E diele, 28.04.2024, 04:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (XIV)

E hene, 12.07.2010, 09:54 PM


SHUMËSI DHE  SHQUARSIA

E  EMRAVE

NË SHQIPEN STANDARDE

(konstatime, diskutime, propozime)

 

Nga DR. NUHI VESELAJ

nuhiveselaj@hotmail.com

 

VI. studimi I  Emrave të përveçëm të njerëzve

me vlerë Historike kombëtare dhe

çështja e kodimit të tyre

 

Konstatime paraprake

 

Nga analiza e shquarsisë (njëjës e shumës) të emrave të përveçëm në gjuhën tonë dhe sidomos, të atyre me prejardhje arabo-turko-persiane, mund të nxjerrim konstatime me interes historik për dijen tonë në përgjithësi dhe për këtë nënfushë semantike në veçanti. Dhe, vërtet, kur është fjala tek emrat personalë të gjuhë shqipe përgjithësisht studiuesit kanë konstatuar se emrat e hershëm pellazgo-ilir u zëvendësuan ose u inkorporuan në situata të caktuara me emra antikë greko-romakë, përkatësisht më vonë, kur në viset ilire-arbënore u përqafua feja e krishterë, atëherë u pranuan ose u përvetësuan edhe emra të përveçëm të krishterë dhe kjo periudhë zgjati pothuajse gjatë tërë mesjetës. Siç dihet ndërkohë në ato periudha shqipfolësit morën jo pak emra latinë e sllavë, disa prej të cilëve edhe i përshtatën sipas natyrës së vet, por më vonë edhe i zëvendësuan me emra të sferës orientale ose më mirë me emra me prejardhje arabo-turko-persiane, sidomos atëherë kur filloi të përqafohej, si me thënë, masivisht edhe feja islame.

Sidoqoftë, megjithatë deri në ditët tona janë ruajtur disa emra të lashtë vendës si  Ardian, Artan, Bardhyl, Bardibal, Briken, Dardan, Glauk, Agron, Genti, Gentian, Neritan, Tritan, Ukë, Teuta, Entela, Zanë etj., të cilët bashkë me emra të vjetër me prejardhje vendëse po ripërtërihen në vazhdimësi  Në këtë kontekst filluan të përtërihen edhe disa emra iliro-dardanë të njerëzve që ndeshen ose dalin të identifikueshëm si të tillë në dokumente të caktuara ose si emra toponimesh të asaj periudhe, që numri i të cilëve, sipas Fjalorit të emrave të njerëzve (1982) sillet rreth 2450 shembuj në të dyja gjinitë, pastaj, varësisht nga vetëdija kombëtare shihet një tendencë që të përdoren emra të ashtuquajtur bashkëkohorë vendës, pra me prejardhje anase, numri i të cilëve është mjaft i konsiderueshëm dhe gjithsesi është në rritje e sipër, por njëherazi duket edhe një tendencë tjetër që, mbase edhe pa ndonjë kriter, të vihen edhe emra vetjakë të ashtuquajtur “modern” ose të ripërtërihem emra me prejardhje nga gjuhët e huaja nën hijen e traditës fetare e të ndikimeve të kulturave të huaja.

Sido që të jetë, ne këtë rast në këtë krye, do të theksojmë:

së pari,  rëndësinë e studimit të emrave të përveçëm të njerëzve të

gjuhës sonë, jo vetëm aktualisht, por edhe në të kaluarën, sipas etapave të caktuara historike,

së dyti, do të trajtohet mundësia e kodifikimit të emrave të tillë, që

është temë mjaft specifike, por kjo është çështje aktuale me rëndësi shoqërore e kombëtare dhe

së treti,  do të japim disa konstatime e vlerësime konkrete rreth

Fjalorit të emrave të përveçm shqiptarë të botuar në www.shqipëria.com (në disa versione).

 

 

A. Rreth vlerës shkencore-kombëtare nga studimi i emrave

të përveçëm të njerëzve të gjuhës sonë

 

Pikërisht rreth kësaj teme mund të përmenden disa autorë që gjatë hulumtimeve të tyre, janë përballur drejtpërdrejt ose tërthorazi me çështjen e emërtimeve të emrave të përveçëm të njerëzve në gjuhën tonë, por ne veçuam tre prej tyre, të cilët edhe janë të implikuar në veçanti me emërtimet në fjalë dhe lidhur me këtë kanë dhënë konstatime që meritojnë të dallohen pak a shumë nga të tjerët dhe rezultatet e tyre meritojnë për t’u mbajtur mend.

 

1 Nga konstatimi i  Muhamet Tërnavës

 

Historiani i mirënjohur Muhamet Tërnava, kur bën fjalë rreth  konvertimit të emrave nga konfesioni ortodoks-sllavë në ata musliman pati dhënë guximshëm një konstatim shkencor me vlerë të jashtëzakonshme për kohën, kur kemi parasysh faktin kur dhe ku është publikuar:

 

“Dëshmon fakti,- thotë ai-, se vetëm pas 100 vjetësh ekzistimi të pushtetit turk më tepër se gjysma e lagjeve të qytetit të Prishtinës kishin emra të sferës islamike, edhe pse këtu asnjëherë nuk dominoi elementi turk”,

 

d.m.th. kuptohet se emrat me origjinë të huaj (sllavo-ortodokse) u konvertuan në emra myslimanë, por që gjithsesi bartësit, siç nënkuptohet, ishin dhe mbetën vendës të kombësisë arbërore-shqiptare.

Madje, që popullata vërtet ishte shqipfolëse edhe pse në bazë kishte   emra sllavë studiuesi vë re të vërtetën e pamohueshme që ka të bëjë me identitetin shqipfolëse të tyre. Dhe këtë e vërteton, pikërisht në bazë të dokumenteve të asaj kohe, ku në antroponimet e besimit kristian (ortodoks) dukeshin qartë elementet e shquarsisë së emrave të shqipes, siç vëren ai, ngase  emrat. përkatësisht mbiemrat  (llagapet) dilnin në trajtën e shquar, me  nyjë-mbaresën karakteristike të gjuhën shqipe  -i  të gjinisë mashkullore ose me atë -a të gjinisë femërore. (Shih: Onomastika e Kosovës, vepra e cit. f. 113 e 121).

Pra, nga nyjë-mbaresa e shquarsisë dokumentohet katërçipërisht e vërteta historike që ka të bëjë me praninë masive të popullit tonë shqipfolës në këto treva, pa marrë parasysh faktin që ka bartur për arsye të ndryshme emra të huaj (sllavë ose të konvertuar në emra myslimanë) të diktuar, varësisht nga rrethanat pushtetore, politike e mbase edhe shpirtërore të kohës, e vërtetë kjo që u mohohej, atëbotë e sot, shqiptarëve nga pseudoshkencëtarët përkatës sllavë.

 

2. Nga konstatimet e Ahmet Këlmendit

 

Prof. Ahmet Këlmendi, gjithashtu, në një studim të tij jep konstatime me interes po të asaj natyre, por nga një profilim tjetër. Ky nga disa trajta të shkurtëra të disa emrave të përveçëm të njerëzve nga trashëgimia konstaton, veç tjerash, ndërlidhshmerinë e shqipes me greqishten e vjetër. Kështu në bazë të ligjeve të shqipes, disa emra të greqishtes u shkurtuan në shqipe, si. p.sh.: Kolë  nga Nikolla,  Katë nga Katarina, pastaj trajtën Gjergj, Tomë etj., trajtat këto, që sipas tij, dëshmojnë të vërtetën se populli ynë ka pasur kontakte shumë të hershme në këto treva, me grekët dhe kulturën e tyre helene. Gjithashtu edhe tek emrat Pal nga Paulus, Ndre nga Andreas, Ndue nga Andon, Gjon nga Johannes, Zef nga Josephus, Mëri nga Mari etj., prof. A. Këlmendi sheh dëshmi të gjalla të kontakteve shumë të hershme të të parëve tanë (të ilirëve) me fqinjtë heleno-grek dhe me pushtuesit romakë në këto vise që nga kohët e hershme deri edhe tek ato më të vona. Kontaktet e tilla vazhduan edhe gjatë periudhës së përhapjes së kristianizmit, duke u mbështetur me të drejtë në trajtat e shkurtra të emrave të përveçëm, ngase:

 

“Përshtatja  e tyre fonetike nga trajtat e hershme latine u bë për një kohë shumë të gjatë sipas ligjeve të fonetikës historike të shqipes.”

 

Po ky studiues gjithashtu, me të drejtë, pohon se shqipja kishte marrë edhe emra hebraikë si: Adem (Adam) Ibrahim (Abraham) Jusuf, Jakup, Mejreme, (Mirushe Mejrushe) para e sidomos bashkë me emrat e shumtë vetjakë arabë, si:

Abedin,  Abdullah,  Ahmet, Idriz, Beqir, Mesut,  Mehmet,  Latif, Hajrullah, Menduh, Enver, Muhamet, Zeqir; Ajshe, Naxhie,  Zehra dhe të tjerë që janë me prejardhje orienti, jo vetëm me gurrë arabe, por edhe persiane, hebraike, turke. (Shih: Probleme aktuale të kulturës së gjuhës shqipe, Prishtinë 1983, f. 227.)

 

Dhe së fundi autori në shenjë simpatie ose edhe vetëdetyrimi rekomandon shumimin e emrave me prejardhje vendëse dhe për këtë qëllim shënon afro 300 shembuj me gurrë shqipe, por, me thënë të drejtën, jo të gjithë këta, ndërkohë, u bënë aktivë e funksionalë në realitetin shoqëror të shqipfolësve, sepse modelet fjalëformuese nuk dolën të gjitha njësoj prodhuese.

 

 

 

3. Nga konstatimet e Miftar Ajdinit

 

Edhe studiuesi Miftar Ajdini, duke folur rreth kulturës arabe në të kaluarën, zë në gojë edhe emrat e përveçëm të njerëzve me prejardhje arabe-islamike. Nga punimi i tij po veçojmë dy konstatime me interes, i pari, ndërlidhet me kulturën e përgjithshme arabe dhe i dyti, ndërlidhet me emrat e përveçëm:

së pari, thotë ai:

“Gjuha arabe u ka dhënë huazime të shumta gjuhëve evropiane nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta të arabëve me romakët dhe me anë të përkthimit të veprave arabe”,

sepse vërtet, me sa dihet, kultura arabe ka luajtur rol pozitiv në Europë e në botë, pikërisht në kohën kur në këtë kontinent, si të thuash, mbretëronte obskurantizmi mesjetar, dhe

së dyti, kur shprehet se

Element të rëndësishëm të fjalëve arabe, të cilat u janë dhënë gjuhëve të tjera islame përbëjnë emrat personalë arabo-islamë...” (Shih: M. Ajdini Gjuha arabe  -1,  Prishtinë, 1997, f. 5.).

 

Lidhur me konstatimin e fundit, ndonëse shprehim rezervë rreth termit gjuhë islame, sepse, me sa dimë, nuk ka gjuhë islame, po ka fe islame, fe kjo, e cila simbolizohet me gjuhën (arabe) kuranore, e cila manifestohet me një terminologji shumë të zhvilluar përkatëse të qëndrueshme, jo vetëm në arabishte, turqishte e persishte, por edhe në gjuhën e kombeve të botës tjetër arabo-islamike e më gjerë.

Në të vërtetë, ky fakt (rreth emrave arabë, siç dihet, ka mbizotëruar dhe mbizotëron, jo vetëm në shtetet (vendet) e botës arabe, por edhe të botës islame në përgjithësi, gjë që, siç e pamë edhe në gjuhën tonë, dëshmohen me dhjeta e qindra shembuj, ashtu si edhe në boshnjakishte (gjuhë këto, jo islamike, madje as arabe në bazë), por janë gjuhë të popullatës shumicë që i përkasin fesë islame, ashtu siç dalin të trashëguar edhe emrat përveçëm të njerëzve në shqyrtim.

Siç u pa nga analiza jonë jo vetëm kemi huazime të emrave të përveçëm të veçantë, por kemi edhe modele e struktura të përvetësuara nën ndikimin e asaj gjuhe simbioze termash (arabo-turko osmane).

 

Të rikujtojmë këtë rast këto tri fakte:

 

së pari, emrat e përveçëm të njerëzve me -im fundor të arabishtes të përvetësuar në shqipe, të cilët, si me thënë, dalin të rinuar edhe mbi bazë të formimeve vendëse. Krahaso tipin Naim Naime ndaj Agim Agime. Vërtet, sot konsiderohen si të një bime, të një natyre ligjërimi.

së dyti, shembujt me i, ose -ije fundore dhe ngjasimi i emrave të përveçëm mbi fundoren -I në gjininë mashkullore dhe femërorëzimi i tyre, tipi: Lumni / Lumnije që ngjasojnë me tipin me prejardhje arabe-turke Ali / Alije, Shefki / Shefkije etj., model  ky plotësisht i njëjtë aktiv në raportin tregjuhësor: shqip-turqisht-arabisht;

së treti, përveç ndërndikimeve të tjera po përmendim ngjashmërinë e plotë në dallimin e gjinisë femërore nga ajo mashkullore me formantin fundor -E nga trajtat e emrave mashkullore me konsonant në temë, tipi: Lorik Lorike ndaj  Sherif Sherife,  e kështu me radhë.

 

Edhe pse, siç del nga analiza, mund të theksohen edhe gjëra të tjera me interes në raportin emrat e përveçëm të njerëzve të gjuhëve të huaja (greke, latine, sllave, arabe) ne po mjaftohemi me konstatimet e mësipërme, duke ritheksuar edhe njëherë rëndësinë e studimit të emrave të përveçëm të të dy gjinive të shqipes si në planin diakronik ashtu edhe në atë sinkronik.

 

 

B. Kodimi i emrave të përveçëm  të njerëzve, çështje

e hapur shoqërore-gjuhësore apo jo?

 

Kur kemi parasysh, në njërën anë, specifikën e emrave të përveçëm të njerëzve si dhe lirinë universale që gëzon prindi, kujdestari a personi i autorizuar për pagëzimin e fëmijës etj. dhe pastaj për lirinë personale që ka çdo individ rreth bartjes, modifikimit ose edhe ndërrimit të emrit vetjak në moshën e caktuar dhe njëherazi, në anën tjetër, kur kemi parasysh larushinë ekzistuese shumë të koklavitur nga aspekti drejtshkrimor, fjalëformues si dhe ai kombëtar, universal e fetar i emrave në fjalë që prek edhe në interesa të larta shoqërore kombëtare, atëherë pyetja që e shtruam më sipër, si titull nënkreu, besojmë se është me vend dhe kërkon përgjigje sa më të arsyeshme. Pra kërkon përgjigje mohuese ose pohuese, sepse, ky problem konsiderohet si çështje e hapur dhe mjaft liberalizuese, por që ka nevojë edhe për njëfarë disiplinimi të arsyeshëm të koncepteve dhe në të mbarështruarit të fakteve konkrete.

Me fjalë të tjera.nuk është lehtë me u dhënë mendim i prerë, mund të intervenohet gjuhësisht lidhur me kodimin e emrave të përveçëm të njerëzve, apo jo?

Pikërisht këtë problem para nesh e kanë vërejtur dhe rrahur në njëfarë dore edhe disa nga studiuesit tanë, të cilët edhe qenë të implikuar në trajtimin e temës në shqyrtim, andaj edhe ne  në vijim po i  sjellim mendimet më të spikatura të tre prej tyre, ndonëse në ato mendime, nuk jepet përgjigje e plotë dhe e prerë rreth pyetjes sonë.

 

1.  Rreth mendimit të  Palok Dakës

 

Studiuesi i parë i kësaj teme, me sa dimë, Palok Daka, na bën me dije thjesht e qartë, se:

 

ekziston mendimi sipas të cilit emrat e njerëzve s’kanë të bëjnë me rregullat e drejtshkrimit, mirëpo, ka edhe një mendim tjetër, sipas të cilit emrat e njerëzve duhet të kenë një sistem të caktuar drejtshkrimor...,

 

pra nga kjo nënkuptohet se duhet pasur një sistem të veçantë specifik ndaj fjalë-emrave të tjerë, sepse, siç  vazhdon shpjegimin ai:

 

fjalët si njësi kuptimore të gjuhës, të formuara historikisht kanë karakter shoqëror kolektiv, përkundrazi emrat e njerëzve, si njësi emërtuese jokuptimore, kanë karakter shoqëror individual”. (Vepra e cit., f. 359.)

 

Me fjalë të tjera, kuptohet se autori, pa marrë parasysh mendimin e parë, del i pozicionuar sipas mendimit të dytë, sepse, edhe karakteri individual i emrave në fjalë patjetër ndërthuret me karakterin kuptimor të përgjithshëm kolektiv shoqëror të tyre.

 

2. Rreth mendimit të Ibrahim Goçit

 

Edhe studiuesi Ibrahim Goçi, pozicionohet në të njëjtin drejtim, ngase te mënyra e përdorimit të emrave të tillë sheh të gërshetuar në radhë të parë, interesin shoqëror kombëtar. Madje ky del mjaft energjik në kërkesën për përqafimin e emrave të rij, duke theksuar se:

 

“Përhapja e emrave vetjakë nuk është vetëm kërkesë e kohës, por edhe e gjuhës, e shkencës e drejtshkrimit etj. Përhapja e tillë është njëkohësisht edhe luftë e hapët kundër emrave të huaj dhe përtëritje e rrafshim i formave gramatikore në pajtim me rregullsitë e gjuhës në përgjithësi. (Vepra e cit. f. 356.)

 

Të vihet re se autori e përmend edhe rrafshimin e formave gramatikore në pajtim me  rregullsitë e gjuhës normëzuese. Me sa jemi në dijeni I. Goçi në një punim tjetër (monografik) edhe më tej ngulmon në kodimin e emrave vetjakë të përveçëm të njerëzve në gjuhën tonë.

 

3. Rreth mendimit të Xhevahir Shaqirit

 

Studiuesi Xhevahir Shaqiri, edhe më gjerësisht në krahasim me të dy të lartpërmendurit, më dallueshëm dhe më në palcë e rrah këtë dukuri, i cili jo vetëm e prek çështjen, por edhe e komenton, duke dhënë edhe ndonjë arsyetim të diskutueshëm, pak a shumë polemizuese që gjithsesi zgjon interes.  Ja si shprehet autori::

 

“Kur flasim për këtë çështje  (d.m.th. për emrat si pjesë e pandarë e gjuhës) duhet theksuar se për emërtimet e njerëzve krijohen kombinime të ndryshme gjuhësore, madje edhe të tilla që u shmangen rregullave të mirënjohura të gjuhës sonë. Kjo shmangie është pak a shumë e ngjashme me “licencia poetica” ose lejes së poetit që t’i cungojë, ose t’i ndërrojë disa forma gjuhësore, për të dalë rima ose rrjedha e vargut poetik më e këndshme e më tingëlluese...” dhe  vazhdon më tej:

...Siç u theksua më lart, në formimin e emrave lejohen shumë trajta që nuk përkojnë me rregullat gramatikore, morfologjike e sintaksore në gjuhën shqipe. Më tutje edhe ndikimi i gjuhëve të fqinjëve e bën të veten... Kështu b.f. emrat Drita, Vera etj. paraqiten në forma të shquara sipas formave të sllavishtes Danica, Vera etj. Duke u mbështetur në rregullat e gjuhës sonë këto (!) emra  duhet të jenë Dritë, Verë. Kësi ndikimesh hasim edhe ke emrat Gëzime, Lirie(!) e të ngjashëm, kur dallohet fare mirë ndikimi i orientit, kur marrim në shqyrtim emrat Fatime, Hasime etj. Dihet fare mirë se fjala e gjuhës shqipe Gëzim -i është i gjinisë mashkullore dhe si i tillë nuk mund të shprehë emrin e një femre, por ja që po ndodh, madje është bërë zakon i pashkruar përdorimi ndër ne, sipas modelit, që tanimë e theksuam, duke e përdorur atë si emër femre Gëzime Gëzimja, Fatime Fatimja. (Shih: Fjalor emrash... Prishtinë 1995, f. 22)

 

Ç’është e drejta, autori cek konkretisht problemin rreth huazimeve të sferës orientale, dhe aty vë në dukje edhe gjëra të tjera mjaft me vlerë, mirëpo sa i përket analizës në ndonjë finesë, gjërat nuk i dalin të shpjeguara me qartësinë e gjerësinë e dëshiruar. Sidoqoftë, marrë në përgjithësi tërë punimi ka pasur nevojë për një redaktim të rrastë gjuhësor e logjik, p.sh. emri Lirie si tip sa i përket grupimit nuk përputhet me shembujt Fatime, Hasime, Madje edhe emri vetjak Gëzime duhet parë a vjen si emër i konvertuar drejtpërdrejt nga emri i përgjithshëm abstrakt gëzim, apo vjen nga emri i përveçëm Gëzim? Si duket aty kemi të bëjmë me një proces të lejueshëm normal ligjërimor, megjithatë edhe kështu si është punimi ka vlera të pamohueshme, sidomos, kur flet për karakterin specifik të emrave të përveçëm të njeriut ndaj emrit përkatës të përgjithshëm abstrakt.

Për mendimin tonë, me që emrat e tillë te ne janë përhapur masivisht bashkë me përqafimin e fesë islame, nuk duhen gjykuar en bloc subjektivisht sidomos sot  për sot e për të sotmit, si emra të dhunshëm, ashtu si edhe ata të feve të tjera, ngase feja i kalon  caqet e çdo ideologjie të fryrë ad hoc, por nuk është e padrejtë kërkesa që edhe emrat e tillë, emrat e përveçëm të njerëzve, të formohen në frymën kombëtare dhe të zënë vend më të niveluar (sistem i veçantë) në shpjegime edhe në burimet tona normative, sidomos në drejtshkrimin e shqipes, pa e lidhur çështjen domosdo me qëndrimet e rastësishme subjektive (ideologjike a politike) nga e kaluara ose edhe e sotmja dhe nga  parashikimi i së ardhmes.

Lidhur me këtë subjektivizëm, edhe pse po bëhen tentime e veprime ekstreme të palejueshme edhe kombëtarisht, nuk duam të shprehemi më gjatë këtu, por, po i themi dy fjalë, të cilat na i nxori krahasimi, jo pa vend, i autorit, me  licentia poetica, d.m.th. e drejta e poetit  krahasohet me të drejtën e prindit apo të tutorit për t’i vënë emrin e përveçëm vetjak fëmijës ose konvertuesit  ose vartësit përkartës.

Siç dihet licentia poetica është e drejtë universale që e shfrytëzon ai poet, i cili konsiderohet që më parë se është edhe si njohës i mirë  a solid i normës së koduar gjuhësore dhe atë të drejtë për thyerje eventuale të normës e shfrytëzon vetëm në raste të caktuara, kur ndjen nevojën me paraqitë një formë të re shprehëse me qëllim të mirë, ngase gjuha e poezisë, gjuha e letërsisë, duke mos qenë dëgjuese e verbër e normës në situata të caktuara, ajo e ndihmon standardin për të shpëtuar nga amullia a konservatorizmi i tepruar. Me fjalë të tjera duam të themi, ashtu siç e kuptojmë edhe synimin e autorit, se pagëzuesi i emrit, siç u përpoqëm ta shpjegojmë analogjikisht edhe ne, duhet të jetë i pajisur paraprakisht me njohuritë përkatëse të emërpagëzimit edhe në anën tjetër duhet ta respektojë si interesin kombëtar, ashtu edhe të kënaqë fakultativisht dëshirën pozitive individuale. Po njëherazi duhet ta respektojë anën semantike si dhe atë drejtshkrimore  për fjalë-emrin  përkatës vetjak.

 

Sipërfundim

 

Gjithsesi me rastin e vënien së emrit ose drejtshkrimit të tij më parë ose paraprakisht duhet njohur lënda e pastaj të vihet në zbatim si liria e zgjedhjes së trajtës së emrit të caktuar, ashtu edhe kompetenca e studiuesit rreth drejtshkrimit të emrit përkatës. Pra, në gjuhën tonë që të vihet emri i mirë, sipas kriterit kombëtar në radhë të parë as që vihet në diskutim, mirëpo në anën tjetër nënkuptohet se nuk duhen kundërshtuar me çdo kusht as emrat e karakterit fetar të trashëguar ose të përzgjedhur sipas ndonjë parimi a botëkuptimi të caktuar. Po përsërisim, gjithsesi duhet me pasë parasysh veç tjerash edhe disa, si të themi, njohuri teknike gjuhësore, që kanë të bëjnë me drejtshkrimin në kuadër të sistemit gjuhësor të gjuhës shqipe.

 

Sidoqoftë, shoqëria jonë është duke u ballafaquar me këtë problem  edhe për shkak të studimit jo të mjaftueshëm, të mirëfilltë të çështjes në fjalë, andaj  kanë bërë mirë redaktorët e burimit www. Shqipëria.com (shtëpiza Emra shqiptaresh), d.m.th të emrave të përveçëm shqiptarë që u kanë kushtuar vendin e merituar në faqet e internetit, por edhe aty sa i përket drejtshkrimit a trajtës përfaqësuese të emrave në fjalë, siç  e pamë më sipër e siç do të shohim më poshtë, del një mishmash i patolerueshëm që ka pasur dhe ka mundësi të evitohet  me dije e kujdes pa mund të madh.

 

 

 

C. Edhe njëherë rreth zbutjes së mishmashit të trajtave

në “Emra shqiptarësh

 

Për hir të rëndësisë aktuale që ka tema rreth emrave vetjakë të përveçëm në gjuhën shqipe do t’i shprehim edhe disa mendime lidhur me lëndën e botuar në internet në adresën www.shqiperia.com - shtëpiza Emra shqiptaresh, edhe pse po këtë temë e kemi rrahur në kreun III të kësaj pjese të këtij punimi.

Sigurisht për mendimin tonë nuk mjafton vetëm grumbullimi i materialit si dhe mbarështrimi i tij sipas shkronjave etj., por duhet bërë analizë të gjithanshmen nga pikëpamja e përzgjedhjes semantike, tipizimit gjuhësor dhe drejtndërtimit të trajtave shkrimore e shqiptimore me qëllim të zbutjes së mishmashit që ekziston lidhur me trajtat e emrave të përveçëm në burimin “Emra shqiptarësh”.  .

Në të vërtetë, kur njeriu thellohet në këtë problem, fitohet bindja se në mungesë të një pune të tillë studimore kjo çështje në gjuhën tonë duket  vërtet se ngjet në një sixhungël, sixhungë lkjo  ende jo e shkelur mirë. Kur themi kështu kemi parasysh faktin se shembujt i ndeshim në atë mënyrë që nuk veçohet ose nuk dihet se cila  trajtë duhet të jetë trajta më e drejtë shkrimore, cila duhet të merret si trajtë përfaqësuese ose mbizotëruese etj. P.sh. vetëm te shembujt me nistoret A dhe B te gjinia mashkullore në “Emra shqiptarësh” po i përmendim disa nga variantet shkrimore Aty ndeshim, b.f. Banush, d.m.th. pa trajtën e shquar, por njëherazi ndeshim Bardh-i, pra në të dyja trajtat, pastraj Bardhan-i e Bardhani (!), që nuk dihet se me çfarë qëllimi është shënuar trajta me -I fundore?! Aty ndeshim gjithashtu trajtën Asdrea të shënuar 2 herë mbase si lapsus, por del pa sqarim çështja e shquarsisë së shembullit në fjalë.. E diskutueshme del edhe trajta Arbnor e Arbëror, është fjala për shtimin e -Ë-së në trajtën e dytë. Dihet arsyeja pse është shënuar Arb-i, po nuk dimë pse është shënuar më poshtë po ky emër në trajtën Arbi, për të treguar përdorimin në të dyja trajtat apo jo?

Mund të vërehen edhe çështje të tjera të diskutueshme tek emrat e gjinisë mashkullore, po ne po mjaftohemni me kaq, për të kaluar te disa veçori të tilla në gjininë femërore, ku çështjet e kësaj natyre numerikisht dalin edhe më të shumta. se te gjinia mashkullore. Ja disa raste:

 

1)      Abetare-ja, Aguliçe -ja;

2)      Adamata, Adela, Ana, Aida; Bukura;

3)      Adanë-a Adana, Admetë-a Admeta, Ballargjendë-a Ballargjenda etj.;

4)     Adani-a Adania

5)      Adea, Atea; Borea,

6)      Afrime-ja Afrime, Afrore-ja Afrore, Agimore-ja Agimore, Agrone-ja Agrone; Bashkime-ja Bashkime Besnike-ja Besnike, Bajame-ja Bajame, Ballore-ja Ballore etj.

7)      Aje, Arte;

8)      Arbenia;

9)      Arbnore-ja Arbnora; Besare-ja Besara, Batushe-ja Batusha, Bardhanjore-ja Bardhanjora , Badhonje-ja Bardhonja;

10)  Arbiana, Batoniana;

11)   Arbrorja (veçan) Arbërore-ja;

12)  Argjendorë-ja Argjendore Argjendarë-a Argjendare, Antigonë-a Antigone;

13)  Armendi ( emër femëror si mashkullori i shquar(!);

14)  Artore-a Artora

15)  Bete-a

16)  Bujaria,

17)  Bukurie

18)  Besmirë-a, Besmira Besmirja

19)  Borbardha Borbardhja

etj.

 

Rastet e mësipërme në të dyja e a të tria trajtat del e shfaqur edhe te shembujt me shkronja nistore të tjera, madje në numër të konsiderueshëm, po ne nuk po ndalemi më gjatë, ngase këto që u shënuan mjaftojnë sa për të treguar mishmashin e vërtetë që ekziston në sixhungllën e emërtimit të njerëzve të përveçëm në gjuhën tonë nga pikëpamja drejtshkrimore, drejt-fjalëformuese e drejt-fjalëndërtuese..

Personalisht mendojmë se organet përkatëse ose ekipet e njohësve të kësaj problematike urgjentisht duhet ta kryejnë punën përgatitore dhe pas analizave përkatëse të ofrojnë zgjidhjet, në mënyrë që emrat e përveçëm të njerëzve të kenë vend edhe më të merituar më të rregullt si përmbajtësisht e drejtshkrimisht domosdo në burimet tona normative.

Sidoqoftë, duhen nxitur kuadrot të rrahin pra edhe më tej teorikisht  probleme të emrave në shqyrtim, duke shprehur haptas mendimet ku përputhen e ku nuk përputhen trajtat përkatëse me rregullat e emrave të përgjithshëm dhe kjo nuk cenon, përkundrazi ndihmon zbatimin e të drejtës individuale të prindit dhe të tjerëve por eddhe të ortologut që në këtë fushë të ketë sa më pak laryshi e mospërputhje me natyrën e gjuhës shqipe.

Për mendinin tonë është bërë një punë shumë me vlerë me (ri)botimini i Fjalorit të emrave të njerëzvewww.shqiperia.com me kërkesën që lexuesi të shtojë ndonjë emër autentik shqiptar që nuk e gjen në atë regjistër, por siç u përpoqëm me e paraqitë realitetin edhe me rastin e ribotimit ose të përplotësimt të listave janë bërë lëshime jo të vogla dhe mjaft serioze.

 

Sidoqoftë, vërtet është bërë e po bëhet një punë shumë e mirë, jo vetëm me përplotësimet e listave me emra të rinj, qoftë malësorësh, e të tjerë të trashëguar, por që edhe trajtimi i emrave në shqyrtim me qëllim kodifikimi duhet të trajtohet nga kuadro ekspertësh të përgatitur si nga pikëpamja drejtshkrimore, ashtu edhe nga ajo fjalëformuese, duke perfeksionuar e kuptuar sa më drejt si anën teorike ashtu edhe anën praktike të problematikës në fjalë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora