Mendime
Lebit Murtishi: Opozitë me popullin do të thotë, opozitë me veten
E merkure, 19.05.2010, 09:58 PM
Opozitë me popullin do të thotë, opozitë me veten
Nga Lebit Murtishi
Në këto kohë të pakohëta, kur sërish bien këmbana krizash e luftërash, kur përshëndeten vrasje serike, përkrahet krimi e mohoet jeta, pa pretenduar të ndaj lekcione, konstatoj me shqetësimin më të thellë, se jo vetëm që nuk kemi përfaqësues të denjë që do t`u përgjigjeshin në mënyrë meritore situatave që po krijohen, por nuk kemi as opozitë politike që së paku të thotë një mendim të ndryshëm në mos të kundërt me oponentët e tyre.
Përkundrazi, kur janë në pyetje çështjet kruciale të kombit, për ironi të fatit, nuk kemi zëra që kundërshtojnë qëndrimet e pozitës, nuk kemi pozitë-opozitë, të gjithë mbështesin pa asnjë rezervë urdhërat apo këshillat që u dërgohen përmes fakseve nga jashtë.
Veç kur u preken interesat e ngushta, interesat e tenderëve dhe të shitblerjes së pasurisë kombëtare, i sheh tek grinden, shahen e fyhen pa përfillur kod e moral. Vetëm atëherë kemi opozitë, madje të fortë.
Ja, përshembull ngjarjet në shtetin amë se ç`na thonë: pozitë-opozitë, bashkërisht, për interesa tepër banale, po e shtyejnë vendin drejt një krize me pasoja shumë të rezikshme (për t`mos thënë drejtë ngjarjeve të kobshme të nëntëdhjetë e shtatës). Në „maqedoni“ pritet „këshilli i pajtimit“ Godo-Demaçi, për të bashkuar aliun e thaçin, pa llogaritur atë thënien brilante se „bashkimi i zullumqarëve shton zullumin edhe më shumë“.
Në Kosovë zinxhiri i skandaleve s`ka të ndalur: rasti bllaca, Albin Kurti, rasti limaj etj. etj. prandaj, askush s`gjen kohë për Mitrovicën, askush s`gjen kohë për Kosovën Lindore, për malësinë e madhe, çamërinë, Iliridën etj. etj… Për më tepër, bajrami i Mitrovicës, ne vend që të mirret me detyrat e shtëpisë, vajti gjer në shkup për të mallkuar dëshmorët e kombit përpara padronës së tij të frustruar. Ironi apo jo!
Nuk e di se çfarë emra kanë për bajramin ata që djegin kosovën sa herë që u teket. Por, meqenëse në Kosovë nuk paska vend për kriminelë si katër shqiptarët e vrarë përpara pak ditësh, atëherë, bashkëvendasit serbë të bajramit që se njofin as Zotin për Zot në Kosovë, duhet të quhen engjuj! Eh, bajram, bajram…
Për fat të keq a të mirë, opozitë e vetme në këto kohë kopile mbetet populli me hallet e tij. Meqenëse kohët janë të rënda, duhet të mirren edhe vendime të rënda. Opozita-popull duhet të pyes vetveten: a ishte pavarësia e Kosovës realizim i ëndrrave historike të tij, apo ishte një fillim i pakthimtë drejtë Bashkimit Kombëtar!.. jo rallë ndodh që të ngatrrojmë emocionet e bukura me parime thelbësore të një problemi. Emocioni-Kosovë i takon një periudhe të veçantë historike, ndërsa Kosova-shtet duhet të jet më parësore. Por, jo shtet siç e ëndërrojnë „pronarët“ e saj, por shtet i bashkuar, bashkë me pjesët tjera të ndara në gjirin e Shqipërisë. Në të kundërtën, jo vetëm Kosova e zvogluar që po ndahet, por ndarjet e coptimet mund të arrijnë gjer në Shqipëri (nuk do të ndalem në planet grkomëdha).
Të mos harojmë se Kosova nuk lindi si dëshirë e mirë e shqiptarëve, ajo u grabit nga duart e shqipëtarëve dhe u shndërua në një produkt interesash gjeostrategjike e gjeopolitike të fuqive të mëdha. Ndiqet mirëfilli, se asnjëra nga fuqitë e vendosjes nuk është organizatë humanitare. Pra, as në rastin e Kosovës nuk duhet të ken bërë ndonji përjashtim. Pa hyrë në hollësitë e mëtejme të problemit, do kthehem tek ndërtimi i brendshëm i Kosovës. Jo vetëm statusi „sui generis“ ku barazohen dy entitete, njëri me 4-5 përqind të popullatës dhe përherë zjarrdhënës, dhe tjetri mbi 90 përqind të popullatës dhe përherë i viktimizuar për hirë të një paqeje të improvizuar. Siç duket, nuk është pavarësia e Kosovës „sui generis“ dhe as ka pse të jet e tillë, por është regullimi i saj i brendshëm „sui generis“. Dhe pikërisht për shkak të këtij statusi tepër të priviligjuar që kanë serbët në Kosovë, Kosova kurë nuk do të mund të funsionojë si shtet i lirë.
Miqëve ndërkombëtar duhet t`u thuhet, se shqiptarët nuk do mbeten rroje të përjetshme të paqeve të paqena në ballkan, dhe e dyta, duhet ta dijnë shkaktarët e krizave, një ditë do të përballen me pasojat e tyre.
Lebit Murtishi
18. 05. 2010
Bern