Mendime
Kriminaliteti i E. Hoxhës dhe R. Alisë në gjëmën e Tivarit
E premte, 04.06.2010, 09:59 PM
Nga Kostaq Xoxa
Për këtë temë, kryeministri ynë është i mendimit që të bëhet një hetuesi serioze nga Prokuroria për ta zbardhur tërësisht dhe në bazë të fakteve, që tashmë janë bërë të bollshme e të pakundërshtueshme, atë masakër që Jugosllavia e Titos, në bashkëveprim me forcat tona partizane, të frymëzuara nga Enveri dhe të zbatuara nga komisari i forcave tona të Veriut, Ramiz Alia, kishin kryer në Tivar. Për këtë masakër popullit tonë nuk iu dha asnjë njoftim. Në veprën e tij të argumentuar me dokumente arkivore dhe me referenca të shumta historike (“Kosova, në qëndrimet e Enver Hoxhës”) studiuesi Luan Dode citon M. Shatrin: “R. Alia, me porosi të E. Hoxhës, ka pasur mision organizimin e kësaj masakre” (f. 108).
Në pranverën e vitit 1945, Islam Kadesha që ishte shifrant pranë K.Q. të P. Komuniste Shqiptare, dëshmon: “Më erdhi një shifër nga komisari i Divizionit të Veriut, Ramiz Alia, nga Mali i Zi, në të cilën njoftonte tekstualisht: “Sot, herët në mëngjes, një turmë e madhe, disa mijëra shqiptarë të Kosovës, pasi u grumbulluan në mes të dy kodrave, në një luginë, u pushkatuan dhe u likuiduan të gjithë”. Pasi e deshifrova telegramin, e çova në zyrën e Koçi Xoxes. Atje ishte Enver Hoxha. I jap telegramin e deshifruar dhe u them se sapo ka ardhur ky njoftim. Isha tronditur së tepërmi dhe, duke mos e përmbajtur dot veten, shpreha edhe mendimet e mia. Enver Hoxha më tha më një ton të ashpër se këto janë probleme të Partisë dhe unë ta mbyllja gojën, se e paguaja me kokë. Për këtë ngjarje as që u bë ndonjë telegram për qëndrimin që do të mbahej. Pra, u hesht. Krim dhe turp më të madh s’mund të kishte. Më vonë, në ambiente të ngushta, u mor vesh për këtë masakër, por popullit nuk iu dha asnjë njoftim. Për këtë masakër unë nuk përjashtoj që Ramiz Alia, me porosi të Enver Hoxhës, ka pasur edhe organizimin e kësaj masakre “(A. Musta, M. Kokalari, “Kush ishte Enver Hoxha”, f.52-53).
Vonë, shumë vonë, u kujtua E. Hoxha të shkruante në Z.P, më 26 nëntor 1967: “Titoja dhe banda e tij kanë përgjegjësí për vrasjen e mijëra e mijëra të rinjve shqiptarë, në rrugën Prizren - Ulqin“ (në Tivar). Sa për kujtimet e Nexhmijes dhe të Ramizit, ato janë vetëm propagandistike dhe apologjetike. Nuk mund të nxjerrësh asnjë të vërtetë historike. Një vepër tjetër e R. Alisë, promovohet këto ditë. Ndër pasuesit e tij është edhe E. Rama, antikombëtarizmi i të cilit nuk është i vështirë të provohet.
Një libër i argumentuar për këtë krim, është ai i Azem Hajdinit (Xhani), me titullin “Masakra e Tivarit”. Shifrat janë të detajuara: “16 423 të rinj e burra shqiptarë nga Kosova dhe 5 594 nga Maqedonia, të ashtuquajtur ushtarë që “po dërgoheshin në front” udhëtuan, gjatë marsit e prillit të 1945-s, në gjashtë eshalone (njësi të rekrutuarish), të përbëra prej 1200 deri në 4700 vetash, të paarmatosur “për të qenë më të lirshëm nga mundimet e rrugës së gjatë”. Në udhëtim e sipër, ata u keqtrajtuan, u terrorizuan, u masakruan barbarisht dhe u eliminuan në masë prej “shoqëruesve” të armatosur jugosllavë. Prenk Gruda ka shkruar hollësisht dhe me kompetencë mbi këtë ngjarje tragjike. Dode shkruan se më 31 mars 1945, u masakruan me të gjitha format e mundshme barbare 4310 nga të mobilizuarit shqiptarë. “Në atë kasaphanë, organizimi i së cilës i ishte lënë Brgadës X Malazeze, morën pjesë shoqëruesit serbo-malazezë dhe, me një vullnet të çuditshëm, edhe popullsia vendase (sllave)” (Libër i cituar, f. 107).
Shkruam pak më sipër për çka thënë E.H. në vitin 1967, duke ia ngarkuar përgjegjësinë Titos. Por ç’kishte thënë në kohën e ujdive midis tyre, më kurriz të kombit shqiptar? Citojmë: “Te Mareshali i Jugosllavisë Tito, ne kemi një nga miqtë më të mirë dhe më të sinqertë. Jugosllavia është... një nga shtetet që mbron me mish e me shpirt çështjen tonë” (!). (Në raportin e Qeverisë, mbi veprimtarinë e K.Q. të PPSH-së, më 1945, f.33). Kjo pjesë është hequr nga ribotimi i Veprave, v. 3. Dëshmi e falsifikimit të historisë komuniste! Kuptohet se edhe Nexhmija me Ramizin, të tillë falsifikatorë janë, në Kujtimet e tyre. Ka arritur puna të kemi dy histori: Njërën të mjaltit, tjetrën të helmit. Në atë të parën Enveri e zhburrëroi aq shumë veten sa propozoi që skeptrin e Sekretarit të Përgjithshëm të K.Q. të P.K. shqiptare t’ia jepte peshqesh shokut Tito! Gjer në këtë nënshtrim tërësor ndaj armiqve shekullorë të kombit tonë, as Kuislingu s’kishte arritur!
Nuk është e vështirë, pra, që ky shitës i interesave shqiptare të paditet juridikisht jo vetëm për gjenocid, por edhe për tradhti kombëtare.
Shteti ynë demokratik do të shpëtonte njëherë e mirë nga kjo mendësi enveriste, që ka marrë revan, tashmë, nën kolaboracionizmin e Edvin Ramës. Edhe ky, si ati i tij shpirtëror, për fatkeqësinë e kombit tonë, na paraqitet, në një pamje të dyfishtë: njëherë si antikomunist i tërbuar, madje edhe si antienverist i thekur; pastaj, në aktin e dytë të tragjikomedisë, si komunist i apoteozave të diktaturës në Pezë dhe, madje, si enverist i flaktë! Në këtë akt të dytë të veprimtarisë së tij si “vizionar” - se si politikan e ka përjashtuar veten, - po bën çmos që të paraqesë, të gjithë përkushtimin e qeverisë, zi e më zi. Me vështrimin pseudovizionar të një nihilisti patologjik.
Por pika e takimit me atë personazhin e tij të atij aktit të parë, qëndron në sindromën e përbashkët: pushteti vetjak mbi gjithçka!