E hene, 29.04.2024, 11:17 PM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Bislimi: Në emër të luftës kundër korrupsionit luftohet liria e Kosovës

E hene, 10.05.2010, 09:59 PM


Në emër të luftës kundër korrupcionit luftohet liria e Kosovës

 

Nga Xhevat Bislimi

 

Ishin të pakët ata shqiptarë që pas Luftës Çlirimtare të UÇK-së "guxonin" të bënin dallimin midis NATO-s, ndërhyrjes së saj ushtarake, dhe UNMIK-ut. Mendimi se UNMIK-u ishte një mision miqësor dhe për të mirën e Kosovës ishte pothuajse absolut!! Ndonjë mendim ndryshe aty-këtu shihej o si "armiqësor" ndaj Kosovës, o si naiv e me përçmim. Politika nuk donte të kuptonte faktin dhe dallimin midis ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe Rezolutës 1244, me të cilën erdhën UNMIK-u dhe KFOR-i. Dallimi midis ndrëhyrjes së NATO-s për mposhtjen e forcave serbe në Kosovë pa ndonjë rezolutë a vendim të OKB-së, nga njëra anë, dhe vendosjes së UNMIK-ut dhe KFOR-it, nga ana tjetër, ishte substancial. Ndërhyrja e NATO-s me aq nguti kishte për qëllim të pengonte një luftë të përgjithshme shqiptaro-serbe, që mund të shndërrohej edhe në një luftë ballkanike, por që do ta zgjidhte përfundimisht çështjen shqiptare (do ta ribashkonte Shqipërinë), kurse vendosja e UNMIK-ut dhe e KFOR-it kishte për qëllim themelor çarmatosjen-shpërbërjen e UÇK-së dhe vendosjen e njëfarë ekuilibri midis interesave shqiptare dhe atyre serbe në Kosovë!! Shqiptarët nuk do të duhej ta fitonin qindë për qindë këtë luftë, ashtu siç nuk do të duhej as serbët ta humbnin qindë për qindë Kosovën!! Ky qëllim ose mision i UNMIK-ut dhe KFOR-it u "përfundua" (de jure) me Planin e Atisarit. Konkretizimi ose "finalizimi" i këtij plani edhe de fakto ishte i pamundur vetëm me UNMIK-un, sepse ky mision tashmë nuk ishte "miqësor" për shqiptarët, siç besohej naivisht në vitet e para! Për përmbushjen e plotë të projektit ndërkombëtar për Kosovën duhej edhe një mision "shtesë", që do të pagëzohej me emrin: EULEX! Ashtu si UNMIK-u, që çdo gjë e bënte për të "mirën" e Kosovës, edhe ky mision i BE-së u paraqit dhe u prit si një mision që nuk do të vinte gjumë në sy për ta bërë Kosovën shtet, në të cilin sundon ligji, rregulli, drejtësia dhe siguria për qytetarët e tij pa dallim! Heu, çfarë gëzimi i madh! Kokat e shqipatrëve u mbushën me iluzione për Kosovën e tyre të bukur! Politikanët i hapën menjëherë zemrën dhe derën këtij misioni shpëtimtar?! Mediat, të shkruara dhe elektronike, filluan t’u bien tamtameve të tyre pa pushim për këtë mision, që veç Kosova e pati fat ta kishte në tokën e saj! Politika dhe mediat natën e ditën, orë e çast, me kapacitete të plota, u angazhuan t’ua mbushnin mendjen qytetarëve (shqiptarëve) se UNMIK-u nuk na doli ashtu siç e kishim besuar dhe menduar, prandaj po thyen qafën (po largohet nga Kosova), por po na vjen EULEX-i, i cili nuk njeh interes tjetër veç këtij të Kosovës?!! Lum e lum si ne, thoshin njerëzia! I rralli thoshte: "Paj, bre burra, nuk po e kuptoj pse po na duan kaq shumë bota. Një "kashore" Kosovë me e pas gjithë këtë fat"! "Po na duan, përgjigjeshin njëzëri burrat, sepse bota e ka kuptuar që na ka bërë shumë padrejtësi, pastaj bota po e shikon dhe kupton edhe vetë se sa popull paqësor dhe tolerant jemi. Ne nuk i biem kujt në qafë". E të tjera naivitete ose budallallëqe si këto! Kështu që një ditë të bukur, ashtu siç e kishte përcaktuar edhe Plani i famshëm dhe famëkeq i Atisarit, Kosova u shpall "shtet i pavarur dhe Sovran" me një flamur-leckë dhe me një himn memec, si ai i Bosnjës!! Këto shenja (atribute) të shtetit, siç e thoshin me mburrje, më të ri në botë, tregonin qartë "bosnizimin" e Kosovës!!

Pas Luftës Antipushtuese Çlirimtare çështje mbi çështjet tjera ishte çarmatosja dhe shpërbërja e UÇK-së, ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë, çështje mbi çështjet tjera ishte shpërbërja e TMK-së!! Çfarë do të thotë kjo? Çarmatosja dhe shpërbërja e UÇK-së "garantoi" se Kosova nuk do t’i kthehet Shqipërisë, pastaj "garantoi" "krijimin" e Veriut dhe të shumë enklavave dhe strukturave shtetërore serbe, qëndrimin pa afat të UNMIK-ut dhe shtyrjen e pavrësimit të Kosovës. Ndërsa çarmatosja dhe shpërbërja e TMK-së "garantoi" zbatimin e plotë të Planit kobzi të Atisarit, qëndrimin e mëtejmë të UNMIK-ut në Kosovë dhe përforcimin e tij me EULEX-in dhe me Piter Faitin (ICO). Prandaj, tash po tallen me ne si me ndonjë fis të harruar nga qytetërimi!! Njëri deklaron se kemi porositur armë të gjata për FSK, tjetri na porositi të durojmë edhe këto dy vjet dhe pastaj do të jetë qeveria e Kosovës ajo që do të vendosë për FSK-në, nëse do të jetë ushtri apo do ta ketë fatin e UÇK-së dhe të TMK-së?! Të gjithë njëzëri e "recitojnë" refrenin e "bukur": "Pavarësia e Kosovës nuk ka kthim"! Demagogji dhe mashtrim i kulluar. Disa muaj më vonë marrim vesh se armët e porositura për FSK-në po vonohen diku rrugës, nuk po e gjejnë rrugën për Kosovë!! Përgatitet "strategjia" për integrimin e Veriut dhe merr përkrahjen e "botës"?! Vetëm pak ditë e javë më vonë marrim vesh se kjo strategji nuk e ka përkrahjen e EULEX-it, sepse ky mision na qenka "neutral" ndaj pavarësisë së Kosovës dhe nuk po e dëgjoka Piter Faitin! Interesant!! Kur erdhi puna për ta sulmuar, dhunuar dhe poshtëruar Qeverinë dhe Kosovën, EULEX-i e dëgjoi Piter Faitin dhe është zotuar se kundër luftëtarëve të UÇK-së, kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës do të veprojë pa u luhatur!! Vetëm kundër strukturave shtetërore të Serbisë në Kosovë, thonë ata të UNMIK-EULEX-it dhe fuqitë që qëndrojnë prapa tyre, nuk kemi mandat të ndërhyjmë!! Ato janë në mandatin e Serbisë, ne vetëm i ndihmojmë, thonë unmikeuleksët!! "Strategjia" për Veriun nuk e paska as përkrahjen e KFOR-it, sepse ky qenka nënë "komandën" e UNMIK-ut, i cili qenka kundër pavarësisë së Kosovës!! E tëra kjo bëhej për të blerë kohë, sa të realizonin krijimin edhe të një Veriu të dytë në Anamoravë, ku po përpiqen t’i krijojnë katër komuna serbe (një rajon serb). Anamorava, sipas tyre, do t’i ketë tri komuna shqiptare dhe katër komuna serbe?!! Më të "lavdëruarit" për këtë "sukses" në Anamoravë do të jenë Lutfi Haziri dhe Sadri Ferati. Nuk do të mbeten pa u "lavdëruar" edhe kryetarët e komunave që pranuan dhe po e zbatojnë (në kundërshtim me interesat madhore të kombit) me zemërgjerësinë e altruistit Planin e Atisarit në Anamoravë, kurse përgjegjësia dhe marrja "kolektive" do t’i mbetet "grupit negociator", Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, Kryetarit dhe çdo partie a shoqate që e ka miratuar dhe mbështetur zbatimin e Planit të Atisarit në Kosovë. Krejt në fund, lajmi më i ri dhe më i hidhur për shqiptarët: "Përgatituni për bisedime të reja me Serbinë", thonë "miqtë" tanë!! Këto do të jenë bisedime "teknike", thonë ata! Vërtetë ashtu është. Bisedimet politike dhe substanciale kanë përfunduar. Tash mbetet vetëm finalizimi i projektit: Krijimi i entitetit serb në Kosovë, që nënkupton kantonizimin-federalizimin ose rindarjen e Kosovës!! A do ta "hanë" shqiptarët? Dje lexova një titull të veçantë në një gazetë: "Fyle na e nguli edhe pak"! Fjala e popullit thotë: Me të lidhë dikush, të zgjidhë dikush. Por me e lidhë veten s’ka kush që të zgjidhë". Fatkeqësia është se Kosovës po ia "ngulin" të zgjedhurit e saj!!

Lufta kundër korrupcionit armë e mbushur kundër lirisë së Kosovës

 

Meqë, EULEX-UNMIK-u, hop këtu e hop aty, hë aty e hë këtu, na doli si ajo pushka e Lilës (prit me muaj e pritë me vjet), më në fund, pas dy vitesh, ia SHKREPI?!! Shqiptari i zakonshëm, por edhe politikanët dhe inteligjencia me shpirt të pa shitur, priste që EULEX-i t’ia bënte "BAM" në Veri?!Shumica absolute besonin naivisht që ky mision do të ndihmonte konsolidimin dhe fuqizimin e pavarësimit të Kosovës nga Serbia?! Një pjesë e partive politike dhe e mediave, që me kohë ishin "lidhur" me UNMIK-EULEX-in, gjithë fushatën e tyre e kishin organizuar, përqëndruar dhe po e bënin kundër institucioneve të Kosovës e jo kundër institucioneve të Serbisë në Kosovë!!! Këta politikanë dhe kalemxhinjë, që çirreshin për lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, ishin bërë hyzmeqarë të EULEX-UNMIK-ut, si dikur që i thurrnin himne socializmit vetëqeverisës pushtues të Tito-Kardelit. Ata në emër të "luftës kundër korrupcionit" po kërkonin (duke u përjargur pë të ardhur në pushtet) dhunimin, poshtërimin dhe dobsimin e institucioneve të vendit!! Pra, po çonin ujë në mullirin e atyre që deklaroheshin hapur se ishin kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!! Me këtë propagandë të fuqishme mediale, me këta shërbëtorë shqipfolës, me instrumentat financiar dhe me shumë instrumenta tjerë, EULEX-UNMIK-u (BE-ja), po përpiqet ta bind popullin shqiptar se është i vetmi "institucion" që mund ta mbrojë dhe ta shpëtojë atë nga pjella e tij, nga bijtë e tij që luftuan kundër Serbisë!! Institucionet vendore, sipas EULEX-UNMIK-ut, janë e zeza dhe fatkeqësia e këtij vendi dhe populli!! BE-ja dhe misioni i saj po thonë dhe propagandojnë se e keqja e Kosovës nuk është Serbia, por institucionet e Kosovës!! Ne po luftojmë kundër tyre dhe po e çlirojmë Kosovën e pushtuar prej tyre!! Gati sa nuk thonë se edhe Serbia kishte të drejtë dhe ka të drejtë që nuk heq dorë nga Kosova!! "Institucionet" e Serbisë në Kosovë janë të vetmet "institucione" që nuk mund të preken dhe as të pengohen!! Propaganda dhe veprimtaria e tyre antikosovë dhe antishqiptare ka zënë vend aty-këtu dhe në këtë kohë ka ç’orientuar edhe ndonjë shqiptar të mirë ose të zhgënjyer nga koncesionet e mëdha dhe tragjike që i kanë bërë Serbisë edhe ata që nuk besohej se do t’i bënin! "Vetë e kanë pranuar planin e Atisarit", thonë ata. "EULEX-in e kemi ftuar vetë". "Korrupcioni është i madh", "Kanë vjedhur shumë", etj., etj.. Por, miqtë, shokët dhe bashkatdhetarët e mi nuk duhet harruar asnjëherë se të gjitha rrethanat dhe kushtet për pranimin e bisedimeve me Serbinë, njësoj si Marrëveshja e Rambujes, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Kumanovës, etj. janë përgatitur dhe krijuar nga bashkësia ndërkombëtare. Ndikimin vendimtar, kuptohet, e kishte Rusia. Kjo nuk i shkarkon nga përgjegjësia ata që kanë pranuar ato rrethana dhe kushte, duke pranuar zbatimin e projektit për Kosovën në dëm të popullit të saj, shqiptarëve. Është e vërtetë se klasa politike dhe "institucionale" e Kosovës e ka pranuar Planin e Atisarit. Kam përshtypjen se ky plan është pranuar edhe duke besuar naivisht se "po japim të dhimbshmen për ta fituar të këndshmen". Lëshimet e bëra i kanë kuptuar si një domosdoshmëri për ta "fituar" pavarësinë!! Kështu edhe u kanë thënë këta zotërinjtë e Bashkimit Evropianë, por edhe "miqtë tanë të përherëshëm"!! "Paria" e Kosovës besoi se me këto bisedime-lëshime do të merrnin fund problemet me Serbinë. Do të jetonim si dy shtete fqinje!! Në këtë "proces" të dëmshëm për lirinë e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në Ballkan rol të rëndësishëm dhe përgjegjësi kryesore ka Tirana zyrtare, e cila nuk i mori asnjëherë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, përgjegjësit që i takonin për fatin e një krahine të madhe të Shqipërisë, për Kosovën e sotme, por edhe për krahinat tjera të saj të pushtuara. Nuk e shpalli asnjëherë (pas vitit 1989) botërish se Kosova dhe krahinat tjera të pushtuara nga Jugosllavia ishin toka shqiptare të Shqipërisë, por ia la këtë kartë Serbisë, e cila edhe sot po e tund fort, duke thirrë me sa zë ka se "Kosova është Serbi, është tokë serbe"?!!

Po besoj se ka edhe korrupcion, edhe vjedhje, etj. Kundër këtij fenomeni kam shkruar edhe unë disa herë. Ka edhe shpërdorime. Por, ne nuk guxojmë të biem në grackën e EULEX-UNMIK-ut dhe të gjykojmë bardh e zi për këtë të keqe të madhe. Burim i korrupcionit dhe shpërdorimeve është vetë sistemi që ka ndërtuar UNMIK-EULEX-i ose Bashkimi Evropian. Pastaj, policinë, doganat dhe gjyqësinë (drejtësinë) i ka në dorë UNMIK-EULEX-i. Si mund të luftohet korrupcioni pa këta segment të shtetit? Si mund të ndalet korrupcioni me këtë lloj "privatizimi" dhe me këtë "status" (gjendje) ose trajtim që ka prona në Kosovë? Humbjet më të mëdha ekonomike dhe financiare Kosovës ia ka shkaktuar dhe vazhdon t’ia shkaktojë pikërisht UNMIK-EULEX-i. Këto misione nuk kanë qenë të interesuara ta luftojnë korrupcionin në Kosovë. Përkundrazi e kanë stimuluar dhe prodhuar për qëllimet e tyre politike e strategjike-për t'ua lidhur duar e këbë disa politikanëve dhe personaliteteve të tjera, disa mediave, etj. Si mund ta luftojë korrupcionin BE-ja që ka larë e shpëlarë qindra miliona euro nëpërmjet shoqatave dhe organizatave "joqeveritare"? Merrni listën e "donacioneve" (dhurimeve) dhe projekteve të kryera nga shoqatat dhe organizatat "joqeveritare" të ardhura nga BE-ja dhe do të kuptoni se çfarë korrupcioni galopant ka pasur gjatë këtyre "investimeve" (larje parash) të BE-së në Kosovë!! Por, BE-ja dhe EULEX-UNMIK-u nuk e kanë hallin te korrupcioni dhe as te rendi e ligji në Kosovë. Aq u bënë atyre! Në emër të luftës kundër korrupcionit dhe në emër të dënimit të "krimeve të luftës" këto misione dhe BE-ja po luftojnë dhe pengojnë lirinë dhe shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia. Ky është angazhimi i tyre thelbësor! Nga përvoja ime në qeverisjen komunale në Viti, mund t’ju them se këmbëngulja për ta luftuar korrupcionin dhe shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe të paras publike e pengon UNMIK-EULEX-in. Dikujt mund t’i duket e pabesueshme, por komuna e Vitisë është persekutuar këto dy vite nga këto misione dhe nga "miqtë" tanë pikërisht pse po përpiqej t’ia priste rrënjët korrupcionit dhe posaçërisht pse nuk e pranonte "komunën" e Kllokotit. Prandaj, unë nuk i besoj kësaj "lufte". Lufta kundër "korrupcionit", e shpallur me aq pompozitet dhe e filluar në mënyrë spektakulare, në fakt është luftë e papresedan kundër lirisë dhe pavarësië së një vendi, Kosovës. Dhunimi dhe poshtërimi Qeverisë dhe i Kosovës ka "koinciduar" me deklaratën e përfaqësuesit të Rusisë në NATO, i cili tha se "shteti i Kosovës është krijuar nga një bandë". No koment!

Deklaratat idioteske të "politikanëve" dhe të vetë Kryetarit të shtetit, Fatmir Sejdiut, se "askush nuk është mbi ligjin" nuk janë gjë tjetër veçse pajtim dhe nënshtrim i plotë ndaj atyre që kanë "pushtuar" dhe sundojnë Kosovën në emër të ligjit!! Nuk duhet të harrojmë se edhe Jugosllavia e sundonte Kosovën në emër të ligjit, madje edhe Milosheviçi çdo gjë e bënte në emër të ligjit!! A mund të na thotë zoti Kryetar, që më shumë i pëlqen ta thërrasin"president", dhe ju zotërinj të tjerë, në emër të cilit ligj qeveriset Veriu? Në emër të cilit ligj lejohet djegia e doganave dhe kontrabanda e trafiku në Veri, që Kosovës i shkaktojnë miliona euro humbje në muaj? Në emër të cilit ligj apo cilës "kushtetutë" e ka pushtuar UNMIK-u Kosovën dhe operon i pa penguar? Në emër të cilit ligj ose cilave ligje veprojnë gjykatësit dhe gjykatat që tjetërsojnë pronën dhe bëjnë trafik me të me "dokumenta" të falsifikuara dhe të prodhuara në bodrumet e errëta të Serbisë apo edhe të Kosovës në vend se ta luftojnë korrupcionin dhe krimin e organizuar? Cili ligj apo cila normë, qoftë edhe ndërkombëtare, lejon të dhunohet, përdhoset, shantazhohet dhe poshtërohet një Qeveri e zgjedhur në mënyrë legale, ligjore dhe demokratike nga qytetarët e saj nga një bandë policësh, qofshin ata edhe të EULEX-it? Apo Fatmir Sejdiu, Hardinaj e Kusarka kështu e ndjejnë veten më të fortë dhe më me perspektivë? Dobësimi i PDK-së dhe i institucioneve të Kosovës për ta mund të jetë fat dhe rast i mirë për të ardhur në pushtet?! E kujt i duhet një pushtet i këtillë i kontrolluar, i dhunuar dhe poshtëruar nga EULEX-UNMIK-u? Apo Kusarka, Haradinaj, Sejdiu e kompania e tyre janë në gjendje të shkojnë të flenë me mullixhinë për inatë të së vjehrrës!! Vaj medet për vendin dhe popullin që do ta kishte taksiratë me u qeverisë prej tyre!! Ta "harrosh" rrezikun e copëtimit (kantonizimit) të Kosovës nga Serbia, ta "harrosh" ribashkimin e Kosovës me vendin e saj, Shqipërinë, ta "harrosh" çështjen shqiptare në "Maqedoni", ta "harrosh" çështjen e shqiptarëve nën Serbi (Kosovën Lindore) dhe të përjargesh për një copë pushtet të falur nga EULEX-UNMIK-u është më keq dhe më shumë se turp për cilindo shqiptar a parti.

Por, po kaloj për një çast në anën e "opozitës" (AAK, AKR, LDD), në anën e shoqërisë "civile" dhe në anën e disa mediave të shkruara dhe elektronike, që janë bërë telall i atyre fuqive dhe organizmave ndërkombëtar që Kosovën e duan të lidhur pas qerres së Beogradit dhe pas qerres së tyre, nuk e duan të lirë, sovrane, demokratike dhe shqiptare!! Ta zëmë që në Qeverinë e Kosovës dhe në institucionet tjera ka zyrtarë të korruptuar dhe korrupcion, gjë që e besoj se ka. Ta zëmë se gjatë Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar ka pasur "krime kundër njerëzimit", gjë që nuk e besoj fare. Por, zotërinj "opozitarë", gazetarë (kalemxhinj) dhe ju zotërinj të shoqërisë "civile", a do të duhej që një popull dhe një shtet t’ia lente në dorë të huajve t’ia persekutonin dhe t’ia dënonin luftëtarët e lirisë ose t’ia persekutonin dhe dënonin zyrtarët e politikanët? Serbia vrastare dhe ata që vranë, masakruan, dogjën, shkatërruan dhe bënë holokaust në Kosovë, vazhdojnë të jenë të përkdhelur nga Evropa dhe të shpërblehen prej saj!! Serbët sot lëvizin të lirë në vendet e BE-së. Kurse shqiptarët mbahen në karantinë nga BE-ja!! Jam i sigurtë që populli shqiptar as sot dhe as nesër nuk do ta pranojë këtë poshtërim dhe përbuzje. Populli shqiptar kurrë nuk do të miratojë ndjekjen dhe dënimin e bijëve të tij liridashës nga policët dhe misionet e BE-së dhe as të kujt do tjetër në emër të "korrupcionit" apo të "krimeve të luftës". Ky popull që rezistoi dhe nuk u nënshtrua asnjëherë, nuk do të nënshtrohet as nga misionet antishqiptare të BE-së, OKB-së dhe të tjerëve. Shqiptarët besuan sinqerisht, mbase edhe naivisht, në "miqësinë" e ndërkombëtarëve, por sot janë të zhgënjyer me këtë "miqësi" hileqare. "Vetë na keni ftuar", thonë "bosët" e misionit EULEX-UNMIK me arrogancë!! "Vetë i kemi ftuar", thonë dhe përsërisin politikanë, gazetarë dhe të tjerë shqiptarë pa dinjitet, servilë dhe hipokritë, të gatshëm të shiten për pesë para të ndyra ose për ndonjë post, që mund t’ua jap shpërblim BE-ja dhe misioni saj antikosovë! Po të kishim parti politike të mirëfillta, po të kishim institucione dhe klasë politike të dinjitetshme misionet e quajtura UNMIK dhe EULEX, që kanë të njëjtin qëllim dhe të njëjtin projekt për Kosovën, do të duhej të largoheshin menjëherë nga Kosova. Nëse jo, Qeveria, Kuvendi dhe Kryetari i Republikës do të duhej të jepnin dorëheqje pa u vonuar, sepse atë ditë nuk është sulmuar Fatmir Lima, Thaçi apo dikush tjetër, por është sulmuar dhe dhunuar liria e Kosovës dhe populli i saj liridashës. Por, siç e tha Baca Adem, ata që janë në pushtet e mbajnë atë në saje të lidhjeve të ngushta me këto misione dhe ambasada, kurse ata që janë në opozitë gjithë shpresën e tyre për me ardh në pushtet e kanë te mbështetja dhe përkrahja që mund ta fitojnë nga këto misione dhe ambasada të huaja!!! Kësaj i thonë "vaj vatani e mjerë mileti"! Sidoqoftë, jam i bindur se, si gjithmonë, në momentet vendimtare, barrikada e fundit, por e pakalueshme, do të jetë populli…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora