E diele, 28.04.2024, 04:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Peizazhi

E marte, 13.07.2010, 09:26 PM


Peizazhi

 

Tregim nga Kostaq Duka

 

Fjalëkryqet apo bashkimin e copëzave të ngjyrosura, fragmente të një kompozimi,  ai nuk i kishte qef. Madje njerëzit e dhënë plot pasion pas tyre, gjithnjë i ka parë si të ngeshëm e më shumë si të çuditshëm.  Vetë si natyrë ishte trup e mëndje lëvizur. E kish provuar të ulej e të zgjidhte një fjalëkryq por e kish lënë në mes. Durimi i mbaronte sa pa filluar lojën.

Dhe ja rasti e solli, këtej përtej oqeanit, të njihej me një të moshuar durimmadhe dhe artiste të vërtetë. Ajo e kishte bërë zakon të ulej e vetmuar në tavolinën e madhe të kompozimit, bashkimit të copëzave të ngjyrosura, aty afër pas mesnatës. Qëndronte e përqëndruar e zhytur e tëra në kërkim të copës së përshtatëshme për ta bashkuar me të tjerat sipas formës së prerjes. Flokët e bardhë, të lehta, të pushëzuara i derdheshin supeve, si një re e vogël që mund të tretej nga çasti në çast. Përdorte syze leximi me një skelet floriri.

Ajo e dinte tashmë se  aty diçka pas mesnate do të vinte ai ta përshëndeste e t’i kujtonte me mirësjellje orën.

-Ka kaluar gjysmë ore pas mesnate. Duhet ta përfundoni patjetër sot këtë punë? Mund ta vazhdoni nesër. Të gjithë po flenë. Vetëm ju...

Ajo kthente kokën drejt tij me një buzëqeshje të ëmbël.

-Uh, si ikën koha! Ja edhe pak e do te ulem poshtë me ashensor.

Banonte dy kate më poshtë se dhoma e lojrave të tilla që ishte në katin e pestë.

Ai në të vërtetë nuk i’a kishte merakun. edhe pse mbi 90-të vjeçe ajo e zotëronte veten fizikisht dhe mendërisht.

-E di pse e bëj këtë?- i tha një ditë. Që të ushtroj trurin. ta mbaj mendjen gjallë. Bashkimi i copëzave të ngjyrosura deri në krijimin e  parqeve me lule shumëngjyrëshe, kështjellave, peizazheve të mrekullueshme ve në lëvizje qelizat e trurit që të mos mplaken.

Ajo i thoshte këto, ngadalë por me pasion që i bënte sytë të lëshonin një dritë të ngrohtë dhe ai nënqeshte me vete duke ditur bezdinë që kishte të ushtrohej me fjalëkryqe e zgjidhje të tilla.

 Ndonjëherë ai përpiqej të qëndronte pak më gjatë pranë saj dhe bënte sikur e ndihmonte në përpjekjet për të gjetur copëzën e dëshiruar. Por asnjëherë s’pati rezultat të dukshëm. Me sa duket edhe ajo e kishte ndjerë dhe kuptuar se ai ishte larg këtyre lojrave të mëndjes sepse ngrinte kokën herë pas here dhe e shikonte me një shikim paksa tallës.

Dhe keshtu çdo mbrëmje. Rit i zakonshëm. E njëjta përshëndetje. Një tërheqje vëmendjeje me shumë dashamirësi për vonesën dhe një buzëqeshje e ngrohtë shoqëruar me kanaqësinë vetjake për kryerjen e detyrës së përcaktuar.

Por një mbrëmje ajo e teproi. Edhe pse ne fillim si zakonisht tha:” ja po e le e po zbres në katin më poshtë në apartamentim tim”, vazhdoi të qëndronte. Ai i shkoi pranë disa herë pa e ngacmuar por kur ora shënoi dy pas mesnate u shqetësua. Vonesa të tilla, sigurisht për këto mosha nuk janë të mira. 

Më në fund ndërhyri. U mundua të ishte sa më dashamirës në zë por ishte e pamundur të mos rrëmbehej nga një farë nervozizmi e tone paksa urdhëruese.

-Është vonë,tepër vonë, duhet të flini.

Vonë?! Sa vonë?

-2 pas mesnate

-Uh vërtet.

-Lini diçka për nesër - tha ai  frazën refren.

Ajo me një shikim serioz pak të çuditshëm e të vrarë i tha: Për nesër? Po unë nesër kam ca punë  e s’dihet kur vij. Thashë ta mbaroj. Si ta le këtë pamje të mrekullueshme të Nju Jorkut pa e mbaruar?! E di ti që unë jam Nju Jorkeze? Ja shiko këtu. Në këtë rrugë  kam jetuar tërë jetën. Vetëm kjo copëzë në qoshe duhet plotësuar.

Ai i trëmbej zgjatjes së bisedës. Këmbënguli që ajo të shkonte në apartamentin e saj. 

Dhe u çua. Fytyra i mori një pamje serioze , të ngrirë e të ftohtë që ai s’e kishte ndeshur më parë, në takimet e zakonshme.

-Dakord, dakord. Më duhet të fle.

Ai e shoqëroi deri në apartamentin e saj duke e ndjerë veten fajtor që s'mundi ta bindëte të kishte zbritur më parë.

Të nesërmen ajo nuk erdhi. Ai kaloi para tavolinës ku ajo kishte lënë të papërfunduar kompozimin me pamje nga Nju Jorku. Dhomëza e lojrave i’u duk e zbrazët.

 Ikën edhe  tre netë të tjera. Asgjë nuk ndryshoi. Kompozimi qëndronte në vend ashtu pa u përfunduar. Në një tavolinë tjetër dikush nga të moshuarit kish filluar të bashkonte copëzat për një kompozim në qëndër të të cilit ishte një urë. Por për të fytyra e tij mbeti anonime sepse i moshuari punonte në orët e paraditës.

Papritur kur po bëhej gati një javë qe ajo nuk po vinte atij i lindi ideja ta perfundonte vetë peizazhin. Le ta provonte. Do ta kishte bezdi por do të mundohej. Fundja ishte 50-të vjeç, 40-të vjet më i ri nga ajo!

 

Dhe i’a filloi. Por...jo nuk ishte e lehtë.Duhej përqëndrim, vëmendje dhe shumë durim të cilat ai gjithë jetën i kish urryer. Balli i’u mbush me djersë. I’u duk vetja si një nxënës i dobët, i paaftë për të zgjidhur nje ekuacion të thjeshtë. Herë , herë i dukej se ajo i qëndronte prapa kurrizit dhe e tallte: Çohu, çohu kjo s'është për ty!

Por hap pas hapi më në fund truri nisi të ushtrohej në drejtimin e duhur dhe te jepte zgjidhjet e kërkuara. Copëza që i ngjante një trualli memec po mbushej e formësohej. Ai po ndjente një kënaqësi të jashtëzakonshme, si të ishtë piktor a arkitekt i vërtetë.

Pas tre netësh mbi peizazhin e nderë mbi tavolinë nuk mbeti asnje copëz bosh.Puna u krye. Pamja nga Nju Jorku u trajtësua plot ngjyra të gjalla. Ai s’i gëzohej dot. Por kur do të vinte ajo? Si u zhduk keshtu papritur? !Do të dëshironte  të shihte fytyrën e saj të mbushej me  atë dritën rrezatuese , të  ngrohtë e dashamirëse kur të shihte që ai, ai i padituri e kishte çuar deri në fund atë ç’ka ajo la në mes.

 

Ajo s’u kthye as te nesërmen, as të pasnesërmen. Çdo mbrëmje ai ngjitej sipër e shkonte tek tavolina e punës së saj. Peizazhi  nga Nju Jorku po i ngjallte trishtim. Kë të  pyeste? Por edhe si të pyeste? Ai nuk i dinte as emrin, madje as apartamentin e saj. Kishte fiksuar vetëm faktin që ishte diku në katin e tretë, dy kate më poshtë nga dhoma e fjalëkryqeve dhe lojrave të tjera të kësaj natyre.

E qortonte veten që nuk mundi të hynte pak më shumë në botën e  saj. Kjo sigurisht do ta bënte atë të ishte më e chlirët e fundja do të shpjegonte edhe arësyen e ngutjes për përfundimin e peizazhit patjetër atë natë. 

Patjetër, domosdoshmërisht! A thua kjo ishte detyra e fundit e jetës së saj?!....Por para ch'detyrash e ch'problemesh madhore është ndeshur ajo në jetën e saj të gjatë? Në se ajo vlerësonte kaq shumë këtë lojë cfilitëse, në gjetjen e copëzave të ngjyrosura e bashkimin e tyre a thua "fjalëkryqet" e jetës së saj kanë qënë të përmasave të vogla?! Jo, jo e përjashtonte këtë mundësi. Sigurisht ajo ishte inteligjente , jo nj ë grua e zakonshme. Vetëm një mëndje inteligjente mund të ruante në dekadën e fundit ne prag të 100 viteve energji të mjaftueshme dhe aftësi të tilla. Të kishte qënë piktore, arkitekte apo mjeshtre e fotografisë?! Apo ndoshta zyrtare e lartë në qeveri?!....

Mendimi se ajo me këtë peizazh po zgjidhte detyrën e fundit të jetës së saj iu ngulit në mëndje dhe nuk po i shqitej.

Edhe netë të tjera shkoi atje në dhomën ku ajo punonte. Vështronte peizazhin me pamje nga Nju Jorku. Mbërthente sytë në atë segment rruge ku ajo kishte kaluar gjithë jetën e saj e përpiqej e përpiqej, sikur të ishte para nje kodi të fshehtë, të zbulonte sekretet e ngulmimit të saj gati të dhimshëm për ta përfunduar detyrimisht atë natë peizazhin. Dhe teksa largohej  para syve i rishfaqej fytyra e saj e tronditur, e tjetërsuar, kur pas këmbënguljes së   tij iu desh të zbriste poshtë në apartamentin e saj dhe fjalët e saj të fundit " Dakord. Po iki, po ik  ...." me shikimin drejtuar nga peizazhi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora