E shtune, 15.03.2025, 05:33 AM (GMT)

Mendime

Shpëtim Idrizi: Pas përgjigjeve të ministrit Drutsas

E diele, 06.06.2010, 06:41 PM


Pas përgjigjeve të ministrit Drutsas

 

Nga Shpëtim Idrizi

 

Përgjigjet e fundit të Ministrit alternativ grek të Punëve të Jashtme, Drutsas , mbi inventarizimin e pronave të minoritetit grek, me financimin e Qeverisë greke dhe mbështetjen e OSBE-së, ishin tronditëse. Edhe përgjigja tjetër në lidhje me kënaqësinë e madhe greke, për regjistrimin e popullsisë së Shqipërisë me bazë etnike dhe fetare, gjithashtu ngjallte shumë dyshime.

Po e nis me çështjen e parë. Si ka mundësi që OSBE-ja përfshihet në projekte të tilla sekrete, të panjohura për publikun? Një agjenci greke lajmesh njoftonte se Drutsas bënte fjalë për pronat e minoritetit grek në bregdet. Ai i përgjigjej gjoja ankesave për problemet me pronat të minoritetit grek në zonën e bregdetit, pyetje të deputetëve të një partie nacionaliste greke si LAOS, një parti që kohët e fundit ka bërë interpelancë dhe për rolin e partisë sonë për Drejtësi dhe Unitet, PDU-së. Ajo që të bie në sy menjëherë është se për cilin minoritet bëhet fjalë. Unë nuk di, Shqipëria zyrtarisht nuk njeh ndonjë minoritet grek në bregdet. Kështu që më duket e çuditshme sesi zoti Drutsas flet për realitete që nuk pranohen zyrtarisht nga pala shqiptare. Ajo që më trondit gjithashtu është se në këtë projekt nuk bëhej fjalë për ndonjë rol të Qeverisë shqiptare, e cila në instancë të fundit ka adoptuar një kuadër ligjor që i ka trajtuar minoritarët si të gjithë shtetasit shqiptarë pa i diskriminuar, madje duke i shpërndarë atyre prona që nuk i takonin. Qeveria shqiptare duhet të na japë sqarime për rolin e vet në një iniciativë si kjo.

Duke kuptuar se kjo ishte çështje mjaft e ndjeshme për opinionin publik shqiptar, Prezenca e OSBE-së dha disa sqarime në lidhje me këtë projekt që, sipas saj, financohej vetëm 6% nga para greke, krahas financimit amerikan, çek, dhe se ky projekt mbështetej prej Bashkimit Europian. U dhanë dhe disa sqarime të tjera, si përshembull se projekti merrte përsipër inventarizimin e pronave në bregdet dhe dorëzimin e këtij inventari zyrave të kadastrave që pastaj do të detyroheshin të jepnin tituj pronësie. Po ashtu ky projekt do të merrej me tabelat emërtuese në zonat bregdetare, dhe të gjitha këto sqarime ishin të tilla që shtonin më shumë paqartësitë. Duke e bërë më të domosdoshme transparencën në një projekt të tillë. Për më shumë që Shqipëria është anëtare e OSBE-së, me të drejta të plota si gjithë anëtarët e tjerë të mëdhenj të saj. Ja pyetjet tona:

Cili është roli i palës greke? Financim i një pjese të caktuar të projektit, një pjesë që ka objektiva të caktuar, apo çfarë? Ta zemë, ai mbi vendosjen e tabelave emërtuese, një çështje për të cilën në Gjykatën e Vlorës ka një proces në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Bollano? Edhe sikur të mos jetë kjo fusha e angazhimit të parave greke, duket shqetësuese sesi Greqia në territorin tonë kërkon realizimin e objektivave siç është inventarizimi i pasurive të patundshme shqiptare dhe ne s’dimë asgjë, dhe për pasojë nuk reagojmë.

Një pyetje tjetër: për të cilën ne duam transparencë: si janë konsideruar zonat bregdetare të Shqipërisë? Zona minoritare, siç është pretendimi grek që i konsideron banorët e të gjithë këtyre qyteteve dhe fshatrave si grekë?

Dhe në fund: si është e mundur që OSBE-ja të marrë përsipër iniciativa të tilla në territorin tonë dhe pse për shembull nuk merr përsipër ta bëjë këtë në territorin grek, për pronat e shqiptarëve në veçanti të komunitetit çam, që u largua si pasojë e genocidit grek nga trojet e veta amtare? OSBE-ja duhet t’i trajtojë në mënyrë të njëjtë anëtarët e vet që janë me të drejta të barabarta.

Kjo iniciativë do të ketë reagim maksimal prej nesh dhe në ditët që pasojnë, opinioni publik do të shikojë se ç’do të bëjmë për të bllokuar iniciativa të tilla. Ne do t’i kërkojmë në fund të fundit dhe Qeverisë shqiptare të reagojë dhe të kërkojë reciprocitet ndaj iniciativave greke në lidhje me pronat. Që prej shumë kohësh çështja çame, çështja e pasurive shqiptare në Greqi, pa dallim, është hequr nga axhenda e bisedimeve diplomatike. Diçka që duhet të ndryshojë patjetër.

Ndërkohë Partia për Drejtësi dhe Unitet po punon së bashku me një studio prestigjioze britanike për zgjidhjen e çështjes çame në institucionet ndërkombëtare. Kjo zgjidhje ka shumë implikime: do të punohet për rikthimin në trojet e të parëve, shfajësimin ligjor të këtij komuniteti, si dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit të pasurive shqiptare në Greqi, ku pronat çame zënë një peshë të konsiderueshme. Unë bëj pjesë në delegacionin parlamentar të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe jam anëtar i një grupi të madh parlamentar europian si ALDE, grupi i liberalëve dhe demokratëve. Ne do të krijojmë dhe realizojmë iniciativa që do të kenë efekt të madh sensibilizues dhe do të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit çam. Sot Shqipëria nuk mund të nëpërkëmbet si dikur, askush s’duhet të mendojë këtë.

Edhe për çështjen e regjistrimit të popullsisë ne jemi vërtet të habitur sesi ministri i një vendi fqinj bën komente në lidhje me një proces për të cilin duhet të tregojë një lloj sensi mase, apo rezervimi. Ky paternalizëm i tij krijon dyshime mbi procesin, sakohë që regjistrimi më i fundit i vitit 2000, i financuar dhe nga vetë Qeveria greke, ishte plotësisht i rregullt dhe nuk ka arsye pse të bëhen dy regjistrime brenda një kohe kaq të shkurtër. Siç u bë e ditur dhe nga mediat, ministri alternativ i jashtëm grek, Drutsas, nuk pati asnjë problem që ta konsideronte këtë regjistrim si diçka që ata zyrtarisht e mbështesin dhe që është në interes të Greqisë. Ne nuk mund ta pranojmë një iniciativë të tillë, në kushte si këto që po kalon vendi, për më shumë na shqetëson paternalizmi grek në lidhje me këtë çështje. Do ta mirëkuptonim këtë paternalizëm, sikur pala greke t’i krijonte mundësinë të deklaronin përkatësinë e tyre etnike dhe 100 mijë çamët ortodoksë që popullojnë Greqinë, sipas studiuesit të njohur Nikos Stillos.

Ne do të kërkojmë interpelancë me zotin Pollo, për t’u informuar më shumë mbi këtë iniciativë dhe do të luftojmë vazhdimisht që asgjë në këtë vend të mos bëhet si pasojë e presioneve të fqinjëve, dhe nëse do të ketë presione të tilla, ne duhet të reagojmë mbështetur në parimin e reciprocitetit. Si mundet një vend që nuk pranon ekzistencën e minoriteteve fetare dhe etnike në vendin e vet, të kërkojë regjistrim me parametra të tilla në një vend tjetër?

Ja këto ishin një sërë argumentesh pse përgjigjet e fundit të zotit Drutsas ishin shqetësuese. Dhe se ne do të reagojmë ndaj tyre.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx