E merkure, 30.04.2025, 05:17 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Luan Çipi: Një dasmë në Vlorën e sotme

E shtune, 19.06.2010, 06:58 PM


 

NJË DASMË NË VLORËN E SOTME

                    

Mbresa të një plaku, për të bijtë, emigrantë

 

Nga Luan Çipi

 

Në Dasmë kaluam shumë mirë. Aheng me program dixhei, deri film jetëshkrimor e fotografik, kërcim buj gjysmë lakuriq nga “çengie haremi”, këngë,muzikë, fjalime, përshëndetje e dolli, filmime me kamera kinematografike e digjitale, fotografi e blice. Mbledhur të afërt, shokë dhe miq të ftuar, mbi 200 "qeflinjë", nga e gjithë bota:  nga Amerika, Italia e Greqia. Vetëm gjirokastritë, kushërinj të zonjës së shtëpisë së organizatore, ishin 40, burra, gra e të rinj  gazmorë e ekstravagant, që nuk dallonin nga  vlonjatët vendas, se dhe prej tyre kishte vajza e gra me dekolte e minifunde, djem e burra, deri me mjekra e mustaqe, që vallëzonin e këndonin më së miri.

Kur kërcente çifti shumë simpatik i të martuarve, M. dhe V., sipas edicioneve të posaçme të programit digjital, atëherë kërciste pëllëmba, lyer me pështymën e filantropëve krenarë, ballit të nuses e të dhëndrit,    qindra  prerje karte, lekë mijëshe, apo euro e dollarë, saqë (kur nuk ngjiste mirë pështyma në letër, apo nuk kishin vend sutjenët e nuses)  kartëmonedhat binin poshtë, sa mbushej edhe sheshi aty rreth. Kjo, patjetër nxiste lakminë e gjindes, qoftë dhe pleqtë e shkarë, që mendonin e thoin me vete: A sikur të martoheshim edhe ne një tjetër herë, në këtë kohë të artë, se do kënaqeshim shumë, po dhe do pasuroheshim, të paktën, për ta kaluar xhaba muajin e mjaltit.

 

Për të ngrenë e për të pirë, kishte “si në dasmë”, me bollëk e cilësi.

 Salla ishte bashkëkohore e madhe e stolisur me lule dhe dekor të posaçëm,dhe ftohje të pëlqyeshme me kondicionerë dhe ndriçim të ndryshueshëm, të fort, mesatar e fare bujë, sipas momenteve. Programi,duket se ishte përgatitur nga profesionistë të vërtetë, natyrisht të paguar bujarisht, si çdo shërbim tjetër. Kishte variante  të larmishme, me muzikë të zgjedhur me kujdes, këngë vlonjate, gjirokastrite, kosovare, shkodrane e himarjote, muzikë labe, qytetare e patriotike, muzikë të lehtë e vallëzimi, deri te Valsi i Danubit, si dhe  Himni i Partisë së preferuar.

 

Kishte përfaqësues nga të gjitha lidhjet familjare, farefisnore, shoqërore e partiake. Vetëm ju, fëmijët e mi, emigrantë, më të mirët në botë, mungonit. Ishit larg, në Amerikë e Kanada dhe me hallet e preokupimet tuaja të shumta.

Deri ne ora 4 të mëngjesit të datës 14 qershor 2010, orët kaluan në gëzim e hare, fare pa u marrë vesh. Gjithë kohës kënaqeshe, për pozat dhe paraqitjet komike-gazmore, se shihje duke kërcyer e kënduar bekrinj e gaztorë, pa dallim moshe. Ndër më të dalluarit, që meritojnë të përmenden e të lëvdohen, ishin balerini i kahershëm e tani plak, gati 70 vjeçar, F. H. me të shoqen shkrimtaren produktive e të suksesshme, V. V. si dhe shumë e njohura dhe fort e dashura për ju, ish si motra e Nelës, Lumja e Mensurit me burrin e saj të shtrenjtë, Gifen e Arifit.

Pjesët kulmore përfshinë kërcimin e çiftit dhe djegien e shamisë së beqarit, si dhe ndarjen prej tyre të tortës se madhe shumëngjyrëshe e trekatëshe, që u soll në qendër të sallës, nga dy djelmosha me veshje të zgjedhur, duke tërhequr me vështirësinë e peshës së madhe, një tavolinë me rrota.

Ceremoninë e ndoqi me durim e kënaqësi të shprehur edhe më  e moshuara, megjithëse thellësisht e hidhëruar, tezja juaj, gjyshja e dhëndrit, madhështorja Sh., e vendosur në qendër të sallës së madhe, në tavolinën qendrore. Të gjithë, herë pas here shkonin aty dhe pastaj te tavolina e veçantë e çiftit me gotën plot, uronin përzemërsisht dhe dilnin bashkërisht në fotografi,

 Dy orë pas fillimit të ceremonisë, rreth orë 11 të mbrëmjes  ja mbërritën edhe krushqit: Babai, nëna, tezja, halla, dajat dhe dy motrat e nuses, ( ishin 11, dy më shumë nga ç’kishin vajtur këta një natë më parë) . Ata, nën tingujt e një marshi gazmor, u duartrokitën, u takuan dhe u përshëndetën me çiftin dhe më të afërtit dhe zunë vend, karshi tyre, në vendet e rezervuara te tavolina qendrore. Edhe krushqit së toku kënduan dhe, së fundi, u ngritën, kërcyen dhe darovitën pasurish çiftin.

U përshëndetën të gjithë me të zotët e shtëpisë dhe veçanërisht me nusen e dhëndrin,  të dy me arsim të lart, gjuhë të huaja, me punë të mira e para, që  nesër ia hipin avionit, të shëtisin Evropën dhe të gëzojnë muajin e mjaltit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx