Mendime
Xhemaledin Salihu: Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kërkojnë të drejtë Bashkimi me Kosovën
E marte, 04.05.2010, 09:58 PM
SHQIPTARET E PRESHEVES, BUJANOCIT DHE MEDVEGJES KERKOJNE TE DREJTE BASHKIMI ME KOSOVEN
Shkruan: Xhemaledin Salihu
Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë tri komuna shqiptare aktualisht në Serbi të Jugut. Gjatë sundimit otoman këto regjione kanë qenë pjesë integrale të Vilajetit të Kosovës, ndërsa Presheva njihet si qendër qysh në shekullin XIV (qendër e Zhupës). Pas Kongresit të Berlinit (1878) njohja e kufirit të Serbisë që u shtri poshtë trojeve shqiptare të Toplicës, në veri të Kosovës së sotme dhe në lindje deri në afërsi të Nishit pati për pasojë gjenocidin e vërtetë nga shteti serb, i cili vrau, shpronësoi e shpërnguli shqiptarë mbi 700 fshatra shqiptare të këtyre trevave.
Megjithatë regjioni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës banohet nga popullata shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë.Popullata e këtij regjioni, si pjesë përbërëse e tërë popullatës shqiptare të Kosovës e Maqedonisë, ka marrë pjesë në të njëjtat procese etnologjike të Shqiptarëve dhe paraqet etnikum më të vjetër në këto zona.
Në kuadër të popullit shqiptar, etnografikisht ata përbëjnë një tërësi me popullatën shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore, kanë në përdorim të njëjtin dialekt popullor me këtë popullatë dhe të njëjtën gjuhë letrare me të gjithë shqiptarët kudo që të jenë. Për më tepër, ata përbëjnë pjesë të pandashme nga tërësia etnografike dhe ekonomike ezonës së Karadakut, që shtrihet në Kosovë, Maqedoni dhe në Serbi, në një anë dhe të zonës së Gollakut në Kosovë. Të gjitha lidhjet e tyre jetësore kanë qenë dhe janë me qendrat Podujevë, Prishtinë, Gjilan, Kamenicë, Kaçanik, Shkup dhe Kumanovë.
Regjioni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kap një hapësirë prej
Një pjesë e mirë e popullatës serbe është e ardhur në këto zona përmes kolonizimit pas shpërnguljeve masive me dhunë të Shqiptarëve për në Turqi (1912-13), Reforma agrare 1924 e tutje, periudha e Rankoviqit (1953-1966).
Pas Luftës II-të këto zona në mënyrë arbitrare dhe me qëllim asimilimi dhe ngushtimi të trollit etnik, u ndanë nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, për t’u vënë në lidhje kontrolli nga lartë herë nga rrethi i Vranjës e herë nga ai i Leskocit. Dhuna totalitare komuniste për këtë popullatë tani u dyfishua me ekstremizmin dhe shovenizmin serb, kështu që vetëm deri më 1966 prej këndej u shpërngul për në Turqi një numër i madh i Shqiptarësh (vlerësohet se në Turqi ka po aq shqiptarë nga këto zona sa ka këtu). Këto shpërngulje nuk pushuan as pastaj, sepse nuk u evituan nxitësit, kontrolli dhe ndjekja e vazhdueshme e veprimtarive kulturore e politike, varfëria e madhe, mbyllja e perspektivave për zhvillim të mëtejmë si kolektivitet etnik. Megjithë kushtet e favorshme gjeografike, të transportit dhe zellin e madh të popullatës, këto troje u lanë ndër më të pazhvilluarat në Jugosllavi. Sa i përket zhvillimit u bë një prerje e dukshme deri në Vranjë (ku jetojnë serbët). Këtu u kapërcye në një shkallë krejtësisht tjetër zhvillimi, u krijua industria e cila madje jetonte nga lëndët e para të Preshevës e të Bujanocit, ndërsa këto komuna mbetën më të varfërat. Kështu Presheva sot ka 5 herë më pak të ardhura nacionale për kokë banori nga mesatarja e Serbisë, me shkallë të investimeve në vitin 1988 vetëm me 6,2% të mesatares së Serbisë; me shkallë punësimi 3 herë më të ulët se në Serbi kur gjithë serbët janë të punësuar, ndërsa vetëm çdo i 18-ti shqiptar mund të ketë punë. Edhe më keq është Bujanoci ku nuk mund të ketë punë as çdo i 22-ti shqiptar, e të mos flasim për Medvegjë. Në Bujanoc madje edhe në Kuvendin komunal shqiptarët përbejnë vetëm grupin pakicë të delegatëve (30%).
Padrejtësitë, segregacioni dhe shtypja janë posaçërisht të rënda në fushë të shkollimit: planprogramet, shkalla, sasia dhe gjerësia e shkollimit shqip gjithëherë janë caktuar nga Serbia. Paralelja e parë e shkollës së mesme në gjuhën shqipe në historinë e këtyre anëve filloi vetëm më 1961. Kohët e fundit pas dy dekadave të punës, u shuan gjimnazet shqipe në Bujanoc e Medvegjë. Në Bujanoc , madje u mbyll edhe shkolla fillore “25 maj” me rreth 700 nxënësve. Në entet parashkollore me qëndrim ditor në Bujanoc dhe Medvegjë puna nuk zhvillohet fare në gjuhën shqipe. Nga planprogramet mësimore të shkollave shqipe të këtyre komunave është hequr gati tërësisht lënda nga historia shqiptare, është zbehur dhe shkombëtarizuar krejtësisht mësimi i letërsisë, i muzikës dhe arteve, ndërsa pas një aksioni barbar në bibliotekat shkollore dhe të qytetit u hoqën mbi 2.000 libra të autorëve më të njohur shqiptarë. Në masa të dhunshme dhe të diferencimit ideo-politik nga shkollat shqipe u larguan mbi 100 mësimdhënës shqiptarë.
Trendet e reja të zhvillimit, lufta në Slloveni, Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, varfërimi gjithnjë më i madh dhe kërcnimi me mobilizim për luftë në front, kanë bërë që shpërnguljet, sidomos të të rinjve të shtohen edhe më shumë. Mbyllja e kufijve dhe vendosja e pengesave të qarkullimit nga Maqedonia, bashkë me pengimin e vazhdueshëm të qarkullimit në Shqipëri kanë bërë që këtu situata të jetë e padurueshme.
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, megjithatë po bëjnë përpjekje të organizohen për t’u bërë ballë shtypjeve, segregacionit dhe apartheidit. Kohët e fundit janë formuar dy parti politike me programe demokratike, me kërkesa për organizim ekonomik të lirë, për liri të mendimit, për liri të organizimit e përgjithësisht për të drejtat të njeriut dhe ato kombëtare. Përveç këtyre vlerave, të dyja këto parti dhe shoqatat bëmirëse dhe intelektuale që kanë nisur të veprojnë, si qëllim kryesor kanë çlrimin politik, ekonomik, kulturor etj. Dhe zhdukjen e raporteve segregacioniste, pra zhvillimin e papenguar të të gjitha vlerave kulturore kombëtare shqiptare mbi bazën e përbashkët etnike. Vlerësojmë se një nga pengesat kryesore, përveç hegjemonizmit dhe shovinizmit shtetëror serb, për të arritur një shkallë relativisht të kënaqshme të zhvillimit në planin shoqërror, ekonomik dhe kombëtar, ka qenë ndarja e këtij regjioni nga trupi i naturshëm gjeoekonomik, nacional, komunikativ, ekologjik, urban etj. Prandaj qysh më 1968 këtu lindi kërkesa publike për bashkim me Kosovën, tërësi e cila do te siguronte mundësi optimale për zhvillim të gjithanshëm, po edhe do të ndihmonte në shuarjen e burimeve të përhershme për konflikte ndëretnike në këto anë.
Në kohën e shkatërrrimit të ish_Jugosllavisë, kur pushteti serb filloi ta realizojë projektin gjithënacional serb me anë të luftës, dhunës dhe pastrimeve etnike, duke qenë të ballafaquar me rrezikun e asimilimit kombëtar, të vetëdijshëm për problemet e mëdha, me të cilët po ballafaqohet BE, KSBE dhe KB në zgjidhjen e raporteve në mes të popujve në territoret e ish_Jugosllavisë dhe në kushte të bashkësisë së re që me force po imponohet, Shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës dolën në mënyrë masive në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, kur u deklaruan për AutonomiTerritoriale Politike me të drejtë bashkimi me Kosovën. Pastaj, duke përkrahur dokumentet e Konferencës Paqësore të Hagës, përkatësisht të Brukselit, Shqiptarët e këtij regjioni, në formën më demokratike e shprehën disponimin e tyre lidhur me çështjen e Autonomisë dhe shfaqën gatishmërinë që aktualisht të pranojnë Autonominë, duke e kuptuar atë si formën më të përshtatshme demokratike që do të mundësonte qarkullimin e lirë ekonomik, kulturor etj. Brenda tërësisë etnike dhe si formë të vetme në kuadër të bashkësisë shtetërore ku aktualisht gjenden.
Duke pasur parasysh historinë e raporteve ndërnacionale në Ballkan, e posaçërisht Serbinë e centralizuar dhe jo demokratike që po përdor dhunën dhe terrorin është absurde të pritet zgjidhja e çështjes së autonomisë së Shqiptarëve të këtyre komunave me anë të ndryshimeve të ligjeve dhe kushtetutës ekzistuese në procedurën e rregulltë. Po ashtu, gjasat që me rrugën bilaterale ndërshtetërore të zgjidhet kjo çështje në këto momente janë barazi me zero. Kështu e vetmja rrugë mbetet ajo e bisedave dhe marrëveshjeve në mes të përfaqsuesve të Shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës dhe atyre të pushtetit serb, por me ndërmjetësimin ndërkombëtar qoftë Konferenca e Gjenevës apo ndonjë Konferencë e re, ku përfaqsuesit shqiptarë gjithmonë duhet t’i kenë parasysh rezultatet e Referendumit për Autonomi Territoriale Politike me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Në momentin kur vendoset të ndërrojnë kufijtë në mes të njësive konstituive të ish_federatës jugosllave dhe në kuadër të proceseve integruese evropiane, edhe Shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, me forma demokratike do të realizojnë të drejtën e natyrshme që të bashkohen me Kosovën, pjesë integrale e së cilës janë sipas të gjitha kritereve relevante etnike, kulturore, ekonomike etj.
/ Kumtesë e lexuar në Simpoziumin : Çështja e Kosovës dhe e Shqiptarëve në ish-Jugosllavi, organizuar nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Republikës së Kosovës, mbajtur më 15-16 prill 1993 në Tiranë/