E enjte, 24.07.2025, 08:58 PM (GMT+1)

Mendime

Agim Isaku: Lufta e papërfunduar dhe ajo ende e pafilluar?

E merkure, 26.05.2010, 09:49 PM


Lufta e papërfunduar dhe ajo ende e pafilluar?

 

Nga Agim Isaku

 

Kaloi thuajse pa jehonë, ashtu si shumë e shumë gjëra të vyera, një shkrim analitik i mikut tim Arbër Xhaferri botuar në disa të përditshme shqiptare. Ai titullohej: “Lufta e papërfunduar”. Shqetësimi kryesor i këtij shkrimi kishte lindur nga një lloj ofensive “propagandistike” që mund të vihet re posaçërisht në media të ndryshme europiane (në të vërtetë një cikël dokumentarësh të emetuar në RAITRE, titulluar pikërisht “Lufta e papërfunduar”, ku jo vetëm realiteti kosovar, pra ai jetës së përditshme atje, por edhe lufta për çlirimin e Kosovës pasqyrohen nën një dritë të shtirë). Besoj se jo pa logjikë dhe jo pa informacion Arbëri ngre një sërë problemesh, që nga nënvizimi i spikatjes së cilësive autokritike të shqiptarëve, e deri te pretendimi se makina serbe e propagandës është në aktivitet të plotë, ndërkohë që ndër shqiptarë kjo makinë nuk është ndërtuar ende, pasi shkatërruam atë të kohës së komunizmit. Me këtë rast, bash në mbyllje të shkrimit, pasi ka shtjelluar gjerësisht tezat e veta, Arbëri gjen rastin të nënvizojë se kjo situatë në mes tonë është alarmante.

Nuk është e vështirë të kuptohet se vala e vetëkriticizmit që i ka përfshirë këto dy dekadat e fundit shqiptarët kudo që ata jetojnë, kontraston ndjeshëm me sjelljen e fqinjëve tanë, të cilët me apo pa vend nuk lënë rast pa evokuar “lavditë” çudibërëse që kanë përmbushur nëpër kohëra kombet e tyre. Po ashtu, nuk është aspak e vështirë që të kuptohet se pas këtij aktiviteti “të pafajshëm” të lobeve apo segmenteve të ndryshme të atyre shoqërive qëndrojnë interesa konkrete, pra jo vetëm historike apo jo thjesht nostalgjira dhe recidiva të kohërave të perënduara, prapa tyre qëndrojnë doktrina shovene, për të cilat shumëkush pat menduar mendjelehtësish se ishin arkivuar dhe mbuluar me pluhurin e harresës. Në dukje të parë veprimtaria e këtij lloji, (më së shumti e justifikuar naivisht nga teori të së drejtës e të lirive që u fituan vetëm pas rënies së diktaturës), është “e pakuptueshme” dhe kontraston në realitetet dhe proceset integruese, në të cilat është përfshirë seriozisht rajoni. Pyetja që lind është: ç’rëndësi ka lavdia e së shkuarës në një botë globale e pa kufij, në një botë që do të ketë në themel liritë e njeriut, domethënë të individit? Me ç’duket e vërteta është disi më e ndryshme nga idealizimi i skajshëm që i bëjmë të lodhur nga izolimi dhe varfëria: në këtë realitet, ku po avitemi, secili vjen me fytyrën e vet, me këngët dhe copat e historisë që ka prodhuar vetë. Pra hyn ose kokëlart, ose kokulur, ose si një qenie normale, pra si një njësi, e cila ka, sikundër lipset, “të mirat” e “të këqijat e veta”; pra të mira e të këqija që japin e marrin me njëra-tjetrën, duke dhënë në këtë bashkëjetesë edhe profilin e individit, komunitetit, grupimit apo edhe vetë kombit.

Në historinë e turbulluar të kombit tonë ka pasur oscilacione, ulje-ngritje thuajse të pabesueshme e mbase të pakrahasueshme qoftë edhe me kombet e tjera të rajonit, të asaj bashkësie që përbën Ballkanin, apo Europën Juglindore sikundër pretendojnë ata që dëshirojnë ta ndajnë këtë rajon nga pezhorativiteti i emërtesës Ballkan. Pa hyrë në detaje të lodhshme e shpesh të keqpërdorura të historisë, mjafton të kujtojmë se i ashtuquajturi nacionalkomunizëm i kultivuar me këmbëngulje gjatë regjimit të Enver Hoxhës, duke qenë thjesht propagandë, pra i pashoqëruar me një zhvillim normal të vendit, u bë posaçërisht kontraproduktiv me hapjen e kufijve, kur shqiptarët prekën të vërtetën e varfërisë së tyre, një varfëri e pakrahasueshme edhe me fqinjët, të cilët në vetvete ishin më të varfrit e rajonit. Kështu, përveç sa shpjegon Arbëri, ishte prekja e këtij realiteti që e akseleroi vetëkriticizmin ndër shqiptarë. Një vetëkriticizëm shpeshherë vrastar, shpresëshuarës… Jo në pak raste, më së shpeshti produkt i një instinkti vetëmbrojtës përballë një realiteti të pakonkurrueshëm, u evokuan me një dritë aspak realiste evente apo institucione aspak produktive dhe që shkonin kundër rrjedhave integruese, si p.sh.: dallimet fetare, gjuhësore (dialektore), nacionalizmi folklorik i shpërndarë shpesh në tekste letrare apo historike të pavlera, harta të paqena e deri te fenomene si gjakmarrja, kanuni etj., etj.

Kështu cilësia, e cila mund karakterizojë këtë periudhë është (me ç’duket) disekuilibri, një disekuilibrim që përthyhet në një sërë bashkëjetesash të çuditshme. Kësisoj u rreshtuan krah për krah ndjenja e vetëposhtërimit me një krenari boshe nacionale; antikomunizmi me anarkinë, konceptet demokratike me ato fashiste, e kështu me radhë… Realitet demokratik? Ndoshta edhe mund të konsiderohej si i tillë, nëse këto dukuri kaq të kundërta të mos vëreheshin brendapërbrenda të njëjtave autoritete, institucione apo grupime.

Nëse do të përpiqeshim të gjenim shkaqet, besoj se ato janë të shumta, por patjetër që njëri prej tyre do të ishte keqkuptimi, më së shpeshti produkt i mosnjohjes, në lidhje me realitetin europian, i cili vështrohet nga ne si i idealizuar. E, në rastin e dytë, si për të vërtetuar sa më sipër thashë, i nxirosur po aq padrejtësisht.

Gjithsesi, nëse u rikthehesh tezave bazë të shkrimit të Arbërit nuk ke se si të mos e ndiesh nevojën e një thirrjeje për normalitet. Personalisht nuk besoj se ngritja e një makinerie propagandistike në mbrojtje të vlerave të reja apo të moçme do të ishte zgjidhja dhe mënyra e tejkalimit të situatës, e cila realisht është thuajse absurde. Ja ç’nënvizon, edhe pse mbase me një emocion të lartë, Arbëri: “Orteku i kritikave sa vjen e zgjerohet, i pushton të gjitha segmentet e shoqërisë, duke rrënuar çdo autoritet, historik, kulturor, politik, kombëtar. Një popull që e humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodh me shqiptarët, e vë në dyshim qenien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me adhurimin e tjetrit. Albanofobia manifestohet si grekofili, italofili, turkofili, sllavofili etj. Askush nuk di fundin e këtij procesi”.

Pra është e kuptueshme që ky proces duhet të ndërpritet dhe një periudhë normaliteti duhet të fillojë ndër shqiptarët.

Së pari, lipset të fillojë normaliteti i ndjenjës kombëtare kur as kosovarët (nënkupto shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi, të diasporave apo qofshin edhe emigrantët) të mos e paragjykojnë veten si superiorë, as shqiptarët që kanë preferuar të jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë të mos e konsiderojnë më veten si qendra e botës, duke dëshmuar jo rrallë ose një paternalizëm bezdisës, ose një mospërfillje shqetësuese. Kështu kjo ndjenjë normaliteti ka nevojë së pari për më shumë dialog e debat. (Mbase ky shkrim i Arbërit mund të përbënte një shtysë.) Sigurisht ka nevojë edhe për masa të dukshme administrative e përgjegjësi të qeveritarëve. Një përgjegjësi serioze, aspak spekulative e abuzive, sikundër vihet re rëndom dhe që i shërben marrjes së pushtetit apo abuzimit me të.

Së dyti, do të ishte një përfshirje serioze në një lloj “inventari” apo “auditimi” në lidhje me ç’kemi bërë, si e kemi bërë dhe si duhet ta bëjmë, me qëllim përafrimin e jetës sonë me atë euroatlantike. Ky auditim lipset të rrokë gjithçka: nga cilësia e shkollave tek ajo e tullave; nga kualiteti i rrugëve te familja; nga cilësia e institucioneve dhe efikasiteti i tyre te vreshtaria; nga punësimi te mënyra e të ngrënit. Pjesë e pandarë e këtij “auditimi” do të ishte edhe raportimi te vetvetja në lidhje me marrëdhëniet tona me Europën e Bashkuar (por edhe me fqinjët, sigurisht). Një raportim i vështirë dhe i pamëshirshëm që duhej të rrokte pyetjen: ç’i ofrojmë ne dhe ç’na ofron Europa.

Atëherë ne do të zbulonim se edhe për gjetjen e trupave të peshkatarëve në Liqenin e Shkodrës na duhet që të thërrasim palombarë nga Mali i Zi. Do të zbulonim se si politikanët tanë “nacionalistë” jo rrallë janë përfshirë në procese të një korrupsioni mahnitës, se për një marrëveshje, apo për shuarjen e një mosmarrëveshjeje si kjo që po ndodh së fundmi në Tiranë, u shkul i madh e i vogël nga qendrat e Europës që të …ulte Berishën me Ramën (dy shqiptarë këta të fundit??!!); do të zbulonim se po ai militant, i cili rri më shumë se dy javë pa bukë nën thirrjen e Ramës, që bën një jetë jo aq të rregullt familjare, vret kunatën vetëm sepse e ka parë që fliste me shitësin e lagjes; do të zbulonim se ka politikanë shqiptarë që ndihen “krenarë” që janë pjesë e listës së zezë të SHBA-së dhe se do të vazhdonin të ishin krenarë që janë pjesë e këtyre listave sa kohë “punonin” për “kombin”…

Dhe do të zbulonim se jo rrallë pjesë e rëndësishme e karakterit “bizantin” të shumëkujt prej nesh (tek përfaqësuesit tanë politikë posaçërisht), është mishëruar në thënien sarkastike shkodrane: “Marifeti europian, salltaneti Ali Osman”…

E, atëherë, për një lojë fjalësh (që të shkruarit e ka kaq për zemër), në vijim të shqetësimit të Arbërit për “Luftën e pandërprerë”, me ç’duket ka ardhur koha të shtrojmë si emergjencë nevojën e fillimit të “luftës” mes nesh. Të luftës për dinjitet kombëtar, dinjitet që pa e anashkaluar atë ç’ka shtron Arbër Xhaferri në shkrimin e tij të sipërpërmendur, synon të na sjellë në një realitet normaliteti në marrëdhënien me Europën e bashkuar…

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx