Mendime
BDSH: Zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, Gruevki e sheh në asgjësimin e tyre gradual!
E diele, 23.05.2010, 07:36 PM
Zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, Gruevki e sheh në asgjësimin e tyre gradual!
Rregullimi i statusit të ish ushtarëve të ish UÇK-së, të kësaj kategorie atdhetarësh që sakrifikuan veten në interes të aspiratave kombëtare apo që rastësisht janë ende midis nesh edhe pas 9 vitesh të përfundimit të luftës së vitit 2001, karakterizohet me qëndrime dhe veprime konstante.
Nga njëra anë, partitë politike shqiptare e riaktualizojnë këtë teme gjatë fushatave elektorale dhe sidomos gjatë krizave politike në vend, ndërsa institucionet shtetërore të Shkupit realizojnë asgjësimin gradual të kësaj kategorie të shenjtë për shqiptarët.
Për 9 vite rresht me qindra ish ushtarë të ish UÇK-së u vranë në rrethana misterioze, me qindra të tjerë u dënuan në procese të montuara politike, nga të cilët shumë prej tyre me burg të përjetshëm.
Vetëm në katër muajt a parë të vitit 2010, katër ish ushtarë të ish UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe njëri nga themeluesit e vetë asaj, z. Harun Aliu, u ekzekutuan nga regjimi terrorist i Nikolla Gruevskit, 7 ish ushtarë të UÇK-së u dënuan me burg të përjetshëm, me dhjetëra të tjerë u arrestuan dhe me qindra u detyruan të braktisin vendin.
Përmes përpjekjeve për të asgjësuar kategorinë më vitale të shqiptarëve, politika konstante antishqiptare e regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit synon të shkulë nga zemrat tona idenë liridashëse.
Terrori shtetëror që u aplikua dje ndaj shqiptarëve të fshatit Gërçec dhe arrestimi i ish ushtarëve të ish UÇK-së është edhe një agresion terrorist i këtij regjimi.
Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon terrorizmin shtetëror të Maqedonisë dhe shpreh indinjatën e vet të thellë ndaj indiferencës së përfaqësuesve të institucioneve demokratike perëndimore në Shkup. Heshtja përball këtij terrori shtetëror inkurajon qarqet antishqiptare dhe luftënxitëse të Shkupit.
Bashkimi Demokratik Shqiptar shpreh indinjatë të thellë ndaj forcave politike shqiptare që edhe përballë kësaj tragjedie nuk mund të gjejnë një konsensus minimal për ta ndalur këtë agresion të regjimit terrorist të Nikolla Gruevskit.
Ne ripërsërisim domosdoshmërinë e lënies së inateve personale dhe shtrirjen e dorës së pajtimit. Në të kundërtën me vetëdije të plotë kontribuojmë në vazhdimin e agonisë kombëtare.
Bashkimi Demokratik Shqiptar
Bardhyl Mahmuti
21 maj, 2010