E diele, 28.04.2024, 07:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Toponimia e Dushkajës

E hene, 12.07.2010, 09:57 PM


TOPONIMIA E DUSHKAJËS

 

/Përkitazi me veprën "TOPONIMIA E DUSHKAJËS" të studiuesit Prof. Skënder R Hoxha, Jakova, Gjakovë, 2007/

 

SHKRUAN: PROF. ASS.DR. BEGZAD BALIU

 

I. Hyrje

Tri dekada më parë, gjurmuesi Skënder R. Hoxha[1], sillte në shtypin ditor dhe në atë shkencor materiale nga fusha e onomastikës nga terreni e diskutime për to. I nxitur prej ndjenjës se me kalimin e kohës e shkuarjes së brezave të moçëm do të harrohet ky thesar, ai i qe përkushtuar mbledhjes së onomastikës (toponimisë dhe antroponi­misë) me qëllim që ajo të mos tretej bashkë me kujtesën e ruajtur në traditë të këtyre fshatrave. Me kërkimet e kësaj fushe autori ynë u bashkohej hulumtuesve, të cilët me përkushtim po e hapnin hullinë e kërkimeve dhe të studimeve në këtë fushë të re të gjuhësisë shqiptare. Në këto gjurmë i ka themelet edhe materiali hulumtues e studimor Toponimia e Dushkajës[2], i cili brenda këtij vëllimi po botohet i plotë. Sigurisht kjo është arsyeja që edhe projekti i tij, si dhe qasja e metodologjia e përdorur në strukturimin e kësaj monografie janë tipike për shkollën që është ndjekur në studimet albanologjike të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai ka përdorur po atë pyetësorë dhe po atë nënndarje të mikrotoponimeve dhe i ka shënuar me saktësi sipas theksimit të tyre dialektologjik, megjithëse jo edhe në përmasa tekstologjike. Të gjitha mikrotoponimet janë identifikuar drejtpërdrejt në terren prandaj ato janë ubifikuar edhe sipas orientimit në hapësirë: veri-jug, lindje- perëndim etj.

 

II. Kontribute për standardizimin e emërvendeve të Kosovës

Në këtë rrjedhë autori ynë, para dhe sidomos pas mbarimit të luftës së Kosovës, pati një angazhim të përkushtuar në ndihmën e tij dhënë Këshillit për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës. Ai ishte i zgjedhur në Komisionet për Emërtimin e Shesheve, Rrugëve dhe Vendbanimeve, në kuadër të asambleve komunale të Gjakovës dhe të Pejës, ku dha edhe kontributin e tij të vyer[3].

Studimet e tij të kësaj kohe Rreth harrjes dhe emërtimit të disa toponimeve të krahinës së Dushka­jës, Disa të dhëna rreth toponimisë së Dushkajës dhe Toponimia e Dushkajës paraqesin një kontribut të ndjeshëm në standardizimin e ojkonimisë së komunave: Gjakovë, Pejë e Deçan. Përtej një qasjeje të ojkonimisë në shkallë komunale, kontributi i tij ka rrezatuar edhe për standardizimin e toponimisë dhe patronimisë së Rrafshit të Dukagjinit. Le të kujtohet këtu edhe kontributi i tij në tryezën shkencore Toponimia e Gjakovës me rrethinë[4], ku Skënder R. Hoxha pati lexuar një studim, ndërsa në përmbledhjen e saj pati botuar edhe dy kumtesa të tjera.

Po në këtë vëllim, në rubrikën e diskutimeve S. Hoxha boton artikullin Rreth harrjes dhe emërtimit të disa toponimeve të Krahinës së Dushkajës, me të cilën plotëson kontributin e tij dhënë punës së Komisionit për Standardi­zimin e Emërvendeve të Koso­vës. I motivuar prej punës shumëvjeçare në kërkimin e toponimisë së krahinës së Dushkajës, i nxitur prej aktivi­te­tit të dendur të Komisionit për standardizim, si dhe prej diskutimeve të shpeshta në shtypin ditor e shkencor, Skënder Hoxha qe angazhuar edhe në diskutimin publik të shumë ojkonimeve të Kosovës, duke u përqëndruar në mënyrë të veçantë në ojkoniminë e krahinës së Dushkajës, në ojkoniminë e vendbanimeve të komunës së Gjakovës dhe të Pejës. Nëse në studimin Toponimia e Gjakovës me rrethinë autori sillte një artikull për strukturën kryesisht gjuhësore të ojkonimeve dhe mikrotoponimeve të krahinës së Dushkajës, në artikullin tjetër të botuar në rubrikën e diskutimeve do të kujdeset që ojkonimet e kësaj krahine t’i trajtojë nga aspekti etimologjik, duke u ndalur dhe kërkuar prejardhjen e secilit prej tyre veç e veç, për të dhënë më tej edhe propozimet e reja: Bardhaniq - Bardhan; Bec-Bec; Bërdesanë (propozimi i ri Kodërtha­në); Cërmjan (Cërmok); Dashinoc (Dashaj); Doblibare (Kënetishtë); Gërgoc (Gurkuq); Janosh (Gjinaj); Kodrali; Kralan (Kështjellë); Llugaxhi (Rrahishtë); Marmull (Miraj); Maznik; Meqe (Gradishtë); Netic-i (Rogë-a); Palabardh; Radoniq (Radaj); Rakoc (Rakaj); Rakovinë (Arrishtë); Rashkoc (Qarret); Ratishë e Epër (Luginë e Epërme); Ratishë e Poshtme (Luginë e Poshtme); Rezinë (Rrezinë); Sapot (Skërkë); Velikobare (Ligatinë); Vraniq (Vrahi­shtë); Vranoc; Zhabel (Zabeli i Ri  e Zabeli Plak); Zhdrellë (Grykë)[5].

 

III. Një projekt i rëndësishëm

Krahina etnografike e Dushkajës, të cilën Skënder R. Hoxha për disa vjet me radhë e ka bërë objekt hulumtimi e studimi[6], shtrihet në pjesën qendrore të Dukagjinit dhe përbëhet nga 26 katunde të administruara nga dy qendra komunale: Gjakova dhe Deçani. Karakteristikë e saj janë prania e oronimeve dhe fitonimeve prej nga edhe emri i saj është një fitonim: Dushkajë. Nisur nga gjendja e saj gjeomorfologjike e etnografike autori në hyrje të veprës i ka bërë një përshkrim relievit të saj duke u nisur nga të dhënat e njohura të gjertanishme për lashtësinë e banorëve të saj, hidroniminë e saj, disa nga oronimet që e shquajnë morfologjinë e saj etj. Duke bërë kërkime të shpeshta, të shumta dhe afatgjate në terren autori ka vënë re dhe saktësuar kufijtë etnografikë të krahinës së Dushkajës,  një varg objektesh etnografike me interes për studimet e kësaj fushe, një numër gërmadhash me interes për studimet arkeologjike, një numër mikrotoponimesh të shtanguara, të cilat reflektojnë gjurmë të strukturave të vjetra gjuhësore shqipe dhe sllave po edhe referenca topografike për unifikimin e vendbanimeve të zhdukura kryesisht baritore etj., ndërsa duke bërë kërkime krahasimesh ndër botime dokumentesh arkivore e burimore, autori që në fillim ka sjellë të dhëna të cilat i ka diktuar në disa burime të rëndësishme, si: harta të vjetra, defterë, krisobula etj.

Në studimin e tij Toponimia e Dushkajës studiuesi Hoxha “sjell një sintezë kur të zgjeruar e kur të plotësuar të toponimisë së Dushkajës, duke filluar me shtrirjen gjeografike të kësaj krahine («në pjesën lindore të Dukagjinit qendror»); me praninë e tyre ndër defterë mesjetarë dhe harta të moçme (Krisobula e Deçanit e vitit 1330; Dëfteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, 1485; Gastaldi, Carta dei paesi Danubjani, 1517 etj.); me gjurmët e administratës turke në këtë toponimi (Arat Çerkeze, Livadhi Begit, Ulica Spahive etj.); me sferat kryesore nga të cilat sajohet toponimia e Dushkajës (sipas kryefamiljarëve, sipas konfi­g­u­ra­ci­o­nit të terrenit, sipas llojit a përbërjes së tokës, sipas kulturës bimore, pozitës gjeografike, formës etj.); me strukturën fjalëformuese dhe leksikore të saj (njëgjy­m­ty­rëshe me fjalë të parme, të prejardhura e togfjalësh, kompozita) etj.

IV. Mikrotoponimia shteruese  sipas vendbanimeve

Në pjesën e dytë është dhënë mikrotoponimia shteruese e secilit vendbanim veç e veç: Bardhaniqit, Becit, Bërdosanës, Cërmjanit, Doblibares, Gërgocit, Jabllanicës, Janoshit, Kralanit, Llugaxhisë, Marmullit, Meqes, Palabardhit, Rakovinës, Rashkocit, Sapotit, Vraniqit, Zhabelit, Zhdrellës, Dashinocit, Maznikut, Ratishit të Epërm, Ratishit të Ulët dhe Vranocit të Vogël.

Për secilin vendbanim fillimisht është bërë përshkrimi i sipërfaqes dhe kufijve të tij historikë e aktualë, përkatësia komunale, pasuria natyrore e tij, përbërja gjeologjike, kujtesa popullore, gjurmët e vjetra të lokalitetit, gërmadhat e objekteve fetare, mure të moçme, objekte kulti etj. Në një paragraf më vete është dhënë kronologjia e trajtave gjuhësore të emrit të vendbanimit, nxjerrë nga dokumente kryesisht të botuara më parë nga autorë shqiptarë dhe të huaj, lëvizjet demografike sipas dëshmive dokumentare (kryesisht nga gjysma e dytë e shekullit XIX e këndej) dhe gojore (nga kujtesa popullore), ku një vend i veçantë i është dhënë kolonizimit me familje serbe e malazeze në shekullin XX, migrimi i fundit i familjeve shqiptare kryesisht nga vendet rurale në qendrat e urbanizuara, gjendja e fundit pas përndjekjes së bërë gjatë luftës së Kosovës etj. Në mënyrë të veçantë janë shënuar objektet e përmasave historike, si dhe janë dhënë të plota detajet për informatorët e secilit vendbanim veç e veç. Ndonëse mikrotoponimia është dhënë në secilin fshat veç e veç, brenda secilit vendbanim janë bërë nëndarje, të cilat përcaktojnë anën gjeografike, gjeologjike etj.: oronime (ara, kodra, lëndime, livadhe, lugje, male); hidronime (kroje, burime të tjera, lumenj), ojkonime (vendbanimet, lagjet) dhe të tjera (toponimet që tregojnë rrugë, varre) etj. Një pasuri të veçantë dhe me interes për studimet gjuhësore paraqesin toponimet e përfshira në nënkapitullin të ndryshme. Brenda këtij nënkapitulli ‘fshihen’ një numër i madh fitonimesh, zoonimesh, vëllazërish, fisesh, patronimesh të zbunuara a trajta të tyre me shumë interes për toponiminë historike.

Në vendbanimet e kësaj krahine, autori i kësaj vepre duke bërë kërkime në fushë të onomastikës gjithashtu ka diktuar dhe madje ka ubifikuar saktësisht në hapësirë gjurmë gërmadhash, vendbanimesh, objekte kulti (xhamia, kisha e tyrbe), si dhe ka identifikuar disa shenja historike, shpesh të kthyera në objekte kulti e bestytnie.

Në fshatrat e kësaj krahine, autori ka diktuar:

- gjurmë të kishave dhe objekte të tjera fetare: Kroni Kish’s (Bardhaniq), Te Kisha dhe Tyrbja Becit (Bec), Tyrbja e Doblibares (Doblibare), Te Kisha ose Kisha e Zeqve (Kralan);

- gjurmë vendbanimesh: Livadhet e Mdha (Bec), Qereminet (Doblibare), Troje (Gërgoc), Sarasellat (Jabllanicë), Pozheget,  Rrafshet dhe Qereminja (Marmull), Trojet dhe Selishta (Maznik), Livadhi Murat Ag’s (Palabardh), Trulli i Buklek’s dhe Troje (Rakoc), Kafjan (Rakovinë), Ara e Vad’s dhe Kodra e Çerkezit (Vraniq), Kodra e Malsorve (Zhabel) etj., dhe

- objekte kulti e shenja historike: Lisi Malokut (Bec), Orizet (Janosh), Lisi i Kronit (Kodrali), Lisi i Kuvendit (Kralan), Plepat e Llugaxhisë (Llugaxhi), Vorret e Hasallakit dhe Tyrbja e Fat’s (Maznik), Ara e Mark Lulashit (Sapot) etj.

Në këtë rrjedhë autori ka sjellë mjaft të dhëna nga terreni, të cilat për fat të keq, jo njëherë duket sa janë rezultat i përfoljeve që agjentura serbe i ka shpërndarë në terren, që nga fillimi i shekullit XX dhe i ka bërë kallëzime të zakonshme në rrethet rurale. Në këso situatash autori përgjithësisht ka bërë përpjekje që të ndërtojë madje edhe etimone duke u mbështetur në etimologjitë e traditës popullore apo duke i rikonstruktuar ato, gjë që nuk mjafton për një përfundim shkencor. Po kështu autori, në traditën e konsultimeve dhe të referencave albanologjike të shkollës së Prishtinës përgjithësisht konsulton sado në mënyrë mjaft kritike të arriturat e shkollës serbe jo vetëm në hulumtimin, mbledhjen dhe vlerësimin gjuhësor të kësaj lënde, por edhe në etimologjizimin e saj, fatkeqësisht për interesa jo vetëm gjuhësore.

V. Etimologjia e ojkonimeve të Dushkajës

Nëse kapitulli i dytë shquhet për materialin e pasur, të sjellë nga terreni, kapitulli i tretë do të jetë i rëndësishëm për sintezën e tyre dhe krahasimin me materiale dokumentesh të botuara shekuj me radhë. Në këtë kapitull me titull Toponime të krahinës së Dushkajës në dritën e kërkimeve etimologjike dhe me nëntitull Prej burimeve të moçme shkrimore e gojore deri te konstatimet e reja, bëhet përpjekje për të etimologjizuar emrat e vendbanimeve (ojkonimet), duke i parë ato në dritën e burimeve dokumentare, trajtave gjuhësore të vendit dhe popujve fqinjë në dritën e zhvillimeve historike dhe ubifikimeve në teren. Në këtë kontekst autori ka trajtuar ojkonimin Bardhaniq, duke e parë prejardhjen e tij në vazhdimësinë e leksikut historik të trashëgimisë ilire. Tek ojkonimi Bec, autori fillimisht i bashkohet mendimit të Profesor Çabejt për afrimin e këtij emri me fjalën e gurrës shqipe byc “njeri i shkurtër dhe i trashë”, ndërsa më tej e pasuron këtë edhe me ndonjë patronim Byc-i (Gajkovë) dhe ndonjë tjetër trajtë gjuhësore të dokumenteve mesjetare. Në mënyrë mjaft të hapur është shqyrtuar etimologjia e ojkonimit Cërmjan, një prej toponimeve mjaft të diskutuara në përballje me një toponim mjaft të përhapur të onomastikes sllave ?ermë, të cilin autori Skënder R.Hoxha e nxjerr nga “rrethi i fjalëve cermë, sermok e qerm”. Në rrjedhë të kërkimeve të tij etimologjike të ojkonimisë së krahinës së Dushkajes, autori ynë emrin e fshatit Dashinoc e nxjerr nga një fjalë e ngurtësuar Dashi i Nocit ndërsa emrin e fshatit Gërgoc e lidh me një patronim të pranishëm edhe sot ndër shqiptarët, sikur edhe emrin e fshatit Janosh. Prejardhjen sllave të emrit të fshatit Jabllanicë, të cilin disa studiues e lidhin me sllavishten jabllan ‘plep’, Hoxha e kundërshton me faktin se në territorin e këtij vendbanimi dikur të këtë pasur shumë plepa dhe se në krye të herës emri të ketë qenë shqip – nga plep (p.sh.: Plepishtë etj.), e administrata sllave ta ketë përkthyer drejtpërsëdrejti në jabllan. Ndërkaq, emrin e Kralanit autori e qet me prejardhje të mundshme nga emri ilir Kral, por nuk përjashton mundësinë e asaj që gjen në traditë: se aty dikur ka jetuar krajli (?). Një patronim i diktuar në hapësirën e Bosnjes e Hercegovinës Burrmaz dhe i diskutuar dekada më parë për prejardhjen shqipe të tij tash vjen e plotësohet edhe me ojkonimin e krahinës së Dushkajës Maznik. Një strukturë që më parë e pasur e shqipes dhe e përhapur edhe në trajta të përkthyera sllave është edhe ajo e ojkonimit Palabardh, e cila në Mal të Zi dhe më tej shfaqet ndër dokumente si Bjelopavliq, ndërsa struktura ndërgjuhësore e toponimisë së Dushkajës pasurohet edhe me një ojkonim të prejardhjes orientale Meqe. Të kësaj natyre hulumtuese dhe përfunduese janë edhe rezultatet e arrira për etomologjitë e emrave të vendbanimeve: Radoniq, Rakoc, Rakovinë, Rashkoc, Ratish, Zhabel dhe Zhdrellë.

VI. Mikritoponimet e veçanta

Në një kapitull më vete, autori i këtij vëllimi Skënder R. Hoxha ka trajtuar, sikur shkruan autori, disa toponime e mikrotoponime të krahinës së Dushkajës, që në të vërtetë janë fitonime, zoonime, oronime e mikrotoponime të mbledhura ndër vendbanime të krahinës së Dushkajës, por që për autorin paraqesin lëndë më vete për trajtimin historik dhe sidomos gjuhësor të tyre. Fjala është për mikrotoponimet: Abllan, Arash, Arrnicë, Asojë, Babshor, Bajkoc, Baltë, Bare, Barut, Bezhani, Bërdë, Bollodincë, Botë, Bri, Bujashkë, Butë etj., të radhitura sipas alfabetit. Ndonëse, në shikim të parë këto mikrotoponime, disa prej të cilave na dalin edhe vetëm si apelativa, duken të jenë të veçanta, në shumë raste na dalin sllavizma, të cilat në gjuhën shqipe kanë kaluar nga përdorimi leksikor në përshtajten e tyre si forma toponimike. Në të gjithë shembujt e marrë për trajtim, autori i është referuar një literature tashmë të njohur nga Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Henrik Bariq dhe Petar Skok, të plotësuar edhe nga Rexhep Doçi e Skënder Gashi, duke i parë këto më shumë brenda njësive leksikore dhe vetëm më pas si toponime të vjela në teren. Pra, me të drejtë këto mikrotoponime më parë janë studiuar si leksema, e vetëm më pas janë studiuar në rrafshin toponimik.

Studimi i këtyre toponimeve gjithashtu e ka zgjeruar rrafshin historik të tyre, shtresat kulturore, trajtat gramatikore dhe dialektore të përdorimit të tyre në dokumentet më të moçme a në gjendjen e tashme të përdorur nga popullata vendore, transformimin e tyre morfologjik, semantik e etimologjik nga njëra gjuhë në tjetrën dhe nga njëra epokë në tjetrën. Toponimia e kësaj pjese të Kosovës qendrore, dëshmon ndërkaq, se pavarësisht ndikimeve të huaja (latine, greke, sllave, turke etj.) në tërësinë e saj ka qenë dhe ka mbetur toponimi shqiptare, madje pavarësisht a është fjala për toponiminë historike apo jo.

VII. Struktura të tjera gjuhësore dhe kulturore

Ndonëse nuk është thelluar në prejardhjen etimologjike të tyre në një nënkapitull më vete autori i ka sjellë në një vend emrat e të gjitha burimeve ujore të krahinës së Dushkajës; ka diskutuar disa trajta gjuhësore, historike, kulturore dhe madje etnografike të mikrotponimeve që identifikojnë emrat e varreve e tërësive të tyre; ka evidentuar gjurmë të administratës turke në toponiminë e Dushkajës; ka sistemuar mikrotponimet e kësaj krahine sipas sferave kryesore (bujqësore, blegtorale, rurale, semantike etj.), sipas të cilave është sajuar kjo toponimi, fjalëformimin e saj etj. Në rrethana të tjera, temat e fundit do të duhej të përbënin pjesën e dytë të këtij vëllimi, pra menjëherë pas kapitullit të parë, i cili do të trajtonte gjerësisht pamjen etnogjeografike të krahinës së Dushkajës. Struktura fonetike, dialektore, morfologjike, fjalëformuese dhe semantike e toponimisë së një krahine, zakonisht ka paraqitur kapitullin e dytë ndërsa vetëm në kapitullin e tretë janë trajtuar strukturat gjuhësore-historike të kësaj toponimie. Mirëpo autori i kësaj vepre e ka quajtur të arsyeshme që çështjet fonetike, dialektore, gramatikore dhe semantike t’i shquaj vetëm sa për referencë përgjithësuese ndërsa kërkimet etimologjike t’i nxjerr në plan të parë.

VIII. Përfundime

Prej viteve ’70 e këndej, kur ka filluar mbledhja, sistemimi dhe studimi në mënyrë institucionale i toponimisë së krahinave etnografike të Kosovës, janë realizuar disa projekte shkencore të kësaj natyre, madje kryesisht teza magjistrature e doktorate[7]. Veçori e këtyre botimeve është koncepti i studimit, modeli kryesisht i së njëjtës shkollë, që njëkohësisht dëshmon edhe mentorin e përbashkët, si dhe shkollën tradicionale të gjuhësisë shqiptare në fushë të studimit. Në këtë kohë studiuesi Skënder R. Hoxha ka filluar edhe hulumtimin e materialit të kësaj krahine, duke e bërë kështu me kohë pronë të kërkimeve të tij afatgjata, sado ky autor atëherë në moshë të re, materialin e mbledhur me kujdes e dërgonte për sistemim, botim dhe studim në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Prej kësaj kohe deri më tash, autori i këtij vëllimi, kur më shumë e kur më pak nuk ka pushuar së gjurmuari dhe së mbledhuri toponiminë e krahinës së Dushkajës, e ndonjëherë duke iu qasur këtij materiali edhe nga aspekti studimor, por deri më tash nuk arriti të bëhet i plotë as objekt trajtimi as objekt botimi në revistat shkencore, prandaj autori, me këtë vëllim përmbush një synim të hershëm të tij: gjurmimin, sistemimin dhe madje studimin e toponimisë së Dushkajës, duke e zgjeruar kështu numrin dhe hapësirën e studimeve të gjertanishme të toponimisë së krahinave etnografike dhe gjuhësore të Kosovës.

Prishtinë, më 13. 12. 2006                       Prof. ass. dr. Begzad Baliu

 



[1] Skënder R. Hoxha, Toponimia e Dushkajës, Gjakovë, 2007.

[2] Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (I), (studim), “Përparimi”, Prishtinë, 1992; Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (II), (studim), “Art  poetika”, Pejë, 2000.

[3] Rreth harrjes dhe riemërtimit të disa toponimeve të krahinës së Dushkajës, “Rilindja”, Prishtinë, 29 janar 2000, f. 17, në librin Toponimia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002, f. 237 – 245; Të dhëna rreth toponimisë së Dushkajës, kumtesë e botuar në librin Toponimia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002, f. 211 – 223.

[4] Kumtesat e kësaj tryeze janë botuar në vëllimin Toponimia e Gjakovës me rrethinë, (Tryezë shkencore, mbajtur më 4 maj 2001), Redaksia: Akad. Besim Bokshi, prof. dr. Qazim Lleshi, prof. dr. Edi Shukriu, prof. dr. Shefki Sejdiu, dr. Rexhep Doçi, prof. dr. Masar Rizvanolli dhe Mevlude Saraçi. Kryeredaktor: prof. dr. Masar Rizvanolli, Sekretare e redaksisë: Mevlude Saraçi. Botoi Kuvendi i Komunës së Gjakovës – Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Gjakovë, 2002, f. 283.

[5] Begzad Baliu, Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, “Era” Prishtinë, 2004, f. 112-113; Po këtu shih edhe bibliografinë e plotë të studimeve për standardizimin e emërvendeve të Kosovës, ku mund të shihet më saktë edhe kontributi i autorit në këtë fushë. Për konceptet teorike dhe metodologjike të punës në standardizimin e emërvendeve të Kosovës shih studimet e autorëve: Profesor Shefki Sejdiu, Rreth disa parimeve emërtese në toponiminë e Kosovës, në vëllimin “Sprova etimologjike”, Era, Prishtinë, 2002 dhe Begzad Baliu, Jo ndryshim i emërve­n­d­eve të Kosovës, por standardizim i tyre, në “Zëri i Kosovës”, 28 janar 2000, Prishtinë, f. 1, 8-9 dhe Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, “Argeta – LMG”, Tiranë 2006. Sinteza e plotë e regjistrit të ojkonimisë së Kosovës është botuar në vëllimin Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, “Era”, Prishtinë, 2005.

[6] Shih studimet dhe materialet: Toponimia e fshatrave Radoniq e Rakoc, Gjurmime albanologjike, Seria e shkencave filologjike, 16–1986, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1987, f. 265 – 283; Çështje të toponimisë së katundeve Radoniq e Rakoc të Dushkajës, në vëllimin “Çështje të studimeve albanologjike”, I, (materiale nga Simpoziumi shkencor i mbajtur në Prishtinë, më 20 dhe 21 dhjetor 1985), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1987, f. 333 – 342; Doblibare ve Vraniçe köylerinin yer adlari bilgisinde çerkezlerin izi (titulli shqip: Gjurmët e çerkezëve në toponiminë e katundeve Doblibare e Vraniq të Dushkajës), “Çevren”, nr 72, korrik gusht 1989, Prishtinë, f. 39, 40, 41; Vëzhgime mbi toponiminë e Dushkajës, Rilindja, Prishtinë, (në dy vazhdime) të dt. 4 nëntor 1989 dhe 11 nëntor 1989; Toponimia e katundit Jabllanicë, në librin “Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës”, Art poetika, Pejë, 2004, f. 16 – 42; Toponimia e Radoniqit dhe e Rakocit, në librin autorial “Radoniqi e Rakoci i Dushkajës”, Art poetika, Pejë, 2005, f. 44 – 72.

[7] Muharrem Peci, Onomastika e Shalës së Bajgorës (punim magjistrature), Universiteti i Kosovës, Fakulteti i Filologjisë – Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Prishtinë, 1983; Rexhep Doçi, Antroponimia e Llapushës (Prekoru­pës), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1983; Antroponimia mesjetare e Kosovës I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1986; Onomastika e shqiptarëve të Drenicës (disertacion), Universiteti i Kosovës, Fakulteti i Filologjisë – Dega e Gjuhës Shqipe, Prishtinë, 1989; Hasan Mujaj, Onomastika e Rugovës (punim magji­stra­ture), Universiteti i Kosovës, Fakulteti i Filologjisë – Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Prishtinë, 1980; Bahtijar Kryeziut, Onomastika e Hashanisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2000; In Fjalor onomastik i Malësisë së Bujanocit, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2006; Begzad Baliu, Onomastika e Gallapit (punim doktorate), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2003.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora