E enjte, 01.05.2025, 05:10 AM (GMT+1)

Mendime

Blendi Fevziu: Si zgjidhet kriza?

E diele, 09.05.2010, 07:57 PM


Si zgjidhet kriza?

 

Nga Blendi Fevziu

 

A ka një zgjidhje për t’i dhënë fund grevës së urisë së deputetëve dhe mbështetësve socialistë që janë ngujuar në bulevard ...përpara selisë së Kryeministrisë? Kësaj pyetjeje, përgjigja e së cilës vlen sa jeta e 200 personave të ngujuar aty, do t’i përgjigjesha personalisht me të kundërtën, dmth atë që nuk është zgjidhje. Më pas do të tentoj të rendis një seri mundësish që duket se ende nuk janë konsumuar dhe në qëmtimin e së cilave mund të gjendet edhe një zgjidhje racionale.

Nuk është zgjidhje për krizën takimi Berisha–Rama. Çdo takim i tillë, përveçse jo produktiv, nuk i shërben një zgjidhjeje afatgjatë të problemit. Nëse Shqipëria ndodhet në një stad të tillë, ndodhet sepse shumica e problemeve dhe krizave të prodhuara këto 20 vjet, nuk janë zgjidhur as në mënyrë institucionale dhe as ligjore, por mbi bazën e marrëveshjeve. Marrëveshje të negociuara pas një presioni të fortë politik, që jo rrallë ka degjeneruar në përplasje të dhunshme dhe me një kosto fatale për vendin. Në fakt, këto 20 vjet, të gjithë ne i kemi përshëndetur marrëveshje të tilla, shtrëngime duarsh mes burrash të fortë që pasi i kanë treguar vendin njëri–tjetrit për muaj të tërë, pasi kanë rreshtuar ushtritë e militantëve dhe fanatikëve të tyre, kanë dëshmuar se dinë të merren vesh. Një gjë e tillë, normale për një vend si Shqipëria e viteve 1990–2000, nuk është aspak normale për një vend ku demokracia garantohet nga ligji, respektimi i tij dhe çdo krizë vjen përmes zgjidhjes institucionale. Një takim Berisha–Rama, vetëm sa do ta rëndojë këtë klimë dhe do ta shtyjë krizën afatgjatë, duke mos i dhënë asaj një zgjidhje reale. Berisha dhe Rama mund të pinë kafe mes tyre; mund të institucionalizojnë një takim permanent dhe periodik për të diskutuar zhvillimet e vendit me përgjegjësinë që ju jep vota e mbështetësve të tyre, por Berisha dhe Rama nuk janë Muji me Halilin dhe koha e eposit të kreshnikëve ka kaluar.

Nuk është zgjidhje imponimi politik dhe asnjë lloj forme presioni nuk mund të zëvendësojë strukturat legjitime. Kryeministri nuk mund të ikë me grevë urie dhe as me ndonjë formë tjetër presioni jashtë sistemit. Çdo mendim i tillë është naiv dhe aventuresk. Më 1998, kur të gjitha institucionet e shtetit ranë dhe Kryeministri u largua në Maqedoni, krerët e opozitës së atëhershme thërrisnin në telefonon OSBE, që të merrte TVSH dhe tanket që i kishin marrë protestuesit. Asgjë nga ato që kishin fituar s’ju hynte në punë dhe që nga ai moment, në Shqipëri e kanë kuptuar të gjithë që ka vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet, me zgjedhje! Zgjedhjet janë kryer dhe zgjedhjet e reja, në bazë të Kushtetutës janë në vitin 2013, ose më herët nëse kjo maxhorancë humb mbështetjen e 71 deputetëve. Greva e urisë mund të vijojë me muaj dhe nuk mund të imponojë asgjë politikisht.

Nga ana tjetër, Kryeministri nuk duhet dhe as mund të ndërmarrë asnjë akt force për t’i larguar grevistët që aty. Leja dhe lirimi i bulevardit, janë shumë më pak të rëndësishme se sa e drejta e tyre për të protestuar, qoftë edhe me një mënyrë ekstreme. Ata mund të qëndrojnë aty për sa kohë duan, për sa kohë besojnë se i shërbejnë sensibilizimit të opinionit për transparencën dhe Qeveria duhet të marrë të gjitha masat që shërbimi shëndetësor, siguria dhe higjiena e tyre të jetë e garantuar dhe në cilësinë më të lartë të mundshme.

Nuk është zgjidhje beteja e deklaratave dhe mitingjeve të të dyja palëve. E gjitha kjo është një shpenzim energjie dhe financash, që vetëm sa e rëndojnë edhe më shumë vendin në këtë moment, kur situata është edhe vetë e ngarkuar.

Po a ka një zgjidhje? Padyshim që po. A duhet një zgjidhje? Padyshim që po! Një zgjidhje në radhë të parë për vendin dhe imazhin e tij.

Një zgjidhje në radhë të dytë për ata 200 të ngujuar që janë duke kryer një sakrificë ekstreme, që nuk i duhet uruar askujt dhe që duhet hequr nga fjalori dhe shprehitë e politikës shqiptare.

Cila mund të ishte zgjidhja? Nuk dua të bëj Kasandrën sepse një zgjidhje në një situatë të tillë është e vështirë. Duke përjashtuar ato institucionale, pra rrugën përmes Prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese apo Komisionit të Venecias, që opozita i ka përjashtuar tashmë, zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i një klime bashkëpunimi dhe infrastrukture për të garantuar transparencën maksimale dhe rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe të përgjithshme. Opozita është shprehur se objektivi i saj final është krijimi i një standardi transparence dhe sigurie, që do ta garantojë atë për zgjedhjet e ardhshme. Ky standard mund të vendoset duke garantuar zgjedhjet e ardhshme dhe jo duke u kthyer pas tek ato që kaluan. Kjo mund të bëhet përmes një marrëveshjeje mes dy palëve, në prani të Presidentit dhe komunitetit Ndërkombëtar, konform një platforme ligjore të menduar mirë. Në këtë rast, zgjidhje ka shumë: ndërtimi i një Kodi të ri ku të reflektohen gjithë rekomandimet e OSBE – ODHIR; përfshirja e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për të; përjashtimi i numëruesve militantë në qendrat e votimit dhe zëvendësimi i tyre me numërimin elektronik apo me gjykatës dhe prokurorë; përfshirja e penaliteteve shumë të ashpra për ata që falsifikojnë votën, përfshi burgimin; hapja e kutive pa kushtëzim deri në momentin që jepet rezultati final i KQZ–së, nëse kjo gjë kërkohet nga një prej forcave politike; garantimi i votave të partive të vogla dhe shumë të tjera që s’më vijnë ndër mend.

E gjitha kjo paketë duhet të jetë transparente për gjithë shoqërinë. Mund dhe duhet të hidhet për diskutim publik, për të reflektuar vërejtjet e politologëve, juristëve, konstitucionalistëve, gazetarëve apo edhe qytetarëve të thjeshtë. Një Kod i tillë, ose rregulla të tilla loje, mund të garantojnë një transparencë të padiskutueshme dhe mund të sjellin një standard për të cilin kemi nevojë. Kjo zgjidhje, që ngjan më e mundshmja, mund të negociohet paraprakisht dhe më pas të dërgohet te Presidenti që të ndërhyjë për t’i ulur palët bashkë me një dokument konkret.

Çdo zgjidhje tjetër, që shkon në favor të një grushti radikalësh të mbetur jashtë Parlamentit, që s’kanë as vota dhe as përgjegjësi për vendin, por që penalizon fort ata deputetë dhe mbështetës që janë ngujuar prej tetë ditësh në grevë, nuk mund të jetë zgjidhje. Opozita duhet të jetë e lumtur që çështjen e votave dhe transparencës së tyre e bëri moto të saj dhe pas këtij sensibilizimi publik të bashkëpunojë, për të ngritur një infrastrukturë që do të jetë një garante afatgjatë. Çdo zgjidhje tjetër është aventurë, edhe pse, duket se sensi aventuresk i këtij populli është reduktuar ndjeshëm vitet e fundit dhe zgjedhjet janë bërë gjithnjë e më shumë të logjikshme dhe racionale.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx