E premte, 19.04.2024, 09:10 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Gjinari perla e harruar

E diele, 13.06.2010, 06:33 PM


 

Gjinari perla e harruar

 

(Përshtypje udhëtimi)

 

Nga Pëllumb Gorica

 

    Natyra  të çlodh, ndaj shpesh gjendem në gjirin e saj. Është bukur sidomos kur je edhe në shoqërinë e adhuruesve të saj, poetëve. Ajo mbetet ngacmuesi i përhershëm i frymëzimit.Me dëshirën e hershme, por disi të vonuar, një ditë udhëtuam për në Gjinar, në krahinën e Shpatit, trevën më të njohur në të gjitha krahinat e Elbasanit, me miqtë e mi poetë, Kujtimin, Arbenin, Bardhin dhe Verjonin. Mbresat e këtij udhëtimi spontan filluan të na pushtojnë  në çdo kilometër që ne ngjiteshim drejt Gjinarit, pikësynimit tonë, të cilat shumoheshin në mënyrë progresive. Ato filluan të bëhen pjesë e qenies dhe shpirtit tonë. Janë të panumërta dhe njëra më befasuese se tjetra, por unë po përmend ato që mendoj se do të flenë gjatë në kujtesën tonë, për vite të tëra.

   Po ia lë vetë lexuesit t’i përjetojë një pjesë të tyre, ndërsa ato që më duken më interesante, po i përshkruaj në këtë reportazh të shkurtër. Por sado të them e të shkruaj unë, që t’i shijosh dhe të lumturohesh nga këto mrekulli e natyrës, duhet të jesh aty, midis kodrave të buta, të mbushura me gjelbërim, të dëgjosh këngën e zogjve që hidhen nga njëra shkurre te tjetra, nga njëra pishë në majën tjetër duke e mbushur gjithë vendin me zëra mahnitës. Këto ndjesi i përjeton edhe ai që e ka rrahur këtë rrugë, që ka thithur ajrin e pastër dhe aromën e pishave, por sidomos ai që vjen për herë të parë. Vizitorit fillestar do t’i mbushen mushkëritë me aromë pishash, me fllad të freskët dhe dehës, do t’i çlodhen sytë nga gjelbërimi i dendur dhe zemra do t’i zgjerohet nga kënaqësia.

  Për Shpatin, për këtë krahinë të rrallë të qarkut të Elbasanit, është shkruar dhe folur shumë, por, kur gjendesh në të, kur e prek dhe e shijon me të gjitha shqisat e tua, arrin të mësosh shumë gjëra. Nuk jam eksplorues i natyrës, por një adhurues i saj, që gjatë udhëtimeve të mia mbledh e grumbulloj njohuri të veçanta për vendet ku shkel këmba ime. Shpati, kjo perlë e veçantë në llojin e saj, është një krahinë mjaft e pasur me burime natyrore. Përveç bukurisë së rrallë ai ka edhe kushte të rralla për zhvillimin e turizmit malor. Këtë përfitim ia mundëson brezi pyjor mjaft i pasur i pishave të larta e të dendura. Aroma e rrëshirës së tyre ndihet kilometra larg dhe thuhet se ka një efekt të fuqishëm kurimi.

  Ne nuk i përfillëm vështirësitë e rrugës së shtruar me zhavorr, ku punimet për asfaltimin e saj vazhdojnë. Nuk përfillëm as kthesat e shumta, as gropat, sepse fantazia jonë na tërhiqte atje, në Gjinar. Një shoku ynë dikur, pasi arriti me stërmundim në Gjinar, fshihu djersët dhe me të qeshur na tha se, këtu në këtë parajsë erdha nëpërmjet ferrit, por tani po e shoh se ia paska vlejtur. Dhe s’kishte faj: Kodrat e sistemuara me vreshta e ullinj sot për ne kanë veshur petkun e gjelbër e, që sigurisht, të lënë përshtypjen e përkujdesjes ndaj tokës dhe pemëve frutore. Freskia e pranverës të lehtëson më shumë udhëtimin. Koha është e mirë, e kthjellët dhe me një fllad të lehtë si për të na mundësuar shijimin e kënaqësisë së këtij udhëtimi. Tingujt e muzikës që derdheshin si rrëkezat nga shpatet e kodrave, dilnin nga kasetofoni i makinës së Bardhit dhe u bënë bashkudhëtarë me ne. Herë-herë ata priteshin nga bisedat tona gazmore. Si në ekran i kalojmë me radhë fshatrat, duke kthyer kokën sa në një anë në tjetrën, për të mos na shpëtuar pa parë asnjë grimë i kësaj bukurie. Çajmë përmes Hajdaranit, lëmë mënjanë Mlizën, që për nga pozicioni i relievit të  le mbresa me ndërtimet e reja e të shumta, dy e trekatësh. Pa kaluar shumë ja ku na shfaqet me gjithë pamjen e tij Shelcani, sikur të nanurisej i shtrirë në prehër të kodrave. Mushkëritë filluan të na mbushen me ajër të pastër dhe sytë me gjelbërimin e pafund të kodrave në të dy anët e rrugës.

   Ky fshat është një vendbanim me histori të lashtë dhe i njohur, për luftërat dhe përpjekjet për liri e arsim. Por ajo që përveç historisë së lavdishme e bën atë më interesantin dhe më të dëgjuarin në Shqipëri, është Kisha qindravjeçare, e veçantë në llojin e vet, ajo e Onufrit, ikonografit më të madh të shekullit XVI. Kjo kishë është mjaft befasuese për vizitorët sepse, në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi dhe admirim. Askush nga ata që kalojnë pragun e saj nuk mund të mos mbetet i shokuar dhe mahnitur përballet me dorën mjeshtërore të piktorit,  Onufrit të madh.

  Vazhdojmë rrugën drejt lartësive të krahinë së Shpatit. Tutje, në largësi, nën velin e shtëllungave të bardha të reve, shikimi të përplaset mbi peizazhin e malit të Bukanikut, një bukuri e ashpër, që kërleshet çdo mëngjes, para se rrezet e diellit të përflakin majën e tij, me mjegullën e dendur. Në shpatet e thepisura veriore të tij ende shikon pllaska të bardha bore, sikur shpinën e një qeni laraman. Të duket se ky mal ka marrë bekimin nga Zoti për të qenë përjetësisht i  gjelbër, i mbuluar me pisha, duke krijuar kurorën e mrekullueshme e kësaj krahine të cilësuar edhe si mushkëria e Elbasanit. Nga aty të ulet në pëllëmbën e dorës një pjesë të fshatrave të Shpatit: Lleshani,Valshi, Selta Sterstani, Probati, Gjinari. Po nga aty, ku kjo pikë natyrore vrojtimi sundon natyrën deri tutje në krahinat e Tomorricës, Vërçës, Sulovës dhe malet: Tomorrin, Valamaren dhe Shpiragun.

 Është e vërtetë që emigrimi, si gjithandej në Shqipëri në këto vite, i ka tkurrur edhe fshatrat malore të Shpatit, duke e detyruar një pjesë të banorëve të zhvendosen në fushë e qytete e të tjerë jashtë shtetit. E megjithatë,  përsëri këtu jeta gëlon. Këtë e tregojnë arat që punohen, pemët e shumta frutore, bagëtitë që mbushin kullotat në shpatet e kodrave, që fshatarët  mbarështojnë.

  Për Shpatin nga largësia e viteve na vijnë  histori të lashta që lidhen me këtë emër. Ndaj nuk mund të vazhdoj të shkruaj më tej, pa i përmendur ato qoftë edhe përciptazi. Historia e kësaj krahine është vulosur nga dëshmitarët e kohërave, në dokumente, në objekte të lashtësisë, në kalatë, në rrugët e vjetra. Aty shtrihet dimensioni i legjendave dhe gojëdhënave. Vitaliteti i këtij populli, gjatë gjithë historisë, i ka dhënë impulse mbijetesës së tyre. Ngjarjet e shumta kanë shpërndarë mugëtirën e kohërave dhe e kanë bërë të njohur Shpatin. Ai gjithnjë  është shquar për trimëri dhe patriotizëm dhe dëshirë për dije e kulturë. Ngjarjet që kanë ndodhur e që lidhen me emrin e tij e kanë bërë të njohur, por edhe njerëzit e dëgjuar që ka nxjerrë në kohëra dhe që kanë bërë epokë si Prijësi Gjorg Golemi, Konstandin Shpataraku, Petro Petroshi dhe, tani më vonë, Isuf Qosja, këngën e të cilit plaku takie-bardhë nga Sulova, Hamit Miraka, e këndonte gjithmonë në konakun e tij e sidomos kur i vinin miq nga  krahina e Shpatit. Shpatarakët janë njerëz fisnik, të çiltër, të dashur, gazmorë dhe të mençur. Ata trashëgojnë cilësi të rralla njerëzore si: mikpritja, bujaria, organizimi i mirë i ceremonive dasmore, apo rasteve të fatkeqësive familjare etj. Ndaj kam simpati për këtë krahinë e njerëzit e saj bujar, punëtor, të këngës, të valles, të librit e të konakut…

 Pas dredhave të shumta të rrugës kalojmë Lleshanin. Edhe ky fshat është i njohur e me legjenda të lashta. Endet fjala rreth një kalaje antike, por të rrënuar plotsisht. Arbeni, poeti më i ri i grupit, si vendas dhe njohës i krahinës së vet, nis e tregon për kalanë e Lleshanit, të ndërtuar në një majë shkëmbore të thepisur, rreth 1200 metra të lartë. Vendi ku ndodhet kjo kala e lashtë është një fakt që vërteton lashtësinë e këtyre territoreve. Disa metra larg rrugës, në krah të majtë ndodhet një dushk madhështor, monument natyror i mbrojtur nga shteti. Nuk mund të vazhdosh më tej pa qarkuar disa minuta nën kurorën madhështore të këtij dushku mbushur me legjenda. Dhe biseda jonë fokusohet në lashtësinë e tij. Edhe pse legjendat rreth tij janë thënë e stërthënë, ne na vjen mirë t’i përsëritim ato sipas mënyrës sonë. Thonë se Dushku i Lleshanit është mbi 700 vjeçar. Ja, si e tregon Arbeni legjendën, që ka lidhje me të, sigurisht të dëgjuar nga të moshuarit:  “Një fëmijë i vogël (djalë apo vajzë, legjenda nuk e përcakton), mbytet nga një lende dushku. Nga lendja që kishte në fyt fëmija i varrosur mbin dushku, ndaj ka mbetur i shenjtë edhe si vend varresh” Si kujtim të ardhjes tonë, pranë këtij dushku madhështor, Bardhi propozoi të bëjmë fotografi. Dhe kështu bëjmë. Ndërkohë kemi kohë për të treguar edhe ndonjë barcaletë. Kujtimi tregon histori nga jeta e tij. Shumë të bukura. Qeshim dhe vetëm qeshim. Ndaj dhe këto çaste gëzimi lenë mbresa e frymëzimi  ndër ne.

 Pasi lëmë pas këtë monument natyror, duke dredhuar rrugën, para syve të shfaqet një tjetër fshat, Gjinari. Gjinari është dhe qendra e komunës me të njëjtin emër. I shtrirë në një pikë dominuese vrojtimi, nën këmbët e malit të Bukanikut. Ajri i pastër, gjelbërimi, maja e malit, kanë krijuar një peizazh magjepsës. Gjinari është një perlë e harruar. Gjithandej turizmi po kthehet në biznesin fitimprurës, ndërsa këtu ai pak ndihet. Kjo është pasojë e mungesës së investimeve që janë fare të vogla për atë infrastrukturë shumë të amortizuar rrugore. Vetëm në muajt e nxehtë të verë këtu i kalojnë pushimet shumë pak familje të strehuara në shtëpitë e banorëve. Dikur para 20 vitesh,  jo vetëm në muajt e verës, por edhe vjeshtë e dimër, Gjinari mbushej me të ardhur nga Elbasani, Tirana, Durrësi. Dhe ngjante me një qytezë të begatë, të mbushur me të gjitha të mirat.  Kabinat e dikurshme të pushuesve nuk ekzistojnë më, ose tek – tuk dallohen skeletet e tyre të kalbur. Tranzicioni i stërzgjatur i shkatërroi dhe i zhduku ato. Zhvillimi i turizmit, si një mundësi e madhe që u ka falur natyra, në Gjinar, duhet të shfrytëzohet  sapo të asfaltohet rruga. Kjo do të sjell më shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe ndoshta më gjerë.

Ky reportazh ndoshta do të ngjall një farë interesimi që të pushojnë sa më shumë në këtë perlë të harruar.

  Qëndrimi ynë në Gjinar është i shkurtër. Futemi në një nga lokalet e pakta  për të shijuar një drekë të bollshme. Një tjetër kënaqësi, në një mjedis aq miqësor me biseda të ngrohta, shaka që sollën natyrshëm atmosferë  entuziaste.

  Duke u larguar nga Gjinari, nga panorama pamore e tij, nën soditjen e perëndimit të diellit, në këto lartësi, përjetuam kënaqësi të veçantë. Sa e bukur e qetësuese për shpirtin kjo pamje. Dielli ndriçonte mbi çdo gjë, mbi ndërtesat, malin e mbuluar nga pishat ku era lozte ëmbëlsisht, duke bërë tejet të gëzueshme ardhjen tonë dhe mundësinë për t'i soditur ato. E të gjitha këto s’janë gjë tjetër veçse pjesë e një peizazhi interesant, një perlë të harruar. Mrekullia e peizazhit të fton ta vizitosh përsëri, më shumë kur edhe rruga të asfaltohet.



(Vota: 32 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora