Mendime
Blerim Rrecaj: Çka po ndodh e çka po bëhet?
E diele, 09.05.2010, 06:59 PM
Çka po ndodh e çka po bëhet?
Nga Blerim Rrecaj
Gjërat po shihen shumë më qartë kohët e fundit themi. Situatë e rënduar, e tendosur nëpër copëzat e trojeve shqiptare. Ngërqet e ashtuquajtura politike, ekonomike, shoqërore, sociale…emërues të përbashkët kanë moszgjidhjen e çështjes shqiptare dhe kjo moszgjidhje vazhdon të jetë ushqyesi kryesor i rrëmujërave brenda shqiptare, brenda ballkanike, brenda rajonale e më gjerë. Problemet vetëm e lënë në hije njëri-tjetrin dhe vazhdojnë të grumbullohen duke përkeqësuar situatën ashtu të përkeqësuar tashmë. Vetë mediet tashmë na flasin për dyqind mijë lëndë të grumbulluara e të pazgjidhura nëpër gjykatat e Kosovës. Pozitat dhe opozitat në dy copëzat shqiptare që të paktën mbajnë emrin republika vazhdojnë ta injorojnë dhe të mos flasin se gjymtimi i kombit shqiptar tashmë gati një shekull vazhdon të na gjymtoj, sakatos e të na bëjë tragjikomikë të përçudshëm para vetes dhe para të tjerëve. Në hyrjen e Kushtetutës së Shqipërisë londineze shprehet qartë aspirata e popullit shqiptar për identitet dhe bashkimin kombëtar, ndërsa në Kushtetutën e Republikës së Ahtisarisë mohohet e drejta e popullit për vetëvendosje. Po shtohen tensionet dhe po bëhet fjalë edhe për federalizimin e Maqedonisë. Për mendimin tim antikombëtarizëm e antishqiptarizëm më i madh se shmangja e çështjes sonë të pazgjidhur nuk mund të ketë. Atëherë ç’mund të vlejnë kundërshtimet e opozitave që dikur ishin pozita kur qoftë edhe me protesta, greva e forma të tjera artikulojnë qëndrime fare të kota të ngjashme me të paraardhësve të tyre politikë…Akuza e kundërakuza pa formë e pa përmbajtje në drejtim të njëri tjetrit për pushtet që të korit e të bë për pesë pare.”Na i bjen era retë e zeza” është njëra nga këngët që e dëgjoja dikur e tash s’di pse m’u kujtua. Edhe sa do të na vijnë këso resh që paralajmërojnë shpërthime të tensioneve të grumbulluara.
Re të zeza lundrojnë qiellit në horizont në drejtim të kryeqytetit. Në këtë muzg duket sikur nga këto re do të zbresë natë e zezë. Fjala popullore kur të vijnë mendë humbin dhentë e zëvendësoj kështu : Kur të na vijnë mendë humbin retë. Një 1 maj me festë protestë shkruan diku. Seç kujtohem për hapat e breshkës dhe të lepurit. Për çdo ditë e ndjejmë se po bëhemi më neurotikë. Çpo ndodh kështu e çka po bëhet shqiptarë të një Shqipërie…Po flitet e përflitet për fillim bisedimesh mes siç thuhet Prishtinës e Beogradit. Dikush thotë se ato kanë nisur joformalisht. Nëpër mjete informimi thuhet se diç po lëvizë andej nga kufini. Na bije të lexojmë edhe komunikata, deklarata, memarondume, thirrje publike për gjendjen politike. Ia vlen që sëbashku të hedhim hapa që na e ndryshojnë këtë gjendje statuskuoje që na shpije greminës së pafund duke na rrudhur e tkurrur pambarimisht. Qëllimin e arrin ai që ka qëllim thuhet. Dhe qëllimin duhet ta kemi të pastër, sikur të gjithë ata e mbrojtën e luftuan për këtë tokë duke mos kursyer as jetën për lirinë e saj. More mos po vjen përsëri era luftë themi. Lufta është shumë e ëmbël për ata që se kanë provuar thotë dikush. Por edhe statuskuoja në vendin tonë që sjell deri tek rrënimi i ngadaltë mund të jetë i përballueshëm për diplomatët e skenës politike botërore që vazhdimisht japin deklarata e miratojnë rezoluta.
Vetëm po t’i marrim disa nga ngjarjet e fundit mund të themi se Kosova është bërë “minierë ari” sa u përket ngjarjeve e ndodhive që nuk marrin përgjigjje. Dihet se nëpër gjykata lëndëve të grumbulluara askush s’u jep përgjigjje. Vazhdojnë planet e skenaret për ta sjellë Albin Kurtin para Gjykatës së Euleksit madje duke intervenuar edhe në varrim. Tash në fokus janë ndërhyrjet në Ministrinë e Transportit.Dhe pas gjithë kësaj nga përgjegjësit e papërgjegjshëm vazhdojmë të dëgjojmë deklarata që edhe edhe jerm e në gjumë të thellë po t’i jepnin zyrtarët e institucioneve do të ishin kuptuar e marrë vesh më shumë. Shprehja: “Po ju marr vesh po s’po ju kuptoj” ndoshta është e qëlluar për të shpjeguar diç për deklaratomanët kapadainjë e papagallomanët kakofonistë që fjalët i lëshojnë edhe më lehtë se sa lopët bajgat. Gjergj Dedaj thotë se Kosova është shteti më i pakorruptuar i globit kurse Veton Surroi mediet e të cilit tashmë vërehen dukshëm se janë shndrruar në “YuEulexpress 1244” thotë se bisedimet me Serbinë do të jenë politike e jo teknike. Euleksi imunitar ndaj ligjit pasi u zu me pelë për dore bëni çka ju themi ne e mos na shikoni se çka bëjmë ne. Po çdo të ndodh me fërkimet Thaçi-Faith? Derisa jam kështu duke përsiatur mediet e dhanë njoftimin se Eulex-i e ka arrestuar një shqiptar për krime lufte. Pat edhe një reagim të një shoqate të Uçk-së për arrestimin. Ç’po ngjet kështu është njëra nga pyetjet që po e bëjmë shpesh. Çka po ndodh kështu? Sapo hap emailin shoh këtë njoftim:
“Këshilli nismëtar i Lëvizjes së Solidaritetit për të Papunësuarit si edhe të Skamnorëve të Kosovës (LSPSK- ja), thërret Konferencë për shtyp lidhur me mbajtjen e Kuvendit Themelues të kësaj Lëvizjeje”. Çka s’na bije të shohim e dëgjojmë se?!...
Këta rreshta lindën nga një realitet i zymtë që na rrethon por jeta vazhdon me shpresë se diçka do lëvizë për mbarë. Mbasi pata nge ngjita rruza në pe dhe e lëviza derën andej këndej. Nëse ju duken si fjalë të folura nga një kafiteri e kategorisë Zh fatkeqësisht vendi ynë ka rënë në rangun e kësaj kategorie. Shqetësime e frikëra të ligjshme na kanë kapluar por ato gjithherë shpresa i shoqëron…