Mendime
Dush Gashi: Cigarja shtrembër e heroit
E hene, 31.05.2010, 12:15 PM
Cigarja shtrembër e heroit
Nga Dush Gashi
E mban mend kush ende Olimpiadën e vitit të kaluar në
Nëse po, atëherë sigurisht se do t’u kujtohet amerikani Michael Phelps, ai notuesi me buzëqeshjen ende naive fëmijërore, por që energjinë e bollshme të trupit të tij prej balene e këmbente pa shumë mund me arin olimpik. I “praruar” edhe shumë herë të tjera më parë, në kampionatet e ndryshme të notit dhe në olimpiadën paraprake, ai këtë herë do t’i varë në kraharor edhe tetë medalje të tjera, duke ia kaluar për nga numri i medaljeve të arta të fituara në një olimpiadë të vetme vetëm pas gati pas dyzet vjetësh një bashkëvendësi të tij më të vjetër, Mark Spitzit legjendar, i cili në vitin 1972, në München, ka fituar vetëm një më pak.
E, këtë Mark Spitzin e kam dëgjuar teksa publikisht, nëpërmjet televizorit, ia mbante një leksion të edukatës morale këtij pasardhësit të tij të ri.
“Tash e tutje duhet të kesh shumë kujdes se si sillesh në publik”, i drejtohej cooler-it plakushi me tiparet e ruajtura djaloshare dhe qetësinë e një fqinji të urtë e shembullor, të cilin ke dëshirë t’ua tregosh fëmijëve.
“E tërë Amerika i ka sytë në ty dhe, po e zëmë, po ndodhi e vure një cigare shtrembër në cep të gojës, dije se, që nesër, gjysma e tinejxherëve amerikanë do të fillojnë të mbajnë po ashtu cigare në cep të gojës”, e këshillonte përafërsisht me këso fjalësh Spitz.
Më është kujtuar shumë herë më pas kjo këshillë, sidomos në rastet kur në Kosovë bëhen përpjekje shpesh të tepruara për tabuizimin e ngjarjeve e të protagonistëve të tyre nga e kaluara pak më e largët, apo më e afërt e jona. Në këso rastesh, një pyetje shtrohet vetvetiu: në qoftë se një sportist duhet të jetë kaq i vëmendshëm se çfarë shëmbëlltyre morale përcjell te të rinjtë, atëherë çfarë do të duhet të jetë sjellja e, po e zëmë, një luftëtari të luftës për liri?!
Natyrisht, nuk e kam ndërmend ta paragjykoj rastin e ministrit Limaj. Por, ajo që u dëgjua këto ditë nga një i ri në televizor, qoftë edhe si rast i vetmuar, është një dëshmi e mirë se sistemi i vlerave në Kosovë është përmbysur keq. Të kuptosh nga goja e një të riu - me gjasë rreth të njëzetave, moshë kjo e cila për nga natyra është më së paku konformiste - se për të është krejt normale që dikush që ka dhënë shumë për lirinë e vendit të ketë të drejtën edhe të vjedhë nga arka e shtetit, apo se të gjithë ministrat vjedhin dhe kushdo të ishte në vendin e tij do të vepronte njësoj, është një sinjal i keq se kësaj shoqërie, edhe në qoftë se brenda natës e krijon një sistem perfekt të drejtësisë, do t’i duhen edhe shumë vite për ta kthyer për së mbari moralin e saj.