E diele, 16.02.2025, 03:02 PM (GMT)

Mendime

Luan Çipi: Brenga e madhe e minoritetit grek

E shtune, 12.06.2010, 05:59 PM


Puna ushqen dhe fisnikëron shpirtin

Sofokliu

 

BRENGA E MADHE E MINORITARIT GREK

 

Nga Luan Çipi

             

            Aristidh Kaçi dhe gruaja e tij Llambrinia, së bashku me fëmijët e tyre, banuan disa vjet në shtëpinë tonë, në lagjen Muradije Vlorë, si qiraxhi të imponuar nga Shteti, qysh në ato vitet e para, pas Çlirimit. Atje, u miqësuam, si të ishim të një familjeje.  Ata ishin minoritarë grekë, nga Dropulli i Gjirokastrës.

            Shumica e vendasve të sotëm të kësaj zone, sipas një versioni të dëgjuar dendur në mjedisin Gjirokastrit, kanë ardhur nga  malësia greke aty pranë, në kohën e Turkut, kur Perandoria Otomane kishte shtrirë ndër ne pushtimin e vet. Ata ngelen në fenë e tyre të lashtë ortodokse, ndërsa gjirokastritët, si e gjithë Labëria u islamizuan, duke përfituar edhe nga kjo privilegje, toka dhe pushtet. Më të pasurit, për të punuar tokat sollën dhe argatë nga zonat e krishtera Greke. Po kjo nuk mund të përgjithësohet. Natyrisht përjashtime bëjnë ata Grekë, që u vendosën në atë zonë, krejtësisht Shqiptare, për tregti, ushtrim zejesh, lidhje martesore me shqiptarë, apo për shkaqe të tjera. Autoktonia e Shqiptarëve në Dropull, në këtë zonë protohelene Pellazge, vërtetohet në disa burime historike.

Sidoqoftë “Kaçajt” ishin safi minoritarë Grek.  Ata, më së shumti, ishin njerëz të mirë, të urtë dhe të sjellshëm. Thuhej, se kishin qenë në gjendje të mirë ekonomike. Prindërit e tyre, ishin marrë me tregti të suksesshme në Durrës dhe në Gjirokastër.

            Aristidhi, i lindur në vitet njëzetë, kishte kryer me përfundime të mira, Shkollën e Mesme Tregtare në Ujin e Ftohtë të Vlorës dhe punoi llogaritar, më gjatë, në ndërmarrjet tregtare të qytetit të Vlorës.

            Në vitin l965, kur u riktheva në punë në Ndërmarrjen Industriale të Prodhimeve të Ndryshme të Vlorës, Aristidhin e gjeta, po aty, në detyrën e shefit të financës. Aristidhi, rreth 15 vjeç më i madh se unë, me përvojë të gjatë pune, i zgjuar dhe i vëmendshëm, kishte arritur të praktikohej e të kualifikohej mirë, gjatë atyre dhjetëra vitesh pune, në sistemin kontabël të ndërmarrjeve socialiste.  Ai ishte njeri i vullnetshëm,  punëtor i pa përtuar… Gjatë periudhave tremujore e vjetore, kur duhet të nxirreshin bilancet financiare të ekonomive, në zyrën e tij punohej pa orar, ditë dhe natë. Ai ishte organizator model dhe u bënte ndarje të mirë e racionale të punës punonjësve të vetë, si aty, në qendër, po dhe midis punonjësve të financës në repartet e shumtë të ndërmarrjes. I mësonte me durim vartësit dhe ish rigoroz në plotësimin e detyrave dhe në kërkesën e

 llogarisë, duke i kontrolluar në vazhdimësi ata. Gjithnjë shquhej për sjellje të kulturuar dhe takt. Ai përdorte sistemin e stimujve dhe kryesisht shembullin vetjak, duke marrë për vete ngarkesë maksimale.

Për ta karakterizuar më mirë, dua të them se Aristidhi vuante, qysh i ri, nga reumatizma kronike. Pa tjetër që kishte dhembje të padurueshme, sidomos në gjymtyrët, po për veçori të karakterit të tij fin, kurrë nuk e dëgjuam të ankohej. Sipas një rekomandimi të dhënë, para lufte, nga një mjek italian ai përdorte në dozë të madhe, për çdo ditë dhe kjo për dhjetëra vjet, nga tri kokrra aspirina. Ishin aspirina BAYER, që i porosiste te prodhuesi dhe ia dërgonin rregullisht, në adresën e vetë në Vlorë. Aq i kujdesshëm ishte në pirjen e tyre, saqë kish tërhequr vëmendjen e firmës prodhuese. Ata këtë fakt e reklamonin  në gjithë botën, ndërsa furnizimet Aristidhit model, ia përcillnin pa para. Në të vërtetë, siç thoshte dhe vetë, asnjë veprim anësor nuk kishte ndjerë nga përdorimi i aspirinave, madje ato kishin ndikuar dhe në parametrat normale të gjakut...

Aristidhi ishte një burrë i sjellshëm dhe tip i qetë e paqësor. Ne, shokët, miqtë dhe kolegët asnjëherë nuk kishim dëgjuar të fliste për halle apo shqetësime të vetat. Nuk e kishim dëgjuar kurrë të shprehte ndonjë pakënaqësi për vështirësitë ekonomike familjare, si me shumë fëmijë e me pak të ardhura, apo për gjendjen e përgjithshme politike të vendit. Ai e kishte qejf jetën kolektive dhe asnjëherë nuk ndahej nga shokët, në gëzime e hidhërime, në ceremoni e festa, në punët vullnetare të shpeshta, në punën prodhuese të detyrueshme të përmuajshme dhe as në gjimnastikën e përditshme të mëngjesit, sipas shembullit të mikut të madh Kinez.

Por, një aureolë, thuajse, mistike atë e mbështillte përherë. Ç’është e vërteta edhe ne e kishim vënë re se pushtetarë e partiakë, sikur, nuk e kishin qejf.  Kjo dukej, jo vetëm se i bënin bisht shoqërimit me të, por edhe nga që ai  nuk ishte vlerësuar pozitivisht asnjëherë nga zyrtarët, siç ndodhte shpesh: asnjë fletë lavdërimi, asnjë shpërblim stimulues, asnjë dekoratë, ndërkaq kur vartës të tij çmoheshin e dalloheshin, megjithëse ishte rezultante e punës kolektive, nën drejtimin e tij. Bilancet financiare, që ishin fryt i kësaj pune, dilnin para afatit dhe me tregues cilësorë evidentë. Kjo na çudiste të gjithëve.       

Jo vetëm kjo, po me Aristidh Kaçin ndodhte çudia e çudive, si të luhej komedi., Atij, herë pas here. i komunikonin, pa asnjë akuzë të shprehur, masën ekstreme të dënimit: E pushonin nga puna si shef finance dhe jo ta zbrisnin në detyrë e ta linin të punonte në atë zyrë, si llogaritar të thjeshtë, siç bënin me ndonjë tjetër që kish gabuar, por… e kalonin punëtor të thjeshtë në prodhim, madje e vinin të ngarkonte e shkarkonte me krahë automjetet.  Ai, vishte kominoshet, që i mbante të paketuara në shtëpi, merrte lopatën, që e ruante me kujdes në një vend të posaçëm dhe shkonte në punën e re, pa bërë asnjë kundërshtim dhe pa lënë asnjë ditë pune mangët. Në pasditet e të hënave dhe të martave më të afërta, atëherë kur dy ditë në javë punohej dhe mbas dite, pikërisht atëherë,ai diku shkonte e ankohej. Pas dy tri ditësh e rikthenin në detyrën e shefit.

Qysh në rastin e parë, si të thuash, ne aktin e parë të komedisë, unë e pyeta atë, pak si mënjanë, si  fqinj të dashur dhe mik të vjetër. Ai më dha shpjegime, pa shprehur asnjë keqardhje për ata që kishin urdhëruar pushimin e tij nga detyra:

-Ngatërresë, tha. Dikush ka folur keq për mua. Problem dyshimi për qëndrimin politik familjar. Po, shyqyr Zotit, u sqarua shpejt.

Më vonë e mora vesh shkakun e pushimit. Na i tha një dropullit, bashkëfshatar dhe që  Aristidhin e njihte prej kohësh familjarisht:

-“Aristidhi është deli burrë, tha dropulliti. Ai, kështu ka qenë gjithnjë. Edhe farë e fisin e ka të mirë. Po, brengën e madhe e ka nga i vëllai, shoku V. Ai doli  burrë i keq, megjithëse ka qenë më i zgjuari, më patrioti dhe më i shkolluari i vëllezërve, partizan i orëve të para në ato anë.  Shoku V e tradhtoi atdheun tonë, ndofta dhe të vetin... U arratis në Greqi dhe më pas shkoi në Amerikë. Me sa duket, atje kryen veprimtari armiqësore edhe nuk pushon së lehuri kundër nesh”.

Sa herë që në Komitetin e Partisë së Rrethit ndërrohej udhëheqja dhe kjo bëhej shpesh, Aristidhi sërish do pushohej nga puna, se ata i kontrollonin dosjen vetjake secilit dhe si mund ta mbanin atë shef finance në ndërmarrje shtetërore, duke qenë me vëlla të arratisur, aq me tepër në aktivitet subversiv? Kështu Aristidhit i erdhi radha dhe u pushua për herë të tretë. Me këtë rast unë, në intimitet, e pyeta përsëri.    

- A është e vërtetë që ti po e pëson, për hesap të vëllait tënd?

-Po, or byrazer, po. Vëllezër jemi, po shokë nuk jemi. Ai bën qejf në Amerikë me paret tona, se as që ka mundësi të bëjë tjetër gjë atje  dhe unë, megjithëse asnjë letër nuk kam këmbyer me të, po torturohem e stresohem duke u pushuar disa herë nga puna, ndërsa fëmijët e mi, po për shkak të tij, privohen nga e drejta e studimeve të larta. Unë një gjë nuk po marr vesh, mor vëlla (po e bisedoj me ty, në intimitet dhe jam i sigurt se nuk do ta bësh fjalë me njeri) unë pushohem çdo gjashtë muaj nga puna dhe, në të njëjtën kohë gruas dhe fëmijëve të tim vëllai as një gjemb nuk u hynë në këmbë. Ata as që ngacmohen fare, madje vazhdojnë të qetë studimet në degët më të zgjedhura. A thua ka ndërhyrë daja i tyre, që ka qenë në luftë dhe tani është me punë shumë të rëndësishme në qendër?  Se të mos ta dinë që ata janë fëmijët e shokut V, nuk ma ha mendja. Këta janë ustallarë në

 informacion dhe dinë çdo gjë…Daja, daja…Shyqyr që kanë dajën, thuaj.

Aristidhin e thërritën për të katërtën herë. Këtë radhë me ftesë të posaçme dhe…ku pa? Në Degën e Punëve të Brendshme, me një njoftim të firmosur nga vetë kryetari. Ne menduam se kjo do të ishte ftesa e fundit, se pikërisht në Degë ishte dhe paraburgimi. Kanë për ta mbajtur në qeli, thamë ne.

Po, këtë radhë, kishte qenë fare ndryshe puna. Kryetari i Degës, që njihej nga afër me Aristidhin, se pikërisht, kur e pushonin, atje shkonte të ankohej, e priti me ngrohtësi, duke i rënë shpatullave, me buzëqeshje. Pasi ndërruan përshëndetjet e rastit ai i tha:

-Më së fundi, morën fund edhe peripecitë për ty dhe  për familjet tuaja. Shoku ynë i dashur V po na vjen. Po kthehet në Atdhe. Përgatitu që, javën e ardhshme, ditën e hënë, ora tetë, në mëngjes, ta presësh familjarisht, në Portin e Durrësit. Ai vjen nga Amerika për riatdhesim me kokën lart. Atje ka qenë, për shumë vite, i dërguar me detyra nga shteti ynë dhe i ka bërë shërbime të mëdha Atdheut tonë.  Ne, të gjithë dhe më shumë ju, vëllezërit e tij, duhet të krenohemi me  shokun V. Kuvendi Popullor, me këtë rast, ia ktheu të gjitha dekoratat dhe meritat e luftës të shokut V, si dhe i ka akorduar tri dekorata të tjera të larta. Bisedova dhe me drejtorin e ndërmarrjes tënde dhe e porosita që të të japë një kamion, për të ngarkuar në Durrës pajisjet e tij shtëpiake si dhe shumë dhurata, që ju ka sjellë.

Aristidhi rrinte dhe dëgjonte i hutuar, i befasuar krejt si në ëndërr. Aty për aty, shkoi shpejt nëpër mënd gjithë kalvarin e vuajtjeve të tij e të fisit të tij, brengën e madhe, streset e shumta dhe netët pa gjumë. Pa u menduar shumë, u përgjigj:

-As që vete fare ta pres!  Ky  shejtan gëzimi nuk m’i heq dot pasojat e tmerrit dhe të vuajtjeve të pa treguara që kam kaluar unë dhe i gjithë fisi ynë. Ai të bëj ç’të dojë dhe të çmallet e të gëzojë fëmijët e tij. Ne, mjaft që shpëtuam nga kjo përbuzje, kjo trysni dhe kjo luftë e mallkuar klasash.

Shoku V,  erdhi vërtetë në Shqipëri, por nuk u vendos në Vlorë, por në Shkodër. Atje i duhej Partisë. Ai vazhdoi të punonte me besnikëri dhe sukses në organet e shërbimit të inteligjencës shqiptare, deri sa vdiq.

Kur, më së fundi, pas ca kohe, i akorduan edhe Aristidhit, për kontributin e tij shumë vjeçar në financën e ndërmarrjeve shtetërore, një medalje pune, ai tha:

-Edhe këtë ia dërgoni vëllait tim, shokut tuaj, V. Atij i takon, ngaqë u kthye. Po të qe ende në Amerikë dhe ta quanin si të arratisur, unë do vazhdoja të isha i përbuzur, jashtë respektit të shoqërisë..

            Edhe më vonë Aristidhin e vlerësuan dhe e nderuan. Ndërkohë vitet rrodhën dhe ai ishte sa i moshuar, po dhe i lodhur nga hallet e jetës. Për ta lehtësuar nga puna dhe për t’i bërë qejfin e transferuan në një ndërmarrje më të vogël të sistemit të tregtisë, me të njëjtën pagë, po si shef llogarie. Këtë ndërmarrje, NTUSin, ai e njihte mirë dhe ndjente e kishte më shumë kënaqësi pune. Atje punoi, derisa doli në pension.

Llambrua, gruaja e tij e urtë dhe gojëmbël, si shumica e dropulliteve, kujdesej për rritjen dhe arsimimin e katër fëmijëve të vetë,  dy djem dhe dy vajza, që u bënë të hairit. Ajo interesohej dhe preokupohej, më së shumti, për Aristidhin, që e mbante si në pëllëmbë të dorës, ndaj xhaxhi Aristidhin pensionist, e shihje gjithnjë të pastër, të larë e të rruar, të veshur mirë, me kostume të thjeshta e këmishë të bardhë, me kravatë dhe kur doli në pension, edhe me një  kapele republike në kokë.

Me Aristidhin edhe vitet e fundit kemi pasur fatin të banojmë në të njëjtën godinë, në pallatet e reja të ndërtuara në lagjen Çole të Vlorës. Derisa vdiq, në moshë rreth 70 vjeç, Aristidhi, do të kujtohet si një nga njerëzit më të respektuar. Ai vazhdimisht përshëndeste këdo që shikonte, ndalej për të biseduar dhe për të dhënë këshilla me urtësi e vlerë, gjithnjë me plotë besim e optimizëm për një të ardhme më të mirë.

Pas viteve 90, me ardhjen e Demokracisë dhe hapjen e kufijve, këtu në Shqipëri nga Kaçajt e Minoritetit nuk ngeli kush. Ata, me kuç e me maç u kthyen në tokat e të parëve të tyre, madje zunë, ketë radhe Athinën, kryeqytetin e tyre të dashur, të  madh e të bukur. I shoqëruan për atje qindra Shqiptarë, të cilët shkuan në Greqi, pse jo edhe si argatë, sipas shembullit të kahershëm të Minoritarëve Grek në Shqipëri. Siç thonë historia përsëritet në formë ciklike dhe këtu s’ka asgjë të keqe edhe kjo sjell zhvillim, pasurim e këmbim përvoje.

Dëgjojmë sot dhe na tingëllojnë për keq e fare të pavërteta, mendime e dasi për Minoritetin Grek. Ne, populli i thjeshtë, nuk e kemi shkuar kurrë ndër mend këtë dallim, po jemi dashur e duhemi me njëri tjetrin njësoj, si me vëllezërit e një gjaku, pa përmendur cinizmin, lakminë dhe prapaskenat e personave të veçantë apo të qarqeve ekstremiste. Po dhe lart, pushtetarët e të gjitha kohëve nuk i kane diferencuar asnjëherë Minoritarët Grek, se ata kanë qenë të zotë, s’u a “hante qeni shkopin” dhe janë vënë në  ballë apo krahas Shqiptarëve, si gjatë luftës Nacional- Çlirimtare, më pas, po edhe sot.

 Askush nuk do të na përçajë, si dy popuj fqinjë ndër shekuj. Shembull për këtë le të qëndrojnë dhe këto mbresa e kujtime për fort të mirin e të paharruarin, minoritarin e mençur e fisnik Aristidh Kaçi.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora