E diele, 09.02.2025, 06:07 PM (GMT)

Mendime

Bota Sot: Berisha, Ramiz Alia të hetohet për maskarën e Tivarit

E merkure, 09.06.2010, 07:11 PM


Kreu i qeverisë përsërit se i akuzuari prej tij, xhelati Ramiz Alia, nuk mund të lajë duart para këtij akti, do mbajë përgjegjësi për masakrën e 5 mijë të rinjve

Një javë pas deklaratës në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat se ish njeriu i fundit i nomeklaturës komuniste, Ramiz Alia, duhet të japë llogari për masakrën e Tivarit, sot shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, kërkoi nga Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor, për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. “Kuvendi duhet të ngrejë një komision hetimor për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarje. Ata njerëz që u vranë vetëm për përkatësinë e tyre etnike nuk mund të jenë kurrë të qetë nëse nuk zbardhet e vërteta. “Genocidi i Tivarit është një nga genocidet më të mëdha në historinë e Luftës së Dytë të Botërore e deri më sot për Shqiptarët. Xhelati nuk mund t’i laj duart para këtij akti”. Ky gjenocid u ndihmua nga klika barbare e Tiranës. Këta njerëz duhet të marrin dënimin ekzemplar. Kjo përbën vrasjen më masive ndoshta në gjithë historinë e tyre. Genocidi i Tivarit nuk është fantazi por vepra më e shëmtuar më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë këtij kombi. Ata që u mblodhën derë më derë në trevat shqiptarëve jashtë kufijve nuk ishin oficerë si oficerët polak. Por ata ishin lulja e kombit shqiptarë ishin djemtë e familjeve që u ekzekutuan vetëm e vetëm për tu pakësuar shqiptarët”- u shpreh kreu i qeverisë, duke bërë përgjegjëse për vrasjen e 5 mijë të rinjve, brezin e komunistëve që erdhën në pushtet, pas luftës së Dytë Botërore. Kryeministri i bëri thirrje edhe deputetëve që të nisin punën për ngritjen e komisionit hetimor. Gjithashtu, kryeministri foli dhe për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në këtë drejtim, Berisha kërkoi bashkëpunimin e opozitës. “Mazhoranca aktuale ka propozuar që në vitin 2005, miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit. Opozita është bërë pengesë në këtë drejtim. Me ardhjen në pushtet në 2005, paraqitëm ligjin për heqjen e imunitetit në tërësi dhe sërish forca tjetër politike e kundërshtoi. Kur opozita bëhet pengesë është fatkeqësi. Sot pas 5 vitesh nga paraqitja e këtij ligji, uroj që Partia Socialiste, të ketë reflektuar”- deklaroi kryeministri Berisha.

Fjala e plotë e kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së

“Së pari ju përshëndes përzemërsisht, ju zonja deputete, ju zotërinj deputetë dhe dëshiroj të sjellë vëmendjen tuaj në dy çështje madhore për vendin, shoqërinë.

Çështja e parë madhore, është çështja e imuniteteve. Shqipëria ka ndërtuar me sukses të padiskutueshëm, në saj të përkushtimit të maxhorancës 2005-2009 dhe maxhorancës në vazhdim, njërën ndër betejat më të vështira, njërën ndër betejat më komplekse, por dhe më jetike, atë kundër korrupsionit.

Beteja kundër korrupsionit, zonja dhe zotërinj deputetë, është më e vështira e të gjithë betejave të tjera, sepse ajo para së gjithash është betejë me babëzinë e lindur të njeriut, të gjithsecilit. Njeriu, në mrekullinë e fenotipit të tij ka dhe gjenet e babëzisë. Po t’i referohemi librave fetarë, tundimi është baza e çdo mëkati. Dhe ne këtë betejë e vazhduam me sukses sepse e filluam nga vetja jonë, ky është rregulli i artë i saj. Iu përmbajtëm këtij rregulli, bëmë gjithçka për të vendosur standarde, të cilat kufizonin babëzinë e lindur të njeriut, dhe mendoj se nga kjo më shumë se nga çdo gjë tjetër kanë përfituar qytetarët shqiptarë. Unë jam i vetëdijshëm se ata sërish i mundojnë aktet e korrupsionit, sepse sërish ka korrupsion, por vetëm një gjë duhet t’ju informoja: se kjo betejë që bëri të mundur 5.2 miliardë dollarë më shumë në katër vitet që shkuan sesa në katër vitet para tyre; se pa këtë betejë do të kishte qenë absolutisht e pamundur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO; ndërtimi i korridorit të kombit; dyfishimi i rrogave të arsimtarëve; asfaltimi i 6000 kilometrave rrugë në katër vjet; ndërtimi apo rindërtimi i 1100 shkollave; shtrirja e internetit në çdo shkollë, e shumë e shumë reforma të tjera. Kjo betejë është e pandërprerë, vazhdon në rrafshin e penalizimeve, për çka ne duhet të përgëzojmë. Por, tani vijmë në një moment të rëndësishëm në këtë betejë, në heqjen e imuniteteve në raport me korrupsionin në Republikën e Shqipërisë. Ndaj dhe historia është e çuditshme, Partia Demokratike në opozitë shtatë vjet më parë paraqiti në Parlament ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Partia në pushtet në atë periudhë e refuzoi atë në mënyrë kategorike, me ardhjen në pushtet në vitin 2005 sërish paraqitëm ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve, për heqjen e imuniteteve në tërësi. Sërish, forca tjetër politike e kundërshtoi në mënyrë absurde, se kur një opozitë kundërshton heqjen e imunitetit nuk ka veprim më absurdë që mund të bëj.

Sot, pas pesë vitesh nga ajo periudhë, uroj dhe dëshiroj, që Partia Socialiste të ketë kuptuar gabimin që bëri me refuzimin e ligjit. Ligji është një ligj i shkëlqyer, të nderuar zonja deputete dhe zotërinj deputet, ky ligj shkoi në Komisionin e Venecias, u shqyrtua dhe ka ekspertizën e shkëlqyer të këtij Komisioni, i cili në parim pranon heqjen e imuniteteve për veprën e korrupsionit. Së dyti, thekson se me qenë se kemi të bëjmë me institucione siç është Parlamenti, siç është drejtësia, atëherë këto duhet të jenë me tre të pestat, dhe unë shpresoj, dua të shpresoj se Partia Socialiste është e gatshme dhe ne ofrojmë si alternativë cilën dëshirë të ketë Partia Socialiste. Po të dojë të zbatojë udhëzimin e Komisionit të Venecias dhe të bëj ndryshimet ligjore në përputhje me ato ndryshime, por, edhe sikur ndryshime kushtetuese të bëhen do të ishte një shërbim jashtëzakonisht i madh që do t’i bënim këtij vendi dhe këtyre qytetarëve. Në Shqipëri nuk duhet të ketë imunitarë ne raport me korrupsionin, pavarësisht nga komentet, por kjo maxhorancë, dhe në kundërshtim flagrant me bindjet e saj, në kundërshtim të hapur me të gjithë opinionin e vet, ka votuar dhe do të votojë çdo kërkesë që qeveria apo gjykatat e vendit do të paraqesin për anëtarët e saj për imunitetet. Por, mirë është t’ua hapim rrugën, ne të gjithë së bashkë me Partinë Socialiste bëmë ligjin për heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe e bëmë shumë mirë. Shpresoj që në vendimin e ardhshëm të parlamentit të shënojmë një hap të ardhshëm të ri në luftën kundër korrupsionit.

Zonja dhe zotërinj deputetë, përpara se të kaloja në çështjen e dytë, unë do të bëja një sugjerim për ligjin që keni diskutuar sot lidhur me faljen. Ky ligj është një ndër ligjet e rëndësishme të vendin në rrafshin juridik dhe moral. Por, ky ligj bie ndesh në një pikë me qëndrimin dhe opinionin e ekspertëve të vendit dhe kjo pikë është e përfshirjes ose jo në sistemin e faljes të atyre që kanë marrë dënim të përjetshëm. Në situatën aktuale të Kodit Penal shqiptar, i cili pas dënimit për jetë ka dënim të dytë maksimal 25 vjet, natyrisht kjo nuk mund të bëhet. Por, në rast se Partia Socialiste, deputetët e Partisë Socialiste, bien dakord që të ndryshoj Kodi Penal dhe afati i dënimit maksimal të jetë, jo 25 vjet, por të jetë, 61 e ka Britania e Madhe, 100 e ka Italia, 50 e kanë vende të tjera, atëherë ne mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes por me kusht që të ndryshoj paraprakisht, sepse ata që janë dënuar për jetë, janë persona që kanë kryer krime ndër më të rëndat dhe më të rrezikshmet, dhe drejtësia shqiptare meriton vlerësimin më të madh për ato dënime që ka dhënë. Në asnjë rrethanë këta gjykatës dhe prokurorë që i janë përgjigjur ligjit nuk mund të lëndohen nga politika në kushtet ekzistuese. Në qeveria dua t’ju them, ne e mbyllëm kapitullin siç erdhi tek ju, që dënimet për jetë të mos përfshihen. Në doktrinën e së drejtës kjo është e diskutueshme ndaj dhe një do të doja që kryetari i komisionit të ligjeve, sekretari, të bëj një diskutim me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, në rast se ata bien dakord, që ne të ndryshojmë Kodin Penal, të çojmë një tavan tjetër, gjë e cila për hir të vërtetës mund të bëhet, sepse nuk është se kjo tradita diktatoriale, e cila ka qenë ose ekzekutim, ose 25 vjet, hapësirë tani ne nuk kemi ekzekutim, kemi dënim përjetë, e kemi hequr dënimin me vdekje, kemi bërë shumë mirë. Por, mund të shihet në mënyrë që të qëndrojmë plotësisht në linjë me doktrinat.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Çështja e dytë madhore që doja të diskutoja me ju, dhe dua të them këtu, se detyrohem ta ngre në mënyrë të përsëritur, është gjenocidi Tivarit. Gjenocidi Tivarit është një nga gjenocidet më të mëdha në historinë e luftës së dytë botërore deri më sot. Për shqiptarët kjo përbën vrasjen më masive ndoshta në historinë e tyre. Gjenocidi i Tivarit nuk është një fantazi, por është vepra më e shëmtuar, më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë mbi këtë komb. Ata të cilët u mblodhën derë më derë, në të gjitha trevat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk ishin oficerë, siç ishin oficerët polakë, që u ekzekutuan në Katin, por ata ishin lulja e kombit shqiptar. Ishin djemtë e familjeve shqiptare të cilët u ekzekutuan vetëm e vetëm për t’u pakësuar shqiptarët. U ekzekutuan mbi platformën më barbare dhe në qoftë se në Katin u ekzekutuan burra me uniformë, këta ishin djem të cilët një pjesë e mirë e tyre nuk kishte marrë pjesë në asnjë lloj veprimi, në asnjë anë dhe shumë prej tyre kishin luftuar me flamuj kombëtar kundër pushtuesit. Katini me të drejtë mbahet gjenocidi më i madh, masakra më e madhe e kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore deri më sot, por të nderuara deputete dhe zotërinj deputetë, në qoftë se mbajmë parasysh se kombi shqiptar sot 3.5 milionë, është rreth dhjetë herë më i vogël se kombi polak. Viktimat për frymë tek shqiptarët janë së paku dy herë më të mëdha se sa tek polakët.

Ky gjenocid u ndihmua, u bashkë organizua, nga klika barbare e Tiranës. Mos harrojmë se ekzistojnë të gjitha dokumentet, se ata kaluan kufirin në Morinë dhe përshkuan territorin e këtij vendi në këmbë gjer tek Hani i Hotit. Dhe këta kriminelë shqiptarë, që morën pjesë në këtë masakër duhet të marrin ndëshkimin e tyre ekzemplar, si një kusht i domosdoshëm që shpirtrat e tyre të prehen të qetë. Nuk u transportuan në territorin e Bosnjës, nuk u transportuan as nëpër territor tjetër, por vetëm nëpër territor shqiptar. Ekzistojnë të gjitha dokumentet dhe kur diktatori Ramiz Alia vetëm pak ditë më parë do të deklaronte se: t’i gjejnë kosovarët se kush i bëri. Nuk mund t’i lash duart xhelat kaq lehtë ndaj këtij akti. Ndaj dhe Parlamenti duhet të filloj me vendosmëri Komisionin Hetimor parlamentar, të vendos bashkëpunimin me të gjitha parlamentet e vendeve përreth, të mblidhet çdo dokument, çdo fakt, çdo dëshmi, ende ka të gjallë, ka dëshmi, ka prova, dhe t’i bëhet botës, t’i bëhet shqiptarëve në radhë të parë e qartë se ku shkoi lulja e rinisë shqiptare, se çfarë roli luajti klika barbare e Enver Hoxhës, dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilën, keni konstatuar tani se po përpiqen ta rikthejnë me ardhjen e bllokmenëve në krye të Partisë Socialiste. Fenomeni më konstant është përpjekja monstruoze e mediave të kontrolluara prej tyre për t’u krijuar të gjitha hapësirave, kujt, atij që bota demokratike e ka cilësuar si Hitleri i shqiptarëve. Gazetat e kontrolluara prej tyre çdo ditë hapen me tituj për Enverin, për Ramizin, për një bandë, e cila në çdo qelizë është zhytur në krime dhe vetëm krime, e cila për 45 vite me radhë, burgosi dhe ekzekutoi në Shqipëri dy herë më shumë se të gjitha vendet ish komuniste përveç Bashkimit Sovjetik të marra së bashku. Para dy javësh po i thoja një mikut tim perëndimor, se vetëm gra janë ekzekutuar mbi 800 nga këto vendet ish komuniste, ngriu, nuk mund t’i besohej, si ka mundësi, po me gratë si ka mundësi. Pra, tani si pa gjë të keqe na boton dhe librin se cilat ishin të mirat e komunizmit, një vrasës ordiner, një frikacakë, se trimëri nuk ka pas kurrë ky. Na tregon tani të mirat e një regjimi, në vend që të shpreh pendesë çdo ditë, bashkë me atë të shoqen e diktatorit, që kur vdiq ai vazhdonte kjo terrorin. Po, po vazhdonte terrorin kjo në mënyrën më të fuqishme. Jo, zotërinj deputetë, Katini shqiptar duhet të dal në dritën e diellit. Ramiz Alia ka qenë në funksione ndër më të rëndësishmet. Ramiz Alia ka qenë në atë periudhë, komisar i divizioneve që shkuan në Kosovë dhe të tjerë, në qoftë se ata nuk duan të thonë të vërtetën mbi këtë gjenocid, e vërteta do u nxirret atyre, dhe do të mbajnë të gjithë përgjegjësi për ë që i bën nj ë prej krimeve më të rënda në historinë e këtij kombi. Komisioni parlamentar i ngritur duhet të bashkëpunoj ngushtë me Parlamentin e Kosovës, duhet të bashkëpunojë ngushtë me Parlamentin e Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, ne do të vlerësonim shumë mbështetjen e këtyre parlamenteve në nxjerrjen në pah të njërës prej të vërtetave më të zeza në historinë e Ballkanit, gjenocidit të Tivarit. I ka mbetur Tivari, por ju duhet ta dini mirë që nga Hani i Hotit deri në Srebë dergjen eshtrat e mijëra e mijëra shqiptarëve, të cilët u ekzekutuan vetëm e vetëm për përkatësinë shqiptare. Kur i ekzekutuan ekzistojnë dokumente të shkuara, në një platformë, se duhet t’i shkatërrojmë shqiptarët. Kur i ekzekutuan mbi bazën e asaj që kasapi i Ballkanit, Milloshvic, do ti deklaronte gjeneralit Ëesley Clark se: i vramë, i vramë shqiptarët, do t’i vrisnim të gjithë po nuk na latë ju. Këta janë, dhe ky është ky që na thotë se i dinë kosovarët. Është gjak shqiptari i themi këtij diktatori. Do ta dijë çdo shqiptar, kanë kaluar nga Morina në Hanin e Hotit, në territor të Shqipërisë, dhe nuk mund t’i fshehësh duart e krimit, siç kërkon t’i fshehësh. Ti dhe kushdo tjetër të jetë i implikuar në këtë masakër. Duhet studiuar roli i të gjithë atyre që e kryen, sigurisht, i takon edhe Parlamentit të Kosovës të hetojë, por kjo është çështje e tyre, dhe në qoftë se ka edhe atje Kainë edhe ata duhet të marrin ndëshkimin qe meritojnë. Masakra e Tivarit, gjenocidi i Tivarit, do t’i bëhet e qartë shqiptarëve, natyrisht do të fillojë me komision hetimor parlamentar, më vonë do të përfshihen dhe organe të tjera, duke krijuar të gjithë dosjen dhe dokumentacionin e duhur, por shpirti i mijëra e mijëra të rinjve shqiptarë që u ekzekutuan vetëm e vetëm për përkatësinë e tyre etnike nuk bie kurrë i qetë, nuk mund të prehet kurrë i qetë në qoftë se ne nuk nxjerrim në dritën e diellit të vërtetën e kësaj tragjedie të madhe kombëtare. Ndaj dhe zoti kryetar i grupit, ky komision duhet të ngrihet pranë parlamentit me kohën, mjetet dhe gjithçka në dispozicion. Unë e kuptoj që parlamenti nuk ka të gjitha instrumentet, por parlamenti mund të aktivizojë të gjitha potencialet e këtij vendi në mënyrë që ne të zbardhim një të vërtetë që fle në arkivat monstruoze të krimit kundër shqiptarëve. Ishte tronditëse ajo që deklaroi diktatori i fundit, nuk kam punë me të tha, e kanë kosovarët, ata e kanë bërë. Nuk morri mundimin as të shpreh keqardhje. Mbajti qëndrimin e kriminelit të pakorrigjueshëm para viktimës. Një njeri që ka filluar jetën e tij politike duke vrarë e duke spiunuar shokët e vetë, nga qarku i Beratit deri tek Llambi Ziçishti ë në Tiranë. Absolutisht, një njeri që ka mbijetuar vetëm duke nxjerrë në prita gjatë luftës shokët e tij dhe duke bërë çdo gjë për të eliminuar të tjerët. E dini ju që Llambi Ziçishti është ekzekutuar vetëm për një fjalë, sepse deklaroi kur pa kufomën e Mehmet Shehut, kjo vetëm vetëvrasje s’mund të jetë. Kaq iu desh që ta nxirrnin poli agjent, dhe të ekzekutonin një mjek, cili kishte patur gabimin fatal dhe fatkeqësinë që u bë ministër, por nga ana tjetër ishte njeri që i kishte shërbyer gjithë jetën të sëmurëve të këtij vendi, dhe nuk mund të bëhej pjesë e krimeve të shëmtuara, monstruoze të oborrit. Shkoi atje e gjeti si në gjumë, të krehur, të rregulluar, me gjyslyk, me të gjitha dhe tha kjo vetëm vetëvrasje s’mund të jetë kjo. Kaq u desh, dikush e dëgjoi dhe Ramiz Alia, i cili ishte i përzgjedhuri i diktatorit, dhe nuk ka qenë rastësisht, për të bërë çdo gjë që ai të shkonte në plumb.

Por, kthehem tek masakra e Tivarit, është në nderin e madh të këtij parlamenti të jap një kontribut të madh kombëtar në zbardhjen e kësaj të vërtete, në mënyrë që të mos ushtojë më në historinë tonë gjëma e shpirtrave të mijëra e mijëra djemve shqiptarë që u ekzekutuan vetëm sepse ishin gjak shqiptar, vetëm sepse i përkisnin kësaj etnie, këtij kombi. U morën nga shtëpitë e tyre në mbarë territoret që banoheshin nga shqiptarët jashtë Shqipërie dhe në përputhje me doktrinën e zhdukje të shqiptarëve u ekzekutuan. Askush nuk mund të fsheh këtë krim, askush nuk mund të mbulojë, ata që mendojnë se do të mund të fshehin dhe nuk do të thonë të vërtetën, ata dëshmojë vetëm se janë më të ligj, më kriminel sesa vrasësit dhe organizatorët e këtij gjenocidi të paprecedent në historinë tonë kombëtare.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora