E merkure, 30.04.2025, 03:39 PM (GMT+1)

Mendime

Uk Lushi: Koha e kthesës dhe ndryshimeve

E marte, 18.05.2010, 09:45 PM


Koha e kthesës dhe ndryshimeve

 

Nga Uk Lushi

 

“Ju e dini që unë dhe Amerika ndiejmë mirëdashje për ju. Ne e dimë që jeni popull, i cili i do të mirën Amerikës. Besoj e kemi dëshmuar, që edhe ne ju dëshirojmë gjithë të mirat. Keni vuajtur shumë dhe jeni një komb i pashoq sa i përket mbijetesës, porse në shekullin e XXI-të duhet të shpërqëndroheni nga e kaluara dhe të përqëndroni vëmendjen në përparim dhe ndërtimin e institucioneve të forta të drejtësisë, legjislativit dhe ekzekutivit. Miku mikut duhet t’i flasë hapur: ne- amerikanët, përfshirë administratën e Presidentit Obama, kemi filluar të shqetësohemi. Lajmet e fundit që vijnë nga mjediset shqiptare në Ballkan nuk janë të mira. Miqtë tuaj amerikanë dhe evropianë mund t’ju ofrojnë ndihmë, mirëpo për punët e shtëpive tuaja duhet të mirreni vesh me njëri-tjetrin dhe t’i kryeni vetë. Na ndihmoni t’ju ndihmojmë!”-  më tha para dy ditësh një mik imi dhe i shqiptarëve, ish-diplomat amerikan dhe njohës i Ballkanit, në një takim në New York City.

Ishim pajtuar të shiheshim para dy muajsh, kur ai do të vinte në New York nga Washington D.C., ku jeton dhe vepron. Kishim qenë me shpresë që do të bisedonim për ngjarje të mira si p.sh. vazhdimi i “Rrugës së Kombit” në anën e Kosovës. Por, për më se dy orë, na u desht të diskutonim për bastisjen e EULEX-it në Ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit në Prishtinë; grevën politike të urisë së mbi 200 shqiptarëve në Tiranë; shkërmitjet me armë në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë dhe demonstratën e shqiptarëve në Shkup; si dhe për viziten e paradoditshme të një dërgate të shqiptaro-amerikanëve në Kongresin dhe Departamentin e Shtetit të SHBA-së, ku u shpalua kërkesa për statusin e Komunës për Tuzin.

Provova tri-katër justifikime për t’i shpjeguar mikut amerikan situatën ku kemi rënë të gjithë shqiptarët këtë maj të vitit 2010. Megjithatë, i pabindur edhe vetë që gjendja ku jemi katandisur mund të arsyetohet, mu desh t’ja pranoja, që, në fund të fundit, nuk kishim kë të fajësonim më shumë se vetë shqiptarët. Ia thashë haptas: “Fajtorët për gjendjen e nderë janë disa udhëheqës tonë batakqinjë dhe diletantë, të cilët vite e vite me radhë kujdesen ekskluzivisht për pozitat e tyre politike dhe vazhdojnë të mbajnë frerët dhe nyjet kyçe të fuqisë politiko- ekonomike nën kontroll për interesa personale dhe klanore.”

Në vende normale ligji qëndron mbi të gjithë dhe asnjë udhëheqës apo qeveritar nuk do të guxonte as të mendonte t’i manipulojë, t’i vjedhë konstituentët e vet apo, ruana Zot,  të dalë si pengesë në rrugën e sovranit drejt paqes sociale dhe begatisë. Fatkeqësisht, në vendet tona, shumë funksionarë bëjnë të zezat e të zezave, shkelin ligjin dhe përdhosin të drejtat e atyre që i përfaqësojnë me të dy këmbët. Dhe, edhe pse na ka ardhur në maje të hundës, ne i lejojmë bixhozxhinjtë e politikës dhe biznesit të nëntokës të kalërojnë nëpër të drejtat dhe interesat publike si të ishin prona të tyre. Ç’është edhe më keq, një pjesë dërmuese e këtyre njerëzve, jo rrallë herë,  kanë sukses në topitjen e zemërimit tonë ngase, në mënyrën më meskine, dinë t’ na përdorojnë si mish për top në betejat e tyre kundër njëri-tjetrit. Pse pranojmë deliktet e tyre? Kur  ka ngjarë një herë të vetme që qytetarët shqiptarë të hidhen në greva masovike për dritat, ujin apo përvetësimin gjegjësisht shpërdorimin e parasë publike nga matrapazë dhe kriminelë? Pse shqiptarët nuk hezitojnë të mblidhen, çohen, e bile edhe të sakrifikohen me qindra-mijëra kur pseudo-liderëve të lloj-lloj ngjyrave u nevojitet fortifikimi i pozicioneve të tyre personale apo partiake? Ndoshta keqpërdoruesit nuk kanë frikë të sillen kështu sepse lejohen nga vetë ne. Apo më mirë thënë- nga dëshprimi, apatia dhe bindja jonë e gabuar, që qytetarët nuk mund të ndalojnë lukunitë e maskarenjve dhe nuk mund të prodhojnë ndryshime.

            Por ne kemi disa suksese në historinë tonë më të re, të cilat do duhej t’na frymëzonin për ngjalljen e shpresës për ditë më të mira dhe për riorganizim. Brenda njëzet viteve të fundit kemi arritur të rrëzojmë regjimet diktatoriale nga të gjitha anët e kufijve; me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së e kemi çliruar Kosovën nga okupimi serbo-jugosllav; ndërsa kryengritësit në Maqedoni kanë arritur të përmirësojnë pozitën e shqiptarëve atje. Në qoftë se si njerëz kemi mundur të realizojmë kaq ndryshime në vetëm dy dekada, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Maqedoni, atëherë pse duhet të vihet në dyshim që nuk mund t’i ndjekim nga skena e fuqisë politike-ekonomike të gjithë keqbërësit, ashtu që të hapet rruga për të rinjtë dhe gjithë të tjerët, që janë të gatshëm të punojnë ndershëm dhe të investojnë diturinë dhe aktivitetet e tyre në një të ardhme më të mirë të përbashkët?

Ndryshimet nuk janë kurrë të lehta. Ato nuk ndodhin vetvetiu- por ngjizen dhe lindin pas përpjekjesh të mundimshme dhe serioze. Rëniet, thyerjet, krizat dhe situatat dramatike sjellin edhe shansin e madh për ndryshime rrënjësore, cilësore dhe të shpejta. Në oqeanin e zhvillimeve shqiptare ka një copë kohe që po përgatiten rrymime të reja, të cilat me gjasë të madhe do të krijojnë valë të fuqishme, të cilat do të pastrojnë ndyrësirën e gjendjes së sotme. Koha e një kthese të re të madhe për shqiptarët në Ballkan po bëhet gati të zëvendësojë kohën e mentaliteteve të gjithmonshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në politikë dhe vendimmarrje.

Si mund të implementohen kthesa dhe ndryshimet? Padyshim vetëm duke u aktivizuar politikisht dhe duke u zgjuar qytetarisht. Njerëz të rinj të shkolluar në trojet tona dhe në Përendim, intelektualë dhe profesionistë, patriotë të ndershëm, të mençur dhe trima, duhet të inkuadrohen në jetën politike dhe ekonomike. Ata duhet të formojnë dhe ndërtojnë rrjete të forta politike dhe profesionale, që interes të vetëm kanë progresin shoqëror dhe ekonomik. Këto bashkësi të njerëzve me frymë të re duhet të veprojnë jashtë mekanizmave partiakë si organizime civile, por, nëse forca të caktuara politike janë të hapura për reformim, edhe brenda partive. Ata gjithsesi duhet të bashkëpunojnë me të gjithë, që dëshirojnë të kontribuojnë për të mirën e përgjithshme, por, në të njëjten kohë, t’mos hamenden t’u çjerrin agresivisht maskën të gjithë atyre që mendojnë vetëm për interesin dhe mirëqenien personale.

Shoqëritë shqiptare në Ballkan përfundimisht duhet të bëhen meritokratike dhe sovrani duhet të përkrahë apo votojë vetem ata që kanë aftësinë të udhëheqin dhe japin rezultate. Ne duhet të ndryshojmë qasjen dhe duhet ta kuptojmë që e kemi për vete dhe të ardhmen e gjeneratave që të kenë mirëqenie dhe jetë stabile, të ngjashme me ato të popullatave në pjesët e zhvilluara të botës. Prioritetet fillestare nuk ka nevojë të jenë komplekse. Ato mund të shkruhen në pëllëmbë të dorës: luftë permanente korrupsonit; forcim i sundimit të ligjit; zgjerim i zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike; fuqizim i  institucioneve dhe qeverisjes demokratike; edukim i rinisë dhe punëtorisë sonë; tërheqje e investimeve të brendshme dhe të jashtme; krijim i vendeve të punës dhe intensifikim i integrimeve brendashqiptare, ndërrajonale dhe evro-atlantike. Ndryshimet në shtëpitë tona duhet të fillohen dhe bëhen nga vetë shqiptarët kudo që jemi. Pikërisht ashtu siç bëhen gjithkund, siç presin miqtë tonë  dhe siç më tha para dy ditësh ish- zyrtari amerikan: për punët e shtëpive tona duhet të mirremi vesh me njëri-tjetrin dhe t’i kryejmë vetë.

 



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx