Mendime
Emin Azemi: Vrasja e katër shqiptarëve, prapaskenat e një parapolitike
E shtune, 15.05.2010, 07:58 PM
Vrasja e katër shqiptarëve, prapaskenat e një parapolitike
A mundet e vërteta të jetë furgon që huazohet për të xhiruar filma triler?
Parapolitika që po zbatohet aktualisht për t’i zgjidhur disa situata emergjente, ka rrezik të prodhojë një krizë edhe më të thellë, se sa ajo që pretendohet tani. Elementet e kësaj parapolitike po i shohim të inkarnuara në uniformën e maskuar të policit, i cili nga gatishmëria për të ruajtur shtetin, po krijon karikaturë dhe neveri, ndërkohë që politika është shpërngulur diku jashtë sferës që asaj i takon. Kompensimi i politikës me polici, mund të reprodukojë filma të këqinjë me aktor që gabimisht mund të futen në skenarë të rrezikshëm, me fund të paqartë dhe të dëmshëm për të gjithë
Nga Emin AZEMI
Ne që duhet të shkruajmë për vrasjen e katër shqiptarëve në mes të fshatrave Rashçe e Radushë, e kemi të vështirë të kompensojmë heshtjen dhe fshehjen pas aureoles së pushtetit të partive që kanë përgjegjësi të japin vlerësimet e veta mbi atë çka ka ndodhur.
Kanë reaguar dhe po shprehin doza dyshimi opozitarët dhe filantropët e shoqërisë shqiptare, por partia që ka marrë mandatin të menaxhojë vullnetin politik të shqiptarëve, ende nuk ka dalur me një vlerësim zyrtar, objektiv dhe krejt profesional, duke i bërë një “obduksion” incidentit tragjik që përfundoi me katër shqiptarë të vrarë.
Kush jemi ne të tjerët të prejudikojmë se çka në të vërtetë ndodhi mëngjesin e ditës së mërkurë në afërsi të Radushës? Pse ne, që s’jemi parti politike dhe që nuk i kemi në dispozicion të gjitha njohuritë mbi këtë ngajrje, të siellimi dhe të fla sim si të ishim parti politike? Kush na e ka dhënë nev e mandatin të zëvendësojmë partinë politike në pushtet?
Deri sa po i bëjmë këto pyetje, shumë lexues të mi, me siguri janë duke pritur se cili do të ishte mendimi im i pavarur mbi këtë ngarje tragjike. A ta parapëlqej edhe unë heshtjen? A të them edhe unë se nuk disponoj me njohuri dhe prova materiale për vërtetësinë e kësaj ngarjeje? Në anën tjetër, a duhet t’i besojmë blanko Gordana Jankullovskës për krejt atë që e thotë ajo lidhur me vrasjen e katër shqiptarëve dhe cili do të ishte misioni i gazetarisë hulumtuese në këtë rast, që duhet të nxjerrë në dukje atë që dikush qëllimisht e hesht a fshesh nga sytë e opinionit publik?
Ata që i përpilojnë komunikatat e policisë, janë njerëz të paguar që marrin rrogë si të gjithë rrogtarët tjerë në këtë shtet dhe atyre fare nuk duhet t’u interesoj se pse psh. kryeministri i tyre pas vizitës që ia bëri Marokut nuk erdhi në Shkup, por fluturoi e shkoi drejt në Zagreb , në një takim kryeministrash që mbahet të premten dhe të shtunën në kryeqytetin kroat. Jo rastësisht po i përmendim shkruesit e komunikatave të policisë, sepse ata janë “lexuesit” e parë të situatës që u vie nga terreni, kurse ne që presim të informohemi, jemi ndoshta viktima e parë e të vërtetës, sepse ka kohë që në Maqedoni, në fillim të çdo krize një herë vriten shqiptarë, e pastaj hyn në lojë politika e kompromisit, e dialogut, e marrëveshjeve etj.
E vërteta zyrtare apo e vërteta alternative që vie nga burime të ndryshme anonime, duhet të na shërbejë si udhërrëfim për të hequr dilemat mbi një ngjarje që ka impakt më të gjerë? Në fakt, çka quajm e vërtetë zyrtare, kur ajo vie vetëm nga institucioni që ka qenë i involvuar drejtpërdrejt në ngjarjen tragjike dhe e paplotë me dimensionin tjetër zyrtar që vie nga politika e pushtetit?
Kryeministri shkon në Zagreb dhe nuk vjen në Shkup, Ali Ahmeti e pret Gruevskin “tja thotë nja dy llafe”, këta të PDSH dhe partive tjera opozitare shqiptare kërkojnë hetim të pavarur mbi vrasjen e katër shqiptarëve, kurse ndonjë “kryeçiteli” nuk ngurron ta quaj këtë ngjarje si atentat klasik, me skenar të planifikuar. Po del, se në këtë shtet vetëm policia është ajo që funksionin “sagllamë” dhe se vetëm ajo po e kryen punën e vetë me përpikmëri, ashtu si i janë dhënë instruksionet “nga lartë”.
Por, çfarë është ai shtet kur lihet në duart e policisë, ndonëse në Maqedoni ka kohë që policia “i ha dardhat”, kurse politikës “ i mpihen dhëmbët”. Një operacion policor, sado i paketuar me ambalazh të bukur publik, sërish mund t’i ekspozohet rrezikut që të kontestohet në disa segmente të profesionalitetit të tij.
Segmenti i parë: Si ndodhi të mos plagoset a vritet asnjë pjesëtarë i MPB-së në këtë aksion të rrufeshëm policor?
Segmenti i dytë Si ndodhi të mos shkaktohet kurrfarë shpërthimi pas gjithë asaj breshërie të shtënash, kur dihet se në furgon paska patur sasi të konsiderueshme materialesh shpërthyese?
Segmenti i tretë: Si rastisi atë natë të kobshme Harun Aliu të ketë ardhur pikërisht në atë vend dhe në ç’rrethana ndodhi ai aty? A pati mundësi t’i bëhet obduksion kufomës së tij?
Segmenti i katërt A u është bërë ndonjë ekspertizë balistike armëve që i kan ë përdorur (nëse i kanë përdorur fare?) atë natë tragjike personat e ndodhur në furgon?
Policia është mirë ta ketë nën kontroll situatën, por ajo nuk bën ta merr nën kontrollë edhe politikën. Në emër të kontrollit të situatës, policia e ka zgjeruar gamën e veprimit dhe ka dalur edhe në rajonin e Tetovës, për të argumentuar tezën e gjoja ekzistimit të një “fronti më të gjerë elementesh kriminalë në mesin e shqiptarëve që duan ta destabilizojnë Maqedoninë”. Bastisjet në Novosellë të Zhelinës, arrestimet që pasuan ngjarjen tragjike të së mërkurës, forcimi i prezencës policore në disa akse rrugore dhe në afërsi të zonës kufitare me Kosovën, flasin për një atmosferë të tendosur që është e destinuar të prodhojë, jo qetësi, por eskalim të situatës. Ata që e kanë ideuar këtë atmosferë, si duket janë larg të qenit real dhe larg të jetuarit me përditshmërinë e këtij realiteti.
Një shtet nuk e destabilizon dyshimi dhe indiciet, as ndonjë furgon i huazuar për të xhiruar filma policor, por mosgatishmëria e klasës politike, parasegjithash e kryeministrit dhe kabinetit të tij qeveritar, për të krijuar harmoni të brendshme sociale, politike, ndëretnike, ndërfetare etj.
Para se të ketë shkuar ndonjë grup i dëshpëruar në viset malore mbi Shkup, Kumanovë a Tetovë, ka qenë dashur të shkojë asfalti, ambulanca, telefonia, shërbimi ofiqar i Gruevskit, i cili për aq para sa po jep për të urbanizuar sheshin e Shkupit me arkitekturë përçarëse dhe tepër të shtrenjtë, ka mundur bëjë kontratë të paqtë sociale me grupet e pakënaqura në shoqëri, qofshin ata shqiptarë a maqedonas.
Shqiptarët nuk janë destabilizues të Maqedonisë, sepse ata nuk po bëjnë projekte që nxisin ur rejtje e mosdurim tek maqedonasit. Diplomacia ndërkombëtare, e sidomos ata që janë kontributorët më të mëdhenjë të paqës dhe stabilitetit në Ballkan – amerikanët – do të duhej të jenë në dijeni të faktit se shqiptarëve më së paku u konvenon tani t’u ngjitet në shpinë etiketa e destabilizimit. Ata që duan të krijojnë antagonizma midis shqiptarëve dhe vlerave perendimore që ata i aspirojnë, mund të demonstrojnë naivitetin e radhës, duke i kamufluar shkaktarët e vërtetë të krizës, në favor të tezës për shqiptarët si destabilizues kujdestar të Maqedonisë.
Parapolitika që po zbatohet aktualisht për t’i zgjidhur disa situata emergjente, ka rrezik të prodhojë një krizë edhe më të thellë, se sa ajo që pretendohet tani. Elementet e kësaj parapolitike po i shohim të inkarnuara në uniformën e maskuar të policit, i cili nga gatishmëria për të ruajtur shtetin, po krijon karikaturë dhe neveri, ndërkohë që politika është shpërngulur diku jashtë sferës që asaj i takon. Kompensimi i politikës me polici, mund të reprodukojë filma të këqinjë me aktor që gabimisht mund të futen në skenarë të rrezikshëm, me fund të paqartë dhe të dëmshëm për të gjithë.