E marte, 30.04.2024, 04:41 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Pierre-Pandeli Simsia: Mirsetëgjeta Kosovë! Faleminderit Familja e nderuara Saliu!

E shtune, 15.05.2010, 08:00 PM


Mirsetëgjeta Kosovë! Faleminderit Familja e nderuara Saliu!

 

Mbresa nga vizita në Kosovë, Maj, 2010

 

Nga Pierre-Pandeli Simsia

 

Këtë vit, pushimet për të shkuar pranë familjes sime në Shqipëri, i planifikova në ditët e fundit të prillit dhe të fillim majit.

Në ditët e para të prillit, ditët dukeshin të ngadalta, për t’ia lënë radhën njëra tjetrës derisa të vinte data e nisjes.

Sapo dola nga metroja, tingulli i telefonit, më sinjalizonte mesazh.

Mesazhi përshëndetës, më vinte nga Familja Saliu, e cila, midis të tjerave, më njoftonte se ndodhej në Kosovë, Prishtinë.

Gëzimi dhe emocionet që jetova në ato çaste ishin të mëdha.

Ndalova dhe formova numrin nga më kishte ardhur mesazhi.

Dëgjova një zë të ëmbël femre, që iu përgjigj thirrjes sime telefonike.

     - Familja Saliu?

     - Po!

     - Jam Pierre-Pandeli Simsia.

     - Ooo! I nderruar zoti Simsia. Si jeni? Jam Rita, Rita Saliu - më thotë.

U emocionova shumë. - Rita, motër! - i them.  - T’i lëmë mënjanë fjalët zonjë dhe zotëri. Le t’i flasim me emra njëri tjetrit; kështu besoj, se e bëjmë edhe më të afrueshëm komunikimin tonë.

     - Plotësisht e drejtë. Edhe mua kështu më pëlqen të komunikoj me miqtë, shokët, kolegët…, me emra - më përgjigjet.

Të bisedosh me Rita Saliun, është mrekulli, do ta quaj unë, sepse mënyra e saj e komunikimit, zëri i ëmbël, edhe nëse nuk e njeh dhe bisedon për herë të parë ,të imponojnë respekt.

Midis bisedës së gjatë dhe të këndshme me bashkatdhetaren, kolegen time të nderuar, mësova se data e kthimit të Ritës nga Kosova në Sh. B. A. korrespondonte me datën e kthimit tim. Koincidencë e bukur edhe pse linjat ajrore të fluturimit ishin të ndryshme.

     - Ju pres familjarisht, të vini në Kosovë, në Prishtinë, në shtëpinë time më thotë Rita nga fundi i bisedës.

Mes kënaqësisë dhe emocioneve që ndjeva, i them, se është dëshira dhe kënaqësia ime, të vini ju në Shqipëri, të shihni edhe Beratin dhe Durrësin, në veçanti.

     - Herë tjetër do vijmë ne, por kësaj here do vini ju, - më thotë Rita. - Bashkë me bashkëshorten tënde dhe dy djemtë tuaj, ju presim në Prishtinë.

     ………

 Ftesën, për të vizituar Kosovën, familja ime në Shqipëri e priti me kënaqësi.

Jo vetëm unë dhe bashkëshortja ime e nderuar, por ishte edhe dëshira e madhe e dy djemve tanë për t’a parë Kosovën nga afër.

Reja vullkanike në Islandë dhe bllokimi i pothuajse të gjithë aeroporteve të Evropës, bëri, që të më shtyhej për një javë data e nisjes për në Shqipëri dhe data e kthimit. Kjo i reduktoi paksa, ditët e qendrimit tonë në Kosovë.

Tre ditë, pasi kisha mbërritur në atdhe, i telefonoj Familjes Saliu në Prishtinë.

Midis të tjerash, e njoftoj edhe për vizitën tonë në Kosovë.

U gëzua shumë.

     - J’u presim, por edhe jemi bërë merak, se nuk na keni telefonuar… Sapo të mbërrini në Prishtinë, j’u presim tek Hotel “GRAND”. Shtëpia jonë është shumë pranë hotelit… - më thotë Rita.

     …..

   Autobusi i linjës Tiranë-Prishtinë u nis nga Tirana në orën 18:00 , duke kaluar nëpërmjet Republikës së Maqedonisë dhe, sipas orarit, duhet të mbërrinte në Prishtinë në orën 5, në mëngjesin e ditës tjetër.

Nuk dua të zgjatem në atë udhëtim të mrekullueshëm, për të përshkruar natyrën e magjishme shqiptare, thesaret natyrore që na i ka dhënë vetë natyra.

Sapo kaluam zyrën doganore në Republikën e Maqedonisë dhe hymë në tokën e bekuar, Kosovë, kurrioziteti ynë ishte të shihnim natyrën, tokën tjetër shqiptare, gjysmën e trupit të tokës mëmë, të shkëputur dhimbshëm, të dhënë padrejtësisht dhe artificialisht një trupi tjetër të huaj.

Edhe pse ishte natë, malet, grykat, luginat, fushat, pyjet, me gjelbërimin e tyre, dalloheshin mirë.

     …..

   Autobusi, sipas parashikimit, mbërriti në Prishtinë dy orë para.

Në orën 3 të mëngjesit, u gjendëm përpara Hotel GRAND në qendër të Prishtinës.

Nuk donim ta “shqetësonim” familjen pritëse në atë orë edhe pse miqtë na prisnin në apartamentin e tyre gjatë gjithë orëve të natës.

Menduam të hyjmë në hotel, derisa të shkonte ora 5.

U ulëm në ndenjëset e hollit të hotelit

Punonjësit vijnë për të na bërë shoqëri. Kur mësuan, se nga vinim dhe ku do shkonim (Në fytyrat e tyre ne pamë një shprehje gëzimi…) na u duk, se interesimi i tyre për të na kënaqur më mirë, sikur u shtua.

     - Jo vetëm se jeni vëllezërit dhe motra jonë të një gjaku, por, ju qenkeni edhe miqtë e Familjes së nderuar Saliu, miqtë e NËNËS sonë të madhe, të nënës së gjithë Kosovës,  Rita Saliu.

Menjëherë, ndjemë dashuri, respekt, emocione gëzimi, për atë familje të nderuar, për atë grua zonjë të respektuar, motra Ritë, që edhe pse nuk e kishim parë dhe takuar ndonjëherë, po i shkonim në shtëpi si miq, si vëllai tek motra, si motra tek motra, si nipërit tek halla, tezja e tyre…

“Rita Saliu” - fola me vete dhe m'u shfaq portreti i Ritës, që e njihja vetëm nëpërmjet fotografisë dhe poezive të saja. . “Po më bën të ndjehem krenar me emrin tënd që ke lënë tek të gjithë njerëzit, me veprën tënde fisnike dhe patriotike, me dashurine, për mbarë popullin e Kosovës dhe gjithë miqve të tu, anembanë kudo janë…”

Në biseda të ngrohta mes miqsh dhe shokë, ora ecën pa u ndjerë. Nuk na shkoi mendja të shihnim orën, (Ora kishte kaluar nga 6-të)  kur, në hyrjen kryesore të Hotel GRAND, u shfaq një grua e pashme, me veshje të rregullt, që ne na u duk fisnike. 

Na pa dhe eci drejt nesh. E menduam se duhet të ishte Rita jonë, motra bujare që po na priste.

Sapo afrohet dhe ne çohemi nga ndenjëset për t’a takuar, na thotë: - Ç’ka keni ba kështu? Keni ardh në Prishtinë dhe nuk më keni njoftu? (Rita i kishte telefonuar hotelit dhe kishte mësuar për ardhjen tonë) Po j’u prisja në apartamentin tim gjithë natën… I vetmi apartament në pallat me dritën ndez, ka qenë apartamenti im…

E buzëqeshur, motra Ritë, përqafohet me bashkëshorten time, si motra me motrën, si të ishin njohur prej kohësh.

Si motra me vëllanë u përqafuam bashkë, ashtu dhe me dy djemtë e mi…

I falenderoi punonjësit e hotelit për shoqërinë e tyre ndaj nesh dhe dolëm jashtë.

     - Ni ktu e kam shtëpinë - na thotë, duke drejtuar gishtin tek një pallat.

As 50-të metra larg, nuk ishte pallati ku banon Familja Saliu në qendër të Prishtinës, nga Hotel GRAND.

Duke ecur drejt apartamentit, fytyra e motrës Ritë shndriste nga gëzimi. (Sa të çlirojnë nga emocionet shndritje të tilla të fytyrës! Sa dashuri, kënaqësi, të japin fjalët e ngrohta mikpritëse në të tilla raste! Ta largojnë edhe atë pak druajtje, nëse të ka zënë në ato çaste, për t’ia lënë vendin asaj, që në gjuhën popullore quhet: Të rrish si në shtëpinë tënde”)

 

Apartamenti i Familjes Saliu, një apartament modest, me bujarinë, mikpritjen dashurinë njerëzore për vëllezërit dhe motra të një gjaku, ishte më i madhërishëm se një pallat luksoz. Luksi i atij apartamenti ishte buzëqeshja, dashuria, mikpritja, ngrohtësia që na ofroi ajo familje e nderuar në mbarë Kosovën dhe popullin e saj, në mbarë miqtë shokët e saj.

Ai apartament, ishte një muze i gjallë, ku e vjetra e një kohe të shkuar, të dhimbshme, të përgjakshme dhe e reja, koha fitimtare, koha e lirisë, ishin gërshetuar me njëra tjetrën, si dëshmi, e asaj ç’farë përjetoi Kosova dhe populli i saj, ç‘farë kanë bërë nënat, baballarët, vëllezërit dhe motrat kosovare, për t‘iu ardhur në ndihmë bijve dhe bijave, që luftuan për pavarësinë e tokës së shenjtë, Kosovë.

Shikonim në ç’do pjesë të atij apartamenti fotografi të ndryshme makabre nga koha e luftës, heronjtë kosovarë të rrënë për liri, heronj, bijë të pafajshëm të djegur për së gjalli nga çmenduaria, bisha gjakatare serbe dhe ndjenim dhimbje. Loti nuk mund të ndalohet së rrëni, nga pamje të tilla.

Shikonim fotografi, zonjën e nderuar, motrën, nënën e gjithë Kosovës, Rita Saliu, dalë me personalitetet më të larta të shtetit Shqiptar, të Shqipërisë dhe Kosovës, me personalitete të ndryshme amerikane, lexonim mirënjohjet e shumta, që ajo grua kishte marrë, e vlerësuar për ndihmën, përkrahjen, sakrificën e madhe, shërbesën e saj, që i ka bërë nënës Kosovë dhe bijve, motrave dhe vëllezërve të saj, dhe ndjenim krenari, dashuri, respekt, shembullin, që duhet të marrim të gjithë ne.

Rita, më duket se e kuptoi hutimin tonë, dhimbjen e madhe që ne po jetonim në ato çaste, për ato ç’farë po shihnim dhe, si për të na larguar nga ajo, ç’farë ne po jetonim na thotë: - Të dashurit e mi! Jeni të lodhur nga ai udhëtim i gjatë; hamë diçka dhe të shtriheni; të shlodheni, është herrët ala'…

A mund ta ndjenim ne lodhjen në atë shtëpi, në atë mrekulli mikpritje, në atë bujari shqiptare?!

E pranuam atë, ç’farë na ofroi motra jonë, Ritë.

U ulëm në tryezën e ngrënies. Pas pak, u dëgjua zilja e telefonit celular.

Motër Rita, iu përgjigj thirrjes telefonike. Ne vetëm dëgjonim përgjigjet e saja. “Po, po! Këtu janë. Erdhën, i kam këtu në shtëpi…”

Ishte bashkëshorti i nderuar i Ritës, inxhinier Adem Saliu. Na fliste nga Amerika e largët, nga Rodhe Island, ku jeton familja Saliu. Ishte i interesuar për shkuarjen tonë dhe, që neve të mos na mungonte asgjë, madje, edhe  i thoshte bashkëshortes së tij, se në cilët restorante duhet të drekonim dhe të darkonim, për të na kënaqur sa më mirë.

Pastaj dëshiroi të fliste edhe me ne në telefon.

Folëm me zotërinë e nderuar Adem Saliu, si vëllai me vëllanë, si vëllai me motrën.

Me ç’farë ushqimi tjetër mund të ngopet njeriu, miku, kur dëgjon zërin e ngrohtë të një miku të pa parë ndonjëherë, kur të uron me gjithë zemër mirëseardhjen në shtëpinë e tij?! Kur shpreh keqardhjen, pse nuk ndodhet edhe ai në ato ditë, pranë miqve të tij, që i kanë shkuar për vizitë?!

Zot! Ç’farë mrekulli! Ç’farë dashuri! Ç’farë respekt të imponojnë njerëz të tillë! Ç’farë ndjenjë vëllazërore të dhuron i njëjti gjak, gjaku ynë shqiptar!

Bashkëshortët Rita dhe Adem Saliu, njihen si veprimtarë të devotshëm për çështjen e madhe të Kosovës, në shërbim të çështjes kombëtare.

Rita Saliu është një grua inteligjente e rrallë. Mënyra e saj e qetë e të folurit, të bën të harrosh gjithçka. Edhe të ngrënit e harruam,; ishim përqendruar në ç’do fjalë që ajo nxirrte nga goja. Gëzimin për vajtjen tonë atje, e shprehte fytyra e saj e qeshur. Ashtu e pamë atë fytyrë gjatë gjithë kohës.

Kishte merakun edhe për dy djemtë tanë. - Duhet të shtrihen e të flenë djemtë; janë të rinj dhe të lodhur nga rruga e gjatë.

E ndërsa dy djemtë e mi u shtrinë për të fjetur në dhomën tjetër, ne të tre, në dhomën e pritjes bisedonim e bisedonim.

Në bisedë e sipër, Rita kujtoi me respekt edhe bashkatdhetaret tona të nderuara me banim në Sh.B.A; Elmira Muja, Shqipe Biba, Julia Gjika, Shqipe Malushi, Anna Kohen, Rozi Theohari, Kozeta Mamaqi, Iliriana Sulkuqi, Aida Dismondy, Shpresa Vranari, Mimoza Dajçi…

U ndjemë vërtetë si në shtëpinë tonë, në atë shtëpi, ku zonja e saj, na e paraqiti si shtepinë tonë për të fjetur.

      ……………..

   Mesdita kishte kaluar dhe, sapo dy djemtë tanë u zgjuan, Rita na thotë, të dilnim jashtë për të drekuar.

Nuk ndjeheshim të urritur, dëshira jonë ishte të vizitonim Prishtinën.

 

Shtëpia e Familjes Saliu në qendër të Prishtinës, ndodhet në një pozicion të tillë që, në cilëndo rrugë të jesh, të çon në shtëpinë e saj.

Qielli i pasdites së 2 majit ishte i kthjellët. Edhe pse rrezet e diellit binin të nxehta, në rrugët e pastra dhe të bukura të Prishtinës kishte gjallëri. Djem e vajza, të rinj e të reja, kishin mbushur plot baret, kafenetë. Shihje vetëm fytyra të qeshura e të gëzuara.

Rita Saliu është një personalitet i njohur në Prishtinë dhe, të dalësh shëtitje përkrah saj, biseda të ndërpritet shumë herë, sepse janë miqtë, të njohurit e saj, që e përshëndesin, e takojnë.

Duke ecur bulevardit kryesor, përpara “GRAND”-it, m’u kujtua viti i largët i pranverës 1981. E pyes Ritën, nëse tek ky bulevard demostruan studentët. - Po! - më thotë, - tek ky bulevard dhe tek ata të tjerët, duke drejtuar gishtin.

Përpara bulevardit kryesor, qendronte madhështor portreti i ish Presidentit të Kosovës, të madhit, të pavdekshmit, Ibrahim Rugova.

Qendrojmë përpara tij në shenjë respekti dhe me dëshirën të dalim në fotografi.

 

Pastaj qendruam përpara monumentit të Heroit të Kombit Zahir Pajaziti.

 

Papritur, dëgjojmë një zë vajze të vogël. Një vogëlushe e bukur, duke vrapuar po vinte drejt nesh.

- Rita ime e mirë. Zemra ime e vogël… - dëgjuam motrën tonë Rita Saliu t’i thoshte vajzës së vogël me emrin Rita, duke e përqafuar…

Gjatë bisedës me babanë e Ritës së vogël, mësuam, pse vajzën e quanin Rita: “Për nder dhe veprës së ndritur të bijës kosovare, të nënës së gjithë Kosovës, Rita Saliu, ia kemi vënë edhe ne emrin vajzës sonë, Rita. Le të rritet edhe vajza jonë e të ndjekë rrugën e Rita Saliut.

A mund të ndjejë njeriu kënaqësi më të madhe në ato çaste, kur dëgjon se si vlerësohet intelektualja shqiptare, se si respektohet një grua, një nënë, një motër, një kolege, bashkatdhetare nga qytetarët e saj?!

 

Vazhdojmë ecjen në bulevard, për të shkuar tek monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, i cili ndodhet jo shume larg. Dhe përsëri, u dëgjua tingëllima e ziles së telefonit celular të Ritës. Ishte prap zotëria i nderuar, Ing. Adem Saliu.

Pasi foli me bashkëshorten e tij dhe pastaj me ne, mësuam se, kishte edhe ai “merakun” e tij për kënaqjen tonë.

Familja Saliu, i kishte marrë të gjitha masat, që neve të mos na mungonte asgjë në atë vizitë, madje edhe shoferi, që do të na shoqëronte.

Naser Gashi, ishte shoferi. Një burrë intelektual, që kishte kaluar një fatkeqësi, por falë ndihmës së Familjes Saliu, e kishte kaluar atë me sukses.

Djali i tij, duke luajtur me shokët, kishte pësuar një djegie të rëndë. Ishte Familja Saliu ajo, që i kishte ofruar ndihmën e saj në Sh.B.A. Jo vetëm duke i hapur derën e shtëpisë, por edhe ndihma të tjera, duke u interesuar në mjekë dhe në spitalet amerikane, për t’i qendruar gjithmonë pranë.

 

"NEW BORN", një tjetër vend i veçantë në Prishtinë, që Rita nuk mund të na linte pa e vizituar; simboli i rilindjes së kryeqytetit pas shkatërrimit të luftës, ku janë të shënuar mijëra firma të qytetarëve të Kosovës.

    

Në qendër të Prishtinës, ishte në punim e sipër Katedralja e Nënë Terezës, që do të përurohet në 100 vjetorin e saj.

 

Shfrytëzova rastin me vajtjen tonë në Prishtinë, t’i telefonoja mikut tim, Prof. Dr. Zymer Neziri, Këshilltar Shkencor/Prof. i rregullt në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Sigurisht, u gëzua dhe lamë orën e takimit në Grand Hotel.

Takimi me Prof. Nezirin, ishte emocionues.

     Jemi miq tek Familja Saliu, i them Profesor Nezirit, pasi u ulëm në tavolinë; besoj se e njihni. (Rita erdhi 10-të minuta më vonë).

Profesori, duke buzëqeshur më thotë: Nuk ka njeri të mos e njohë atë familje, atë grua intelektuale, fisnike dhe humanitare, shkrimtaren e nderuar…

Kur u ndamë, profesori na ftoi ditën tjetër të bënim një vizitë në Institutin Albanalogjik.

Do të më mbetet përherë në kujtesë, pritja që na u bë në Institut. (Gjithmonë nën shoqërinë e Ritës)

 

Instituti Albanologjik, Prishtinë

 

Prof. Dr. Zymer Neziri, bashkë me profesorët e tjerë Emin Kabashi, Adem Zejnullahu, etj. pasi na takoi në hyrjen e godinës, duke na uruar mirseardhjen, na njohu me ambientet e atij Instituti, i themeluar në vitin 1953, si Instituti i parë i këtij lloji, i veçantë për albanologjinë, njësia e parë shkencore për trevat shqiptare.

  

Professor Neziri, na ftoi të shkonim në zyrën e tij, që ndodhej në katin e dytë.

Atje mësuam më shumë rreth Institutit dhe aktivitetet e tij. Të ulur rreth tavolinës në zyrën e tij, folëm e biseduam, si miq, si të ishim të njohur prej kohësh.

 

Prof. Dr. Zymer Neziri

 

Vizita e radhës, ishte tek varri i ish Presidentit Ibrahim Rrugova, udhëheqësit që la gjurmë dhe emër të ndritur në Historinë e Kosovës dhe mbarë Kombit tonë

 

Më pas, vazhduam rrugën, duke kaluar në Fushë Kosovë, për të hyrë në Drenicën herroike, vendi i ngjarjeve të mëdha historike, duke kaluar në Skënderaj, Drenas, Likoshan, Qirez, Prekaz.

Rrugës për në Drenicë, nga ana e majtë, shtrihej Gryka e Llapushnikut përmes maleve të Berishës.

Ishin ato male, ishte ajo grykë, rruga e dhimbshme dhe e mundimshme e popullit të Kosovës gjatë luftës, për të lënë vatrat e tyre, për t’u strehuar përkohësisht tek familjet e një gjaku, tek vëllezërit dhe motrat shqiptare në Shqipëri.

Në të gjitha ato fshatra që kaluam, shkatërrimi, zjarri dhe hiri i luftës, ishte zëvendësuar me shtëpitë e reja të ndërtuara nga vetë banorët.

Rrugës për në Drenicë, në krah të djathtë, ishin vorrezat. Në hyrje, varri Komandantit suprem, kryetrimit të Drenices, luftëtari Shaban Palluzha.

Qendruam dhe bëmë homazhe përpara varrit të Kryetrimit Palluzha.

 

Makina ndalon në vendin për ku ishim nisur, në Prekazin heroik, vendlindja e Heroit Legjendar, Kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, vendndodhja e varreve të fisit Jasharaj.

Në hyrrje të Prekaz-it, në përfundim e sipër, ngrihej madhështor, memoriali përkujtimor në kujtim të gjithë atyre luftëtarëve, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.

Në atë lagje të Prekazit, janë tre kulla: Kulla e Ahmet Delisë, që më 1912 me sopatë në dorë luftoi kundra hordhive çetnike, Kulla e Tahir Meha-s, i cili u vra më 13 Maj, 1981 dhe Kulla e tretë, është Kulla e Adem Jasharit.

Memoriali që po ndërtohet i ka tre simbolikat. Tre kullat e Prekazit, tre figurat qendrore  të rezistencës së fundit; të bacë Shabanit dhe dy djemtë e tij, Hamza dhe komandant Jashari.

     

Memoriali, për ç’do vizitor, do jetë dëshmi për luftën, herroizmin dhe sakrificën e popullit të Kosovës ndaj barbarizmave serbe.

Qendrojmë para memorialit.

Përballë tij, shtrihet kompleksi përkujtimor i masakrës së Prekazit.

 

Prehen 59 trima; 52  varre janë të Familjes Jashari, ndërsa 7 varret e tjerë janë të miqve të asaj familje; Familjet Bazaj, Kicaj.

Sipas projektit për kompleksin janë 153 hektar zonë kombëtare, Në projekt është edhe ndërtimi i një muzeu, në vendin ku u bë edhe përpjekja herroike.

Kompleksi i varreve para lufte, ka qenë një fushë e gjelbëruar. Hamzë Jashari me disa shokë të tjerë, arritën që në Drenicë të pajtojnë 23 gjaqe, ku edhe është mbajtur tubimi gjithëpopullor në Drenicë.

 

Në kompleksin përkujtimor Adem Jashari është ndarë një pjesë e veçantë, e quajtur Loja e Pajtimit, ku janë të vendosur 24 gurrë mermeri vertikalisht, në respekt të 24 pleqve, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Bëjmë homazhe, vendosim buqetat me lule. Në ç’do hap që hidhnim, na dilnin përpara syve, herroizmi, lufta për liri, sakrifica e atyre bijve dhe bijave të Kosovës, dhimbja e madhe për të rrënët. Ndjenim krenari për ata luftëtarë sypatrembur dhe të pavdekshëm, që nuk kurrsyen gjakun, jetën e tyre të shtrenjtë për lirinë, pavarësinë e nënës Kosovë, për vëllezërit dhe motrat, për mbarë popullin heroik kosovar.

Përballë Memorialit përkujtimor të heroit Adem Jashari, në mes të kodrës, mes gjelbërimit, kuqëlonte Flamuri Kombëtar Shqiptar.

“Në atë vend, ku valëvitet ai flamur, është strehuar për muaj të tërë Kryetrimi Jashari“ - na thotë, Rifat Bejta, drejtori i kompleksit përkujtimor, i cili na shoqëroi gjatë gjithë kohës, duke na spjeguar heroizmin e atyre trimave.

 

   Kulla e Adem Jasharit, ku shiheshin ende plagët e luftës nga goditjet, ngrihej madhështore. Në hyrrje të shtëpisë valëvitej Flamuri ynë kuq e zi me shqiponjën dykrenore dhe busti i heroit legjendar Adem Jashari.

 

Makina të tjera pamë të ndalonin dhe vizitorë të shumtë, që vinin për të parë Kullën e famshme të Jasharave, që la gjurmë të arta në Historinë e Kosovës dhe Kombit tonë.

Më pas vazhduam rrugën për tek kulla e Tahir Mehas, aktivisti politik, që u vra në vitin 1981 nga forcat policore jugosllave.

 

U kthyem nga Drenica herroike për të shkuar përsëri në Prishtinë, duke marrë me vete dhimbjen, herroizmin, patriotizmin, pavdekësinë e atyre bijve të lavdishëm.

Gjatë rrugës për në Prishtinë, pamë në rindërtim e sipër, zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, që i ngjante një autostrade.

 

   Pas dy ditësh, Rita do kthehej në Sh.B.A. në shtëpinë e saj, që jeton së bashku me familjen prej 20 vitesh, ndërsa ne, do ktheheshim në Shqipëri, për të kaluar pjesën tjetër të mbetur të pushimeve.

Do largoheshim nga Kosova me kujtimet e mëdha dhe mbresat e paharuara.

Do largoheshim nga Prishtina e bukur dhe e pastër, nga ata njerëz të mirë e të kulturuar, nga apartamenti i Familjes Saliu, që u bë streha për ditë me radhë e 50-të fëmijëve të mitur, nën frikën dhe kërcënimin e bishës gjakatare serbe, nga ai apartament, që na priti me dashuri dhe ngrohtësi.

Do largoheshim nga motër Rita, nga nëna e gjithë Kosovës, që e ka të vështirë dhe nuk dëshiron të flasë asnjëherë për veten e saj, por që flasin për të, vetë faktet, bamirësia, ç'do gjë, që ajo dhe bashkëshorti i saj, Ing. Adem Saliu kanë bërë për çështjen e madhe, Pavarësia e Kosovës, duke e ngritur zërin e tyre, deri në Departamentin e Shtetit?!

E si të mos ndjesh repsekt për atë grua trime dhe patriote, kur mëson se ka sakrifikuar tre herë jetën e saj, për të hyrë mes zjarrit dhe barrotit gjatë luftës në Kosovë e të ballafaqohet me shumë viktima?!

Ajo grua me zemër të fortë e të madhe, me dhimbjen prej nëne, ariti  t’i zmbathë vetëm këpucët, një luftëtari të ushtrisë çlirimtare, ndërsa ai digjej për së gjalli!

E si të mos krenohemi me motrën tonë të nderuar, Rita Saliu, anëtare nderi e shumë shoqatave në USA!

Faleminderit motra jonë Rita!

Faleminderit Familja e nderuar Saliu.

Lavdi bijve dhe bijave të rrënë për Liri.

E gëzofsh përjetë Pavarësinë e shtrenjta Kosovë.



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora