Mendime
Albin Kurti: Shqetësimi special i Hashim Thaçit
E premte, 14.05.2010, 09:13 PM
SHQETËSIMI SPECIAL I HASHIM THAÇIT
Nga Albin Kurti
Po të mos e dëgjoje zërin e televizorit të mërkurën mbrëma në RTK, po të shihje vetëm fotografinë në ekran, atëherë njeriu do të mendonte se këto janë pamje prej arkivi nga periudha kur po zbuloheshin për ditë nga pak kufomat e 18 shqiptarëve të mbytur në lumin Tisa në vjeshtën e kaluar.
Aq shumë i mërzitur, i shqetësuar e i tronditur dukej të ishte kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Të krijohej përshtypja se Thaçi kishte braktisur rendjen e tij nëpër komunat e Kosovës në kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, dhe në studion e RTK-së po e shprehte pikëllimin e tij, strategjinë e Qeverisë për t’i ndihmuar familjarët e viktimave dhe, njëkohësisht, zotimin se do të përgatisë një transformim të thellë politik e socio-ekonomik në Kosovë, në mënyrë që të varfërit e të papunët e Kosovës kurrë më të mos e rrezikojnë shumëfish jetën e tyre për të siguruar veçse mbijetesën.
Mirëpo, jo.
Ato s’ishin pamje nga arkivi, e aq më pak të lidhura me tragjedinë e 18 shqiptarëve të Kosovës të mbytur në lumin që e ndan Serbinë nga BE-ja. Zëri i televizorit ishte aty: kryeministri Thaçi, pas heshtjes njëjavore, po deklarohej për aksionin e policisë së EULEX-it që bastisi MTPT-në dhe pronat e ministrit Fatmir Limaj. Në vijim nuk do të flitej më pse po hesht por çfarë tha atëherë kur nuk heshti më kryeministri. Ai theksoi pakënaqësinë e tij me aksionin e policisë së EULEX-it, me deklaratën aluduese të PCN-së e PSBE-së, Pieter Feith, një ditë para bastisjes, dhe disa herë u mundua që me fjalë t’i bind spektatorët që ai vetë është Kryeministri i vendit dhe udhëheqësi i Qeverisë së Kosovës. Fjalët nuk i kishte aq të rënda sa tonin e tyre, thuajse edhe në atë gjendje të rëndë arrinte të kujdesej për përkthimin e mëvonshëm të asaj çfarë thoshte, e në të cilin përkthim sigurisht se do të zhdukej toni ca i ashpër i tij. Vërejtja e tij që të bëhet dallim midis ZCN-së si institucion dhe Pieter Feithit si person, në atë situatë, më shumë shpalosi dobësinë e tij prej udhëheqësi sesa urtësinë e tij prej politikani. E, megjithatë, pyetja nuk ka humbur aq nga legjitimiteti:
· pse njëmend heshti Kryeministri Thaçi për plot një javë?
· Pse nuk u shfaq më herët, dhe pse mandej u detyrua të shfaqej?
Duket që Kryeministrit Thaçi i është dashur një javë e tërë për t’i bërë të gjitha kalkulimet e mundshme para se të mund të flasë. Faktorë të shumtë është dashur t’i marrë në shqyrtim para se ta marrë vendimin nëse do ta qortonte EULEX-in ose jo. Pa dyshim që shqetësimi i tij të mërkuren mbrëma nuk ishte nga aksioni i policisë së EULEX-it. Aso shqetësimi ai mund të ketë pasur para një jave. Shqetësimi në RTK vinte pikërisht nga rezultati i kalkulimit të tij. Pasi që kishte trajtuar hollësisht faktet, indikacionet, interpretimet e këtyre dhe mundësitë për të ardhmen, e tha atë që e tha. Natyrisht që tani nuk mund t’i marrim seriozisht zërat dashakeq që thonë se, në fakt, nuk bëhej fjalë fare për kurrfarë shqetësimi, por veçse për një lloj shqetësimi përgjatë aktrimit të shqetësimit. Ndonëse ky mund të mos ketë qenë fare qëllimi, pasojat e këtij hetimi dhe bastisjeve që i ndërmori EULEX-i, për zhvillimet brenda PDK-së, janë pak a shumë të ngjashme sikurse para pesë vjetëve, atëherë kur Fatmir Limajn e dërguan në Hagë. Pa Fatmir Limajn sigurisht se forcohet pozita e Hashim Thaçit në parti, por edhe dobësohet ajo karshi ndërkombëtarëve.
Thaçi bëhet i pakontestueshëm dhe shumë i fuqishëm Brenda PDK-së, por shumë më i brishtë e i dobët në raport me ndërkombëtarët. Këso situate kishim edhe në vitin 2005, atëherë kur po sajohej grupi negociator për bisedime me Serbinë. Mirëpo, dukej qartë që kësaj radhe Thaçi ishte shumë më i shqetësuar sesa kur e morën Limajn herën e parë. Mbase atëherë Thaçi e dinte që po e marrin Limajn që të mos e marrin vetë Thaçin, ndërkaq kësaj radhe, kushedi, mund të jetë e kundërta: EULEX-i po e heton e bastis Limajn në rrugëtimin e tij drejt Thaçit. Gjithsesi ishte simptomatik fakti që ZCN-ja dhe EULEX-i nuk iu përgjigjën fare qortimeve të Thaçit porse këtë e bëri prokurori i çështjes, Johannes van Vreeswijk.
Kur janë djegur pikat doganore 1 dhe 31, kur janë cenuar kufijtë apo pasuria e Kosovës, kur janë sulmuar shqiptarët në Kroin e Vitakut, në Lumëbardh a në Luginën e Preshevës, Thaçi nuk është parë të jetë aq i shqetësuar sa të na shfaqet në RTK ajo sigla ‘speciale’ enkas për adresimin e tij. Pra, jo kur cenohet Kosova ose njerëzit e saj, por vetëm atëherë kur cenohet Qeveria dhe personi i tij, Hashim Thaçin e mbërthen shqetësimi që nuk zotërohet kollaj. EULEX-i gjithsesi është një mision i padrejtë dhe i dëmshëm për Kosovën. Ai duhet të largohet nga Kosova dhe prania e BE-së në Kosovë duhet të ridefinohet. Mirëpo jo me qëllim që elita politike vendore me në krye duetin Thaçi-Sejdiu ta ketë më të lehtë nëpërkëmbjen politike, ekonomike, kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve dhe të Kosovës. Populli ynë nuk e ka merituar këtë mjerim dhe ofendim.