E diele, 28.04.2024, 07:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Dardan Velija: Një biografi siç s'jemi mësuar të shohim

E marte, 13.07.2010, 08:37 PM


Një biografi siç s'jemi mësuar të shohim

 

Nga Dardan Velija, analist

 

Me këtë libër, Shkëlzen Gashi ka vendosur një standard të ri se si duhet të shkruhet biografia e historia.

Jemi mësuar të lexojmë nga Shkëlzen Gashi intervista agresive dhe opinione të anshme. Biografia e tij për Adem Demaçin e thyen këtë kurs. Ai është treguar skajshmërisht korrekt në paraqitjen e jetës së një kosovari, që poashti njihet për një jetë agresive e të opinionuar.

Ky libër i ka dy vlera unike. Në mënyrë besnike e koncize, pa vlerësime, paraqet jetën e Adem Demaçit. Vlera tjetër e librit të Gashit qëndron në atë se jep një tablo të qartë e koncize të vetë historisë moderne të Kosovë, nga një prizëm që s'e kemi parë më herët, nga pikëpamja neutrale. Gashi nuk jeton me Demaçin, as i del atij krah. Thjesht e vëzhgon jetën e tij dhe e përshkruan atë nga prizmi i një vrojtuesi të ftohtë.

Demaçi, padyshim që është një nga 5-6 fytyrat më të rëndësishme, ikonike të historisë së Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Duke analizuar historinë shumëdimensionale e Demaçit, analizohet një pjesë signifikante e historisë së re të Kosovës. Demaçi deri në vitin 1990, personifikonte rebelimin dhe zërin e ndrydhur të kërkesës për barazi e bashkim me Shqipërinë të shqiptarëve të Jugosllavisë. Gjatë tri dekadave të burgut të tij, ai ishte inspirimi për angazhimet për liri të shqiptarëve të Jugosllavisë.

Demaçi në biografinë e Shkëlzenit paraqitet njeri, njeri që jeton. Nuk është viktima e pushtetit serb, nuk është heroi, nuk është pretendenti për pushtet, nuk është shkrimtari. Por ai njeri jeton në një kohë ndryshimesh të mëdha. Gjatë jetës së tij fillon e mbaron Lufta e ftohtë; lind, ngrihet e vdes Milosevici; lind, ngrihet e vdes Rugova. Domosdoshmërisht do të jetë një jetë me metamorfoza botëkuptimesh. Demaçi piqet në kohën e komunizmit dhe përfundon si përkrahës i kapitalizmit liberal, fillon si ateist dhe përfundon si shpirtëror. Por nga ana tjetër ai fillon duke e përkrahur Rugovën, përfundon duke e urryer atë. Fillon duke dashur udhëheqjen e UÇK-së e përfundon duke përbuzur ata.

Demaçi rrezikon mirëqenien e vet personale për t'u qëndruar besnik botëkuptimeve të tija. Ndoshta e vetmja pikë ku Demaçi tregohet konsistent është qasja e tij rebele. Rebelohet kundër Jugosllavisë, kundër Serbisë, kundër Rugovës, kundër udhëheqësve të UÇK-së, në kohën e Rambujesë kundër tërë botës dhe kundër hakmarrjes ndaj serbëve pas ’99-tës. Në rastin kur sëmuret nga zemra ai rebelohet kundër vdekjes.  Libri përfundon me një rebelim tjetër, Demaçi thotë që do të jetojë 111 vjet. Ai rebelohet kundrejt paparashikueshmërisë së vdekjes.

Libri është i hulumtuar rrënjësisht. Gashi duket qartë që s'ka lënë pa lexuar asnjë libër relevant, ka intervistuar shumë njerëz. Është një libër siç nuk jemi mësuar të shohim ende. Të gjithë librat më seriozë për historinë moderne të Kosovës janë shkruar nga protagonistët, ku shpesh ka qartazi konflikt interesi. Ky libër paraqet një rast kur historia shkruhet nga profesionisti.

Me këtë libër, Shkëlzen Gashi ka vendosur një standard të ri se si duhet të shkruhet biografia e historia. Qëndroj në pritje të lexoj libra të shkruar në këtë format për Ibrahim Rugovën, Demonstratat e vitit 1981 e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një ditë, dikush do të shkruaj kështu edhe për periudhën UNMIK-iane dhe post-pavarësisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora