E enjte, 03.10.2024, 12:30 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Varg që pikon lot e dashuri

E shtune, 12.06.2010, 05:23 PM


Varg  që pikon lot e dashuri

 

(Mendime rreth vëllimit poetik “Çmenduri e bukur” të Elisabeta Tafës)

 

Nga Pëllumb Gorica

 

Tre janë motivet që ndërthuren bukur e në mënyrë brilante në librin me poezi “Çmenduri e bukur” të Elisabeta Tafës: dashuria e përlotur, dielli me ajër të bollshëm dhe deti me mall ëndrrash. Lexon poezitë njëra pas tjetrës dhe nuk mund të rrish pa i vlerësuar me thënien e bukur të Dritëroit të madh për poezinë e Elizabetës, “prej ajri dhe uji” apo të pyesësh edhe ti si çdo lexues me pyetjen e  eruditit Moikom Zeqo “a je ti poezi  a metaforë e së vërtetës?”.

    Elisabeta rend vërtetë në fusha ajri dhe nuk e dimë ç’e mban që nuk rrëzohet, futet në dallgë lumi e deti dhe nuk e dimë pse nuk laget, rend pas një pike loti dhe e kthen si të dojë, herë në mall e herë në këngë dashurie, shkruan për nënën dhe nuk i shpëton dot asnjë ndjesie të femrës, bën sikur dashuria herë - herë  ia hedh, por ajo shpejt del mbi një gur zalli apo hipën në një yll qielli  dhe e sfidon atë. Ndodh kështu sepse tek Elisabeta nuk ka asgjë artificiale, asgjë jashtënjerëzore, por gjithçka është brenda vajzës që vetëm ëndërron pa u shkëputur asnjë çast nga realiteti.

   Elisabeta kërkon në çdo varg të jetë e pranishme në rrjedhat e jetës, sado kapicë të jenë ato, kërkon shkrirje organike dhe unifikim ndjenjash, qoftë me nënën, qoftë me të dashurin, qoftë me shoqërinë që mes dallgëve të jetës pulson e rigjeneron ardhmëri.  Elisabeta, duke mos u ngopur me ajër e diell, me mall e ëndrra, me jetë mes shokësh e të afërmish, duket sikur kalon në egoizëm, por ky është një egoizëm i ëmbël në funksion të gjenerimit të ëndrrës, pasionit, sinqeritetit për të pasur edhe atë që nuk është lehtë të arrihet, sepse “jeta s’është përrallë”.

    Në vëllimin me poezi “Çmenduri e bukur”, poetesha Elisabeta Tafa ka “një fytyrë prej ajri” një “shpirt të lagur” një zemër  që “do të flasë me diellin”, një sy që pikon “lot ëndërrimtar” dhe aty ku ajo është mbushur plot jetë e copëza realiteti, ngre “ura ajri” dhe vrapon pas çmendurisë së bukur. Nuk është vetëm guxim metaforik, por edhe  ndjesia e zjarrtë e femrës që e quan çmendurinë të bukur.

  Elisabeta është në udhëtim të vazhdueshëm, në kërkim të një të vërtete, që edhe pse nuk i beson në shumë raste, përsëri ajo e kërkon. “Çdo ditë udhëtoj me makinën jetë” shkruan ajo, por udhëtimi është i kujdesshëm, ajo “nxjerr kokën nga dritarja dhimbje, /veten e sheh në pasqyrën e kohës” dhe përsëri, edhe pse është në fluturim pas ëndrrës, ruhet, ruhet fort “se mos e qëllojnë dhe mos vetëvritet”. Elisabeta gërmon në kujtesë, bisedon çiltër me nënën, i vjedh një të puthur të dashurit, i drejtohet diellit dhe shiut, vrapon “pas zogut të kaltër të ëndrrës” dhe përsëri bëhet tokësore, e ndjen që është një grimcë e këtij universi ndaj, “fjalën e saj ia lë kohës/ vetëm asaj”.

      Elisabeta me fjalën e saj - metaforë të bukur, zhytet  në det e kënaqet me ndriçimin mbresëlënës të hënës, përshëndet një njeri në rrugë dhe sodit një pemë nga dritarja e hapur e jetës, por përsëri ajo rikthehet e rikthehet te dashuria, duke e quajtur atë gjënë më të shtrenjtë si burim jete, ajo kërkon ta kthejë shpirtin e saj në dashuri se “shpirti kërkon të nxjerrë fjalët e pathëna/që nesër muzikë do jenë për ty” e finishi i saj është “linda për vete/ vdiqa për ty”.

  Metafora e lotit luan një rol kryesor në vëllim me poezi “Çmenduri e bukur” të Elisabeta Tafës dhe here - herë duket sikur e errëson mendimin, por përsëri ndjesia femërore, sinqeriteti që nuk do të kthehet kurrë në lajkë e servilizëm, ndriçon gjithçka. Nuk mund të ndërtohen lehtë metafora të tilla si “brenda një loti për ty futa veten”, “dua të qaj dhe brenda lotit humb” “në trishtime e  ëndrra të lotuara. Fle krenarisht” , “loti miku që s’më braktisi kurrë/ lot ëndërrimtar, koha po më mbaron dalëngadalë  deri sa poetja shkrihet e pohon : “e lot jam bërë / det e qiell e tërë”.

  Dashuria në vargun e Elisabetës është edhe ëndërr edhe realitet, edhe sukses edhe disfatë, por mbi të gjitha është sinqeritet, themel i ripërtëritjes së shpresave të jetës. “Kam harruar të shoh veten/që kur të pashë ty.  Dhe pasi zhytet në detin e puthjeve, e kur shikon se pabesia e tradhtia ngre krye, ajo prapë është vetvetja, nuk bëhet as lajkatare as qaramane por, “e përtypa lotin/mos të mbysja ty.”

  Elisabeta Tafa në këtë vëllim me poezi ecën kryelartë në udhët e jetës me plot ëndrra dhe shpresa, e këtu qëndron vitaliteti i saj, forca për ta kthyer çdo gjë të çmendur në bukuri. Ajo ka një merak një besim, një dëshirë dhe kërkon: ‘Mos mi vrisni ëndrrat/vërtet jam rritur para kohe,/ por ëndrrat mi lini të virgjëra”.



(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora