Mendime
Beqë Cufaj: Letër (ish?) shefit të SHIK-ut, Kadri Veselit
E marte, 01.06.2010, 09:50 PM
Letër (ish?) shefit të SHIK-ut, Kadri Veselit
Shkruan: Beqë Cufaj
I nderuar z. Veseli,
Në mbrëmjen e 17 shkurtit të vitit 2008, me ca miq, pa ditur që "De Rada" ishte rezervuar për ajkën partiake-shtetërore, e gjetëm veten në një ambient të elektrizuar njerëzish që kishin hequr kollaret dhe kërcenin e këndonin për Pavarësinë. Papritur më ulën në një tryezë me të njohur e (atëbotë) miq që ishin bërë ministra.... Pas ca dollive, këngëve, e ekzaltimit – pikërisht në atë tryezë erdhët ju... Fytyrat e (atëbotë)-miqve ministra morën nurin e vetëpërmbajtjes.
Vëmendja u kthye nga ju. Ishte një fat i madh ky që arrita të shkëputesha nga ajo tryezë dhe nga ai vend. Për t'u hedhur në ftohtësinë gëzuese të "përrallës dimërore" të Republikës së Kosovës, më 17 shkurt në rrugët e Prishtinës. Aty ku festonte populli.
Ju, Kadri Veseli, jeni njëri prej personave më të mitizuar dhe më të përfolur në dikur Kosovën nën Rezolutën 1244 dhe tash Republikën e Kosovës. Rrëfimet e tregimet, portretizimet e kontradiktat, thirrjet në emrin tuaj dhe (ish?) bashkëpunëtorëve tuaj, janë diçka që fillon në mejhanet e kryeqytetit dhe përfundon nëpër fshatra të thella të Kosovës a klube të natës në shtete të huaja. Mes shqiptarëve.
"Shërbimi Informativ i Kosovës", i njohur edhe si "SHIK", nga një pjesë e madhe e anëtarëve dhe përkrahësve të PDK-së është parë e shihet si nevojë a domosdoshmëri. Për shtresa të tjera të shqiptarëve, por edhe për oponentët politikë e deri te vdekatarët e zakonshëm, ju dhe organizata juaj jeni parë dhe shiheni si një kërcënim dhe instrument për shantazhim, torturim, vrasje, survejim...
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, ju, dolët në opinion dhe deklaruat "shpërbërjen e SHIK"-ut. Muaj më pas ra "rasti Bllaca" dhe ju bëri që edhe një herë të shfaqeshit në opinion, ku "Bllacën" e shpallët të çmendur. Por, edhe u munduat, e përsëris u munduat,
në studion e Baton Haxhiut që në kornizat e asaj që "puna e shërbimeve inteligjente nuk është aq transparente" – të jeni transparent. Dhe, të tregoni për krejt ato që keni bërë. Thënë shkurt: me një paraqitje 2-minutëshe dhe me një bisedë 2-orëshe menduat ta mbyllni kapitullin e së kaluarës. Ja që janë mendjet e ndritura të njerëzimit ato që na tregojnë se "e kaluara nuk ka vdekur; ajo bile as që ka kaluar" (William Faulkner).
Raporti i javës së kaluar i Komitetit Kombëtar për Politikë të Jashtme me seli në
Nju-Jork, thoshte se SHIK-u jo vetëm që funksionon, por ai në vit i mbledh rreth 200 milionë dollarë amerikanë. Nuk kam si të mos e mendoj këtu edhe rrëshqitjen tuaj publike për "thasët" me informata që SHIK-u kishte sjellë nga Beogradi në Prishtinë. T'i kenë hyrë ata thasë në punë - "pasardhësit" tuaj në AKI? Këtë vikend zgjedhjesh serbe në qytetin tuaj dhe tonin – në Mitrovicën e pushtuar nga paramilitarë e politikanë serbë?
Ju, Kadri Veseli, mund edhe të vazhdoni të "studioni" biznesin dhe ekonominë, porse ende ka shumë pyetje pa përgjigje. Sa është SHIK-u i involvuar në ekonominë e financat e Kosovës? Ku janë kuadrot tuaja të dikurshme – në ndërmarrje publike e agjenci shtetërore? Pse nuk është AKI funksionale? Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Hashim Thaçin? Kush është vartës i kujt? Dhe, çfarë bëni me krejt informatat që njerëzit tuaj po i mbledhin po për njerëzit tuaj – sidomos në krimin e organizuar dhe kriminalitet? J. Edgar Hoover, babai i Shërbimit të Informativ Federal Amerikan (FBI), një herë ka thënë që "në çastin që FBI fillon të bëjë rekomandime se çfarë të bëhet me informatat që posedon – atëherë FBI bëhet Gestapo!".
Prandaj: dorëzojani shtetit informatat që kishit dhe keni – dhe tërhiquni nga shteti paralel, nga shteti i nëntokës dhe i frikësimit. SHIK-u më pas, sa për neve, le të shndërrohet në shoqëri aksionare të PDK-së! /