Udhëpërshkrim
Fatos Baxhaku: Udhëtim për në fshatin Fshat
E merkure, 16.06.2010, 07:32 PM
Udhëtim për në fshatin FSHAT
Nga Fatos Baxhaku
Në Burrel mbërrijmë në orët e para të mëngjesit. Përfitojmë nga freskia, e cila ende mbretëron në qendër të qytetit që të “takojmë” dy nga “matjanët” më të njohur: Skënderbeun dhe Ahmet Zogun. Ca më tej, “i maskuar” pas disa gëmushave dekorative është një tjetër matjan i shquar: Pjetër Budi, ndër të parët shkrimtarë të shqipes. Të zhytur ca si thellë ndër kujtimet e historisë, mezi i shohim ndryshimet që ka nisur të përjetojë Burreli.
Klosi, i vogli
Në fillim kapërcejmë mbi disa “policë të shtrirë” sikurse u thonë me shaka kurrizeve prej asfalti që i kanë ngritur për të detyruar makinat të ecin më ngadalë. Ndonëse ca bezdisës “policët” janë ngritur në vendin e duhur, sepse pikërisht këtu, në të hyrë të Klosit, rruga që deri më atëherë ka qenë fare e drejtë, befas merr një kthesë gati 90 gradë dhe shndërrohet befas në rrugën kryesore të Klosit.
Në hyrje të qytetit ndalojmë para një shkolle. Mbi portën e saj shkruhet “Shkolla e mesme Shaban Çollaku, Klos”. Çollaku është një tjetër njeri i njohur i këtyre anëve. Edhe ai pat lindur në Fullqet në vitin 1940. Çollaku, që kishte studiuar për gjuhë dhe filologji turke në Bullgari, u bë i njohur në qarqet shkencore për punimet e tij për periudhën e Rilindjes, por sidomos për thellimin e studimeve mbi Sami Frashërin. Pat vdekur i ri nga një sëmundje tinëzare.
Në Klos bëjmë një shëtitje të shkurtër. Godina e Bashkisë, qendra shëndetësore, disa dyqane ku pinë kafe të moshuar me borsalino, ndonjë shitës i mërzitur fruta-perimesh që mezi pret të vijë ndonjë klient, kalimtarë të pakët që kanë nisur edhe të ruhen nga rrezet e forta të diellit… brenda pak minutash kemi mbërritur në dalje të qytetit. Zyrtarisht Klosi është qytet, përderisa është një qendër bashkie. Sikur të mos ishin pallatet dhe mes tyre edhe mbetjet e ndonjë rrënoje industriale e kohës së socializmit, do të na dukej vetja në qendrën e ndonjë ish-ferme dhe vështirë në ndonjë qytet. Porse mbase pikërisht këtu, në vogëlsinë e qendrës së tij, fshihet edhe e veçanta e Klosit. Njerëzit që njihen të gjithë me njëri-tjetrin, një lloj qetësie që nuk e prish asgjë, madje edhe e ecura e kalimtarëve që nuk shpejtojnë askund, dhe pastaj hareja e fëmijëve që mbarojnë mësimin, pikërisht nga të gjitha këto Klosi nis të na pëlqejë gjithnjë e më fort.
Qyteti, zyrtarisht kështu të paktën, e ka marrë emrin nga një fshat që fshihet pas kodrave në lindje të tij. Ai quhet Klos Katund dhe është paraardhësi i këtij grumbulli godinash të trashëguara nga 30-40 vjetët e fundit. Në fillim u ngritën në anë të Matit disa godina administrative. Duhej një qendër që të koordinonte shtimin e punëve në bujqësi dhe në industrinë minerare që asokohe nisi të marrë zhvillim të madh. Kështu, pak nga pak, vit pas viti, nisi të rritej Klosi që kemi sot para syve. Periferitë e tij më vonë janë mbushur me banorë të ardhur nga vise të afërta dhe kjo i ka dhënë pamjen e një fshati të gjerë me një qendër qytetare. Në mesin e një grumbulli pallatesh janë ende në këmbë muret e punishtes ku dikur nxirrej prodhimi që e bëri Klosin të famshëm në të gjithë Shqipërinë. Ky prodhim ishte… rakia. Një mjeshtër i vjetër, Xhemal Kurti, arriti të prodhojë një raki aq të mirë sa që ajo u ruhej vetëm të parëve të pushtetit. Që në atë kohë togfjalëshi “raki Klosi” është shndërruar mbase në sinonim të vetë zonës.
Në të dalë të qytetit hasim në një tjetër “monument” të së shkuarës. Një strukturë e madhe e betontë na kujton një tjetër histori. Klosi duhej të ishte stacioni i fundit i hekurudhës Milot-Rrëshen-Klos. Rrënojat janë mbetjet e atij që duhej të ishte stacioni i Klosit. Sirena e hekurudhës nuk u dëgjua kurrë në këto anë. Treni mezi mbërriti një herë deri në Rrëshen dhe pastaj erdhi tranzicioni dhe bashkë me të edhe ndryshimi i planeve.
Profesori
Në Klos na kishin thënë se në fshatin Fshat duhet të takonim me se s’bën Aqif Ymerin. “Takoni më mirë mësuesin – na kishin thënë – ai i di shumë mirë këto punë”. Kështu pasi kalojmë më parë Matin nisim të ngjitemi përgjatë një rruge të porsa asfaltuar. Në fillim ndalojmë në shtëpinë e gabuar. “E kujt është kjo shtëpi?”, pyet njëri prej nesh një vajzë të vogël. Vajza ngre supet. “Kjo shtëpi asht e jona”, përgjigjet ajo krejt natyrshëm. Sigurisht që ishim ne që kemi pyetur gabim.
Si kemi pyetur në ndonjë shtëpi tjetër mbërrijmë më në fund në shtëpinë e Aqif Ymerit. Ky na pret bashkë me të shoqen në hyrje të shtëpisë. Fshati Fshat është vendlindja e tij. Ka lindur këtu në 1953, më pas ka studiuar për matematikë e fizikë dhe ka punuar nga pak kudo si mësues derisa ka arritur të jetë drejtor shkolle disa herë, sekretar komune, drejtues i Agjencisë Elektrike Mat. Shumë shpejt ne do ta quajmë “profesori” dhe me këtë emër do ta citojmë edhe në këtë shkrim. Profesori porsa ka mposhtur një tumor malinj. Është ndër rastet e pakta jo vetëm në Shqipëri. Si ia ka dalë mbanë? “Duke besuar te vetja dhe te familja ime – na thotë – pastaj jeta që kam bërë pas ndërhyrjes kirurgjikale më ka ndihmuar jashtëzakonisht. Fëmijët e mi banojnë në Tiranë, por unë shumicën e kohës e kaloj këtu duke lexuar dhe duke shkruar në qetësinë e vendlindjes time”. Pasioni i madh i profesorit është historia e fshatit të tij. Kemi goditur në shenjë. Profesori na vë përpara edhe botimet e tij në këtë fushë.
Një histori e ngatërruar
Një fshat që quhet thjesht fshat nuk është një gjë që të ndodh shpesh. Ndërsa shkoni për te shtëpia e profesorit na kishte bërë përshtypje ky fshat i ndarë në pesë lagje të vendosura në disa shpate kodre që shkojnë që nga 200 metra deri në 800 mbi nivelin e detit. Shumë shtëpi janë të reja, por ka ende shumë të tjera që ruajnë gjurmët e kohës. Të rrethuara nga gjelbërimi kullat e vjetra na dukeshin sikur kërkonin të ruheshin nga sytë e kureshtarëve, qofshin këta edhe të pakët si puna jonë.
Ndërsa ecnim përmes këtij fshati të veçantë edhe në dukje e vrisnim mendjen mbi emrin e tij. Një fshat që nuk ka nevojë për emër. Kjo ishte gjetja e parë që na shkoi ndër mend. Porse profesori mendon ndryshe, dhe ai sigurisht që e di këtë punë më mirë se ne. Sipas një hyrjeje që ai ka shkruar në libër: “Fshati deri në ditët tona ka qenë i njohur me emrin Fushat. Gojëdhënat e tregojnë këtë emër të lidhur me shprehjen: ‘Zbresim nga kalaja në fushat’, e përdorur që nga koha e Kastriotëve. Kështu, emri i qytetit të Petralbës mbeti ‘Fushat’ dhe më vonë, me rënien e u-së, u shndërrua në Fshat. Të moshuarit dhe gojëdhëna shprehen qartë, duke e paraqitur Fshatin si ‘Qyteti i Petralbës’ dhe vendi ku janë rrënojat e kalasë së Petralbës, quhet nga banorët edhe sot ‘Maja e Qytetes’. Pra, Fshati ishte qyteti, ndërsa kalaja ishte “Maja e Qytetes”.
Nganjëherë shkenca nuk është se i qartëson punët që në fillim. Kështu na duket edhe ne pas këtyre sqarimeve. Me pak fjalë, sipas studimeve të profesorit, Fshati paska qenë Fushat dhe akoma më tej Fshati ishte vetë qyteti i Petralbës së Skënderbeut. Na shkon ndër mend që të bëjmë ndonjë pyetje të tipit si: përse ra U-ja dhe jo A-ja në fjalën “Fushat”, apo çfarë quhej qytet në Mesjetën tonë kështjella apo banesat jashtë saj, pra ajo lagje që më pas u quajt Varoshi? E kuptojmë sakaq se do të ishin pyetje të kota.
Profesori tashmë e ka ndarë mendjen. Në këmbët e vendit ku po shkelim ka qenë dikur Petralba mesjetare, që Barleti e përmend si vendin ku Skënderbeu gjatë verës linte të shoqen. “Rrëzë kështjellës – shkruan historiani i Skënderbeut - ishte një fushë me një bukuri të veçantë, si nga hijeshia e vetë natyrës dhe e vendit, si nga punimi plot kujdes i banorëve, sa që s’i mungonin as frutat, asgjë nga ato që begatojnë dhe zbukurojnë tokën. Atje zonja, bashkë me familjen dhe me vargje të pambaruara vajzash e me shërbime mbretërore sipas zakonit e kalonte atë pjesë të vitit.
Rreth e rrotull, nga çdo anë e fushës ishin pyje të paafrueshme dhe ngushtica luftëtarësh për ruajtjen e saj. Dhe vetë qytetin e kishte pajisur si jo më mirë me burra, armë dhe ushqime për çdo rast”. Rrënojat e kështjellës së njohur tashmë janë identifikuar mbi malin që ngrihet përmbi fshatin Fshat. Jo shumë larg rrënojave ngrihet fshati i njohur Guri i Bardhë, vendlindja e Pjetër Budit. Guri i Bardhë në latinisht do të thotë Petralba, porse profesori mendon se rrënojat e qytetit të vjetër shtrihen diku nën këmbët tona në territorin Fshat.
Si të gjithë studiuesit edhe profesori ynë ka dëshirë që vendlindja e tij të jetë sa më e vjetër e mundshme. Jo vetëm toponimet e shumta që ai ka mbledhur por edhe një ngjarje e kohëve të fundit ia ka shtuar atij shpresën së më në fund vjetërsia e fshatit Fshat do të vihet saktësisht në vend. Në fakt, afër me Fshatin ndodhet kalaja e stërlashtë e Xibrit, pastaj krejt zona është e mbushur me tuma, kodrina artificiale që janë përdorur si varre nga ilirët. Puna është se shpresat e partizanëve të lashtësisë së Fshatit janë shtuar pas punimeve për një ujëmbledhës në lagjen Ballosh. Hasan dhe Ibrahim Neziri, babë e bir, patën gjetur gjatë punimeve mbeturina muresh kuadratikë dhe fragmente qeramike. Dy nga zbulimet i bëjnë më shumë përshtypje profesorit dhe miqve të tij: një peshë avlemendi (që ai e quan peshore) dhe një kapitel prej guri gëlqeror i punuar sipas stilit dorik.
Profesori e ka tashmë gati teorinë: Kemi të bëjmë me një vendbanim që ka nisur jetë në shekullin VI para Krishtit dhe ka pasur një rindërtim nja njëmijë vjet më vonë. Histori e gjatë, por edhe fort e ngatërruar. Sa mirë sikur ndonjë arkeolog prej vërteti të hidhte ndonjë sy nga këto anë!
Rruga e Arbërit
Rruga e quajtur e Arbërit është njëra prej dy arterieve kryesore të Shqipërisë së vjetër. Njëra prej tyre ishte Via Egnatia, ajo që lidhte nëpërmjet Rrugës Apia Romën me Durrësin, më pas me Selanikun dhe Kostandinopojën. Ndryshe nga e para, më e shkelur, më e gjatë, më e lavdishme, Rruga e Arbërit lidhte Durrësin me Fushën e Tiranës dhe përfundonte në Dibër. Ajo ishte një xhade karvanësh mbi të cilën udhëtarët kalonin ditë të tëra duke kapërcyer me dhjetëra ura mbi përrenjtë e shumtë. Shumë prej këtyre urave janë ende në këmbë në afërsi të fshatit Fshat dhe të Gurit të Bardhë. Rruga e re e planifikuar do të ndjekë në përgjithësi xhadenë e vjetër përmes luginave malore. Një nga stacionet e saj do të jetë pikërisht Fshati. Më pas ajo do të vazhdojë drejt Bulqizës dhe Peshkopisë nëpërmjet Qafës së Bullit apo Planit të Bardhë.
Në fshat i bëjmë një vizitë Abdi Zenelit, 80-vjeçar. “Mixha”, baba i tre djemve, mbahet ende mirë. Ai është njëri prej atyre që Rrugën e Arbërit në të ritë e tij e ka bërë me qindra herë. “Shkosha me babën në Tiranë me bo Pazar – nis të flasë ai në një dialekt që neve na duket më afër Tiranës së Matit – ne me Tironën kishim lidhje si për Pazar, si për të dhonë a për t’morë, e si për ndonjë hall tjetër. Rruga që bojshim ishte e vshtirë, por ne ishim msu. U nisshim prej knej dhe kalojshim n’Gur të Bardhë-Qafë të Murrizit-Zalli i Benës- Shkalla e Tujanit–Tufinë–Tiranë. Ju e dini atë urën që osht në Brar. Tek ajo urë e vjetër kena pasë kalu ne. Ka qenë kohë e vështirë. Maj men që dimnit në Qafë të Murrizit shtroshim qylyma andej ku duhej të kalonte kali. Kishte ra aq shumë borë saqë kishte rrezik me u zhyt kali. Kohë të tjera…”. Plaku i mirë për një copë herë zhytet në kujtimet e tij duke thithur fort cigaren dhe duke parë andej nga thuhet se do të kalojë rruga e premtuar e Arbërit.
Poshtë nën fshat, matanë Matit është ende zakon që një vend të rrethuar me rrepe ta quajnë “Pazari i Urës”. Dikur këtu zhvillohej një pazar i rëndësishëm. Njerëzit vinin nga i gjithë Mati, por edhe më larg, madje edhe nga Durrësi e Tirana. Udhëtarit gjerman Johan Goerg von Hahn, i cili kaloi në këto anë më 1863, i pat bërë përshtypje numri i madh i njerëzve që mblidheshin këtu çdo të diel. Në fshat profesori na tregon një vend që ende quhet “Dyqanet e Venedikasve”, shenjë që provon se dikur tregtia mes Italisë dhe Petralbës së Kastriotëve duket të ketë qenë fort e lulëzuar.
Në kullat e Fshatit
Thuajse të gjitha shtëpitë e Fshatit tashmë janë të reja. Në lagjen Fshate, diku poshtë rrënojave të Majës së Qytetes na zënë sytë dy kulla të vjetra, njësoj si ato të qëmotit. Të parës i thonë Kullat e Dokës. Ato janë ndërtuar më 1929. I zoti i shtëpisë është në punë poshtë në fushë. Këtu askush nuk mund të na thotë asgjë më tepër mbi historinë e tyre. Një vajzë e vogël që po ha një fetë bukë me gjizë e domate ngre supet e çuditur. E përse duhet të di unë kështu gjërash, duket sikur thonë sytë e saj krejt të kaltër, po aq sa edhe uji i Matit që rrjedh ca më poshtë. Një plakë me një ombrellë mbi krye na fton për një kafe, por ne tashmë kemi marrë rrugën për më lart për në Kullën e Çupës.
Edhe këtu nuk e gjejmë të zotin e shtëpisë. Na bën përshtypje një si stacion i vogël meteorologjik që është vendosur poshtë një mani të vjetër të ngarkuar me një pjergull të rëndë. Kulla na duket shumë e vjetër. Edhe më e vjetër se ato që kemi parë deri më tani. Nuk vonon shumë dhe shohim të vijë përmes bahçeve me një hap të lehtë si djalosh i ri. Është Selman Çupa, i zoti i kullës.
“Askush nuk e mban mend se kur është ndërtuar, as im atë madje”, është përgjigjja e Selmanit për moshën e kullës së tij. Selmani ka punuar si pastiçer, por një tjetër pasion i tij është meteorologjia. Që nga 1950 ai mat përditë temperaturën, lagështinë e ajrit, nivelin e lumit dhe të përrenjve. “Është punë e bukur – na thotë – kështu mbaj edhe trupin në formë. Më ka pëlqyer kjo punë që djalë i ri. Babai nuk më linte. Se si i dukej kjo punë si e çuditshme”. Jemi që jemi e pyesim se si do të jetë behari që porsa ka mbërritur. “Aha – na thotë plaku – keq e kemi punën sivjet. Vapë do jetë, shumë vapë”. Dhe vërtet, sapo kemi lënë pas freskinë e gjelbër të fshatit Fshat zhytemi menjëherë në vorbullën e vaposur që vjen nga asfalti.
Për këtë shkrim u konsultuan: Hamdi Hysuka, Panoramë matjane, Tiranë 2003; Aqif Ymeri, Zenel Anxhaku, Breza në shërbim të dijes, Tiranë 2005; Aqif Ymeri, Vatër e hershme qytetërimi, Geer, Tiranë; Gazeta “Mati”, maj 2010. Autori falënderon posaçërisht zotin Aqif Ymeri për ndihmën e dhënë gjatë realizmit të këtij reportazhi. Bashkëpunoi Hysen Likdisha.