E enjte, 24.07.2025, 10:00 PM (GMT+1)

Mendime

Besnik Bakiu: Mëmëdheu i rrezikuar

E diele, 09.05.2010, 06:06 PM


“Mëmëdheu i rrezikuar”

 

Nga Besnik Bakiu

 

Dimri mbaroi, përfundoi edhe përmbytja e III e Shkodrës dhe bashkë me të, u harruan edhe pasojat e frikshme të katastrofave që përjetuam. Të gjithë hiqemi sikur nuk ka ndodhur asgjë (siç duket, jemi një shoqëri e sëmurë rëndë nga amnizia). Ne qeniet njerëzore harruam gjithçka, dhe habitshëm kujtohemi vetëm në vjeshtë-dimër, kur rifillon cikli i përvitshëm i katastrofave.

“Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra se s’ka me prit”, kjo këngë e vjetër patriotike e krijuar në fillimin e shekullit të kaluar për të frymëzuar popullin për luftë kundër pushtimit shekullor otoman, vazhdon të jetë aktuale. Sot mëmëdheu, kërkon si në këtë këngë, “të mblidhemi këtu” për të shpëtuar atë nga një rrezik i madh. Ky rrezik nuk është pushtues i huaj, por vetvetja. Mëmëdheu ynë është e kërcënuar fizikisht si vend i banueshëm, si tokë, si territor. Por, nëse atëherë të parët tanë u mblodhën dhe e shpëtuan mëmëdheun, sot ne jemi shurdhuar, nuk i dëgjojmë thirrjet e tij. Cila sirenë na ka hutuar? Mos vallë papërgjegjshmëria dhe pasurimi i pamerituar? Përse natyra është zemërua me ne, çfarë ndodhi vallë? Përse u përmbytëm? Përse po na rrëshqet toka duke na marrë me vete edhe shtëpitë? Përse deti po përparon duke na marrë tokë? Përse lumenjtë janë tërbuar dhe na gllabërojnë përditë tokë? Përse ambienti ku jetojmë është kaq i ndotur? Çfarë bën shteti? A mos vallë vetëm duhet të akordojë buxhete të përvitshëm për të zhdëmtuar të dëmtuarit? A mos vallë gjysma e shqiptarëve duhet të paguajnë taksa për të prekurit nga katastrofat? Politikanët shqiptarë mendojnë se ky vend qeveriset vetëm me mitingje në sheshin “Skënderbej” apo sheshin “Nënë Tereza”. Nëse vazhdojmë të sillemi kështu me tokën tonë, nuk do të jetë e largët dita që të përjetojmë apokalipsin, kur do ta shikojmë fushën të pushtuar nga lumenjtë dhe deti, malet e zhveshura duke rrëshqitur dhe do të endemi ashtu si hebrenjtë në shkretëtirë, për të kërkuar vend ku të ngulim një çadër. Nuk është apokalipsi i parashikuar nga fiset Maja, por ai që kemi ndërtuar vetë. Zot, na mëshiro!

Raporti dhe lidhja e njeriut dhe natyrën është një histori e gjatë dhe zë fill me lindjen e njeriut. Aq e fortë është kjo lidhje, sa pa frikë mund të cilësohet siameze. Por, burimet natyrore kërkojnë vëmendje në drejtim të ruajtjes dhe ripërtëritjes të tyre, sepse pastaj natyra hakmerret nga shpërfillja e ligjeve të saj, nga shfrytëzimi barbar pa menduar për brezin tjetër, nga shkatërrimi i atyre që quhen raporte bazë të ekosistemeve të qëndrueshme. Ekosistemet shkatërrohen për shkak të strategjive politike të shfrytëzimit të resurseve natyrore. Sa herë që këto ekosisteme janë prekur pa respektuar ligjet që rregullojnë qëndrueshmërinë e marrëdhënieve njeri-natyrë, hakmarrja ka qenë e rëndë. Edhe në gjithë botën e qytetëruar, ekosistemet themelore njeri-natyrë janë cenuar. Al Gore, zëvendëspresident i SHBA për dy mandate, edhe mund të harrohet për funksionin që ka mbajtur apo problemin e madh që krijoi procesi elektoral ku ai kandidoi për President. Por, ai do të mbahet mend si fitues i çmimit “Nobel” me dokumentarin kushtuar fatit të globit në kushtet e tejshfrytëzimit dhe të papërgjegjësisë për të ardhmen, shprehur në rrezikun e mbingrohjes globale, të shkrirjes së akullnajave, të hakmarrjes së pritshme të natyrës.

Natyra shqiptare është trajtuar dhe po trajtohet sikur të ishte e armikut. Nuk ka mbetur lumë pa u mbjellë me fabrika prodhimesh ndërtimi, ende nuk ekzistojnë masa të plota sigurie në vendet e depozitimit të municioneve masive, janë shkatërruar edhe parqet kombëtare të vendeve më piktoreske të Shqipërisë. Sjellja armiqësore me natyrën dhe me burimet e saj po ndodh sepse të gjithë, qeveritë e populli, kush ka një mundësi për ta përdorur, sillen me natyrën si pronë e askujt; gjithkush ka të drejtë të hapë kanalin e vet, ndërtojë galerinë e vet, shembë shkëmbin e vet, presë pyllin e vet, ndalojë lumin e vet.

Dikush me të drejtë mund të thotë: “Të tilla fenomene ndodhin edhe në botën e qytetëruar dhe moderne”. Padyshim që ndodhin, dhe Shqipëria nuk është një ishull, që mund të ketë fat më vete larg këtij rreziku. Mirëpo, sot mëmëdheu rrezikohet, jo për një të keqe që i vjen nga rruzulli i sëmurë, por sepse po ia bën të keqen vetes, pasi pasuritë natyrore po shfrytëzohen (masakrohen) me egërsi primitive. Natyrisht, ngjarje të tilla ndodhin edhe në vendet e zhvilluara, porse përmasat dhe pasojat e tyre janë të pakrahasueshme me modelin “Made in Albania”. Tek ne, një gjendje e rëndë ka vlerë vetëm për aq ditë sa zgjat, sa përbën lajm në media, kurse një ditë më pas, kur banorët përballen me pasojat, askush nuk merret më me të. Kjo praktikë e gabuar e veprimit vetëm për përballimin e emergjencave, duke injoruar fazën kryesore, parandalimin e tyre dhe atë po aq thelbësore, eliminimin e pasojave reale të emergjencës, vijon të jetë praktikë zyrtare e vetë shtetit shqiptar, qeverive, kuvendit, ministrive të linjës, institucioneve qendrore dhe atyre lokale. Në këtë mënyrë, ndonëse katastrofat do të vazhdojnë të përsëriten çdo muaj, ne ende nuk mësohemi të sillemi ndaj tyre, nuk bëjmë asgjë për parandalimin e tyre, nuk dimë (duam) të merremi me pasojat e tyre. Sepse, secili zyrtar, qendror e lokal, i madh apo i vogël, mendon për postin dhe privilegjet e momentit, kërkon ta kalojë me çdo çmim testin e tij, pa menduar se çfarë do të ndodhë nesër, se postet janë të përkohshme dhe shteti i përhershëm, se shtetar i aftë nuk është ai që kalon për vete lumin, por që parandalon vërshimin e lumit mbi të tjerët.

Duke u sjellë kështu, pa analiza dhe përfundime, pa masa paraprake dhe pa përgjegjësi zyrtare, pa parë se çfarë nuk ka funksionuar si duhet dhe ku duhet të ndërhyjë shteti, ne jemi të dënuar të kalojmë nga emergjenca në emergjencë, në mëshirë të fatit dhe Zotit. Kjo sjellje absurde vijon edhe kur kemi të bëjmë me jetë qytetarësh, me prona private e publike, me shpenzime të mëdha shtetërore të cilat nëse do të ishin përdorur në fazën parandaluese, sot do të shndërroheshin në investime për zhvillimin e komunitetit atje, jo për përballim emergjencash. Fatkeqësisht, sjellja si në një gjendje emergjence po kthehet në mënyrë jetese, mendimi e veprimi. Kudo merremi me shkakun, jo pasojën; me krizat, jo me parandalimin e tyre, ne jemi të dënuar si t’i përjetojmë ato muaj pas muaji, vit pas viti, dekadë pas dekade. Për pasojë, çdo zgjidhje që ne i japim problemeve merr formën e një arne që mbyll vrimën e radhës, çka lë gjurmë edhe në realitetin ku jetojmë, që gjithnjë e më shumë duket se është i arnuar. Paradoksi është se tashmë arnimi na ka kushtuar më shumë sesa vetë copa. Ndaj, ka ardhur koha të mendojmë për një copë të re. Të gjithë vetëm konstatojnë dhe flasin, nga Parlamenti, Presidenti, Qeveria, Opozita, Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare se: “duhet kështu e ashtu...”, sikur të ishin UFO dhe vinin nga një planet tjetër, pa marrë asnjë masë konkrete.

Përveç motit dhe qeverive, një problem themelor mbetet edhe mungesa totale e kontrollit mbi territorin, ndërtimet pa leje dhe pa sens nga banorët e zonës që nxjerrin jashtë loje investimet e bëra. Këtu nuk kemi të bëjmë me një problem vetëm të njërës apo tjetrës qeveri, por me një problem strukturor të vetë ekonomisë e shoqërisë shqiptare. Sepse, mungesa e kontrollit mbi territorin është një problem që fillon nga zemra e mëmëdheut, deri te cepi më i largët i vendit. Me gjithë periudhën e gjatë të post-diktaturës, pjesa më e madhe e qyteteve dhe komunave nuk kanë plane rregullues të tyre. Kjo mungesë për një kohë kaq të gjatë i ka lënë shteg abuzimeve dhe keqpërdorimit të tokës, duke rritur probabilitetin e rreziqeve dhe katastrofave. Kësaj situate i shtohet edhe legalizimi institucional i veprimeve antiligjore. Megjithëse është një veprim politik e social, mënyra e legalizimit të ndërtimeve pa leje është e gabuar në aspektin e emergjencave civile. Pasi, këto ndërtime janë potencialisht të brishta përballë katastrofave.

Po institucionet shkencore, çfarë bëjnë? Ato kanë një rol parësor ligjor si struktura monitoruese-njoftuese. Në vend që të flasin shkencëtarët, të parët flasin politikanët për probleme që nuk kanë as kulturën profesionale, dhe as tagrin e duhur. Kjo çon në zbehjen dhe tulatjen e rolit të institucioneve shkencore. Por, ana tjetër e medaljes është se edhe vetë këto institucione e kanë pranuar dhe janë më komode me këtë gjendje. Vetëm kur ndodh katastrofa, del se paska pasur një studim shkencor, i cili ka fjetur në sirtarët e akademive, instituteve, katedrave apo të ndonjë burokrati në administratën shtetërore. Shkencëtarët bëjnë alibinë e tyre, por a është ky misioni i tyre? Konformizmi i tyre nuk ka asnjë justifikim.

Si përfundim mund të them se, kjo situatë nuk mund të kuptohet thjesht si paaftësi për të kuptuar rëndësinë e problemit, mbi të gjitha ka të bëjë me faktin se i lë shteg të lirë abuzivitetit dhe korrupsionit, të cilët kanë qenë bashkudhëtarë të pandalshëm të qeverive shqiptare të të gjitha ngjyrave partiake. Për sa kohë nuk ka një pakt kombëtar politik dhe shoqëror për kontrollin dhe administrimin e territorit, nuk ka një moratorium për shfrytëzimin e pasurive natyrore, jemi të gjithë seriozisht të rrezikuar. Zot, na mbro!

 

* Autori është ekspert për problemet e sigurisë.

 



(Vota: 17 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx