Zaim, Fatim?. Në boshnjakishte edhe Abudim, Azim për Adhim), Mugedim, Mukim, Mukrim, Taksim e ndonjë tjetër
Sqarim.- Tek shembujt e parë, përkatësisht të gjymtarës së parë të kompozitës vihet re se në shqipe del e theksuar zanorja i: Avdi ose Abdi, në turqishte y Abdyl, ndërsa në arabishte e boshnjakishte u Abdu- Abdu-l.
Sidoqoftë të gjithë këta emra njëherazi mund të femërorëzohen në arabishte e turqiahte ashtu si edhe në shqipe me formantin -E fundoe si Fehime, Halime, Hasime, Nazime, Naime, Nedime, Nesime, Rahime, Rasime etj, por në arabo-turqishte në gjininë femërore me -E pa emrin paralel mashkullori me -IM fundor, me sa pamë, del vetëm emri Fatime. Në shqipen e shënuam emrin Misim. Fatim, e ndonjë tjetër e që ky i fundit mund të jetë mashkullorëzim me analogji i emrit Fatime, ose më fort ka të ngjarë me dalë si emër prejfoljor i transformuar në emër të përveçëm njeriu nga folja fatoj (me fatue) e shqipes, prandaj ne e shënuam me pikëpyetje.
Ç’është e vërtetay, shumica e emrave femërorë me -IM/E fundore, mund të quhet proces i femërorëzimit të mashkullorit me -E , pra,edhe në gjuhën arabe, ashtu siç veprohet edhe në shqipe. Krahaso në shqipe me burim vendës, emra të pagëzuar zakonisht pas LDB-së, si Agim Agime, Afrim Afrime, Bashkim Bashkime, Blerim Blerime, Bekim Bekime, Durim Durime, Gëzim Gëzime Festim Festime, Fitim Fitime, Kujtim Kujtime, Lulzim Lulzime, Mërgim Mërgime, Nderim Nderime, Ngadhënjim Ngadhënjime, Qëndrim Qëndrime, Shkëlqim Shkëlqime etj. Në të vërtetë kur kemi parasysh 50 e sa shembujt e mësipërm të burimit arabo-turk të tipit Fehim Fehime, Hasim Hasime, dhe këta të përditshmit të shqipes, tipi, Agim Agime etj., mund të themi se shqipja me emrat e formës së tillë del e aq familjarizuar. sa që, vërtet, si emri Naim e Naime ashtu si Agim e Agime konsiderohen spontanisht si emra të gurrës shqipe, si të themi, si të një origjine, ngase emrat me prejardhje arabo-turke dalin të përvetësuar aq thellë në kohëhapësirën e njerëzve tanë, prandaj ne e përshëndetim Forumin shqiptar në internet kur në emrorin si emra shqiptarë edhe pse nuk janë autentikë të mirëfilltë i kanë përfshirë edhe emrat e traditës të njohur historikisht me prejardhje islame. Lidhur me këtë Qemajl Morina thekson:
Është për të ardhur keq nga disa individë, të cilët kur është fjala për këtë trashëgimi tejet të rendësishmetonë prej disa shekujsh shkruajnë dhe flasin me një miospërfillje të madhe...
edhe pse dihet se:
çdo emër i përveçëm me perejardhje të huaj (edhe orientale) kur hyn në gjuhën shqipe dhe u mbështetet zakoneve dhe rregullave të saj, bëhet pjesë e antroponomisë sonë. Emrat orientalë të cilët sot mbajnë një numër i madh i shqiptarëve të fesë islame vetëm në aspektin etimologjik janë të huaj, sepse në çdo aspekt tjetër janë emra tanë dhe askush nuk mund t’i trajtojë ndryshe së paku në aspektin shkencor. (Vepra e cituar f. 143.)
Sido që të jetë, në këtë proces familjarizimi, është fjala për emrat me -IM të gurrës shqipe, përveç zhvillimit të brendshëm të gjuhës sonë sa ka mundë me pasë hise ndikimi i arabo-turqishtes, le të vlerësohet.
Është interesant se në boshnjakishte të gjithë emrat gjinisë femërore të këtij tipi marrin formantin fundor sllav -A Besima, Fatima, Naima, Ramiza etj., ndërsa shqipja si arabishtja e turqishtja osmane e përdor, pothuajse fare natyrshëm femërorizuesen -E, e cila i përshtatet natyrës së gjuhës sonë, të sanksionuar edhe gramatikisht. Dhe përkon me fundoren e gjuhës arabe për shembujt në fjalë.
Në gjuhën tonë, tek emrat e tillë të gjinisë femërore, del një çështje tjetër, si me thënë, anësore, por që duhet pasur parasysh. Në disa vise shqipfolëse, sidomos në toskërishte e në disa të folme të qyteteve del më e theksueshme fundorja -E, andaj edhe shquarsia del nga Fatime Fatimeja, Halime Halimeja. Ky theks ndikon edhe në shumësin e emrave të tillë si Fetimeja Fatimretë, Halimeja Halimetë etj. Në gjininë mashkullore sigurisht nuk kemi të bëjmë me një shfaqje të tillë të këtij tipi, por siç do të shohim në raste të tjera po. .
Kur kemi të bëjmë me emrat me -IM fundore me prejardhje arabe edhe pse në gjuhën tonë dalin të pranishëm mbi 50 shembuj, konstatojmë me keqardhje se ky fakt deri më tash nga studiuesit tanë, me sa dimë, nuk përmendet gjëkundi, por dukuria e shumimit të emrave të tillë të shqipes përmendet si dukuri e pavarur. Kështu prapashtesa -IM konsiderohet si ndajshtesa më prodhimtare për formimin e emrave personalë të shqipes.
Lidhur me këtë studiuesi i kësaj tematike, Ibrahim Goçi shprehej kështu::
“Vendin kryesor të antroponimeve nga bota shpirtërore e zënë emrat e përgjithshëm abstraktë si Burim, Kujtim, Përparim, Agim”. duke u arsyetuar: “sepse (nga emrat e përgjithshëm abstraktë n.v. ) u gjetën mjetet e duhura morfologjike për të kaluar në këtë fushë... Këta në të shumtën e rasteve vetëm me një shkronjë të madhe ndahen nga të përgjithshmit...” Po këtë fakt, po ky autor, e përforcon më poshtë në atë punim me fjalët:”Edhe nga pikëpamja e fjalëformimit vendin kryesor e zënë emrat e formuar me prapashtesa e ndër ta më së shumti përdoret prapashtesa -IM: Ngadhënjim, Durim, Fitim, Besim, Gëzim, Afrim, Lirim, Çlirim, Bashkim, Vllaznim, Shkëlqim etj. (Shih: Onomastika e Kosovës, Prishtinë,
Po shkëpusin një konstatim edhe nga punimi i cituar i Xhevahir Shaqirit, i cili shprehet kështu:
Dihet fare mirë se fjala e gjuhës shqipe Gëzim është e gjinisë mashkullore dhe si e tillë nuk mund të shprehë emrin e një femre, por ja që po ndodh e madje është bërë zakon i pashkruar përdorimi ndër ne, sipas modelit tanimë të theksuar, duke e përdorur atë si emër femre Gëzime Gëzimja si Fatime Fatimja. (Shih Fjalor emrash... Prishtinë
Sigurisht edhe njëri edhe tjetri studiues shprehin diçka pozitive, por shikuar nga një këndvështrim tjetër formulimet e tyre kanë nevojë të plotësohen, madje mbase edhe të modifikohen, kur kemi të bëjmë me raportin emër i përgjithshëm abstrakt ndaj emrit të përveçëm të njeriut konkret, ngase kështu siç është teksti, sidomos ky i fundit, shkencërisht del jo i qartë. Themi kështu sepse rasti i femërorëzimit nga Gëzim në Gëzime, lypset konstatuar, sa vjen nga ndikimi i formave të huazuara e sa vjen si zhvillim i brendshëm i shqipes ? Sigurisht, mund të thuhet me plot gojën se një mënyrë e tillë e formimit të emrave me burim vendës, d.m.th. paralelë mashkullorë/femërorë del i drejtë, andaj është për t’u përshëndetur.
Po përfundojmë me konstatimin se në regjistrin “Emra shqiptarësh” me -IM fundor vetëm në gjininë mashkullore dalin afro 80 shembuj model, andaj shpresojmë se në të ardhmen raporti i huazimeve të emrave në shqyrtim, me prejardhje turko-arabe, jo vetëm ndaj këtij tipi, por edhe i grupeve a tipave të tjerë, do të ndriçohet më mirë dhe mund të konsiderohet si një hallkë e fortë ndërlidhëse në kuadër të strukturës emërformuese të gjuhës sonë, sepse kjo shkon në interes të shkencës sonë për gjuhën në fushën e antroponimisë..
2) Emrat mashkullorë me fundoren -I
dhe femërorëzimi i tyre
Titulli i shënuar, emrat mashkullorë me fundoren -i dhe femërorëzimi i tyre, ka të bëjë me shembuj të huazuar ose të përvetësuar në shqipe nga arabishtja, përkatësisht turqishtja. Themi edhe turqishtja pasi edhe kjo gjuhë i ka përvetësuar trajtat e tilla në të dyja gjinitë nga arabishtja sipas huazimit tranfer. Format e tilla sa kanë gjetur truall të gatshëm në shqipe nuk mund ta dimë, por është e vërtetë se sipas gjendjes së sotme të shqipes ka ngjashmëri modeli, ngase sipas kësaj mënyre mjaft shembuj të gjuhës shqipe me prejardhje vendëse, sidomos të gjinisë mashkullore kanë gjetur e po gjejnë sendërtim po në këtë mënyrë, ndërsa për emrat e gjinisë femërore dalin çështje të diskutueshme.
Në të vërtetë, siç e kemi cekur në pjesën e parë të këtij punimi në gjininë femërore emrat femërorë me fundoren -I të theksuar, formojnë grup më vete, madje përveç emrave konkretë, si tipi: kusi kusia shtëpi shtëpia, Shqipëri Shqipëria etj., vend të posaçëm zënë edhe emrat abstraktë, të tipit: bukuri bukuria, dashuri dashuria, liri liria, lumni lumnia ose lumturi lumturia etj. dhe pikërisht këta emra dalin të konvertuar si emra të përveçëm të njerëzve në të dyja gjinitë, por më tepër në gjininë femërore, dukuri kjo që plotësisht ngjason formalisht e përmbajtësish me emrat e huazuar ose të përvetësuar me prejardhje arabe të tipit në shqyrtim, por që nga ajo gjuhë vijnë emrat e të dyja gjinive, por prijnë së pari ata të gjininë mashkullore.
Të jemi më të qartë, në të vërtetë, ngjashmëri ka mashkullori i gjuhës shqipen me -i të theksuar në temë në trajtën e pashquar me atë të gjinisë mashkullore të arabishtes me -i (-ijj) fundore, ndërsa sa i përket gjinisë femërore ka përkim vetëm lidhur me dukurinë, sepse sa i përket fundores të fjalë-temës përkatëse, të gjinisë femërore në shqipe, fundorja e të njëjtës temë del disa variantëshe, si p.sh.:
a) me -i fundore pa shquarsi,
b) me -i fundore me shquarsi,
c) me -I/E fundore,
ç) me i/je fundore, sikurse në arabishte, përkatësisht turqishte: je (-ijje me JJ el-teshdidu).
Sidoqoftë, para se të japim shembuj konkretë, po shtojmë edhe këtë fakt, se, siç e kemi konstatuar në pjesën e dytë të këtij punimi, edhe në gjininë mashkullore emrat me -I fundore formojnë grup më vete, siç është tipi: gjeni-u gjenitë, mazi maziu mazitë, thi thiu thitë, andaj edhe emri i tipit të emrit vetjak i përvetësuar nga arabo-turqishtja ka zhvillim të njëjtë si ai i burimit shqip, b.f. Ali, Aliu Alitë, që përkon me emrat e përveçëm formuar të shqipes të formuar mbi këtë bazë, si Lumni Lumniu Lumnitë, d.m.th. mbi bazë të një emri abstraktë të gjinisë gramatikore femërore. Në Fjalorin e “emrave shqiptarë” janë të shënuar si model në trajtën e pashquar këta tre shembuj: Arbi, Nandi dhe Ohri.
Të shohim tashti se si emrat e tillë dalin në të dyja gjinitë në gjuhën arabe-turke, duke e shënuar së pari emrin në gjininë mashkullore të arabishtes dhe menjëherë paralel edhe emrin në gjininë femërore të femërorëzuar me formantin -JE, po në atë gjuhë, por që trajtat e tilla dalin të përvetësuara plotësisht në turqishte dhe njëherazi pothuajse po ashtu që të gjitha reflektoheshin dhe në gjuhën shqipe:
Krahaso:
: Advi Advije, Ajni Ajnije, Ali Alije, Avni Avnije, Ati Atije, Bahri Bahrije, Bahti Bahtije, Baki Bakije, Bedri Bedriije Bekri Bekrije, Fahri Fahrije, Fehzi Fehzije, Feti Fetije, Fikri Fikrije, Hadi Hadije, Hafi Hafije, Hajri Hajrije, Haki Hakije, Hasbi Hazbije, Hysni Hysnije, Ilmi Imije, Kadri Kadrje, Lutfi Lutfije, Mihri Mihrije, Nadi Nadije, Nafi Nafije, Naki Nakije, Naxhi Naxhije, Nazmi Nazmije, Neki Nekije, Nexhmi Nexhmije, Nuri Nurije, Razi Razije, Remzi Remzije Sabri Sabrije, Sami Samije, Sani Sanije, Subhi Subhije, Shadi Shadije, Shehri Shehrije, Shemsi Shemsije, Shukri Shukrije, Vehbi Vehbije, Xhevri Xhevrje, Zeki Zekije, Zulfi Zulfije e ndonjë tjetër.
Po i përmend edhe disa emra me këtë prejardhje që i ndeshëm mbase rastësisht vetëm në gjininë femërore si:
Arzije, Behije, Begije, Dudije, Fexhrije, Hasije, Hyrije, Ismije, Kumrije, Pashije, Nazlije, Mahmudije, Melekije, Mersije, Mevludije, Muradije Miradije Qelebije, Rabije, Rukije, Safije, Selvije, Sevdije, Shehije, Vasfije e ndonjë tjetër
E thamë mbase vetëm rastësisht nuk e ndeshëm emrin paralel në gjininë mashkullore, sepse ndër ne sidomos ndërndikimi paralele ndërgjinisor është dukuri pothuajse normale.
Gjithashtu po i përmendim edhe disa emra mashkullorë, të cilëve mbase edhe këtyre ndoshta rastësisht, nuk ua vumë re trajtat paralele femërore, si p.sh.:
Abdi Avdi, Avni, Bali, Basri, Fazli, Gani, Haxhi, Himzi, Imri, Mehdi, Sadri, Sejdi, Sejfi, Sidki, Shafi, Shinasi, Veli, Zihni, Zuhri, e ndonjë tjetër.
Siç mund të shihet emrat e tillë në shqipe që faktikisht kalojnë 100-shin, mund të jenë ndikuar ndërgjinisorisht, duke u krijua analogjikisht mashkullori nga femërori ose anasjelltas ose duke qëndruar pa paralelen përkatëse, qoftë si emër mashkullor, qoftë si emër femëror, po, sidoqoftë, një dallim i tillë ndërgjinisor del i arsyetueshëm kur kemi parasysh shembujt e shumtë analogë në gjuhën arabe.
Në të vërtetë, kur është fjala të gjuha, po e quajmë kushtëzimisht, arabo-turke për shembujt e tillë tërheqim vëmendjen e lexuesit se në gjuhën arabe fundorja -i, siç u cek më sipër, tek emrat e gjinisë mashkullore, transkriptohen me shkronja latine me tri shifra -IYY (shqipto -ijj) si p.sh.:Alijj (Ali), ndërsa në versionin në gjininë femërore transkriptimi me el-teshdidu-në del me katër shifra: -IYYE (shqipto-ijje), si p.sh.: m. Alijj (Ali) / f. Alijje (Alije), së këtejmi edhe në turqishte si huazim tranfer del në mashkullore shkrimi e shqiptimi me -I të theksuar pa dy –J-të përforcuese, ndërsa në gjinië femërore fundorja del me -iye (-ije), d.m.th. I-ja del e sforcuar me një J (J+E)Alije.
E thamë më sipër se fundorja e emrave të huazuar ose të përvetësuar nga arabishtja ashtu si edhe emrat e përveçëm mbi bazë të fjalë-temave të shqipes me fundoren -I në formimin e emrave të përveçëm të gjinisë mashkullore dalin vetëm me një -i fundore të theksuar, ashtu si në arabishte e turqishte, ndërsa fundorja te femërorët, ashtu siç i ndeshim sot në realitetin tonë gjuhësor del shprehimisht gjashtë veriantëshe. Dhe për secilin variant gjejmë ndonjë shembull ilustrues në burimet tona normative.
Sa për ilustrim për të dëshmuar këtë gjashtëvarianteshe, qoftë në trajtën e shquar, qoftë në të pashquaren., siç e thamë, po japin në vazhdim mbi temë të njëjtë disa shembuj edhe të burimit vendës, edhe të huazuar, duke i shënuar dhe interpretuar shembujt në të gjitha variantet, ashtu siç edhe i ndeshim në burime të caktuara:
1. Varianti i parë del pa shquarsi fare, variant ky i rerflektuar në Shqipëri nën ndikimin e ndonjë shembulli të gjuhëve të huaja, dhe si duket, sidomos, pas LDB-së, ka gjetur modë përdorimi, por për fat jo në numër aq të madh mbi bazë të fjalëve anase. Ky variant, me rastin e konvertimit nga emri i përgjithshëm abstrakt i gjinisë femërore të tipit liri, bukuri, lumturi (lumni) ruan vetëm fundoren -i të trajtës së pashquar, si Liri, Bukuri, Lumturi, Lumni dhe ngurëzohet, duke mos e respektuar shquarsinë, madje, aq lirshëm, gjen përdorim sa që nuk respektohen as treguesit e rasave të njëjësit e të shumësit dhe së këtejmi edhe emrat e përvetësuar si orientalizma si Mahmudi, Kumri, Shefki, e të tjerë tentohet të futen po në këtë kallëp-zgjidhje, pa shquarsi, në kundërshtim me traditën apo natyrën e gjuhës shqipe dhe me vetë trajtat e huazuara.
2. Edhe sipas variantit të dytë gjatë konvertimit, si në variantin e parë ngjan i njëjti proces, por tash ngjashëm si tek emrat e përgjithshëm me -i fundore në temë, respektohet shquarsia me -A, siç është paraparë në rregullat e drejtshkrimit të sotëm.. Kështu shembujt dalin Liri Liria, Bukuri Bukuria, Lumturi Lumturia, Lumni Lumnia, përkatësisht Mahmudi Mahmudia, Kumri Kumria, Shefki Shefkia etj..
3. Edhe varianti i tretë ka të njëjtën ecuri si varianti i dytë, por nyjë-mbaresa në njëjësin e shquar del me -J epentetike (-JA), si Liri Lirija, Bukuri Bukurija, Lumturi Lumturija, Lumni Lumnija, përkatësisht Mahmudi Mahmudija, Kumri Kumrija, Shefki Shefkija.
4. Zakonisht nën trysninë e nevojës për dallim shquarsie të rasteve, sidomos kur edhe emri mashkullor formohet po mbi të njëjtën temë prodhuese shkrimore mbi fundoren me -I si, Lumni Lumniu, Shefki Shefkiu etj. emrave femërorë u shtohet një -E pas -I-së fundore, që tashti del emri femëror në trajtën e pashquar me -IE fundore, por vazhdon të shquhet në njëjës po me nyjë-mbaresën -A, si p.sh. Lirie Liria, Bukirie Bukuria, Lumturie Lujmturia, Lumnie Lumnia, përkatësisht Mahmudie Mahmudia, Kumrie Kumria, Shefkie Shefkia etj. Edhe ky version del tejet i diskutueshëm, sepse në gjuhën letrare shqipe nuk kemi asnjë rast nga emrat e përgjithshëm femërorë me I fundore që emrit femëror në trajtën e pashquar t’i shtohet një E përforcuese si element po femërorëzues dhe njëherazi në trajtën e njëjësit të shquar të marrë nyjë-mbaresën -A. Krahaso: -i+e/a ose -ie/a.
Gjithsesi edhe ky variant mbetet i diskutueshëm po vazhdon të jetë në konkurrencë.
5. Po ashtu për të njëjtat arsye si në pikën e mësipërme me rastin e konvertimit si emër vetjak i gjinisë femërore, fundores -I i shtohet në trajtën e pashquar plus një -E femërorizuese, por tashti në trajtën e shquar –E-ja zhduket, si në variantin e mësipërm, kurse emri i tillë në njëjësin e shquar merr nyjë-mbaresën -JA, si p.sh.: Lirie Lirija Bukurie Bukurija Lumturie Lumturija, Lumnie, Lumnija, përkatësisht Mahmudie Mahmudija, Kumrie Kumrija, Shefkie Shefkija etj., ngase të gjithë emrat e përgjithshëm të gjinisë femërore me -E fundore në shqipen e sotme letrare shquhet me nyjë-mbaresën -JA.
Pra, edhe ky version që në realitetin tonë gjuhësor si edhe katër variantet e mësipërme që ndeshet në përdorim del i diskutueshëm.
6) Është e vërtetë se përveç pesë varianteve të sipërcekura, për të njëjtën çështje del në konkurrencë edhe varianti i gjashtë, Sipas këtij varianti me rastin e konvertimit të emrit të përgjithshëm të shqipes në emër vetjak, -I-së fundore në trajtën e pashquar i shtohet formanti -JE, ndërsa në trajtën e shquar merr nyjë-mbaresën -A si p.sh. Lirije Lirija, Bukurije Bukurija Lumnije Lumnija, Lumturije Lumturija, përkatësisht bëhet ngjasimi i plotë me emrat e përvetësuar me prejardhje arabo-turke: Mahmudije Mahmudija, Kumrije Kumrija, Shefkije Shefkija etj
Është e vërtetë se të gjashtë këto mënyra trajtëformuese si shfaqje spontane i ndeshim të regjistruara në burime të ndryshme të gjuhës sonë, madje edhe në burime normative(!).
Ja ndonjë fakt sa për ilustrim:
1. Siç e pamë gjatë analizës së emrave të përveçëm të njerëzve rastin Lumnie e ndeshëm të përdorur në DGJSH, ndërsa Liri (Liri Agai) e ndeshim në Gramatikën praktike (M. Çelikut si bashkautor). Te vepra e Rami Memushajt ndeshim dy variante: ie dhe -i te shembujt: Hysnie, Bukuri(e), Lumturi, Vitori, Olimbi. Siç po shihet mbizotërojnë shembujt me -I. fundore (po nuk dihet se a kemi të bëjmë me variantin e parë apo të dytë, të tretë apo të katërt).
2. Në FESH (Fjalori enciklopedik shqiptar), pasi nuk jepet trajta e shquar, ndeshim tri katër ose pesë variantet në trajtën e pashquar -i, -ie dhe -je, si p.sh:: Liri, Lumturi; Lavdie, Qibrie, Selvie si dhe Nexhmije, Fahrije, Hajdije, Sanije, Hilmije, Alije. Këtu emrat e përvetësuar në shqyrtim me -I/JE dalin në numër më të madh në variantin e pestë.
3. Edhe më larmishëm i ndeshim shembujt në doracakun “Emra shqiptarësh”, d.m.th. emra të përveçëm me origjinë shqipe ose të përvetësuar e të rekomanduar si model për përdorim të tillë. Aty veç tre emrave mashkullorë me fundoren -I (Arbi, Nandi dhe Ohri) në gjininë femërore tipi i emrave të tillë del pesë-gjashtë variantesh, si. p.sh.:
a) Dashuri, Dituri, Holli, Hosi, Kumri, Lavdi, Lavduri, Liri, Lumturi, Llamburi, Mirni, Mirsi, Qeti -13 shembuj;
b) Adania, Dhuntia, Iliria, Lulia, Mençuria, Metoria, Ylberia- shtatë shembuj;
c) Bukurie, Lavdie, Pashie, Plotnie, Selvie, Stolie, Urtie - shtatë shembuj;
ç) Gurije, Lumnije, Lulvije, Miradije, Ohrije- pesë shembuj;
d) Krenarija, Dija - dy shembuj dhe
dh) Shkëndije - një shembull. (Shih për këtë: www.shqiperia.com.)
Siç mund të shihet për nga numri prijnë shembujt me -I fundore, por nuk mungojnë edhe shembujt me -IE e i/JE. Sidoqoftë, çështja e shquarsisë del e diskutueshme, sidomos kur dihet se secila trajtë e shënuar në atë burim mund të konsiderohet si trajtë përfaqësuese e normëzuar dhe secila mund të konkurrojë; si gjedhe.
4. Në Takvim (nga Sh. Ahmeti), afro 50 shembuj dalin me -I/JE fundore, ashtu si edhe në Fjalor emrash ... të Xh. Shaqirit.
5. Është e vërtetë se në Listën e emrave që përmendëm më sipër të botuar në gazetën Zëri, asnjë emër femre të këtij tipi nuk del me -i as me -ie, por vetëm me –IJE fundore, madje edhe emrat e konfesionit kristian dalin në këtë formë si Marije, Sofije. Lidhur me këtë po shtojmë se edhe në burime të tjera në gjuhën shqipe ndeshim emrat joarabë me -IJE, si Bazilije, Ksenije, Julije, Gregorije, Metodije Olivije, Silvije, Viktorije e ndonjë tjetër.
6. Tek Orientalizmat e I. Metës ndeshim këto tri variante:
a) Ruki-je, Nuri-je, Bedri-je;
b) Fahrije-a, Fetije-a, Behije-a, Remzije-a, Kadrije-a, Hajrij-a; Rabi-ja Nafi-ja dhe
c) Zekie-ja.
7. Prof. Ajet Bytyqi, ndër tipa të emrave “që nuk janë dhe as që kanë qenë ndonjë herë problem diskutimi drejtshkrimor” përmend emrat e gjinisë femërore me prejardhje fetare të këtij tipi: Hajrije, Hyrije, Kumrije. (Shih. Onomastika ... f. 373.), pra i shënon me -IJE jo me -IE fundore emrat e tillë.
8. Te Forumi shqiptar, nga Lista e emrave të përveçëm femërorë ndeshëm këto trajta:
a) Dudie, Fahrie, Hasie, Hakie, Remzie, Sofie, Xhevrie, Xheznie, Zekie - 9 shembuj me -IE fundore;
b) Çelebije, Fexhrije, Hakije, Hasije, Hamdije, Ilmije, Nafije, Nazmije, Rufadije, Rukije, Selvije, Sevdije, Shyqyerije, Xhevrije, Xheznije, Zekije, Zelfije, Zemrije, Zenij, - 19 shembuj me -IJE fundore.
Te shembujt e kësaj pike bien në sy 5 shembuj për të cilët nuk dimë arsyen pse janë shënuar nga e njëjta temë, por i ndanë vetëm fundorja -IE nga -IJE?!
9. Te Qemajl Morina ndeshëm: Dituri, Dashuri, Liri. (Vepra e cit. f. 141.)
Sidoqoftë, të përsërisim tashti se çfarë e bën të diskutueshëm secilin variant dhe cili variant më së miri mund të parapëlqehet për të përfshirë tërë tipin e emrave në fjalë?
Së pari, varianti me -i fundore me pashquarsi del fort i diskutueshëm, ngase emrit të shqipes ia mohon shquarsinë dhe me një veprim të tillë, shfaqen pasoja në sistemin e trashëguar të kategorisë së shquarsisë të emrit të shqipes, madje krijohen homonimi të vrazhda shkrimore me emrat mashkullorë në trajtën e pashquar mbi të njëjtën temë prodhuese dhe rëndomë bëhet i pamundur dallimi semantik i emrit përkatës sipas gjinisë.
Së dyti, edhe varianti i dytë, me -i fundore po me shquarsi -a, del si zgjidhje e diskutueshme, sepse s’mund të përfshihen në këtë mënyrë të gjitha rastet e tërë strukturës së trajtave të përvetësuara jo vetëm nga burimi arabo-turko-persian, por as edhe ai anas, pasi ato i pengon pikërisht trajta paralele e gjinisë mashkullore, e cila del parësore, siç e pamë më lartë. Krahaso: homoniminë eventuale edhe me emra me prejardhje vendëse, emri në gjininë mashkullore: Lumni Lumniu ndaj femërores Lumni Lumnia. Në të vërtetë, trajta e mashkullores në praktikë ka timbër më të zbutur nga theksi i zanore-fundores -i të emrit të përgjithshëm lumni, ose Lumni si emër vetjak femëror, por megjithatë del homonim i vrazhdë në aspektin shkrimor në trajtën e pashquar, sidomos kur përdoret bashkë me mbiemrin (llagapin). Së këtejmi, në raste të tilla pasi ka mundësi dhe motivim femërorja, s’ka arsye mos me dalë siç ka dalë femërorja me fundor tjetër në trajtën e pashquar me -e ose -JE dhe kështu i lirohet vendi emrit mashkullor me koncept normal, si Lumni-u, Dashni-u etj., analog me Bahri-u, Fahri-u, Bedri-u, Sadri-u etj.
Së treti, rastet si Liri Lirija, Nafi Nafija dalin të diskutueshme, sepse, nyjë-mbaresën -JA që ishte dysore me -A deri në vitet e ’50-a në Shqipëri, ndërsa deri në ato të ‘60’ në Kosovë, u hoq nga normëzimi, duke i lënë vendin vetëm nyjë-mbaresës -A. Pra, krahaso shtëpi shtëpia me liri liria andaj në këtë rast Liri Lirija me –J-në shtuese shkilet norma ose kërkon interpretim tjetër, pa nevojë fare.
Së katërti, edhe te varianti me i/e fundore në temë si Lirie Liria, Bukurie Bukuria, Lumturie Lumturia, Lumnie Lumnia Mahmudie Mahmudia Shefkie Shefkia etj. dalin të diskutueshme dy çështje, e para, siç e pamë në analiza të mëparshme asnjë emër i përgjithshëm i gjinisë femërore në gjuhën shqipe me -I fundore në temë nuk merrte -E shtuese femërorëzuese dhe e dyta, asnjë emër me -E fundore (j/E) nuk shquhej me nyjë-mbaresën – A pa J parashoqëruese, andaj një zgjidhje e tillë Lirie Liria (me elidimin e E-së fundore vërtet del e diskutueshme.
Së pesti, edhe variantin tjetër me fundoren -i/e në trajtën e pashquar, por që në trajtën e shquar merr nyjë-mbaresën -JA, si Lirie Lirija, Bukurie Bukurija, Lumturie Lumturija, Lumnie Lumnija, përkatësisht Mahmudie Mahmudija, Kumrie Kumrije, Shefkie Shefkija etj., e bën të diskutueshëm fakti se siç e pamë në pjesën e parë që u cek edhe në pikën e mësipërme të këtij punimi në gjuhën shqipe nuk ka shembull që emri i përgjithshëm i gjinisë femërore me -i fundore me marrë një -e shtesë për të formuar ose për të përforcuar kështu po emrin e gjinisë femërore në trajtën e pashquar. Krahaso dy trajta të pashquara të të njëjtit emër: 1. liri 2. Lirie. Prandaj edhe ky fakt veç arsyeve të tjera jo të favorshme konkurruese e bën të diskutueshme mënyrën e tillë të zgjidhjes.
Së gjashti, varianti i fundit, me -JE fundore nuk del vetëm nga ndikimi i trajtave nga arabo-turqishtja, por edhe nga vetë shembujt e një grupi të emrave të përgjithshëm të gjuhës shqipe, të cilët trajtën e pashquar e kanë me fundoren -JE. Mjafton të rikujtojmë shembujt: anije, batanije; dije, pije, e ndonjë tjetër Pra me -i/je fundore, ashtui siç i ndeshim në trajtën e pashquar edhe emrat e përveçëm me prejardhje orientale: si Mahmudije Mahmudija, Kumrije Kumrija, Shefkije Shefkija etj, përkatësisht me prejardhje vendëse: Lirije Lirija, Bukurije Bukurija, Dashurije Dashurija, Lumturije Lumturija, Lumnije Lumnija e kështu me radhë.
Pra, mesa po shohim, me shikue pragmatikisht, kjo mënyrë e zgjidhjes, d.m.th. varianti i gjashtë, del më i përkapshme për me favorizue në krahasim me pesë variantet e sipërcekura, ngase ka mbështetje si në trajtën e pashquar ashtu edhe në trajtën e njëjësit të shquar tek emrat e përgjithshëm të shqipes dhe nuk krijon homonimi të brendshme
Nuk është shkaku vetëm te ndikimi nga shembujt e përvetësuar nga arabo-turqishtja që rastet e tilla aktive në gjuhën tonë, të cilat kalojnë 50-shin, por në përgjithësi trajtat e tilla të përftuara në kontekste të caktuara i afrohen ose e kalojnë 100-shin, por edhe pse siç e pamë më sipër, trajta -IJE në praktikë del mbizotëruese edhe tek emrat e përgjithshëm. Krahaso edhe një herë: anije anijA, batanije batanijA, dije dijA, pije pijA etj., por edhe katër faktet si raste që po shënojmë në vijim, të cilat mund të kenë ndkim plotësues lidhur me parapëlqimin tonë:
E para, sa del e rrënjosur në praktikën gjuhësore trajta e femërores me -IJE të këtij tipi tipi dëshmon fakti se edhe emrat joarabë si Mari, Klaudi, Valeri, Virgjini, Viktori etj. në shqipe, jo vetëm të shembujt e pagëzuar nga shqipfolësit, por edhe rastet e huazuara, po shkruhen edhe zyrtarisht në shumtën e rasteve me -iJE, si Ksenije, Marije, Klaudije, Valerije, Virgjinije, Viktorije etj.
E dyta, nga tradita po i rikujtojmë vetëm këto tri fakte:
Së parti, emri Lulije Lulija në këngë dasmash: Oj Lulije bukurije!... - është tejet e popullarizuar.
Së dyti, kujt nuk i kujtohet emri i personazhit të romanit Sikur të isha djalë i H. Stërmillit: Dije Dija.(e trashëguar edhe si hyjneshë pellazgo-ilire), madje edhe si Miradije Miradija etj.
Së treti, le të kujtohet edhe tipi i emrit shkëndijë, si emër i përgjithshëm që merr -Ë ose -iJË fundore në trajtën e pashquar, ndërsa si emër i përveçëm merr -E ose -JE fundore: Shkëndije NN dhe kështu i bashkohet grupit të emrave me -IJE fundore.
Pra, edhe këto fakte nga zhvillimi i brendshëm i shqipes na shpiejnë drejt favorizimit të fundores me -iJE: Lirije Lirija, Shefkije Shefkija,, Lulije Lulija, Dije Dija, Shkëndije Shkëndija, d.m.th. me elidimin normal në trajtën e shquar të –e-së fundore të trajtës së pashquar..
E treta, po i përmendim edhe nja dy fakte të tjera, mbase anësore por që ndërlidhen sadokudo me -J-në epentetike në shqipe.:
së pari, janë disa folje -Oj me zgjerim -JO-j që formohen mbi temë të emrave konkretë femërorë me -I si p.sh.: fli flijoj (nga fli flia), fi fijoj (nga fi fia) etj, të cilat marrin pra një -J epentetike me rastin e foljezimit dhe
së dyti, edhe emrat prejpjesorë pandajshtesorë, siç e pamë në pjesën e parë të këtij punimi, tipi ngrijë-a, pijë-a (me ngri, me pi), vrajë-a (me vra, blojë-a me blue), çojë-a (me çue) etj. marrin po ashtu një -J epentetike.
Së këtejmi, duam me thënë, s’ka. pse mos me u rimarrë një -J epentetike nga tradita edhe për tipin i emrit të përgjithshëm si b.f. liri liria me rastin e konvertimit të emrave të tipit të tillë si emra të përveçëm të njeriut.në trajtën e pashquar Lirije dhe në trajtën e shquar me –A: Lirija shumësi Lirije Lirijet.
Sidoqoftë, për mendimin tonë nuk prish punë aspak, po ndreq shumë, nëse drejtshkrimi i gjuhës shqipe emrat e tillë i normëzon me formantin ose fundoren -JE, andaj kërkojmë që kjo mënyrë të parapëlqehet institucionalisht nga standardologët tanë, sepse është i vetmi variant që rrumbullakson , duke e përfshirë tërë tipin e emrave në fjalë dhe nuk lë kurrfarë pasojash. Kështu një rrumbullakësim i tillë do të vlente për të gjithë shembujt e emrave të tillë të përvetësuar të përveçëm të njerëzve që në mashkullore marrin –I/U fundore, ndërsa në gjininë femërore -IJ/E, përkatësisht –IJ/A.
Pra një zgjidhje e tillë nuk duhet të jetë pengesë, pse emrat e përgjithshëm me -I të theksuar shquhen me -A, si shtëpi shtëpia, liri, liria, kusi kusia, ndonëse edhe këta deri në drejtshkrimin e vitit 1956, përkatësisht 1964, përdoreshin në alternativë edhe në variantin me -JA.
Del i nevojshëm edhe ky sqarim. Kur është fjala te gjinia mashkullore trajta -IJJ në shqipe si në turqishte shënohet e reduktuar në një -I të theksuar. Ashtu siç është vepruar, siç e pamë edhe me shembujt nga gjuha ruse që u cek më sipër, tipi. Gorkij në Gorki. Thjeshtëzimi me -i tek emrat e rusishtes i arsyetonte edhe prof. Xh. Lloshi.
Pra, edhe emrat me prejardhje arabo-turke të tipit me -i fundore të gjinisë mashkullore, përkatësisht i/je të gjinisë femërore në punime të veçanta janë përmendur nga studiuesit tanë. Kështu, studiuesi i parë, Palok Daka, që ia ka kushtuar një trajtesë-punim “Drejtshkrimit të emrave të përveçëm të njerëzve në gjuhën shqipe” e përmend si problem drejtshkrimor të shquarsisë tipin e emrat Ali Aliu ose Ali Alija. Ndonëse ai mendon se trajta e parë është më e drejtë, megjithatë ndër të tjera në fund edhe këtë çështje e radhit ndër temat që “kërkojnë trajtim të veçantë”. (Shih: Kongresi i drejtshkrimit, Prishtinë
Po shtojmë edhe këtë se në boshnjakishte edhe mashkullorët edhe femërorët e këtij tipi shkruhen e shqiptohen njësoj me mbaresë-shtesën -J/A, p.sh. m.Alija/f.Alija.. Së këtejmi kuptojmë se në listën e sipërpërmendur të botuar në Zëri, del vetëm një rast i tillë Ruzhdija NN, nga i cili kuptohet lehtë se personi ka emër muslimani boshnjak ose kemi të bëjmë me një emër minoritar boshnjak, por që për ne, faktikisht në gjuhën tonë një trajtë e tillë na sjell ngatërresë kuptimore, sepse nuk mund ta identifikojmë, është fjala për emër të gjinisë mashkullore apo kemi të bëjmë me një emër i gjinisë femërore?
Si përfundim.- Pra në shqipe del e diskutueshme çështja a duhet ndarë rastet me burim nga shqipja, tipi Liri Liria, Lumni Lumnia nga të përvetësuarat nga arabo-turqishtja si Nexhmije Nexhmija, Hysnije Hysnija, Shefkije Shefkija ose si duhen përdorur trajtat:
1) në trajtën e ngurosur me -I fundore pashquarsi Liri, Shefki, shumësi Liri-të!, Shefki-të;
2) me -i fundore me shquarsi të rregullt në -A Liri Liria, Shefki Shefkia, shumësi Liri-të, Shefki-të;
3) me -i fundore me shquarsi jo normative -JA: Liri Lirija, Shefki Shefkija, shumësi Lirijat, Shefkijat ose Liri-të, Shefkitë;
4) me -ie fundore: me nyjë-mbaresën shquese A: Lirie Liria, Shefkie Shefkia, shumësi Liriet Shefkiet,
5) me -ie fundore me nyjë-mbaresën shquese JA Lirie Lirija, Shefkie Shefkija, shumësi Lirie-t Shefkie-t ose
6) me -JE fundore dhe me nyjë-mbaresën shquese -A: Lirije LirijA, Shefkije ShefkijA, shumësi Lirije-t, Shefkije-t
Gjithsesi kjo çështje që mbetet e hapur ka mundësi zgjidhjeje në variante të ndryshme, por me shikue pragmatikisht, sipas mendimit tonë, siç e arsyetuam më sipër, më e pranueshme del zgjidhja sipas variantit të gjashtë me -I/JE fundore.në trajtën e pashquar, ndërsa me nyjë-mbaresën A në njëjësin e shquar dhe shumësi me mbaresës zero, përkatësisht me nyjë-mbaresën –T. Krahaso: njëjësi Lirije Lirija, Shefkije Shefkija., shumësi Lirije Lirijet, Shefkije Shefkijet, përkatësisht Kumnrije Kumrija Kumrije Kumrijet, Mahmudije Mahmudija Mahmudije Mahmudijet.
Sqarim.- Emri Mahmudije me sa dimë nuk vjen nga emri i prëveçëm
Mahmud, sepse trajta Mahmud (ose Mahmut), si dhe Mehmed (ose Mehmet) kanë të bëjnë me emrin e pejgamberit Muhammed, kriter merren bashkëtingëlloret MHD të arabishtes.
3) Emrat mashkullorë e femërorë me fundoren -ET
Interes, por edhe problem, paraqesin edhe emrat që në turqishten osmane (ku nënkuptohet edhe persishtja) nën ndikimin e arabishtes përfundojnë me -ET ose përgjithësisht me -T fundore. Ndonëse kjo -T si fundore e fjalës bazë motivuese në emrat nga arabishtja nuk del e shënuar gjithherë, por, si duket, del e nënkuptuar, sepse përndryshe s’dimë si mund të dalë aq e theksuar kjo fundore në turqishte e së këtejmi edhe në shqipe e në gjuhë të tjera.
Shkaljiqi b.f., te shembujt e huazuar nga arabo-turqishtja, nuk e shënon -T-në fundore te tema bazë motivuese, ndërsa Xhevahir Shaqiri e shënon pothuajse në të gjitha rastet. P.sh.:
Shkaljiqi: / Xhevahiri:
m. Nusret “nusrä” f. Nusreta / m. Nusret “nusrä(t)” f. Nusrete
Fikret “fikrä” Fikreta / Fikret “fikrät” Fikrete
Ismet “ismä” Ismeta / Ismet “ismät” Ismete
etj.
Ekspertët mund ta dinë më mirë, andaj edhe duhet ta sqarojnë, pse në arabishte te tipi i emrave të tillë nuk dallohet me anë të fundores gjinia femërore natyrore nga ajo mashkullore siç ndodh, b.f., me rastet e tipave të tjerë?
Sigurisht, është afër mendsh se edhe në arabishte edhe në turqishte do të dallohen emrat sipas gjinisë natyrore edhe te ky tip emrash, por kjo bëhet me tregues të tjerë varësisht nga konteksti, andaj edhe për këtë kërkohet sqarimi i duhur. Këtu ikemi parasysh faktin se në arabishte emri i gjinisë femnërore përveç sipas gjinisë natyrore e gramatikore dallohet edhe sipas formës edhe sipas kuptimit, prandaj raportet e tilla sa do të kenë ndikuar, apo jo, në formëzimin e emrave të tillë në shqipe ne nuk e kemi të qartë ose ku dhe në cilin grup emrat e tillë dalin të pëfshirë?
Sidoqoftë, ky fakt del karakteristik për këtë tip emrash.
Siç mund të shihet nga tre shembujt e mësipërm del se në boshnjakishte dallimi i gjinisë së emrave të këtij tipi bëhet me anë të fundores përkatëse -A. Kështu emrit të gjinisë mashkullore me fundoren -et, në gjininë femërore i shtohet fundorja -A, formant i specifikuar ky në atë gjuhë për gjininë femërore. Po në shqipe, si veprohet? Edhe në gjuhën shqipe, sipas shumicës së burimeve që konsultuam dallimi gjinisor bëhet kryesisht sipas treguesit vetjak, duke ia shtuar trajtës së mashkullores –E-në e specifikuar femërorizuese. Në të vërtetë, në shqipe edhe pse ky specifikim ka mundësi përligjësimi, një fakt i tillë ende nuk del i sanksionuar me rregulla drejt-fjalëndërtuese, andaj fundorja e emrave në fjalë ndodh me dalë jo njëtrajtëshe. Kjo është arsyeja që kësaj çështjeje do t’i kushtojmë trajtim të veçantë, relativisht mjaft të hollësishëm.
Këtë që e thamë për specifikimin e -E-së fundore për gjininë femërore të këtij tipi emrash në gjuhën shqipe jemi bazuar në burimet e konsultuara, të sipërcekura si Takvimi dhe Fjalor emrash (...) të Xh. Shaqirit, ku pothuajse të gjithë emrat e gjinisë femërore (mbi 30 shembuj) shënohen me -E fundore, po ashtu edhe në FESH dalin në përdorim këta shembuj të gjinisë femërore të këtij tipi me -E fundore: Fiqrete, Inajete, Nebahete, Nadrete, Fitnete. Gjithashtu edhe në veprën e cituar të Ilaz Rexhës (Orientalizmat...), ndeshim shembujt e gjinisë femërore me -E fundore, si. Hidajete, Kimete, Ajete, Sadete, e ndonjë tjetër. Po ashtu ngjan edhe tek www. Shqiperia.com, ku nga titulli “Emra të traditës muslimane” këta emra dalin të shënuar me -ET fundore:
a) në gjininë mashkullore: Behxhet, Fikret, Hidajet Hikmet, Ismet, Nexhdet, Nusret, Rafet, Rufet, Shevqet, Sharamet, Xhevdet;
b) në gjininë femërore: Ajete, Devlete, Fakete, Ganimete, Hidajete, Ibadete, Kimete, Nezaqete, Selvete, Shuhrete, Vahdete, Zinete, Zymrete, Zyrafet(!/e).
Siç e thamë në burime të tjera ndeshim edhe emra të tjerë me fundoren -ET.
Megjiatë, është për t’u theksuar me keqardhje se në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973) si dhe në gramatikat përkatëse normative të gjuhës sonë, me sa pamë, nuk është dhënë asnjë shembull përfaqësues i emrave të këtij tipi. Me fjalë të tjera mund të thuhet se ky tip emrash në krahasim me shembujt e arabishte-turqishtes deri më tash nuk është trajtuar fare nga studiuesit tanë në aspektin drejtshkrimor, edhe pse siç është cekur më përpara, në Emra shqiptarësh ndeshim afro 50 shembuj me prejardhje anase me fundoren -T, (emra ilirë, ose të vjetër, gjithsesi emra nga tradita), prandaj na mbetet ne, që, siç e thamë, pak më në hollësi, të bëjmë fjalë rreth drejtshkrimit të tyre, sepse në jetën praktike drejtshkrimi i emrave të këtij tipi del në mënyra të ndryshme dhe së këtejmë edhe mjaft problemor.
Sigurisht nën ndikimin e trajtave përkatëse të turqishte-arabishtes nuk janë të pa gjurmë rastet, sidomos kur emri i gjinisë femërore nuk ka çift paraprirës të gjinisë mashkullore ose anasjelltas, si p.sh Atifet, Ibadet, Kimet, Nimet, Shyhret, Ylfet, Xhenet, Vahdet, Zinet, Zyrafet, Elfet, Zarafet etj. (Këta dy të fundit, të vetmit nga shembujt e gjinisë femërore që në Takvim nuk marrin -E-në fundore).
Është e vërtetë, siç u tha, se emrat e tillë në turqishte dalin njëlloj në të shkruar në të dyja gjinitë, siç i shënuam edhe ne më sipër dhe huazimet e tilla sipas formës transfer, të cilët në gjuhën tonë paraqesin problem, ngase, kur është fjala te regjistrat përkatës etj., d.m.th. jashtë kontekstit të fjalisë dallimi kuptimor i gjinisë del i pamundur në gjuhën shqipe, sepse homoforma mashkullore/femërore del e njëjtë.
Kur përmendëm shprehjen jashtë kontekstit patëm parasysh faktin se në përditshmërinë tonë edhe pse dalin në mjaft raste emrat e gjinisë femërore homoformë ma ata të gjininë mashkullore, megjithatë mesazhi mund të jetë deri-diku a për dikë i kuptueshëm. I kuptueshëm sigurisht për një rreth fort të ngushtë dhënësish dhe marrësish, b.f. të urimeve e përshëndetjeve ose të përkujtimeve që po dalin vazhdimisht në mjetet tona të informacionit (sidomos në gazeta dhe radio),
Thamë mbase kuptimisht nuk lajthitet shumë pasi personat njihen nga rrethi përkatës e në raste edhe po parashoqërohen me treguesin përkatës të gjinisë femërore ose mashkullore si motra Sadeti, nusja Mirveti, halla Ganimeti, nëna Kimeti, gjyshja Ibadeti, bashkëshortja Nezajeti, shoqet Ibadeti, Adifeti, Fikreti etj. Ose anasjelltas: vëllai Safeti, baba Hidajeti, Gjyshi Ismeti, e kështu me radhë.
Megjithatë, për palën e tretë të papërfshirë në rrjedhat e urimit ose të përkujtimit përkatës, siç do të shohim në ndonjë shembull konkret mesazhi nuk mund të jetë i qartë, pjesërisht ose plotësisht. Ai në ato raste do të jetë më i qartë vetëm nëse hyjnë në veprim trajtat speciale shqipe të shquarsisë së emrit sipas gjinisë.
Ç’është e vërteta, ne kemi rastisur të dëgjojmë këtë përshëndetje: Shoqet, Valdeti e Fikreti ia urojnë fejesën Safetit me Hidajetin. Në fjalinë e tillë s’dimë sa mund të thuhet se mesazhi del i qartë? Ndoshta për dikë, ashtu-kështu mund të kuptohet, por për dikë tjetër sigurisht jo. Le të dëgjohet edhe varianti tjetër Shokët, Valdeti e Fikreti ia urojnë fejesën Safetit me Hidajetin. Edhe këtu ndoshta mund të thuhet se diçka del e qartë, ngase në të dyja variantet kuptimin e dirigjuaka fjalë-treguesi i parë: shoqet / shokët! Pra, dikush mund të arsyetohet ashtu se treguesi i parë shoqet ose shokët ndërlidhet me gjininë e emrit të parë, por për dikë tjetër, si për mua, edhe ky arsyetim nuk del bindës, ngase kjo dukuri lidhur me topikën e ndërlidhjes së emrit me gjinisë përkatëse nuk ndeshet e sqaruar për këtë pikë në asnjë burim normativ të gjuhës sonë. Po ky konfuzion del edhe në variantin tjetër. Kështu kërkohet nga lexuesi që të lexohet (dëgjohet) dhe të kuptohet edhe varianti tjetër për t’u përgjigjur, cili nga të fejuarit është motra e cili është vëllai? Ose cili është i fejuari a kush apo cila është e fejuara?
1. Motrat, Valdeti dhe Fikreti ia urojnë fejesën Safetit me Hidajetin.
2. Vëllezërit Valdeti e Fikreti ia urojnë fejesën Safetit me Hidajetin.
Edhe në këtë kontekst për mendimin tonë për palën e tretë që nuk është i përfshirë në atë rreth të ngushtë, sigurisht, s’ka si mos të ketë paqartësi..Pa dyshim në krahasim me variantet e sipërshprehura më i qartë do të dilte kuptimisht e gramatikisht konstrukti në stilin neutral (zyrtar), po të dilte teksti i formuluar kështu:
1. Shoqet (ose motrat) Valdetja dhe Fikretja ia urojnë fejesën Safetes me Hidajetin ose e kundërta:
2. Shokët (ose vëllazërit), Valdeti e Fikreti ia urojnë fejesën Safetit me Hidajeten.
Të vihen re te rastet e mësipërme si ka ndryshuarr kuptimi i emrit përkatës për nga funksioni. Sigurisht harmonizimi kuptimor e funksional i emrave me drejtshkrimin e emrave bëhet sipas prapashtesë-fundoreve gjinisore që ka emri në gjuhën shqipe.
Sido që të jetë, meqë dukurinë e emrave femërorë që shquhen si të ishin mashkullorë del edhe te raste të tjera jo vetëm te ky tip emrash, me sa pamë, që numerikisht kalojnë 60-shin, këtu nuk po ndalem më gjatë, por ngulmojmë në kërkesën tonë se zgjidhja më e mirë duket se është ajo që emrat femërorë të këtij tipi në trajtën e pashquar të marrin -E fundore, ndërsa në të pashquarën -JA, tipi: Kimete Kimetja, e kështu me radhë.
Në mbështetje të mendimit tonë dalin edhe këto katër fakte:
Së pari, raporti i dallimit të nocioneve të caktuara, të emrave të njëjtë homoformë del i qartë duke dalluar fundoren e gjinisë: vëlla/motër, burrë/ grua ose prind/fëmijë, si p.sh :
Ajet/Ajete ose Ajete/Ajet, FikretFikrete ose Fikrete/Fikret, e kështu me radhë; pastaj: Hidajet/Hidajete, Ismet/Ismete, Izet/Izete, Rafet /Rafete, Rufet/Rufete,, Safet/Safete, Servet/Servete, Nusret/ Nusrete, përkatësisht me mundësi të hapur emërtimi të emrit paralel: Devlet/e, e Fitnet/e, Ganimet/e, Ifet/e, Mevedet/e,, Mirvet/e, Sadet/e Selvet/e, Shyhret/e, Ulfet/e Elfet/e Ylfet/e etj ose Shevqet Shefqet, Sheramet Sheremet, Xhevdet etj.,
ku çifti gjinisor për analogji mund të përftohet pothuajse normalisht, varësisht nga konteksti. Ndërsa shumësi del mjaft natyrshëm si b.f. m. Nysretë t/ f. Nysretet, d.m.th. shumësi i gjinisë mashkullore me –ËT, ndërsa ai i gjinisë femërore me –ET fundore.
Së dyti, për të shmangur ngatërresën me emrat e tillë në shqipe ndodh të kopjohet zgjidhja sipas boshnjakishtes me -A. Në boshnjakishte të gjithë emrat e gjinisë femërore marrin fundoren femërore -A të specifikuar për atë gjuhë, p.sh. Faketa, Kimeta. Në shqipe siç dihet, -A-ja është nyjë-mbaresë femërore e njëjësit të shquar, por që vetvetiu nënkupton që trajta e pashquar ka fundoren -Ë. Kështu nëse shkruajmë ose e shqiptojmë në njësin e shquar Kimeta, vetvetiu trajta e pashquar e fjalës së tillë sipas rregullit kërkon të ketë -Ë fundore KimetË(!) Kimeta, e kështu me radhë.
Me fjalë të tjera me parapëlqimin e drejtshkrimit të tillë, bëhen gabime të rënda në këtë segment, ngase, pa kurrfarë nevoje, krijohen probleme të paqena ndaj strukturës emërndërtuese dhe emërformuese të gjuhës sonë.
Së treti, edhe pse emrat me prejardhje shqipe sipas kësaj mënyre aktualisht duket se është i vogël, në të vërtetë në Fjalorin “Emra shqiptarë” ndeshim afro 50 emra të këtij tipi në të dyja gjinitë. Të gjithë emrat e gjinisë mashkullore marrin -ET fundore, ndërsa ata të gjinisë femërore varësisht nga tema që motivon. Marrin -ETA ose ETE, Kështu b.f. kur si gjymtyrë e dytë ose e parë del një emër femëror si Flladjeta, Donjeta, Mbarjeta ose Erleta, dalin me -ETA fundore, ndërsa kur gjymtyra e dytë ose vetë emër-tema del e gjinisë mashkullore, atëherë emri i përveçëm i gjinisë femërore del me -ETE, p.sh. Valdete, Shëndete, Vullnete, Erdete. Supozojmë se në të ardhmen me sforcimin e trajtës së gjinisë mashkullore, përkatësisht kur edhe emri i përveçëm largohet, si me thënë, nga tema motivuese, atëherë emrat paralelë do të harmonizohen në trajtën e pashquar mashkullor/femëror, si Erlet /Erlete, Donjet/ Donjete, Valjet/ Valjete e kështu me radhë, sikurse m. Valdet Valdeti Valdetët / f. Valdete Valdetja Valdetet.
Sidoqoftë, në këtë burim (Emra shqiptarë) në asnjë rast nuk del homograf emri i gjinisë mashkullore me atë femërore.
Së katërti, gjithsesi emrat e përvetësuar në shqipe të tipit me -ET si Hidajet /Hidajete, Valdet/Valdete, lypset përforcuar në gjuhën e shkrimit, në mënyrë që ndikimi formal, qoftë nga turqishtja e sotme si b.f. Vahdet etj. ose nga shembujt e gjuhëve “moderne” të përdorur në trajtën e pashquar, si: Xhinet, Margaret, Elisabet, Zhanet, qoftë në atë të shquar, si Vahdeta, Xhineta, Elizabeta, Zhaneta etj. s’duhen përligjur në shqipe, kur për këtë kemi modelin shumë të përshtatshëm si Elizabetë Elizabeta, Zhenetë Zhaneta e kështu me radhë, kur nuk ekzistojnë emra paralel të gjinisë mashkullore. Këtu lypset një sqarim. Pajtohemi plotësisht me ata që tërheqin vëmendjen që nuk duhet lejuar përdhosja e zgjidhjeve të natyrshme të shqipe, të tipit Besë Shpresë, me ndonjë –E fundore pa kuptim Bese, Shprese, Blete, Elisabete(!) etj., ku, në rastet e tilla nuk ka emra paralele ndërgjinisor, siç janë shembujt Bletë-Bleta, Jetë Jeta, Krahjetë Krahjeta, Arjetë Arjeta Elisabetë Elizabeta etj.
Po kthemi sërish te çështja kyqe. Sido që të jetë, një përdorim i tillë i emrave femërorë në trajtën mashkullore, qoftë i zbatuar nga ndikimi i turqishtes, ose të ndonjë gjuhe tjetër “moderne” ose në shenjë respekti e përkëdhelie, e ku ta dimë, për mendimin tonë, assesi nuk duhet parapëlqyer.
Sipërfundim
Pa dyshim, më e udhës do të ishte, për mendimin tonë, që dallimi i gjinisë femërore, njëjës e shumës, të bëhet me -E. fundore Krahaso, b.f. shembullin, në gjininë mashkullore, në njërën anë: Hidajet Hidajeti Hidaletë-t ose Valdet Valdeti Valdetë-t, kurse, në anën tjetër, në femërore: Hidajete Hidajetja Hidajete-t ose Valdete Valdetja Valdete-t e kështu me radhë.
4) Emrat mashkullorë me konsonant fundor dhe
femërorja paralele me -E fundore
Tash po e shënojmë një grup tjetër pa mbaresat fundore, -im, -i e -et, po nga emrat mashkullorë mbi temë në bashkëtingëllore krijohen emrat paralelë femërorë mbi të njëjtën temë prodhuese, si në gjuhët arabe e turke, ashtu edhe në gjuhën shqip. Numri i shembujve të tillë në përdorim e sipër në gjuhën tonë është mjaft i madh, Ja disa shembuj:
Abaz Abaze Amir Amire, Arif Arife, Asaf Asafe, Atif Atife, Aziz Azize, Bakir Bakire, Began Begane Dervish Dervishe, Emin Emine Edib Edibe, Elmaz Elmaze, Enis Enise, Fadil Fadile, Fahir Fahire, Hafiz Hafize, Ferid Feride, Galib Galibe, Ghylizar Gjylizare, Hamit Hamide, Habib Habibe, Halid Halide, Latif Latife, Lebib Lebibe, Mahir Mahire Mesud Mesude, Mid-had Mid-hate, Munib Munibe, Munir Munire, Muzafer Muzefere, Munib Munibe, Nezir Nezire, Nexhib Nexhibe, Nail Naile, Nafis Nafise, Nazif Nazife Naim Naime, Nasih Nasihe, Pashan Pashane. Qamil Qamile, Ramiz Ramize, Raif Raife, Ramiz Ramize, Rashid Rashide, Refik Refike, Sidik Sidike, Shaqir Shaqire, Shahin Shahine, Shefik Shefike, Sherif Sherife, Sahit Sahide. Suad Suade, Shahin Shahine, Sherif Sherife, Tahir Tahire Taib Taibe, Xhemil Xhemile, Vahid Vahide Zahid Zahide, Zakir Zakire, Zarif Zarife etj,
Në të vërtetë, grupi i emrave të tillë në gjuhën tonë nuk paraqet kurrfarë problemi drejtshkrimor në të dyja gjinitë, megjithatë ia vlen të përmendet vetëm një veçori dialektore. Është fjala te shqiptimi i zanores fundore tek emrat femërorë në trajtën e shquar e si rrjedhojë ky shqiptim shfaqet edhe në trajtën e shumësit, andaj del çështja në alternativë: alternativa e parë, b.f. Habibe Habibja Habibet, alternativa e dytë: Habibe Habibeja Habibetë. Mendojmë se alternativa e parë del më e përhapur, andaj duhet favorizuar.
Na merr mendja se prania e emrave të këtij grupi me prejardhje arabo-turke me konsonant fundor që femërorëzohen me prapashtesën -E, që numerikisht kajojnë 80-shin, duhet të cilësohen si të përvetësuar, andaj ky fakt duhet të kihet parasysh dhe të vlerësohet drejt edhe te shembujt e ri që po përftohen ngjashëm në gjuhën tonë, zakonisht, qoftë si kompozita ose si emra të prejardhur mbi bazë vendëse, si p.sh.
Fatmir-i/ Fatmire Fatmirja, Dëshir-i/ Dëshire Dëshirja, Lorik-u/ Lorike Lorikja, Jetmir-i/ Jetmire Jetmirja, Rilind-i/ Rilinde Rilindja, Fatbardh-i/ Fatbardhe Fatbardhja, Besëfort-i/ Besforte Beëfortja Fatjon-i/Fatlone Fatjonia etj.
Në të vërtetë, emrat e tillë të gjinisë femërore po dalin edhe në dy variante të tjera, si:
a) Fatmirë Fatmira, Dëshirë Dëshira, Lorikë Lorika. Fatbardhë Fatbardha, Jetmirë Jetmira, e kështu me radhë
ose
b) vetëm në trajtën e shtanguar me -A fundore si
Fatmira, Dëshira, Lorika, Fatbartdha, Fatjona etj.
dhe që të dyja këto variante ne i quajmë të diskutueshme.
Sidoqoftë, për mendimin tonë, kur emrat e caktuar tashmë kanë krijuar çift (mashkullorë/femërorë ose anasjelltas), atëherë trajtat e femërores me -E fundore në trajtën e pashquar i quajmë normale, por a do të përthithen edhe trajtat e tjera që ende nuk kanë çift paralel le të ndiqet kjo dukuri, përndryshe edhe trajtat me -Ë fundore në temë nuk janë kundër natyrës së gjuhës shqipe, ndërsa rastet me -A fundore pa shquarsi mendojmë se gjithsesi duhen rishikuar
Në Emra shqiptarë siç e kemi cekur me sipër nuk respektohet parashikimi ynë te mjaft raste paralele. Aty ndeshim si p.sh. Bamir Bamira, Balmir Balmira, Bletmir Bletmira, Dorbardh Dorëbardha, që për mendimin tonë më e udhës do të ishte që në vend të A-së fundore me marrë -E fundore dhe në trajtën e shquar -JA. Sidoqoftë, edhe në atë burim shihet një prirje e dallueshme me fundoren -E te rastet paralele e të tjera,siç po parapëlqehet prej nesh, si p.sh.
Dukagjin Dukagjine, Flladagim Flladagime, Fidan Fidane, Gramoz Gramoze, Kushtrim Kushtrime, Liridash Liridashe, Lulmal Lulmale
dhe në raste të tjera me –E ose –JE fundore e jo me –A, si p.sh.:
Lulzjarre, Miradije, Merushe, Mirashe, Mirgjine, Përlindje, Petrite, Rilindje, Rrezagime, Rrezage, Sazane, Shkumbine, Vraptare, Yllkuqe, Yllballe, Zemërushe, Zambake etj.
Sa i përket grupit të emrave të përvetësuar në shqyrtim me prejardhje turko-arabe, siç e pamë, trajta paralele e femërores formohej me fundore-prapashtesën -E, tipi Habibe, Sherife ndërsa në boshnjakishte edhe te ky tip përdoret -A si p.sh. Habib Habiba., Sherif Sherifa e kështu me radhë, andaj reflektimi i një trajte të tillë në shqipe, sidomos te ne, konsiderohet si trajtë e papranueshme, andaj edhe trajtat e shtanguara me -A fundore si Fatmira, Deshira etj. i shohim të papërshtatshme në gjuhën tonë. S’do mend se shqipja nga vetë natyra e saj që e ka e do dytrajtësinë e shquarsisë në të dyja gjinitë si p.sh. Habib Habibi/Habibe Habibja, Sherif Sherifi/Sherife Sherifja, Fatmir Fatmiri/Fatmire Fatmirja e kështu me radhë,
Sido që të jetë, gjithsesi standardologët tanë kanë mundësi me përzgjedhë njërën alternativë, por për mendimin tonë, kur është fjala te shembujt paralelë mashkullorë/femërorë një zgjidhje e tillë as që duhet diskutuar, por duhet pranuar zgjidhjen më të mirë. Krahaso: edhe njëherë: Tahir Tahiri Tahuirët ndaj Tahire Tahirja Tahiret, Fatmir Fatmiri Fatmirët ndaj Fatmire Fatmirja Fatmiret, Lorik Loriku Lorikët ndaj Lorike Lorikja Loriket, e kështu me radhë
5) Emrat mashkullorë me -IN a -DIN fundore
Për hir të faktit se një numri relativisht i madh të emrave me prejardhje persiano-turko-arabe janë të pranishëm në gjuhën tonë me fundoren -in ose siprapashtesën -din, që kalojnë dukshëm 50-shin, këtë tip emrash kryesisht mashkullorë, po e trajtojmë si pikë të veçantë.
Ja disa shembuj të prejardhur nga tradita islame:
a) me -IN fundor: Hajdin, Misin, Gjyltekin, Mumin, Tahin, Besin, Husin, Rasin, Tursin, Jasin, Tahsin, Nermin, Metin etj
b) me -DIN fundor: Abadin, Abidin, Abedin,, Bedrudin, Nasradin, Elmedin, Xhelaludin, Izedin, Nexhmedin, Sadudin, Isamedin, Mevludin, Muhidin, Nuredin, Sadudin, Xhemaludin etj.
Nëngrupit të parë i shtohen edhe dy shembujt që u shënuan në tipin e mëparshëm Emin dhe Shahin, por që nuk përsëriten këtu sepse si duket vetëm te ata dy shembuj dilte femërorja paralele Emine, Shahine. Me këtë duam të themi se tek shembujt e nëngrupit a) vështirë se mund të gjendet ndonjë shembull tjetër në gjininë femërore, ndërsa sa i përket nëngrupit b) që kanë siprapashtesën ose gjymtyrën -DIN, e cila si fjalë e vetme ka kuptimin fe- feja (feja islame), mund të thuhet, me sa pamë ne, se nuk del asnjë emër paralel në gjininë femërore.
Në shqipe fundori -IN nuk dimë sa ka joshur aktualisht emra mashkullorë të rinj mbi gurrë autoktone. Siç mund të dihet ndër ne kanë përhapje edhe emrat Ervin, Florin, Pjerrin, Gjovalin, Augustin, Martin, Albin, Krispin e ndonjë tjetër, por këta janë me origjinë joarabe dhe në formimin e shumimin e tyre sigurisht nuk ka ndikuar prania e emrave më -IN si më sipër. Te ne më tepër del e përvetësuar aktualisht fundori -IM, i cili në raste ndërkëmbehet me -IN si Besin Besim Misin Misim e ndonjë tjetër. Por, në të vërtetë, me -IN fundor në gjuhën tonë në “Emra shqiptarësh” dalin mbi 50 emra të regjistruar e së këtejmi kuptohet se dalin edhe të rekomanduar. Po i përmendim disa: Agrin, Alasin, Andin, Artin, Ashtin, Bonin, Çelin, Delin, Drin, Edrin, Erin, Gjin, Lajdin, Tarin, Valgjin etj.,. të cilët me sa dimë nuk janë fort të popullarizuar aktualisht, së paku te ne, megjithatë emri Valdrin, shkurtesa Edin, madje Shkumbin e Dukagjin edhe ai i trashëguari Gjin Gjini si Din Dini i ndeshim mjaft shpesh në përdorim si emra të të përveçëm të gjinisë mashkullore, por është shumë e vërtetë se në realitetin tonë, në kohë të vona, ndeshen gjithnjë e më shumicë emra femërorësh me fundore-prapashtesën -INË, kryesisht me burim vendës, si Bardhinë-a, Blerinë-a, Çiltërinë-a, Kaltrinë-a, Trëndelinë-a, Urtinë-a etj
Sidoqoftë, mund të konstatohet se emrat me prejardhje persiano-arabo-turke me -IN a -DIN fundore janë deridiku aktivë, por jo prodhimtarë në gjuhën shqipe, ndërsa ata me -INË fundore të gjinisë femërore priren të jenë prodhimtarë dhe si rrjedhojë mund të tërheqin a të ndikojnë në shumimin e emrave mashkullorë me -IN, të cilët paskan mbështetje edhe në traditën e hershme.
6) Emra mashkullorë me konsonant fundor
pa femërorë paralelë
Është edhe një grup tjetër emrash, përveç atyre me -IN (-DIN) fundor që e trajtuam më sipër, që në gjuhën dhënëse (arabo-turko-persiane) i ndeshim vetëm në gjininë mashkullore dhe si të tillë dalin kryesisht edhe në gjuhën shqipe, si:
Axhem-i, Bahtijar-i, Bajram-i, Behlul-i, Çejvan-i, Feriz-i, Hurshid-i, Husrev-i, Kahriman-i Kajtaz-i, Kurt-i, Sadik-u, Selman-i, Osman-i, Reuf-i, Rezak-u, Sefer-i, Mehmet-i Mahmud-i Muhamet-i, Naser-i, Murtez i, Murtezan-i Nijaz-i, Nuh-i, Rizvan-i, Ridvan-i, Sejfullah-u, Zeqir, Shaban-i, Vehab, Bajazit e Pajazit-i, Sulejman-i, Sheremet-i, Shahsivar-i, Rrustem-i, Server-i, e ndonjë tjetër.
Dhe që të gjithë këta në shqipe shquhen, siç po shihet, qoftë me nyjën -I ose -U, por që edhe ndonjëri prej tyre në ligjërime të gjuhës sonë mund të jetë femërorëzuar analogjikisht, sipas modeleve përkatëse me prapashtesën -E ose-JE, si p.sh. Axheme, Sejfullahe, Nuhije (siç doli në gazetën Zëri, dt. 10.II.’09 f. 38).
Sidoqoftë, emrat e këtij grupi, pasi mbarojnë me konsonant në temë, në shqipe nuk paraqesin problem drejtshkrimor, pos emrave me H fundore, të cilët sipas rregullës gramatikore duhet të shquhen me -U si Menduh, Nuh, Nasih, Rizah, por ata zakonisht dalin të trashëguar me -I fundore (arabo-persiane) e jo me -U në trajtën e shquar: Menduhi, Nuhi (Nuhiu) Nasih Nasihi, Salih Salihi (Saliu), Rizah Rizahi (Riza Rizai apo Rizë Riza që kalon në një grup tjetër të emrave me -A fundore).
Lidhur me rregullën gramatikore se emrat mashkullorë të shqipes në njëjësin e pashquar me K, G dhe H në temë në trajtën e shquar marrin nyjë-mbaresën -U, rregull kjo që tek emrat e mësipërm kur është fjala të shembuj me -H fundore nuk është respektuar, e konsiderojmë të nevojshme të theksojmë sqarimin që jep lidhur me këtë prof. Selman Riza.
Prof. S. Riza pasi e konstaton se një dukuri e tillë i takonte më tepër të folmeve elbasano toskërishte, shpjegon:
“po të mos zevendësohesh në këtë rasë I-ja prej U-së, atëherë K-ja dhe G-ja do të qiellzoheshin, d.m.th. do të këthesheshi respektivisht në Q dhe GJ. Shka do të kishte pasë për pasojë me ndërrue rranjën e njajsavet mashkullorë që mbarojnë në bashkëtingujt K dhe G. (Shih: S. Riza Vepra 1, ASHAK, Prishtinë,
Siç po shihet prof. S. Riza nuk përmend, rastet me -H fundore, por edhe për këtë ka shpjegim të pranueshëm:
”Sa për trajtat krahU, gjahU etj. thom se këtu zëvendësimi i I-si (krahi, gjahi) prej anës së U-së do të ketë ardhë prej njëfarësisë së bashkëtingullit H me bashkëtingujt K dhe G” (Po aty f. 195.)
Sidoqoftë, edhe ne konstatuam se emrat e përveçëm në fjalë dalin me qoftë me -I fundore në trajtën e pashquar si Menduhi, Ruhi, Nuhi, Shehi, Salihi, Rizahi, qoftë me H në temë si Salih, Rizah- Nuh, Menduh që në të shquarën marrin nyjë-mbaresën -I ; Salihi, Rizahi, Nuhi, Menduhi ose disa prej tyre e zhdukin fare H-në fundore në gjuhën shqipe. Krahaso Salihi ose Sali-u, Rizah-i ose Riza-i apo Rizë-a etj.
7) Emra femërorë pa mashkullorë paralelë
Emrat që dalin vetëm në gjininë femërore i ndajmë në dy grupe, ata me zanore fundore (zakonisht emra arabë) dhe ata me konsonant fundor (kryesisht emra nga turqishtja ose persishtja, por të përvetësuar ose të shtrirë si të tillë në mbarë botën arabo-islame).
1. Ja disa shembuj të nëngrupit të parë:
Aishe, Hatixhe, Behixhe, Magfire, Mukadeze, Shahindere, Hanife, Haxhere, Mevlude, Magbule, Pakize, Zade (Shehzade, Shahzade, Begzade) e ndonjë tjetër.
2. Ja tash disa shembuj nga nëngrupi i dytë;
Ajnur-i, Ajtën-i, Allten-i, Bahtishah-i, Hatman-i, Igball-i, Mejrem-i (hebr. Majram), Mergjan-i, Nermin-i, Nesrin-i, Shukran-i, Sheriban-i, Gjylfidan-i, Zavjer-i, Kefser-i, Melihat-i, Sebahat-i, Minaver-i, Ajfer-i, Sadber-i, Sinaver-i, Mizafer-i, Gjylshah-i, Mirishah-i, Perver-i, Umihan-i, Zymryt-i etj.
Në vijim po japim ndonjë veçori për dy nëngrupet e mësipërme:
a) Në të vërtetë është fjala te nëngrupi i parë nën 1), d.m.th. te rastet kur tema përfundon me zanore emri femëror nuk paraqet kurrfarë problemi drejtshkrimor në shqipe, sepse pothuajse ka zhvillim normal sipas modelit ekzistues përkatës që e ka gjuha shqipe, madje këtë zhvillim, siç po e shohim në shtypin e ditës, e ndeshim edhe tek emrat e konfesionit katolik, si File Filja, Gjeline Gjelinja, Gjyste Gjystja, Marte Martja, Mire Mirja, Mere Merja, Monike Monikja Pashke Pashkja, Tereze Terezja Vitore Vitorja etj. (Sa për ilustrim shih edhe te Zëri, 28.02.’09, f. 44 dhe te www. Emra femrash malësore te Emra shqiptaresh.)
b) Në anën tjetër, kur kemi të bëjmë me emrat me konsonant fundor (grupi i mësipërm nën 2), të cilët janë të gjinisë femërore natyrore në gjuhën tonë paraqitet problem, ngase gramatikisht emrat e tillë në gjuhën tonë, sipas formës a veshjes së jashtme të fundores që kanë ose të nyjë-mbaresës që marrin në njëjësin e shquar, dalin si të ishin emra mashkullorë. Për këtë shkak themi se paraqesin problem, pasi nuk përputhen me rregullat gramatikore të gjuhës sonë. Siç dihet, në gjuhën tonë emra të tillë me konsonant fundor autokton përgjithësisht nuk i kemi ose e kemi ndonjë rast të vetmuar e të rrallë me togjet –ëz, -ull, -ur fundore (tipi: mollëz –a, rregull-a flutur-a), por në trajtën e shquar marrin nyjë-mbaresën –A, jo –I ose –U. Sipas rregullit, çdo emër me konsonant në gjuhën tonë i takon emrit natyror ose gramatikor mashkullor dhe shquhet me -I ose –U. Mirëpo, ç’është e vërtetë, është me interes të ceket fakti se kjo dukuri, d.m.th që emrat femërorë në ndonjë rast të vetmuar dalin në trajtën e emrave mashkullorë dhe anasjelltas, ceket si rast i lejueshëm dhe normativisht. Kështu në Gjuha letrare shqipe për të gjithë thuhet:
“Gjinia gramatikore e emrave të përveçëm të njerëzve përcaktohet nga seksi i personit përkatës, p.sh. Lekë-Leka, Dedë Deda, Kolë-Kola, Koço Koçoja, janë emra të gjinisë mashkullore, megjithëse shkojnë sipas lakimit të emrave femërorë, nga ana tjetër emrat si Nermin-i, Antigoni, etj. janë emra femërorë, megjithëse shkojnë sipas lakimit të emrave mashkullorë. (Aty f. 11.)
Po ky fakt konstatohet edhe në Gramatikën e B. Becit (Aty f. 11.)
Siç po shihet, pra, prej emrave me prejardhje orientale, edhe pse kishin me dhjeta e dhjeta shembuj që i përmendëm më sipër, këtu nuk ceket asnjë me prejardhje turke ose arabe. Përmendet vetëm emri Nermin që është me prejardhje persiane dhe Antigoni me prejardhje greke..
Ç’është e vërteta, shembuj të tillë, siç u cek më sipër, dalin mjaft shpesh, pothuajse për ditë, jo vetëm në ligjërimet tona, por dalin edhe në mjetet e informimit, sidomos kur bëhen urime e përshëndetje ose përkujtime, për këtë sa për ilustrim po përmendim, se përveç shembujve të cekur më sipër në burimet tona përkatëse normëzuese ndeshim mjaft shembuj edhe të tjerë që ne po i përmendim në dy pikat e mëposhtme:
1. Në FESH i ndeshim në përdorim këta dy shembuj karakteristikë:të gjinisë femërore: Irfan (Çoçolli) dhe Meriban (Najdeni), në Takvim, pa E-në femërorëzuese, nuk del vetëm emri Nermin, por edhe këta shembuj: Hanëmshah, Hyrishah, Neriman, Umihan(i), plus Zyrafet e Elfet
2. Në realitetin tonë, sidomos në faqet e gazetave (Koha ditore, Zëri, Kosova sot, Bota sot etj.) sidomos në rubrikat e përkujtimeve ndeshim me dhjeta emra të këtij tipi në trajtën e shquar, të cilët jo vetëm përsëriten, por edhe shoqërohen me shembuj të rinj, si p.sh:
a) me -et fundore: Mirveti, Faketi, Ganimeti, Hikmeti, Valdeti, Shyhreti, Rafeti, Safeti, Atifeti, Fitneti, Sahadeti, Zyrafeti, etj.
b) me -er ose -en fundore e të tjera: Qefseri, Perveri, Ajferi, Mynaveri, Synaveri, Engjëlli, Mukadezi, Kymetani, Gylteni, Nyrteni etj.
c) me -ush fundore: Baftushi, Fikrushi, Midushi, Minushi, Mirushi, Nanushi, Sadushi etj.
Pra, nga sa u paraqit kjo është vetëm një pjesë e realitetit, ngase dalin me dhjeta e dhjeta shembuj, por ne nuk e shohim këtë gjendje aq alarmante, sepse mendojmë se kjo mund të frenohet pa vështirësi, ngase shumica e rasteve të tilla, vërtet vjen nga ndikimi i gjuhëve të huaja si preteks, por edhe për shkaqe përkëdhelie e ku ta dimë, prandaj kërkojmë nga standologët tanë që edhe këtë çështje të hapur ta zgjidhin, duke rekomanduar që emrat e tillë si emra femërorë që janë të përdoren, duke u pajisur me femërorëzuesen -E në trajtën e pashquar, dhe të shquhen me -JA, sidomos në stilin neutral (zyrtar), sepse ç’është e vërteta edhe rastet me -E fundore në realitetin tonë gjuhësor, po ashtu, nuk mungojnë si dysorë, madje ato janë mbizotëruese, sidomos në burimet zyrtare. Edhe në Emra shqiptarësh të gjinisë femërore nuk e ndeshim asnjë shembull të shënuar pa E ose -Ë fundore në trajtën e pashquar ose të shquar me nyjë-mbaresën -i.
Gjithsesi propozimin që dhamë presim të jetë i miratuar nga standardologët tanë, natyrisht si rregull drejtshkrimor duhet të përfshihet e të theksohet qartë edhe në burimet normative të gjuhës shqipe.
8) Emrat femërorë e mashkullorë
me fundoren -A në temë
Grup më vete dhe jo aq të vogël e përbëjnë emrat e dy gjinive, femërorë e mashkullorë me prejardhje arabo-turko-persiane, që trajtën përfaqësuese e bëjnë me fundoren -A në temë, siç janë:
a) Shembuj të gjinisë femërore: Ajna, Amra, Alma, Elma, Esma, Azra, Fehma, Hana, Hava, Kada, Havsa, Lejla, Hida, Mula, Pemba, Refka, Selma, Zehra, Ziba, Zyba, Zyhra etj.
b) Po ashtu edhe disa shembuj të gjinisë mashkullore si, Bejta, Beka, Bushra, Buhara, Isa, Lala, Musa, Zija etj.
Emrat e tillë me -A fundore në trajtën përfaqësuese i ndeshim në katër gjuhët e konsultuara: arabisht, turqisht, boshnjakisht e shqip, por në shqipe edhe në këtë pikë spikaten çështje problemore, siç është edhe çështja e theksimit të fundores -A.
Pikërisht lidhur me këtë shqiptim del e ndërlidhur edhe shquarsia. Së këtejmi kjo theksueshmëri si çështje e diskutueshme vlen për shembujt e dy gjinive.
Po e ilustrojmë këtë dukuri konkretisht, duke i ndarë shembujt në sinëngrupe brenda dy nëngrupeve të dy gjinive:
1. Gjinia femërore
Trajta e tillë e gjinisë femërore nëse ka shqiptim të theksuar, atëherë emri konsiderohet se është në trajtën e pashquar dhe shquhet. duke marrë nyjë-mbaresën -JA, si p.sh.:
Lejla Lejlaja, Esma Esmaja, Hava Havaja(!) Neziha Nezihaja, Sebiha Sebihaja, Zehra Zehraja, Zylejha Zylejhaja.
e kështu me radhë, po nëse nuk ka shqiptim të theksuar në bazën ligjërimore, atëherë konsiderohet se fjala e caktuar është në trajtën e shquar, e cila konsiderohet. në këto raste, si trajtë mbizotëruese përfaqësuese. Në rastet e tilla trajta e pashquar nënkuptohet që retrospektivisht merr fundoren -Ë, dhe kjo del fare natyrshëm, sidomos në të folmet e Veriut, si:
Lejlë Lejla ose Zyhër Zyhra, Hanë Hana, Havë Hava, ashtu sikurse Hidë Hida, Hatë Hata, Mirë Mira. Fatë Fata, Salë Sala, Nurë Nura, Nushë Nusha, Gjylë Gjyla, Shahë Shaha, Sherë Shera, Shifë Shifa etj.
Pra, kur e përmendëm trajtën mbizotëruese patëm parasysh përdorimin më të madh në ligjërimet aktuale si dhe në burimet përkatëse përfaqësuese, mirëpo edhe këtu duhet sqaruar një fakt të diskutueshëm, sepse jo të gjithë shembujt kanë shqiptimësi të njëjtë.
Kështu, tipi, Lejla Lejlaja më fort i afrohet shqiptimit të burimit nga gjuha e huaj dhenëse, ndërsa tipi Lejlë Lejla, sikurse Hidë Hida, tregon se shqiptimi i tillë del i përpunuar në shqipe nga përdorimi i gjatë dhe si rezultat i është përshtatur më shumë natyrës shqiptimore të gjuhës vendëse.
Në Orientalizmat e I Metës ndeshim dy raste me -Ë: Havë-a dhe Enisë- Enisa, madje kjo e dyta si paralele ndaj mashkullorit Enis Enisi dhe nuk dimë pse shënohet kështu e jo Enise Enisja. Po ashtu në atë burim ndeshim edhe dy raste me -A të theksuar në temë: Meliha Melihaja dhe Mubera Muberaja.
Sidoqoftë, të dyja dukuritë e sipërcekura duhen pasur parasysh, edhe pse trajta pa shqiptim të theksuar ka përhapje më të gjerë, por kjo varet edhe nga rastet konkrete, ngase jo të gjitha rastet kanë zhvillim të njëjtë.
2. Gjinia mashkullore
Edhe në gjininë mashkullore del e njëjta dukuri, siç u cek në pikën e mësipërme, pra konstatimi i treguesve të shquarsisë varet nga theksueshmëria e zanores fundore.
Pra, rastet me shqiptim të theksuar si: Bushra Bushraja, Zija Zijaja, Syrja Syrjaja, Zeqirja Zeqirjaja, madje edhe Isa Isaja, Musa Musaja, Riza Rizaja, Mustafa Mustafaja, e ndonjë tjetër, konsiderohen se si trajtë përfaqësuese kanë trajtën me fundoren –A. Në të vërtetë, disa nga shembujt e fundit, por edhe disa të tjerë sa i përket shqiptimit nuk dalin në të njëjtin timbër si nëngrupi i parë, por sidoqoftë kur kështu shënohen në kontekste të caktuara të dyja nëngrupet konsiderohen si trajta përfaqësuese sipas versionit përkatës. Pra, konsiderohen në në trajtën e pashquar si emrat femërorë të këtij nëngrupi me fundore të theksuar, tipi Sebiha Sebihaja, edhe emrat mashkullorë, si: Bushra Bushraja, Zija Zijaja, Isa Isaja, Mustafa Mustafaja, mirëpo këta shembuj shquarsinë e bëjnë edhe ndryshe jo me -JA, po në versionin me -I si p.sh. Bushra Bushrai, Zija Zijai, Isa Isai, Mustafa Mustafai. Cila prej nyjë-mbaresave të shquarsisë del mbizotëruese -JA ose -I mbetet çështje e diskutueshme. Gramatikisht më shumë përkrahet versioni i dytë: Isa Isai. Ndërsa në veprën e I. Metës ndeshim vetëm versionin e parë: Jahja Jahjaja, Mustafa Mustafaja, Murteza Murtezaja, Musa Musaja.
Shumësi i emrave të tillë i të dy versioneve të shquarsisë bëhet si te nëngrupi përkatës i gjinisë femërore, tipi Zyhra Zyhraja Zyhratë, ashtu edhe Buhara Buharaja Buharatë, Bushra Bushraja Bushratë, ose Bushra Bushrai Bushratë, Zija- Zijaja Zijatë ose Zija Zijai Zijatë, Isa Isaja Isatë ose Isa Isai Isatë, e kështu me radhë
Në anën tjetër, siç u tha për sinëngrupin e dytë të shembujve të gjinisë femërore, nëse A-ja fundore nuk ka shqiptim të theksuar vetëkuptohet se trajta e tillë konsiderohet në trajtën e shquar. Dhe së këtejmi trajta e pashquar del me fundoren -Ë. Sikurse në gjininë femërore: Zizë Ziza, Hidë Hida Zarë Zara dalin edhe mashkullorët, sipas shqiptimit Isë Isa, Musë Musa, Rizë Riza, Sylë Syla ashtu si edhe disa emra të tjerë si Beqë Beqa, Demë Dema, Ramë Rama, Malë Mala, Bajrë Bajra, Sefë Sefa, Metë Meta, Rexhë Rexha, e kështu me radhë.
Po shtojmë edhe këtë se kur është fjala te shumësi i emrave të tillë, për shkaqe antonomazie e të tjera, atëherë hyjnë në veprim rregullat që vlenin edhe për emrat e përgjithshëm, ashtu si u cek për rastet e gjinisë femërore. Konkretisht ata të nëngrupit me -A të theksuar shumësin e bëjnë, siç u tha, më sipër, me -TË, tipi: Bushra Bushraja ose Bushra Bushrai Bushratë etj., ndërsa në rastet kur -A- ja nuk del me shqiptim të theksuar shumësi bëhet sipas versionit tjetër me -T, tipi: Isë Isa Isët, sikurse Malë Mala Malët, Kolë Kola Kolët, Kristë Krista Kristët, e kështu me radhë Në veprën e I. Metës e ndeshim rastin Hamëz, po me shquarsi –AI: Hamëz Hamzai (!). E vumë pikëçuditjen, sepse siç dihet e pashquara Hamëz e bën shquarsinë me -A: Hamëz Hamza, ndërsa versioni tjetër Hamza mund t/a bëjë shquarsinë me -AI Hamazai ose –JA Hamzaja), siç u tha më sipër Hamzai ose Hamzaja.. Po në grupin e emrit Hamëz Hamza, d.m.th. me shqiptim të patheksuar në temë bën pjesë edhe emri Gjylagë, i vetmi shembull i shënuar në Takvim me-Ë fundore, d.m.th. në trajtën e pashquar, por që nënkuptohet se trajtën e shquar e bën me -A: Gjylaga. Edhe ky sa i përket shumësit bashkohet me shembujt e tjerë të gjinisë mashkullore, pra Gjylagë Gjylaga Gjylagë-t, ashtu si Mustafë Mustafa Mustafë-t ose Hamëz Hamza Hamzët.
Pra, që të dyja versionet e shquarsisë të gjinisë femërore dhe të tria versionet e gjinisë mashkullore i ndeshim në realitetin tonë gjuhësor, andaj standardologët duhet ta thonë fjalën e tyre lidhur me përzgjedhjen ose rekomandimin rreth përcaktimit të trajtës përfaqësuese sipas shquarsisë së tyre.
Përmbyllje
Rreth lëndës së shtruar më sipër mund të themi se të tetë tipat e sipërcekur që mund të konsiderohen si grupe me karakteristika të veçanta, në kuadër të së përgjithshmes, por i ndeshim të inkorporuar thellë në sistemin tonë ligjërimor, në lëmin e strukturës fjalëformuese të emrave të përveçëm të njerëzve, prandaj synimi ynë ishte, jo vetëm të vënët në dukje të një problematike të tillë, por edhe të vënit e saj në tryezën e shqyrtim-diskutimeve, ngase vetëm ato çështje që vihen në atë tryezë, para ekspertëve të përgatitur do të kenë si rezultat edhe zgjidhjet e arsyeshme.
Disa nga çështjet e sapocekura do të sqarohen në ndonjëfarë mënyre edhe në krerët vijues të këtij punimi..