Mendime
Kalosh Çeliku: Shtet i ‘’mençur’’
E merkure, 19.05.2010, 09:59 PM
SHTET I “MENÇUR”
Nga KALOSH ÇELIKU
Edhe pse, gati të gjithë shqiptarëve na ka dhënë rroga, po nuk na ka dhënë punë, është Shtet i “mençur”. Tekefundit, na ka marrë në gji si “nëna” fëmijën, pa dallim feje e kombësie (???!!!...) Edhe na ka lidhur në djep. Ninulla na ka kënduar mbi kokë: flej biro se të ban mirë gjumi, do të të baj Njerka plak katundi. Pesëdhjetë vjet me radhë na ka përkund nën hije të mollës. Edhe sot, gjatë ndryshimeve “demokratike” na përkund po me të njëjtën ninullë të “vëllazërim-bashkimit nën çati të Qeverisë. Ndonjëherë, kur qajmë ose bëjmë ndonjë bela na e fut edhe ndonjë shpullë bythëve. Dihet, nuk na dhemb shumë se, është shuplakë e Njerkës. E di edhe atë se: qumështi i Njerkës është haram, nuk të bën burrë, nuk të bën shtëpi. Megjithatë, është i nevojshëm për jetën e përditshme të fëmijëve. E shqiptarët, vazhdojnë ta pinë këtë qumësht: në Qeveri, Parlament, institucione të Shtetit, mjetet e informacionit... Dhe, kurrë nuk e pyesin veten, pse Njerka ua jep gjithë këtë qumësht me kusi pa punë dhe djersë fare.
U thotë: ja, vende pune. Merrni rroga, dhe rrini në shtëpi!
Edhe një pyetje: vërtetë kemi fabrika të diplomave, po ne nuk kemi shkencëtarë me famë, shkrimtarë të mëdhenj, shtëpi botuese të librave. Nuk prish punë. Edhe këto do t’ua pjellë partia. Shembull më të freskët e keni Lidhjen e Botuesve Shqiptar në Maqedoni dhe karvanin e improvizuar të librit nëpër disa qytete sa për sy e faqe. Fundekrye formalitet kulturor. Mirë, po ata nuk janë botuesë: dy-tri shtypshkronja, një autoshkollë dhe hajdutë të librit që shesin botimet e shtëpive tjera botuese. Pse, këta të Shoqatës tjetër paralele janë botuesë?! Mos u mërzitni, edhe këta do t’i bëjë botuesë të “mëdhenj” një ditë Partia! Ama, këta janë debila kulturorë?! Punemadhe. Nesër, po të doj Nëna Parti mund t’i bëj edhe shkrimtarë. Edhe, mos e hidhëroni Nënën Parti se, për inatë i bënë edhe politikanë: ministra, deputetë, ambasadorë, zëvendësdrejtorë…
Mirë, ta zëmë se më në fund më bindët me fjalë. Po, kush është ky bërllok patriot shqiptar?! Çka ka bërë në jetë për së gjalli?! Jo, nuk ka bërë asgjë. E, a e njeh nëna vet këtë bërllok shqiptar? Tekefundit, duhet ta njoh Katundi? Jo, nuk e njeh edhe ku rri me shtëpi. Atëherë, kur pritni të bëj ky bërllok shqiptar diçka për Atdheun, pasi të vdesë nga varret?! Jo, shqiptarëve nuk u duhen “patritotët” e këtij soji, i hudhni në koshat e plehërave në Bit-Pazar!
Momenti i rastit, ma kujtoi edhe një ngjarje shumë interesante. Një ditë duheshte të dorëzoj në ministri një kërkesë për realizimin e një manifstimi kulturor tradicional ndërkombëtar. E hapa derën e Arhivës dhe u befasova për të mirë: përveç grave të zakonshme që punonin rregullisht në këtë zyrë, e zateka edhe një djalosh të pashëm. Aty për aty mu kujtua: Partia që këto ditë erdhi në pushtet, me siguri thash me vete ua ka dërguar këtë “përforcim” profesional. I hodha një shikim djaloshit, nga këmbët te koka: u binda se është edhe shqiptar. Edhe ky me siguri, thash me vete është punësuar me Marrëveshjen kornizë të Ohrit. Djaloshi, të mos e marr mësysh, plaste nga shëndeti. Duart e zhvilluara i kishte hedhur mbi tavolinë dhe pinte kafe. E mora me mend, ku ta dish këto duar të fuqishme me sëpatë sa dru kanë prerë në mal për dimër. Qind për qind isha i bindur se djaloshi, përpara se ta sillte partia në këtë ministri kishte përvojë pune si druvar. Nuk e lunate as topi këtë konstantim. Shkaku se, një kohë të gjatë kisha punuar nëpër fshatrat e malësisë së Shkupit si mësues. Vendosa pak edhe t’i ngacmoj gratë: Tashti, siç duket u është paksuar dukshëm puna. Partia u paska dërguar edhe “përforcim kuadri deficitar”. Gratë, i pashë në fytyrë se desh plasën nga inati. Aty për aty, mu përgjigjën: Nuk e kemi atë gajle, jo që nuk di ta hapi as kompjuterin, po gjithë ditën nuk prek punë me dorë. Ndashtë. Vetëmse, nuk durohet kjo dukuri e përditshme terrorizuese në punë: kur bëjmë kafe për vete, duhet t’i bëjmë kafe edhe këtij punëtori “deficitar”, që na e dërgoi dhuratë partia e kualicionit qeveritar në pushtet.
E, ec e mos i duaj tashti “vëllezërit” e Njerkës, që punojnë natë e ditë për ne shqiptarët. Na japin rroga, e ne rrimë në shtëpi. Ose, nëpër çajtore. Jo, i duam, si nuk i duam “vëllezërit” e Njerkës. Kush e thotë këtë budallaki të shekullit?! Kush është ai bir nëne që do të na përçajë me “vëllazërit”, tashti t’i urrejmë kur duam të shkojmë së bashku edhe në Bashkimin Evropian”?! Askund në botë nuk ka si “vëllazërit” tanë, ata punojnë e ne marrim rroga dhe rrimë në shtëpi. E kemi shtruar nën hije me dasma e çaj rusi si në kohën e Turqisë. Prandaj, mos u mundoni të na përqani me “vëllezërit” e Njerkës! Ne i duam “vëllazërit” tanë që na i polli Njerka! Dhe, do t’i duam gjithë jetën! Vëllaçko, ku ke parë ti të marrësh rrogë dhe të rrish në shtëpi?! Organizosh panaire e karvane të improvizuar të librit me para të shtetit me të vetmin qëllim: të mos shesish libra në gjuhën shqipe. “Vëllezërit” për ty të punojnë natë e ditë. Askund. Prandaj, edhe e duam këtë Shtet “demokratik”. Nuk e ndërrojmë me asnjë shtet tjetër në botë. Thyeni qafën rrufjanë, ne e duam këtë Shtet! Edhe “vëllazërit” e Njerkës, kot përpiqeni të na përçani, ndani me kufinj të rinj politik: “vëllai me vëlla”.
Një ditë, edhe me siguri do t’ju kujtohet qumështi i Njerkës, po jo edhe kulloshtra. Petullat me kos. Tashti, do të jetë vonë, qumështi u ka rritë viça të palëpi. Harami ua ka trashë qafat për thikë. Edhe do të përpiqeni të ikni në Lëmë, matanë gardhit. Përsëri, shumë vonë, kasapi me duart e përvjeluara deri në bërryla më u ka zënë për veshësh në fund të kopshtit, e ka nxjerrë thikën e kasapit, ua ka vënë në fyt: pëllitni për ndihmë!
Eh, viçat e mi të palëpi, që posa e shihni thikën e kasapit, vetë i zgjasni qafat. I zgurgulloni sytë. Lëkurën, kur ua rjepin për opinga. E mishin ua fusin nëpër konzerva, Vetëshërbime te Shtëpia e Mallrave, në Bit – Pazar.
Taxhia e “vëllezërve” me një torbë përqafe në grazhdin e Qeverisë, shumë vonë ua kujtoi atë thënien popullore: vetë vjen cjapi te kasapi…
Shtet i “mençur”, ë?! Hi-hii-hiii…