E hene, 29.04.2024, 08:59 PM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Bisedimet Kosovë-Serbi nga një këndvështrim ndryshe

E hene, 10.05.2010, 09:58 PM


BISEDIMET KOSOVË-SERBI NGA NJË KËNDVËSHTRIM NDRYSHE

 

Nga Adnan Abrashi

 

Bazuar në disa paralajmërime gjithnjë e më të shprehura dhe shumë serioze që po na shfaqen si shpesh këto ditë në opinion, po duket qartë se bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, sigurisht do të mbahen sivjet. Nga goja e politikanëve tanë të rangut të lartë shtetëror, thuhet se ato do të jenë “teknike”, dhe, nga ne të shumtë laikë në politikë ai që për momentin e dëgjon këtë vlerësim, si përshtypje e parë e fituar asociaciative na shkon mendja se aty do të bisedohet: për trashësinë dhe vijat e gypave të kanalizimit, për ngjyrat e mbishkrimeve të tabelave në kufi..., apo, ndoshta edhe si mund të quhet lepuri kur ta kaloj kufirin e Kosovës në territor të Serbisë. Po ashtu, nga ta thuhet se këto bisedime bilaterale do të zhvillohen në nivel të barabartë si në mes të dy shteteve të pavarura dhe sovrane (kurrsesi ndryshe). Ama, sigurisht, tashmë, për hir të kënaqjes dhe balancimit efikas të inateve infantile ballkanike që atyre ju shërbejnë për nevojat e konsumit të brendshëm politik, ky takim do të realizohet sipas formulës tashmë të pranuar si karrem të bashkësisë ndërkombëtare nga të dy palët; e realizueshme mu ashtu sikur në takimin paraprak që do të mbahet në Sarajevë, ku përpara tavolinës së pjesëmarrësve do t’i shkruhej vetëm emri, pa funksionin dhe shtetin që ai e përfaqëson, dhe, se, në fund të takimit, për kujtim nuk do të ketë fotografime të përbashkëta.

Dinjitet i lartë i përfaqësimit të shtetit nga të dy palët negociuse, e jo mahi, a po?!

Sipas funksionit shtetëror dhe detyrës zyrtare, në këtë takim ndërkombëtar, ekipi ynë negociator, sigurisht do të udhëhiqet nga ministri i punëve të jashtme, Skender Hyseni (Skenda). Pa dyshim, diplomati më i aftë dhe më shquar i të gjitha kohërave të historisë shtet-formuese kosovare, dhe, sikur e vlerësojnë disa, njeriut i cili për këtë talent ka marrë shkollë nga ish kryetari i tij i falshëm historik, Ibrahim Rugova. Shkollë teorike, kuptohet, me vite duke përkthyer nga shqipja në anglishte dhe anasjelltas, të gjitha materialet të asaj kohe të lavdishme të luftës sonë paqësore dhe diplomatike për pavarësi nga Serbia.

Sikur më tha edhe një adhurues i tij i flaktë, pasi atëherë ja ka “ftoh” Tadiqit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB në New York, Skenda jonë i famshëm, tashti, homologun e tij Jermeiqin do ta shtinë në xhep të vogël. Por unë që gjithnjë mendoj mbrapsht, frikona se atëherë xhepi i tij i vogël do të jetë më i mençur se ai?!

Sipas të gjitha gjasave, po ashtu me detyrë zyrtare të nivelit shtetëror, nga ana e jonë, në këtë delegacion negociator, do të merr pjesë edhe zëvendës-ministrja e punëve të jashtme, zonjusha, Vlora Çitaku, e cila, me veshjen e saj elegante dhe gjithnjë sipas modës së fundit, do të shkëlqej para kamerave të medieve botërore. Kur jena te pjesëmarrja e zonjushës Vlora Çitaku në këtë eveniment ndërkombëtar, këtë rast të rëndësishëm historik, me pak kreativitet, disa biznese kosovare mund ta shfrytëzojnë edhe për reklamimin e produkteve të tyre. Ta zëmë, ata, gjatë kohës së zhvillimit të këtij takimi, zëvendës-ministren tonë të punëve të jashtme, mund ta veshim me tesha më të shtrenjta sipas modës fundit, me kusht që, pas çdo reportazhi për këtë ngjarje si lajm në mediet tona elektronike, poshtë ekranit të shkruan me titra: “Për veshjen e zëvendës-ministres sonë, është përkujdesur “filan-fistek” butiku”,

Pastaj, pse për stilin e dukjes në përgjithësi të përfaqësuesve të delegacionit të Kosovës në këto bisedime, me këshillat e veta të vlefshme profesionale, të mos i ndihmoj edhe firma jonë mike me renome botërore për marketing nga Izraeli, “SAATCHI & SAATCHI”. Sikur e dimë të gjithë, para disa kohe, për prezantimin e “suksesshëm” të imazhit pozitiv ndërkombëtar të Republikës së Kosovës si shtet më të ri dhe të pavarur në botë, kjo firmë ka marr bajagi do pare të majme nga qeveria e jonë.

Po ashtu, të mësuar që për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, në këtë rol institucional dhe kushtetues, Ministrisë tonë të Punëve të Jashtme, t’i përzihen në punë, edhe disa lider të partive në opozitë, frikohem se në hollin e ndërtesës ku do të mbahen këto bisedime, me prezencën e vet mund të shihet edhe Behxhet Paconlli?!.

Edhe pse Serbia gjithmonë në këto takimet ndërkombëtare insiston që Kosova paralelisht të jetë e përfaqësuar edhe nga misionet mbikëqyrëse ndërkombëtare, aty patjetër do të jetë edhe z. Lamberto Zannier, ende si përfaqësues i misionit ndërkombëtar UNMIK në Kosovë, ndoshta Piter Faith dhe Iv De Kermabo nga ICO-ja dhe EULEX-i, dhe ndonjë diplomat tjetër i lartë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Normalisht, në këtë takim si gjithnjë, prezenca e tyre do të jetë plotësisht e “paanshme”, “jo imponuese” dhe vetëm “monitoruese”; Sepse, praktikisht në to bisedojnë dy shtete të pavarura dhe vërtet sovrane, prandaj për të gjitha çështjet kontestuese kryekëput “teknike” që ata do të pajtohen bashkërisht në mes veti, nuk do të jenë të ndikuara aspak nga askush prej së jashtmi?!

Sido që të jetë, parimisht në politikë dhe diplomaci, çdo bisedim bilateral dhe multilateral ndërkombëtar që zhvillohet në mes të dy apo më shumë shteteve, është i mirëseardhur dhe gjithmonë i preferuar. Ama, unë për këto të fundit, më së shumti i frikohem se, mos rastësisht aty Serbisë do t’i mbushet mendja që të na ofroj në dispozicion edhe hapjen e dosjeve të fshehta të UDB-së?

Çështje teknike është edhe kjo, a po?

A thua, atëherë, sa e sa deputetëve si Nahit Hasani dhe avokatëve të tyre, do t’i dilte punë për përpilimin e kallëzimeve penal? Besoj se, me të kuptuar këtë realitet të ri që do të na ishte krijuar në këtë situatë, nga zhgënjimi, mjaftë prej politikanëve tanë më të ndërgjegjshëm (fatlumësisht kemi pak nga ky soj), ju ishte dashur që definitivisht ta braktisin këtë “zanat”?!!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora