E hene, 29.04.2024, 07:38 PM (GMT+1)

Mendime

Bardhyl Mahmuti: Pa asgjësimin e politikës antishqiptare të Shkupit nuk ka paqe të qëndrueshme në Maqedoni!

E hene, 10.05.2010, 09:58 PM


Pa asgjësimin e politikës antishqiptare të Shkupit nuk ka paqe të qëndrueshme në Maqedoni!

 

INA: Publikimi i Komunikatës Nr. 1 e UÇK-së shërbeu si pretekst që të spekulohet me emra të ndryshim se kush qëndron prapa « grupeve të armatosura ». Kumtesa e MPB të Maqedonisë se kjo komunikatë është lëshuar nga Zvicra ka kontribuuar që të spekulohet edhe me emrin tënd? Sa ka të vërtetë në këtë ?

 

Bardhyl Mahmuti:

Para masakrës së Brodecit unë si Kryetar i BDSH-së jam munduar të sensibilizoj opinionin publik dhe institucionet ndërkombëtare për rrezikun që u kanoset shqiptarëve nga politika antishqiptare e VMRO-së.

Apelet tona, fatkeqësisht, hasën në vesh të shurdhër. Ne nuk mundëm të parandalojmë dhunën e shfrenuar antishqiptare. Denoncimet e këtij krimi dhe mijëra letra që kemi dërguar në institucionet ndërkombëtare kanë mundur të lënë përshtypjen se unë personalisht kam mundur të jem i implikuar në përgatitjen e rezistencës së armatosur.

Edhe pas dhunës më çnjerëzore që u ushtrua ndaj të arrestuarve të « rastit të Brodecit » doli në shesh se shumë kush kishte qenë i implikuar dhe se unë nuk kam pasur kurrfarë lidhje me ta. Madje doli në shesh se ata që ishin të implikuar vetë në këtë rast përhapën propagandën se gjoja unë qëndroj pas tyre. I njoh mjaft mirë të gjitha ata që hedhin gurin dhe e fshehin dorë ! Unë nuk jam nga ata politikan që fshihem pas aksioneve. Sikur të kisha qëndruar pas organizimeve të tilla do të më kishit parë në Brodec. Gjallë a vdekur do të kisha ndejtë me ta.

E njëjta gjë ndodh aktualisht. Shumë kush e hedh gurin dhe e fsheh dorën ! Unë nuk kam qëndruar dhe nuk qëndroj prapa asnjë organizimi të armatosur. Mendoj se ende ka mundësi që terrorin shtetëror dhe politikën antishqiptare të Shkupit ta gjunjëzojmë me mjete politike.

 

INA: Kush ka interes të manipulojë me emrin tënd?

 

Bardhyl Mahmuti:

 

Ata që ju vërsulën me deklarata “grupeve të armatosura”!

Fakti se unë i kam quajtur si të papërgjegjshme deklaratat që stigmatizonin bartësit e Komunikatës Nr.1 të UÇK-së si nxitës konfliktesh dhe se kam denoncuar këtë mënyrë të sjelljes si inkurajuese për forcat antishqiptare të Maqedonisë që të ndërmarrin aksione të përmasave të gjëra kundër popullit shqiptar i ka irrituar të gjithë ata që dëshirojnë të gjejnë fajtorët kujdestar të destabilizimit në mesin e shqiptarëve.

Qëndrimet e mija janë politike dhe reale. Fajtori kryesor dhe nxitësi kryesor i konflikteve gjendet te politika antishqiptare e Shkupit. Të gjithë ata që orientojnë gishtin nga viktimat janë duke u dërguar mesazhe të këqija nxitësve të vërtetë të konfliktit.

 

INA: Kush ka arsye dhe interes i kujt është që të ketë edhe një luftë të armatosur në Maqedoni ?

 

Bardhyl Mahmuti:

 

Nuk është risi kur afirmojmë se shqiptarët në Maqedoni janë populli më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropë. Vrasje, plagosje, maltretime, arrestime, dënime, plaçkitje ekonomike, diskriminim kulturor, diskriminim etnik, diskriminim religjioz....

Për të kapur pushkët ka një mijë e një arsye. Por Lufta, pa u shterur të gjitha mjetet politike dhe pa u përgatitur mirë mund t’u konvenojë qarqeve antishqiptare dhe pasojat mund të bien mbi civilët e pafajshëm.

Nëse shqiptarët kanë arsye të përdorin të gjitha format e luftës (politike dhe të armatosur) për të hequr qafe këtë diskriminim mizor, në kontekstin aktual VMRO-ja ka interes që të shpërthejë një luftë e papërgatitur sidomos tani kur të gjitha institucionet ndërkombëtare bëjnë apel që çështjet të zgjidhen me mjete politike. Shpresoj se ata që mendojnë t’i përgjigjen me armë provokimeve të vazhdueshme të Nikola Gruevskit, do ta analizojnë mirë këtë situatë dhe do të evitojnë të gjitha situatat që mund t’i japin pretekst politikës antishqiptare të shfryjë urrejtjen e vet kundër popullit shqiptar. Kjo urrejtje mund të shkaktojë tragjedi të mëdha, sidomos në vendet ku shqiptarët kanë mbetur në pakicë (Prilep, Manastir, rajoni i Velesit etj)

 

INA: Ju flisni për urrejtje antishqiptare. Shpesh dëgjohet se VMRO-ja dëshiron të hakmerret për luftën e vitit 2001. Çka mendoni për këtë?

 

Bardhyl Mahmuti:

 

Shprehja hakmarrje për luftën e vitit 2001 është joadekuate në rastin tonë. Kjo shprehje, në mënyrë implicite, nënkupton se u kemi hak maqedonasve. Përkundrazi. Edhe 100 vjet me ushtruar dhunë kundër tyre ne nuk mund të nxjerrim hakun që na kanë ata. Urrejtja dhe diskriminimi me interesa të plaçkitjes së ekonomisë tonë janë faktorët që orientojnë aksionet e kësaj politike antishqiptare të Shkupit. Ata dëshirojnë që shqiptarët të jenë rezervë strategjike për akumulimin e devizave dhe të mos investohet asgjë te ne.

Sot nuk është koha as e hakmarrjes e as koha e urrejtjes. Sot është koha e koordinimit të domosdoshëm të strategjive politike në drejtim të realizimit të të drejtave tona legjitime.

 

INA: Si mund të evitohet lufta e re e armatosur në Maqedoni?

 

Bardhyl Mahmuti:

 

E vetmja mënyrë që qetëson situatën dhe parandalon rrezikun e konfliktit është intervenimi i shpejtë i i institucioneve ndërkombëtare për t’i imponuar Qeverisë së Maqedonisë ndërprerjen e politikës antishqiptare.

Por, që të ketë një reagim efikas të institucioneve politike ndërkombëtare, forcat politike shqiptare duhet që t’i lënë inatet personale, të shtrijnë dorën e pajtimit dhe të rreshtohen përballë politikës agresive të shtetit maqedonas. Në këtë mënyrë mund krijohen premisa për të evituar luftën e armatosur dhe t’i jepet një shans rrugës politike.

 

INA: Sipas jush cili do të kishte qenë sinjali publik se shanset e evitimit të luftës janë zvogëluar?

 

Bardhyl Mahmuti:

Lirimi i shqiptarëve që padrejtësisht mbahen në burgje, ndërprerja e proceseve të montuara gjyqësore, miratimi i ligjit për ish ushtarët e UÇK-së, sjellja e ligjit për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare shqiptare; zyrtarizmi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet institucionale shtetërore janë vendime që mund të sillen brenda një seance parlamentare dhe që do të kishin ndikuar në uljen e tensioneve dhe evitimin e një lufte të re.

As vrasja eventuale e shqiptarëve të revoltuar që dëshirojnë të kapin armët, as arrestimi i tyre eventual, as dënimi me burg të përjetshëm nuk mund ta heqë rrezikun përgjithmonë. Rasti i Brodecit e dëshmon më së miri. Dy vjet pas masakrës në këtë fshat rreziku i një lufte të re rishfaqet. Rishfaqet sepse gjeneratori i këtyre konflikteve është politika antishqiptare e Shkupit. Prandaj, të gjitha ata që janë të interesuar të evitojnë konfliktin e ri në Maqedoni duhet të mobilizohen në sensibilizimin e institucioneve ndërkombëtare që me urgjencë të organizojnë një Konferencë ndërkombëtare si mjet preventiv dhe t’u imponohet autoriteteve të Shkupit të heqin dhe asgjësojnë diskriminimin racial që aplikojnë ndaj shqiptarëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora