Mendime
Mustafa Nano: Zululand
E enjte, 27.05.2010, 09:35 PM
PËRUNJËSIA BRITANIKE DHE NGREFOSJA SHQIPTARE
Nga Mustafa Nano
Në datën 25 maj, Kryeministri britanik publikoi një kod të ri të sjelljes së ministrave të kabinetit të vet, ku përcaktohej se ministrave, qysh nga momenti i publikimit të këtij kodi, nuk do t’u lejohej të kishin makinë e shofer në dispozicion. Në këtë mes do të ketë përjashtime për ata ministra, të cilët kanë probleme të verifikueshme sigurie, apo për ministra të tjerë, kur këtyre të fundit ua do puna të udhëtojnë me dosje, dokumente e shkresa zyrtare. Nevojat e tjera do të përmbushen nga parku i automjeteve qeveritare. Sikur të mos jetë mjaft kjo gjë, diku në kod shkruhej se, “sa herë është e mundur, ministrave u sugjerohet të përdorin transportin publik”.
Lidhur me sa më sipër, folën gazetat e gjysmës së botës. Ca panë te ky gjest vendosmërinë e qeverisë britanike për t’u marrë seriozisht me deficitin publik, e ca të tjerë panë te ky vendim të ashtuquajturin british style. Panë, me fjalë të tjera, një dëshmi të qeverisë së Madhërisë së Saj, se ajo e para (qeveria pra) di të vihet në respekt të atyre principeve të jetës publike, për të cilat flitej në të njëjtin kod, si integriteti, llogaridhënia përpara publikut e zyrave të kontrollit shtetëror, transparenca, ndershmëria etj. “Neve nuk duhet të na dalë nga mendja se nuk jemi padronë, por shërbëtorë”, përsëritej në kod një frazë, të cilën David Cameron e
Disa nene të atij kodi është mirë të merren, të shkruhen e të varen në muret e të gjitha zyrave e korridoreve të pallateve të politikës shqiptare. Fjala vjen, neni që thotë se “ministrat, që janë në të njëjtën kohë edhe deputetë, duhet të ndajnë rolin si ministër, nga roli si përfaqësues i një zone elektorale”. Ose neni tjetër, që thotë se “ministrave nuk u lejohet të përdorin burimet e mjetet qeveritare për qëllime politike”. Ose një nen i tretë, që thotë se “pronat qeveritare nuk mund të përdoren për veprimtari elektorale ose partiake”. E kështu me radhë.
E di, të përcaktosh standarde të tilla etiko-morale për politikën shqiptare, është si të tallesh me veten. Ministrat e qeveritarët tanë, me “të pushtuar zyrat”, sillen si të jenë në mallin e babait të vet. Madje, sikur të mos u mjaftojë fakti që janë të papenguar të ushtrojnë pushtet në mënyrë arbitrare, kanë tahmanë e uzurpimit të ngrehinës shtetërore. Dhe të hapësirës publike, gjithashtu. Mund të përfytyrohet George Osborne të shkojë në punë i vetëm mbi biçikletë, apo hipur në një nga vagonët e trenave underground, por ca ministrave tanë – atyre më rrugaçëve, kuptohet – u duket jeta, politika e pushteti pa kuptim, nëse nuk shoqërohen nga shtëpia në punë, dhe anasjelltas, me eskorta të zhurmshme e të motorizuara. Dhe është ky soj rrugaçësh të ulur në kolltukë ministrash, që na bëjnë të shqyejmë sytë prej kodit ministerial britanik; e ta konsiderojmë këtë kod një stekë të vendosur shumë lart për këllqet tona etiko-morale.