Mendime
Mufail Limani: Fati i PDK’së
E enjte, 13.05.2010, 08:23 PM
Fati i PDK’së
Një kohë të gjatë, fati i LDK’së vetiu ishte edhe fati i mirë ose i keq i gjithë Kosovës. Tash, në një rol të tillë është PDK’ja. A do të mbijetojë?
Nga Mufail Limani
Në këtë pikë të zhvillimeve, fati i PDK’së është më i rëndësishëm sesa fati i një hetimi të shpallur.
PDK është sot një parti në situatën e një boksieri të kategorisë së rëndë, të shtrirë gjerë e gjatë në dysheme, tek i numërojnë.
(Një digresion: Korrupsioni dhe krimi nuk janë tema për debate “për” apo “kundër”, ndonëse sërish shohim përpjekje politiko-gazetareske që tema të kthehet në deklarim partiak. E vetmja gjë që mbetet për debat legjitim, besoj, është përpjekja për t’i menduar efektet dhe, natyrisht, leksionet politike të kësaj që po ndodh tani).
Këto ditë duket sikur PDK’ja po teston vërtetësinë e pohimit për tri ditët e çudës.
Po ashtu, jam i vetëdijshëm për momentin e mosveprimit domethënës politik të PDK’së, në pritje të situatave të reja kur mund të ndodhin shpalljet e paralajmëruara të hetimeve ndaj funksionarëve të partive të tjera - nga LDK’ja sidomos, por edhe nga ata të AAK’së.
Dhe, në botën e mrekullueshme të ndërtimit të perceptimeve, vërtet gjithçka duket e mundur!
Por, kujt i duhet një shpëtim i tillë i PDK’së?
Pra, kujt i duhet ngushëllimi më i rrezikshëm politik, se “të gjithë vjedhin”, duke e shndërruar garën politike në përgjigjen në pyetjen se ”me cilën bandë je”?
Nuk e di nëse prokurori holandez ka pasur ose nuk ka pasur fakte të mjaftueshme që të nisë atë që ka nisur me atë demonstratën e tij në Ministrinë e Transportit, por ajo që po e kuptojmë të gjithë, besoj, është se rezultati i vetëm i deritashëm i matshëm dhe efektiv i punës së tij është gjunjëzimi politik i PDK’së.
Dhe, nëse ky ka qenë një nga qëllimet e tij, atëherë ai duhet uruar për sukses.
Nëse jo, atëherë ai dhe shefat e tij duhet të rimendojnë shumëçka.
E para, fakti që Misioni EULEX ka zyrtarisht një qëndrim neutral ndaj statusit, nuk besoj se ka fuqi që vetiu ta zhbëjë ose abstraktojë ekzistimin e shtetit, në asnjë rrafsh.
E dyta, as institucionet vendore, por as EULEX’i, nuk besoj se kanë çfarëdo interesi real në krijimin e perceptimeve dhe të situatave reale jomiqësore, me gjithë hapësirën ekzistuese lokale të konfuzionit në bërjen e distinksionit konceptual dhe praktik midis partisë, liderit, pushtetit dhe, në fund, vetë shtetit.
E treta, Misioni EULEX nuk mund ta pretendojë mbështetjen e vërtetë të opinionit publik që duhet ta kenë ekskluzivisht institucionet vendore, qofshin ato publike, qofshin shtetërore.
E katërta, Misioni EULEX duhet t’i kthehet rolit të instruktorit, të shpallur nga vet Iv de Kermabo, duke u mjaftuar me rolin e mbikëqyrjes vlerësuese profesionale të prokurorisë, policisë dhe të gjyqësorit tonë, në synimin e përmbushjes së standardeve europiane, por pa pretenduar në asnjë rrethanë pozicionin e njëfarë “diktature iluministe” (si pasojë e të cilave ky vend ka mbetur pjesa absolutisht më e varfër, më e shtypur dhe më e poshtëruar e Europës).
E pesta, nëse EULEX vërtet ka prova të korrupsionit për Fatmir Limajn dhe për ministra të tjerë, dhe nëse vërtet EULEX nuk ka agjendë të veten sekrete politike, atëherë ata ministra e zyrtarë kosovarë duhet të arrestohen, duke e lënë asisoj shtetin e Kosovës të shkojë tutje me agjendën e vet politike, pa bagazhin e dosjeve të shpallura ose sekrete.
E gjashta, do të ishte mirë që në EULEX të mos hutohen me klithmat e ekzaltimit të atyre që deri dje mbështesnin ose legjitimonin publikisht madje edhe pohimet më demoniake për “Shtëpinë e Verdhë”, kur kjo atyre iu dukej e dobishme për çfarëdo arsye politike, ose për çfarëdo granti.
Shkurt, unë i rikthehem asaj që e kam thënë në debatet e stërpërfolura në Klan Kosova. Besoj se është Policia e Kosovës ajo që duhet t’i ndjekë hajnat e Kosovës; është gjyqësia e Kosovës ajo që duhet t’i gjykojë ata.
Pse?
Sepse një dominimi i plotë i EULEX’it në fushën e zbatimit të ligjit, bashkë me llojin e paraqitjeve publike omnipotente të prokurorit të saj, sikur që e pamë në Rastin Limaj, vetiu i kthen të gjitha çështjet në çështje politike.
Si ashtu?
Për shembull, arrestimi i paralajmëruar i pesë-gjashtë ministrave nga ana e EULEX’it natyrisht që do ta lerë Kosovën pa Qeveri të zgjedhur; natyrisht që ajo situatë do ta sjellë Kosovën në situatë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare; natyrisht që ajo situatë, me imazhin e lidershipit kriminal, vetiu do ta përçojë dhe ushqejë mesazhin e njohur antishqiptar se, kur bëhet fjalë për Kosovën, bëhet fjalë për një “shtet të shpikur të banditëve”.
Etj.
Në një aso situate, Kosova politike objektivisht rikthehet në Pikën Zero.
Një lidership i diskredituar ose i shantazhuar me dosje kriminale, nuk ka se si të pretendojë çfarëdo roli të besueshëm në negociatat e paralajmëruara tekniko-politike me Serbinë.
Një përpjekje për imponimin e modeleve të “Qeverisë Teknike”, ose ajo për kthim tek modeli i “Ekipit të Unitetit”, aktualisht paraqet përpjekje të paturpshme publike për korruptim të sistemit politik, një përpjekje që fuqitë vendimmarrëse të shtetit të kapen në mënyrë jolegjitime, pa përfillur kutitë zgjedhore, por përmes interferimit direkt të elementeve të huaja në sistemin tonë legal dhe politik.
Por, a është kjo ajo që vërtet e do EULEX’i?
Për vete, ende nuk kam vendosur se kujt do t’i besoj më shumë.