E marte, 30.04.2024, 01:39 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Baki Ymeri: Skënderbeu është Perëndia e kombit shqiptar

E merkure, 26.05.2010, 09:59 PM


Manifestimi në ambasadën e Shqipërisë në Bukuresht
Manifestimi në ambasadën e Shqipërisë në Bukuresht

 

SKËNDERBEU ËSHTË PERËNDIA E KOMBIT SHQIPTAR

 

Ishte një kohë dhe një botë. Një botë shqiponjash që e meritonin lirinë. Kështu kemi qenë në kohën e farefisnisë trako/ilire dhe kështu e pashë sot pasdite këtë tubim zemrash që digjen për Shqipërinë. Ishin pasardhësit e arnautëve të Tudor Vladimireskut që kishin shtatë zemra në krahëror. Dhe ishte një popull që endet me shpirtin në shuplakë, ngase shqiptari në këtë vend e ndjen veten si në shtëpinë e tij. (M. Antonesku)

 

Nga Baki Ymeri

 

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, më 24 maj të këtij viti u mbajt një manifestim madhështor në ambasadën e Shqipërisë që ndodhet në zemër të Bukureshtit. Këtë tubim të denjë, në prani të një numri të madh mysafirësh, e hapi Dr. Luan Topçiu, ministër këshilltar i ambasadës. Ishin të pranishëm mbi 60 vetë, veteranë të komunitetit shqiptar, shkrimtarë, diplomatë dhe dashamirë të mëdhenj të kulturës shqiptare dhe shpirtit shqiptar. Ndëra ta shquhej Aleksandër Gjika, pasardhës i familjes së famshme të Gjikajve, nipi i Princit Wilhelm de Wied (George Trohani), miku i madh i Kosovës, diplomati Gjorgje Bukura, ish/shefi i Zyrës rumune në Prishtinë, ish/ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Gjorgje Miku, shqiptarë me prejardhje nga Sllatina e Oltenisë dhe Braila e Naum Veqilharxhit, bashkatdhetarë nga Konstanca, çifti bashkëshortor Sherban dhe Adriana Tabaku, filoshqiptari Tiberius Puiu, presidenti i komunitetit shqiptar, Mirçea Istrate, Mihai Arnautu, ishpresidentja e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, Zonja Xhemile Susliu me familjen e saj, poetët Viktoria Milesku dhe Mihai Antonesku, Fatime Aliu me burrin e saj, Kostin Kristesku me prejardhje korçare, etj.

            Dr. Xhelku Maksuti në fjalën e tij i përshëndeti mysafirët, Dr. Luan Topçiun dhe personelin e ambasadës që hapi portat e mikpritjes për ta përkujtuar një përvjetor të rëndësishëm, kur 20 vjet më parë, një grup veteranësh të komunitetit vendosën të themelojnë shoqatën e parë shqiptare, si vazhdimtare e shoqatave të rilindësve tanë. E përkujtoi Skënderbeun të cilin e konsideroi si “Perëndia e kombit shqiptar”. E përkujtoi heroin e Mesjetës Mihai Viteazul (shq. Mihai Trimi) i cili i hapi portat e mikpritjes duke u mundësuar 15 mijë shqiptarëve të kalonin Danubin (për të shpëtuar nga turqit) dhe të vendosen në rrafshultat e Oltenisë (1595). I përkujtoi rilindësit tanë dhe Nikolla Naçon që me fjalën e tij të zjarrtë i mbushte shqiptarët me ndjenja komëtare. I përkujtoi veteranët e komunitetit që kanë ndërruar jetë brenda 20 viteve të fundit, disa ndër ta duke qenë personalitete të mirënjohura si Liçia Xhamo, Qiril Ekonomu, Nikolla Xhamo, Dhimitër Polena, aktori Niku Konstantin etj. I përkujtoi hallet aktuale të komunitetit shqiptar, buxheti qeveritar i të cilit derdhet në adresë të një organizate fantomë, e drejtuar nga joshqiptarja Oana Manolesku, e cila boton Mikun e shqiptarit pa asnjë shqiptar. E përkujtoi mungesën e mjeteve për botimin e Shqiptarit me traditë 122 vjeçare të botimit me ndërprerje (1888-2010).

            Në këtë manifestim të denjë kushtuar 20 vjetorit të konstituimit të BKSHR-së, u përkujtua Ismail Qemali dhe mbreti i parë i Shqipërisë, Princ Wilhelm de Wied, u bë fjalë për Nikolla Jorgën dhe kontributin e tij në favor të Shqipërisë, u dha dhe një koktej nga ana e ambasadës, u cakruan gota dhe u krijuan miqësi të reja, u shpërndanë broshura, libra dhe revistat Shqiptari, Teuta, Albanica, Katundi Ynë etj. Ishte një takim i përzemërt shpirtëror, një nga manifestimet më të bukura dhe më të paharruara të komunitetit shqiptar në Bukureshtin e rilindësve tanë. Si e përshkruan një dashamir i madh i shkrimtarëve të Kosovës, poeti Mihai Antonesku, këtë manifestim? “Ishte një kohë dhe një botë. Një botë shqiponjash që e meritonin lirinë, ngase jemi dy popuj me nga dy gjysma shpirti që kanë krijuar një tërësi. Kështu kemi qenë në kohën e farefisnisë trako/ilire dhe kështu e pashë sot pasdite këtë tubim zemrash që digjen për Shqipërinë. Ishin pasardhësit e arnautëve të Tudor Vladimireskut që kishin shtatë zemra në krahëror. Dhe ishte një popull që endet me shpirtin në shuplakë, ngase shqiptari në këtë vend e ndjen veten si në shtëpinë e tij. Dr. Xhelku Maksuti na e përkujtoi këtë të vërtetë të madhe historike, dhe ja kështu, e ndjejmë se jemi një familje e përbashkët, siç kemi qenë gjithmonë. Ne e kemi dashur njëri/tjetrin gjatë historisë, edhepse faktori politik është munduar të na ndajë, por shpirti ka mbetur gjithmonë i florinjtë, ngase shpirti nuk mund të ndahet.”



(Vota: 27 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora