E marte, 30.04.2024, 01:47 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Fatos Baxhaku: Në anë të Çermenikës

E diele, 23.05.2010, 11:44 AM


Në anë të Çermenikës

 

Nga Fatos Baxhaku

 

Shkumbini rrjedh ngadalë drejt detit, i “përzhitur” nga një diell që ka nisur të ngrohë gjithnjë e më tepër. Në rrugën që lidh Elbasanin dhe Librazhdin makinat shkojnë e vijnë pa pushim. Shumë shpejt, vetëm pas disa minutash udhëtimi, vendin e zallamahisë, që kanë zakonisht rrugët nacionale, do ta zërë një qetësi gati-gati mbytëse. Ne jemi nisur për në Komunën e Labinotit-Mal, që ndër kohë të vjetra njihej si krahina e Shmilit, një zonë krejt anësore e një tjetër emri të njohur, e Çermenikës. Është një krahinë fort e çuditshme kjo zonë. Ndonëse shtrihet vetëm pak kilometra larg nga Elbasani apo Librazhdi, ajo sërish quhet, të paktën zyrtarisht, “krahinë e thellë malore”. Sepse ndodh kështu do ta kuptojmë pasi të lëmë pas Xibrakën, fshatin e fundit në anë të rrugës nacionale dhe të nisim t’u ngjitemi maleve përpjetë.

 

Rruga, një hall i madh

 

Pas afër pesë kilometrash udhëtim arrijmë në Sericë, një fshat që shtrihet në një shpat shkëmbor deri poshtë një lugine. Asnjë makinë nuk kemi ndeshur mbi rrugën e shtruar me çakëll. Na thonë se një autobus i linjës e bën këtë rrugë dy herë në ditë. Një herë në mëngjes dhe një herë tjetër diku nga dreka. Rrallë e tek shohim ndonjë motor që lë pas një vazhdë të gjatë tymi të kuq, njësoj si dheu i këtyre anëve. Në fillim kalojmë përmes disa gurëve që kanë rënë nga mali. Kujtojmë se kemi të bëjmë me ndonjë gurore, por jemi gabuar. Këta gurë janë shembur poshtë që kush e di se kur. Me kokën lart dhe me shikimin e mbërthyer mbi disa shkëmbinj të mëdhenj që janë bërë gati të bien, mbërrijmë më në fund në fshat.

Këtu, në një lokal të vogël pranë xhamisë dhe shkollës takojmë “dajë” Shefqetin. Ky është një 73-vjeçar vendas që ka jetuar jetë e mot në fshatin e tij të lindjes. “Në Sericë kam qenë jetë e mot dhe këtu e kam shtëpinë ku banoj me djalin. Kam bërë shumë punë, në ndërtim, brigadier në kooperativë, në mirëmbajtjen e rrugëve. Punë të rënda me një fjalë. Kjo zona jonë është e vështirë. Ne jemi një zonë me pak tokë. Në disa fshatra problem ka qenë edhe uji, për pirje e për vaditje. Ne lidhjet i kishim me Elbasanin. Para se të hapej rruga gratë e këtyre anëve ngarkonin një thes 50 kilogramësh në kurriz dhe bënin katër orë rrugë për të shitur në pazarin e Elbasanit. Mirë kur shitej ndonjë gjë, por kur nuk shitej? Atëherë i njëjti thes i rëndë duhej kthyer në shtëpi. Jeta ka qenë shumë e vështirë dhe ne e ndienim veten shumë të izoluar. Varfëria ishte e madhe. Kjo rrugë nga i ratë ju tani është hapur vonë, atëherë kur nisën të ndërtoheshin bunkerët e mëdhenj. Ushtria me mjetet e saj e hapi këtë xhade”.

Në qendër të Sericës takojmë kryetarin e komunës. Qaniu është inxhinier. Është duke bërë një kontroll të mirëmbajtjes së rrugës. “Ju rrugën e patë vetë se si është – na thotë - por unë shpresoj se do të shtrohet brenda 1011-s. Tashmë është shënuar në listën e prioriteteve të Këshillit të Qarkut”. Neve sigurisht që na pëlqen optimizmi i kryetarit teksa i kujtojmë edhe një herë ato 5 kilometra që na kishin ngrënë kohë sa për 50.

 

Kushërinj pa dashje

 

Një copë herë shëtisim nëpër rrugicat e lagjes “Lec”. Heshtjen e prishin vetëm nxënësit që luajnë në oborrin e shkollës. Teksa ecim me miqtë tanë na thonë se ka edhe një lagje tjetër, që quhet “e Xhamisë” dhe që ia vlen ta shohim. Kështu kemi mbërritur në oborrin e familjes… Baxhaku. Njëri prej nesh ka pikërisht këtë mbiemër. Kurioziteti bëhet edhe më i madh. Brenda pak minutash në shtëpinë e tij të thjeshtë na pret Sali Baxhaku, një plak i imët me një palë mustaqe të thinjura. “Dajë” Saliu bën në fillim përshëndetjet e rastit, pastaj na prezanton me tre djemtë e tij, të cilët kanë mbërritur shpejt e shpejt nga kopshtet e tyre. “Me të nigjume e kam edhe unë këtë historinë e fisit tonë – na thotë plaku – kështu që nuk e di se sa të vërteta janë këto histori. Mu baba më ka lanë jetim që 5 vjeç dhe nuk kam pasë rast që ta nigjoj prej gojës së tij. Por thonë, thonë se para qindra vjetësh janë vendosur këtu dy vëllezër. Njani ishte Met Baxhaku dhe tjetri quhej Mustë. Mbiemri i tyne i parë ishte Ruçi. Këta, nuk dihet se si, ishin shpërngulur nga Bena, që është një fshat i thellë i Shmilit, dhe ishin vendosur diku më poshtë fshatit. Nuk dihen shumë gjana për këta të dy. Fisi erdhi duke u pakësuar gjithnjë deri sa kemi mbetur vetëm ne. Ky Meti ka lan pas nji nam si një njeri drejt e drejt, që nuk ‘hante pykë’. Deli i quajmë ne këta lloj njerëzish nga anët tona. Kaq di daja për ktë punë”. Bëjmë shaka një copë herë më dajë Saliun. Cili nga Baxhaksit e mijëvjeçarit të tretë mund t’i ngjajë atij “kushëririt” të vjetër Met-Deli Baxhakut? Daja ngre supet i pafuqishëm. Akoma nuk ka arritur t’i njohë mirë “kushërinjtë” e tij të beftë.

 

Besimtarët

 

Në Elbasan e njohin mirë zellin e banorëve të këtyre anëve për punë të fesë. Thuajse në çdo fshat, qoftë ky edhe i vogël, janë ndërtuar xhamitë e reja. Më së shumti ato janë ngritur me paratë e dhëna nga vetë besimtarët. Krejt poshtë oborrit të shkollës ende mbahen varrezat e fshatit. Ne na bëjnë përshtypje simbolet e gdhendura mbi gurët e varrit: një gjysmëhënë dhe një yll, shenjat e flamurit turk.

Hoxha këtyre anëve nderohej jetë e mot si një njeri i shenjtë. Atij mund t’i besohej gjithçka. Vetë vendasit na tregojnë me të qeshur një histori të kamotshme. Një fshatar i këtyre anëve nuk ishte bërë ende me fëmijë, ndonëse kishte disa vjet i martuar. Shokët e tij e këshilluan që t’i drejtohej hoxhës së fshatit. Ky i qëndisi një palë nuska. Por edhe këto nuk bënë punë. Atëherë fshatari i dëshpëruar iu lut hoxhës ta shihte edhe një herë hallin e tij. E vetmja zgjidhje që pa hoxha në atë situatë të dëshpëruar ishte kjo: Biri im. Po e provoj edhe një herë, po do të jetë e vështirë. E para, gruan duhet ta lësh në shtëpinë time për tri ditë e tri net. Do mundohem unë ta shëroj se më duket se e ka zaptuar shejtani; e dyta, më duhet një dash i zi që ta bëj kurban për Allahun; e treta, por këto po i pate më sill edhe ca mjaltë e ca arra. Fshatari i ngratë veproi si tha hoxha. Pas nëntë muajsh u bë me djalë. Hajde mos e beso hoxhën po deshe!

Miqtë tanë na thonë se deri aty nga mesi i viteve ’70 në këto anë nuk përdorej rakia, ajo ishte “haram”. Në atë kohë njëri nga djemtë më të shkathët të zonës u kujtua që të nxjerrë ndonjë përfitim nga hardhitë e shumta. Kështu nisi të depërtojë rakia në këtë zonë thellësisht besimtare. Hoxhën e Sericës e takojmë në të hyrë të fshatit Qerret. Ne presim që të shohim ndonjë plak me mjekër të thinjur me çallmë e tespihe.

Përkundrazi shohim një të moshuar, të veshur njëlloj si të gjithë fshatarët e zonës, që lë punën e tij në një kopsht me qershi. Hoxha është i biri i Ram Karagjozit, një burrë shumë i nderuar në këto anë. Rama ishte i zoti i shtëpisë ku pat qëndruar për disa kohë Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të partizanëve. Shtëpia e vjetër është ende aty, por ndryshimet që janë bërë në vitet e fundit e kanë bërë atë thuajse të padallueshme nga shtëpitë e tjera të fshatit. E gjithë kjo zonë ka qenë strehë e udhëheqjes së partizanëve. Vetëm ca kilometra më tej, në Labinot-Mal është ende shtëpia e Bahollajve, ku më 10 korrik 1943 u formua Shtabi i Përgjithshëm i UNAÇL. Një statujë e bronztë e Enver Hoxhës ende prehet në haurin e shtëpisë së vjetër. “A e ruajnë fenë fshatarët e këtyre anëve?”, e pyesim hoxhë efendinë. “Marshallah, marshallah”, përgjigjet hoxha dhe kthehet sërish në kopshtin e tij të qershive.

 

Nga Mehmeti te francezi

 

Nga Serica në Qerret na duhet të udhëtojmë përgjatë një rreshti të gjatë bunkerësh të stërmëdhenj. Na thonë se pikërisht këtu duhej të ishte “vija e parë e frontit” nëse Shqipëria do të sulmohej nga Jugosllavia e Titos. Nuk është se sytë tanë nuk janë mësuar me bunker, por këta që shohim janë vërtet gjigantë. Brenda tyre strehoheshin topa të kalibrit të rëndë, madje edhe tanke. Tani një pjesë e tyre kanë nisur të përdoren nga fshatarët si magazina për të ruajtur prodhimet, të tjerët kanë një pamje absurde me atë syrin e vetëm cikllopik që na sheh si me trishtim, dëshmi të një kohe kur paranoja mbizotëronte mbi logjikën.

Majë një kodre na tregojnë një shtëpi të izoluar. Dikur kjo vilë e vogël ka qenë “rezidencë qeveritare”. Shërbente si pikë strehimi për udhëheqësit komunistë të pasionuar pas gjuetisë. Ushtarë e fshatarë e trembin gjahun përgjatë disa tuneleve të hapura mes pyllit. Derri i egër ishte objektivi kryesor. Për ta vrarë atë nuk të mbetej gjë tjetër veçse të tërhiqje këmbëzën. Mehmet Shehu, ish-kryeministri, duhet të ketë qenë vizitor i rregullt i saj. Vendasit vilën e quajnë thjesht “Vila e Mehmetit”. Tani ajo një shtëpi e thjeshtë fshatare. I zoti i tokës e ka shndërruar atë në një shtëpi si gjithë të tjerat. Vetëm emri nuk i ka ndryshuar akoma. “Andej nga Vila e Mehmetit”, thonë ende. Sa për derrat e egër për pata as që bëhet më fjalë. Prej kohësh që nuk mbahen mend nuk është parë më këndej rrotull asnjë prej tyre.

Ca më poshtë bunkerëve në anë të një liqeni artificial, që ka nisur të thahet, na bëjnë përshtypje disa kabina të drunjta fort mirë të rregulluara. Na thonë se një francez që ka ardhur vite më parë në këto anë i ka ndërtuar me qëllim që të tërheqë ndonjë turist, nga ata që kanë qejf pushimet ndryshe. Vilat janë të mbyllura dhe francezi nuk duket gjëkundi, por mbase është ende herët për të folur për turizmin.

 

Shkolla dhe mësuesit

 

Sikurse na ndodh shpesh edhe këtë herë miqtë më të afërt na u gjendën mësuesit. Krahina ka vuajtur pasojat e shpopullimit. Një pjesë e mirë e popullatës është shpërngulur poshtë kryesisht në Elbasan, por edhe gjetkë. E megjithatë, lëvizja e popullsisë e këtyre anëve është disi ndryshe nga krahinat e tjera. Njerëzit janë shpërngulur vërtet, por i kanë ruajtur tokat, shtëpitë, vreshtat. Si me thënë kanë nisur të bëjnë një jetë të dyzuar: dimrin në qytet dhe verën në fshatin e tyre. Kjo i ka shpëtuar edhe shkollat e fshatit. Ndonëse me shumë problem në fillim, tani ato, të paktën neve, na duken fort në rregull, me mësuesit, kryesisht vendalinj dhe me nxënësit e veshur mirë dhe të përqendruar.

Fatos Bajraktari është mësues i vjetër nga Elbasani, në të ritë e tij ka kaluar do kohë të mira në Qerret. “Kam qenë këtu nga mesi i viteve ’70 – na thotë – ishte varfëri e madhe. Për të shkuar në shtëpi as që diskutohej. Një herë në javë rrugën që bëmë bashkë e bënim me këmbë. Të hënën merrnim edhe bukë me vete për gjithë javën. Këtu gjetëm një prapambetje të madhe. Imagjinoni pak, nuk njihnin as topin e futbollit. Ne i sollëm të parët nga Elbasani. Po kështu, për herë të parë ndërtuam një fushë volejbolli. Veçanërisht i vështirë ishte dimri, sepse binte shumë borë dhe kishte ngricë të madhe. Ushqimin më mirë të mos e kujtoj. Ne banonim në fillim në një klasë të improvizuar si dhomë e më pas në një si biçim magazine”. Rreth tij janë mbledhur disa nga mësuesit e zonës. Të gjithë vendas. Disa prej tyre Fatosi i ka pasur nxënës. Dëgjojnë me të njëjtin kuriozitet si edhe ne. Edhe për ta tashmë Shmili i atyre kohëve duket si një vend gjysmë i panjohur. Si një vend që diku e dikur e kanë parë, por që tashmë nuk është më.

 

“Luli i Vocërr” u vra në Labinot

 

“… Shpeshherë më pëlqente të mendoj mbi ardhmëninë e Zenelit. Por ç’e do. Nuk mjafton vetëm vullneti i mirë i em, që ta baj Zenelin të hypi ndër majat e nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës. Mandej edhe pjesa jeme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshore, primitive, e ka ma mirë, mos e marr në qafë me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thejë qafën i dëshpëruem, tue pa të vetët të dashtun tepër të ultë dhe tue mos mujtë me i ndihmue…”, kështu pat shkruar dikur Migjeni në thëllimin e maleve të Pukës. Zenel Islami ishte një ndër nxënësit e Migjenit në “Shkollën Plotore”. Ishte një ndër më të vobektit e klasës. Pikërisht ky Zenel e frymëzoi Migjenin që të shkruante një nga kryeveprat e tij: “Lulin e Vocërr”. Më pas Zeneli u arsimua në Shkodër, u bë aktivist i njohur i lëvizjes komuniste dhe në verën e 1961 ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Elbasanit. Për nga pushteti, numri një në Elbasan.

10 korriku ishte “Dita e Ushtrisë”. Në 1943 pikërisht në këtë datë, ishte shpallur krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të UNAÇL. Mbledhja themeluese ishte bërë në shtëpinë e madhe e të gurtë të Bahollëve në Labinot-Mal. Që prej asaj dite fshati i largët ishte shndërruar në një vend pelegrinazhi për zyrtarë e popull.

Zenel Islami ishte njëri ndër përgjegjësit e organizimit të ceremonive. Ende nuk dihet mirë se si e në ç’rrethana, por pas një takimi të gjatë me zyrtarë të lartë në një shtëpi fshatare në Labinot, Zenel Islami, “Luli i Vocërr”, u gjet i vrarë në anë të një qershie. Çështja u mbyll shpejt e shpejt pa bërë hetimet e duhura deri në fund. Bashkëshortes iu kërkua që të dënonte aktin e të shoqit. Sipas versionit zyrtar ai kishte bërë “vetëvrasje” dhe kjo dënohej asokohe nga komunistët. Familjarët e të ndjerit janë të bindur ende sot e kësaj dite se Zenel Islami është likuiduar në rrethana të dyshimta. Një ditë pas vetëvrasjes së tij u organizua festa që përkujtonte Shtabin e Përgjithshëm. Askush nuk e zuri me gojë të ndjerin që aq shumë e pat frymëzuar Migjenin. Ishte vetëm fillimi i një rituali të gjatë.

 

(Më gjerë shih: Bedri Islami, Vrasja e Lulit të Vocërr, albin, Tiranë 2003).

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora