E marte, 30.04.2024, 05:51 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Nuri Plaku: Akademiku Jani Thomai në 75-vjetorin e lindjes

E merkure, 02.06.2010, 09:58 PM


 

KONFERENCA SHKENCORE NDËRKOMBËTARE: 

  “AKADEMIKU JANI THOMAI NË 75-VJETORIN E LINDJES

 

Nga Nuri PLAKU

 

   Në datën 20-21 Maj 2010 Universiteti “Fan Noli”, Korçë, Fakulteti i Mësuesisë, Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë, në kuadër të 75-vjetrorit të lindjes së Akademikut Jani Thomai, organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare; “Kontributet e Akademikut Jani Thomai në studimet për gjuhësinë e aplikuar dhe kontrastive”. Në këtë eveniment të rëndësishëm të këtij Universiteti, merrnin pjesë nivelet më të larta akademike të institucioneve të ndryshme arsimore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, të përfaqësuara me 24 kumtesa. Prof. Begzat Baliu nga Universiteti i Prishtinës, prof. Shefkie Islamaj nga Instituti Albanologjisë Prishtinë, prof. Bahtjar Kryeziu, Fakulteti i Edukimit, Gjilan. Prof. Asllan Hamiti dhe prof. Vehbi Kadriu nga Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi”, Shkup, prof. Dhori Qiriazi, Selanik prof. Hamit Xhaferri dhe prof. Mustafa Ibrahimi, Universiteti i Europës Juglindore Tetovë, prof.Valter Memisha, Qendra e Studimeve Albanologjike Tiranë, prof. Artur Lamaj dhe prof. Thoma Dhima, Universiteti “Eqrem Çabej” Gjirokastrës, prof. Abdulla Ballhysa, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, prof. Përparim Fakaj, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë,etj.

  Është për tu theksuar gjithashtu edhe fakti se kjo koferencë është e dyta për nga natyra kushtuar figurës së këtij akademiku. Vitin e kaluar një e tillë u zhvillua në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, nga Fakulteti i Edukimit dhe Shkencave Shoqërore, me temë”Akademiku Jani Thomai dhe studimet në fushën e leksikologjisë e të leksikografisë shqipe” në të cilin u mbajtën 15 kumtesa me përfshirje mbarkombëtare.

   Pritja e pjesëmarrësve u bë në ambientet e Rektoratit ku fillimisht uroi mirëseardhjen rektori i këtij Universiteti, prof. Gjergji Mero. Në fjalën e tij,  prof. Mero bëri një prezantim të përgjithshëm të situatës aktuale arsimore të këtij universiteti, duke evidentuar faktin se në fakultetet e tij, jepnin leksione një numër i rëndësishëm profesorësh nga Tirana midis të cilëve, edhe prof. Jani Thomai.

   Mbas këtij takimi të shkurtër kortezie u kalua në sallën e rektoratit, ku u çel seanca e parë e konferencës shkencore kushtuar akademikut Jani Thomai.

   Siç dihet nga të gjithë, tha në fjalën e hapjes prof. Mero, akademiku Jani Thomai është një nga personalitetet më në zë që kemi sot në gjuhësinë shqiptare dhe më gjerë.

Nga shumë studiues e pedagogë të gjuhës shqipe, si dhe nga studentë, mësues, intelektualë të fushave të ndryshme, albanologë etj., njihen kontributet që ai ka dhënë, sidomos në fushën e semantikës, të leksikologjisë, të leksikografisë, të dialektologjisë, të fjalëformimit, të frazeologjisë, të semantikës leksikore, të kulturës së gjuhës etj.”

Në vazhdim, prof. Mero evokoi traditën e frytshme të këtij universiteti në organizimin e konferencave të tilla të nivelit ndërkombëtar, duke sjellë në memorjen e të pranishmëve 14 Nëntorin e vitit 2008 kur u zhvillua konferenca shkencore me rastin e 100-vjetorit të Kongresit Manastirit me titull;”Nga ëvëtarët e Naun Veqilharxhit te Kongresi i Manastirit” dhe 4 Dhjetorin e vitit 2009, ku u zhvillua një tjetër konferencë shkencore ndërkombëtare me titull;“Profesor Selman Riza dhe Albanologjia” kushtuar e 100-vjetorit të lindjes së këtij gjuhëtari të shquar. “Kjo konferencë shkencore, tha ai, synon të trajtojë gjerësisht kontributet e akademikut Jani Thomai veçanërisht në fushë të gjuhësisë. Këtu do të shtjellohen sidomos kontributet e tij edhe për studimin e marrëdhënieve gjuhësore të shqipes me rrethin e gjuhëve indoevropiane, kryesisht ballkanike, për leksikologjinë e leksikografinë ballkanike, për semantikën teorike, për teorinë e praktikën leksikografike shqiptare, për hartimin e teksteve shkollore, për analizën e tekstit, për frazeologjinë e frazeografinë etj.”

   Në emër të autoriteteve vendore të Korçës përshëndeti prefekti i këtij qarku, z. Andrea Mano i cili e konsideroi “eveniment dhe nder të veçantë për komunitetin korçar, realizimin e një konference të tillë dimensionale kushtuar figurës shkencore të akademikut Jani Thomai.”

 Prof. Begzad Baliu në kumtesën e tij me titull,”Profesor Jani Thomai dhe vendi i tij në historinë e Albanologjisë” e cilësoi prof. Thomain “Institucion komëtar i albanologjisë” dhe një “.. .nga ata studiues të përkushtuar që me jetën e tij arriti t'i bashkohet fillimit të ndërtimit të albanologjisë si dije nacionale në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XX; që me përkushtimin e tij t'iu bashkohet bashkëkohësve në institucionet arsimore të kohës për përgatitjen e brezit të ri të albanologëve; që me angazhimin e tij t'iu bashkohet studiuesve të vullnetit të ri për qëmtimin e materialit në teren e në tekstet e shkruara dhe të ndihmoj në krijimin e korpusit leksikor, dialektor e onomastik, të institucionit të albanologjisë; që me pasion dhe seriozitet t'i zotërojë përvojat teorike ndërkombëtare të kohës në fushë të teorisë së linguistikës së përgjithshme dhe të zbatuar dhe këtë dije ta zbatoj e ta thellojë me përkushtim  në fushë të shkencës së albanologjisë. Kështu, me punën e tij prej mësimdhënësi, teoricieni e aplikuesi të saj, ai me sukses bashkoi leksikologjinë si shkencë dhe leksikografinë si kërkesë pragmatike a të zbatuar në fjalorët e shqipes dhe atyre krahasues.” Dhe më tej referuesi vazhdoi: “Mes dogmatizmit gjuhësor të Androkli Kostallrit dhe refuzimit linguistik të Selman Rizës; mes ligjërimit akademik të Eqrem Çabejt dhe gjuhës pozitiviste të Jup Kastratit, mes etikës së fjalës së Idriz Ajetit dhe etikës së mendimit të Mahir Domit; Profesor Jani Thomaj, në studimet gjuhësor të tij sillte e diskutonte mendimet e tij me kujdes dhe me akribi shkencore terma e nocione gjuhësore nga gjuhësia e përgjithshme, pa ju dhënë atyre domosdo edhe karakterin absolut të referencës gjuhësore e aq më pak politike.      

Duke plotësuar dekada me radhë librin themelor të Leksikografisë së gjuhës shqipe me arritje historike, teorike dhe praktike ai ka dhënë shembullin e pedagogut që ndërton breza të ri me dije të re, që historinë ia lë kohës; duke zgjeruar mendimet e tij nga studimet me karakter monografik, në vepra me karakter përgjithësuese ai ka dëshmuar se sa të rëndësishme kanë qenë konceptet teorike dhe pikëpamjet orientuese të periudhës së parë shkencore; duke aplikuar konceptet e tij teorike, historike dhe të terrenit në projekte veprash të zbatuara ai ka dëshmuar se sa e rëndësishme është qasja multidisiplinare e studimit të gjuhësisë shqiptare dhe sa e komplementare është albanologjia brenda strukturës gramatikore dhe të aplikuar”.

  Në kumtesën e saj “Prej fjalës te fjalori”, Prof. Shefkie Islamaj, një nga studjueset e rëndësishme kosovare në fushën e gjuhësisë e përcaktoi kontributin e akademik Thomait si një “Lëvizje të mendimit shqiptar në fushën e semiologjisë.” 

Jani Thomai tha ajo, si “figurë e shquar e shkencës, e arsimit dhe e kulturës shqiptare ka një trashëgimi shkencore të pasur e të shumanshme. Vepra e tij shkencore është sintezë e dijeve të tij të thella e të gjera dhe e përvojës së gjatë në studimin e çështjeve themelore që lidhen me fjalën shqipe. Si e tillë ajo jo vetëm pasuroi albanologjinë, po i çoi më tej arritjet e kohës në këtë fushë duke i siguruar asaj vend të merituar edhe në përmasën ndërkombëtare. Puna e tij shkencore në fushën e gjuhësisë shqiptare, me theks të veçantë në leksikologjinë e semasiologjinë, ka meritën jo vetëm të sistemimit të dijeve të këtyre dy fushave, po edhe të qenët mbështetëse a pikë referimi shumë e rëndësishme për studiuesit e gjuhës shqipe dhe për procesin e mësimdhënies në arsimin shqip...

Mund të thuhet se profesor Jani Thomait në veprat e në veprimtarinë e tij shkencore tregon vetëdije të lartë prej studiuesi, mendimet e të cili ndërtohen vetëm mbi argumentin shkencor.... Mendje e gjerë, me fuqi intelektuale të rrallë, studiues serioz me përkushtim e akribi të pashoqe, profesor Jani Thomai, me veprën e tij shkencore do të arrijë të lëvizë mendimin shqiptar të kohës për problemet çelës të leksikologjisë e të semantikës shqipe duke u bërë autoriteti kryesor në këtë fushë...

Përgjigjet që do të marrim për një numër të madh problemesh që shtrohen në veprën shkencore të Jani Thomait janë jo vetëm fletëhyrje në dijen mbi fjalën shqipe, strukturën dhe përmbajtjen e saj, po janë historia e saj e përvijuar në përdorimin e saj të gjallë e të shkruar…

Të rrallë janë ata studiues me kaq përgatitje e profesionalizëm, dhe mbi të gjitha me kaq sistemsi dijesh që trajtojnë fjalën shqipe e hartojnë fjalor të shqipes siç bën profesor Jani Thomai…

Profesor Jani Thomai ka prirjen e aftësinë e rrallë për të hetuar problemet çelës edhe atje ku studiues të tjerë nuk i vërejnë. Në këtë rrafsh studimet e tij janë edhe paraqitje problemore për leksikologjinë e leksikografinë shqipe dhe për gjuhësinë shqiptare në përgjithësi, të vështruara me syrin e njërit prej studiuesve më kompetentë të kohës sonë…

Në literaturën britanike shpesh trajtohet puna e leksikografit, e atij që ka zgjedhur fatin e të qenit i vetëmunduar, i vetësakrifikuarit. Puna në hartimin e fjalorëve, në këtë literaturë, madje, quhet edhe mallkim. Një sakrifice të tillë, një “mallkimi” të tillë, nuk i është frikësuar profesori ynë i nderuar Jani Thomai… Në këtë rrugë shndërrimi të teorisë në praktikë, leksikografia shqipe fitoi si asnjëherë tjetër në historinë e saj standardet më të larta shkencore e profesionale leksikografike, të tilla që e bëjnë të konkurrueshme përtej kufijve kombëtarë.”

Prof. Vehbi Kadriu nga Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi”, Shkup.

në kumtesën e tij me titull; ”Ndihmesat e akademik Jani Thomai në fushë të frazeologjisë shqipe”, e cilësoi profesor Janin si një “klasik i gjallë e i denjë i gjuhësisë sonë bashkëkohore i cili mund të na përfaqësojë mirëfilli edhe në botën e studimeve gjuhësore të përgjithshme”.  

            Studiuesi i zellshëm Jani Thomai sot, vazhdoi autori, shënon një nga figurat më të shquara e më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare bashkëkohore që me veprën e vet të shtrirë në disa fusha të mendimit teorik e të zbatimit praktik të ideve e të pikëpamjeve gjuhësore ka bërë emër dhe famë të madhe. Gjuhësia shqiptare atij i detyrohet për shumëçka, sidomos për veprat madhore në fushë të leksikologjisë, frazeologjisë e semasiologjisë. Deri më tani nga dora e tij dolën më se 20 vepra rëndësiplota në fushë të teorisë e të praktikës gjuhësore. Me veprat e akademik Jani Thomait dhe të kolegëve të tij pararendës e bashkëkohës gjuhësia shqiptare hodhi bazat e mirëfillta shkencore dhe dalëngadalë filloi të bëhet konkurrente me arritjet e veta në fusha të ndryshme të studimeve gjuhësore. Është puna vetëmohuese e akad. Janit me shokë që gjuhësia shqiptare sot të ketë fjalorin normativ të gjuhës shqipe, të ketë fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe, fjalorin sinonimik dhe shumë vepra të tjera bazike për gjuhën e për kulturën tonë. . Një çështje tjetër që ka zënë vend qendror në qëndrimet e pikëpamjet gjuhësore në përgjithësi dhe në ato leksikore-frazeologjike në veçanti  të studiuesit J. Thomai, është pikërisht përpjekja dhe mëtimi i përhershëm për normëzimin, për ngritjen në rrafshin e përgjithshëm të përdorimit gjuhësor të njësive frazeologjike dhe për pasurimin e shqipes standarde me vlerat dhe funksionet e shumta të tyre në rrafshin shënues dhe shprehës gjuhësor. Kurorë e gjitha këtyre gjakimeve dhe synimeve studimore teorike dhe praktike është vepra madhore “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (1999), ku autori jo vetëm që shpërfaq pikëpamjet dhe qëndrimet e tij teorike, por ato edhe i zbaton dhe i funksionalizon konkretisht. Në qoftë se në gjuhë të tjera hartimi i fjalorëve të tillë bëhet nga komisione e redaksi me dhjetë e më shumë anëtarë, ne kemi fatin që kjo vepër ka dalë si fryt dhe cak i arritjeve të leksikologut e frazeologut, tashmë dhe frazegrafit J.Thomai.

   Prof. Dhori Qiriazi, duke referuar për; “Rrugë të çelura e shtigje të pashkelura: I pari fjalor frazeologjik ballkanik hartuar nën drejtimin e Akademik Jani Thomai,” evidentoi faktin se akademik Thomai, “…nuk është vetëm një gjuhëtar i përmasave të mëdha shkencore, por edhe njeri i një pune titanike. Ai mundi të hartojë fjalorin ballkanik dhe kjo është një arritje e suksesshme e gjuhësisë shqiptare. Është i pari fjalor për Ballkanin tonë ku mungon komunikimi dhe pikërisht për këtë arësye, ky fjalor duhet konsideruar një rast dialogimi.”      

   Prof. Mustafa Ibrahimi referoi mbi “Gjestet dhe mimika si burim i njësive frazeologjike në fjalorin frazeologjik të akademik Jani Thomai”. Ai vuri në dukje përmbajtjen somatike të disa prej frazemave të mbledhura në fjalorin frazeologjik të prof. Janit. “Studimet e shumta  të profesor Thomait, tha ai, kontribuan që sot frazeologjia të vendoset në  pozitë të rëndësishme, dhe konsiderohet si një nga qëllimet themelore të studimeve leksikologjike, duke marrë formën e shkencës së rëndësishme e të vazhdueshme. Duke shqyrtuar si burim bazë materialin e Fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe të Jani Thomait, erdhëm në konkludim se frazeologjia e gjuhës sonë letrare është shumë e pasur me frazema të tilla somatike.”

   Një tjetër kumtesë i kushtohej  të folmes së vendlindjes së professor Thomait me titull “E folmja e Myzeqesë midis gjuhëtarit Jani Thomai dhe shkrimtarit Jakov Xoxa” referuar nga autori i këtij shkrimi. Midis të tjerash në këtë kumtesë u evidentua fakti se; “E folmja e Myzeqesë gëzon një privilegj të veçantë gjuhësorë, pikërisht nga trajtimi që i kanë bërë asaj, dy nga protagonistët kryesor të kulturës shqiptare që janë bijtë e saj të shquar; gjuhëtari Jani Thomai dhe shkrimtari Jakov Xoxa. Profesor Thomai e ka nisur karrierën e tij shkencore me punimin e diplomës “E folmja e katundit Seman” kushtuar gjuhës së vendlindjes së tij në vitin 1958, botuar si monografi 3 vjet më vonë në Buletinin e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Tiranës. Ndërsa Jakov Xoxa iu zvordh metropolit dhe punoi për vite të tëra në manastirin e Shën Mërisë në Apoloni, motivuar pikërisht nga ky intimitet i tillë gjuhësor. “Gjuha është qela e qenies” thotë filozofi  Martin Hajdeger. Pikërisht në këtë “qelë” të qenies ata u rikthyen me punën e tyre, për të krijuar kultin e kësaj të folmeje nëpërmjet përjetësimit të saj shkencor dhe artistik.

   Për profesor Jani Thomain e folmja e Semanit dhe e Myzeqesë është konsideruar si një “ujë pagëzimi” nëpërmjet së cilës ai veshi së pari pelerinën e shkencëtarit të ardhshëm. Në këtë punim Prof. Thomai grumbullon material të bollshëm në kontakt të drejtpërdrejt me popullin dhe bën interpretimet e tij të detajuara, duke rrokur të gjitha veçoritë dhe ngjyrimet gjuhësore të kësaj të folmeje. Vetë karakteri statistikor i këtij punimi tregon për një angazhim serioz dhe mjaft të preokupuar. Ai sjell në 65 faqe,  2426 shembuj të ndryshëm. Nga këto në kapitullin e fonetikës janë 1043 shembuj, në morfologji 919 dhe në sintaksë e leksik 464. Midis tyre gjallojnë  pjesëza dhe forma konkrete strukturore, të specifikuara në bazë të kësaj gjeografie, evidentohet prejardhja e 216 fjalëve dhe është mbledhur një fjalorth me 440 fjalë, ndërkohë kur nga e gjithë krahina e Myzeqesë, në vitin 1958 Jorgji Gjinari ka mbledhur 412 fjalë. Kjo është një prurje e konsiderueshme për kohën, e cila ka ndikuar në hartimin e fjalorëve dhe ruajtjen e këtij fondi në memorjen historike gjuhësore.

   Çdo studiues i interesuar, do të gjejë te ky material një bazë studimore të pasur për kryerjen e interpretimeve të ndryshme nga këndvështrime të reja sociale dhe shkencore.

   Nga ky realitet, fosilizuar në memorjen tonë kulturore, nëpërmjet studimit të Prof. Thomait, ne jemi në gjendje të zhbirojmë gjithashtu edhe karakteristikat kryesore të këtij mikrosistemi në kuadër të makrosistemit të përgjithshëm, për të pasqyruar evoluimin e kulturës gjuhësore ndër vite, duke e konsideruar atë si një oaz gjuhësor. 

   Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë ai edhe në evidentimin e njesive frazeologjike të kësaj të folmeje. Në “Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe”, nga 11 000 njësi të tilla disa qindra prej tyre i përkasin pikërisht të folmes myzeqare.

Ndërsa për Xoxën, “E folmja e Myzeqesë përbën tharmin strukturor dhe kodin e sistemit të tij krijues. Nëpërmjet veprës së tij letrare, ai ka mundur t’i japë asaj një status të veçantë  duke ia rritur vëllimin e përdorimit dhe hapësirat e gjera semantike përtej kufijve të zakonshëm gjeografikë.

   Mjaft nga njësitë leksikore emërtesat e elementeve të larmishme të fushës etnografike dhe etnokulture, gjithë sistemi i njësive frazeologjike, i cili te Xoxa shprehet me një efektivitet të lartë të vlerave shenjuese dhe vlerësuese, është thuajse i tëri i ngjyrosur me elementë psikologjikë dhe filozofikë të kësaj treve. Sepse edhe vetë e folura e përditshme në këtë trevë, dallohet për nivel të lartë abstragimi. Dihet se Jakov Xoxa i dha bukurinë e përveçme kësaj të folmeje, duke e gjallëruar atë edhe nëpërmjet figuracionit artistik. Një nga perlat e këtij sistemi është padyshim, metafora me të cilën ai e quan Myzeqenë “Magje e perëndisë”. 

   Pikërisht në këtë “magje perëndie” u “gatua” edhe akademiku ynë i nderuar Jani Thomai. Por me Prof. Janin dhe Myzeqenë nuk ka ndodhur si me sentencën e njohur të mospranimit të profetit nga vendlindja. Përkundrazi, ai përbën një nga emblemat e rralla të kësaj treve, i vlerësuar dhe i fokusuar në vëmendjen e përhershme të saj. Së pari, Jani Thomai është i vetmi akademik që ka dalë nga kjo krahinë dhe, si i tillë, ai ka tërhequr përherë vëmendjen e ketij komuniteti. Në vitin 2001 shoqata kulturore – atdhetare “Myzeqeja” e vlerësoi atë me titullin “Nderi i Myzeqesë” me motivacionin, “Për veprimtari të shquar shkencore në fushën e gjuhës shqipe.” 

   Në vitin 2008 ai ka qenë pjesë e një takimi entuziast në komunën e Semanit, fshat i lindjes së tij ku u nderua me titullin “Qytetar nderi” i kësaj komune. Po këtë vit me rastin e 100 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Myzeqe, prof. Thomai u nderua me titullin e lartë “Qytetar nderi” i Qarkut të Fierit, me motivacionin “Për kontribute të shquara në fushën e gjuhësisë”. Me këtë titull ai qendron krahas Jakov Xoxës, Nasho Jorgaqit, Mësuesit të Popullit Edmond Lule, artistëve Albert Verria, Luftar Paja etj..

 Në fund fjalën e mori akademik Jani Thomai i cili falenderoi organizatorët e kësaj konference, pjesëmarrësit e saj dhe veçanërisht qytetin e Korçës i cili ka ditur “të çmojë vlerat e arsimit, shkencës dhe kulturës sonë kombëtare. Kam 50 vjetë, vazhdoi profesori që punoj pa rreshtur. Në këtë periudhë dua të falenderoj rastin që më ka favorizuar një bashkëpunim të ngushtë me figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare. Gjuha, tha ai, mesa duket është më e varfër se zemra. Unë gjykoj se në moshën time, nëse do të më kërkohej ndonjë këshillë, ajo do të ishte;Veç fjalës punë nuk do të shtoj asgjë tjetër.”

   Në fund u shtrua edhe një kokteil, i cili u shfrytëzua nga të pranishmit për ta uruar edhe një herë prof. Janin për 75 vjetorin e lindjes, për më shumë suksese dhe më shumë arritje në punën e tij krijuese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora