Mendime
Blerim Shala: Zona e Muzgut
E hene, 17.05.2010, 09:54 PM
Zona e Muzgut
Demokracia në Kosovë është e pakthyeshme – kjo porosi na duhet tani më shumë se kurrë. Do të dështojnë, gjithsesi, të gjitha variantet politike kuazi-demokratike dhe kripto-komuniste, të cilat kanë marrë hov kohëve të fundit në politikën kosovare.
Nga Blerim Shala
Si u bë korrupsioni Tema Nr.1 në Kosovë? Sepse me të u morën aq shumë mediat, apo pse pushteti i Kosovës është i mbërthyer prej korrupsionit? Sepse Komisioni Evropian dhe shumë adresa të tjera sipërore perëndimore e trajtuan këtë temë, apo pse korrupsioni është dukuri gjithëpërfshirëse në Kosovë? Sepse qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar me fatin e tyre që po dëmtohet me paratë e abuzuara prej politikanëve, apo pse kemi të bëjmë me lajme të përditshme që vijnë nga pushteti i Kosovës?
Mediat merren ditë e natë me korrupsionin, instancat ndërkombëtare e kanë atë temë bosht në Raportet e tyre periodike 6-12 mujore, qytetarët e Kosovës janë të pezmatuar me kallëzimet për të, sepse njëmend, siç po shihet tani më shumë se kurrë, nuk mund të ketë bashkëjetesë të një shteti të suksesshëm, të një shoqërie të shëndoshë, të një Kosove me prosperitet ekonomik dhe social, dhe me perspektivë evropiane, me një pushtet të zaptuar prej korrupsionit, të prangosur prej tij, të ngulfatur prej tij.
Duhet bërë këtë konstatim, edhe një herë (dhe përditë, si po duket), sepse mënyra e reagimit të autoriteteve institucionale të vendit, të emrave më të njohur të politikës zyrtare të Kosovës, ndaj kësaj dukurie shkatërrimtare për Kosovën, të çon kah konkludimet që sipas tyre, e tërë kjo zhurmë e madhe veshëshurdhuese për korrupsionin, është pjellë e komploteve të lloj-llojshme pjesërisht vendore dhe pjesërisht ndërkombëtare, e konspiracioneve të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, e përbetimeve të disa mediave dhe të një pjese të shoqërisë civile, të gjitha këto, me qëllim që të goditet shteti i Kosovës, pavarësia e Kosovës, institucionet e vendit.
Duke identifikuar veten me atdhetarinë, atdheun me pushtetin, dhe pushtetin me shtetin e Kosovës, këta na e thonë, në dhjetëra e qindra mënyra, që adresa e vetme e patriotizmit, e pushtetit legjitim dhe e shtetit të Kosovës janë këta, e ne të tjerët, i kemi dy rrugë: Duhet të nënshtrohemi, të bëhemi qytetarë të dëgjueshëm, që kemi veshë e jo edhe gojë, ose do të jemi tradhtarë!
Kjo është politika e tyre. Botëkuptimi i tyre. Dhe kjo politikë po
Praktika e korrupsionit të përditshëm luftohet, prej tyre, me Teoritë e komploteve të përjetshme.
Nuk ka tjetër. Deri vonë, prej lidershipit institucional në Kosovë, nuk pranohej që ka fare probleme të mëdha në shoqërinë kosovare. Gjithçka ishte shkëlqyeshëm. Tash kur shpërthyen, në të katër anët, prishjet e çdollojshme, të këqijat e gjithfarshme, në vend të adresimit të përgjegjësisë për gabime dhe dështime, e cila gjë bëhet dhe ndodh edhe në demokracitë më të zhvilluara perëndimore, prijësja kosovare është në kërkim përplot ethe e zjarrmi të fajtorëve që korrupsioni është i këtillë në Kosovë. Në vend të konfrontimit me korrupsionin dhe të korruptuarit, shtegdalja po gjendet në antagonizimin (i cili nganjëherë po merr edhe trajta ekstreme), me të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetrën, kanë alarmuar opinionin kosovar për thellësinë dhe gjerësinë e kësaj dukurie.
U nxorën, prej kasafortës ku mbahen rezervat politike (për ditë të vështira), letrat pseudo-patriotike, të cilat hidhen në qarkullim që disi të mbulohet deficiti i krijuar politik, pikërisht pasi që korrupsioni, pasi një herë goditi gjithë shoqërinë kosovare, sulmoi adresën kryesore të tij: Qeverinë. Por siç ndodh rëndom në tregun e parasë, edhe këtu, shtypja dhe shpërndarja e letrave të këtilla, vetëm sa zhvlerëson a devalvon më tej institucionet përgjegjëse para ligjit dhe para qytetarëve të Kosovës.
ICO, EULEX, Evropa plakë, do gazetarë e gazeta, do OJQ-ista dhe natyrisht opozitarët kokëfortë, të gjithë këta të pamarrur vesh, janë fajtorë që Qeveria e Kosovës ka telashe të këtij lloji.
Kohëve të fundit, për shkak të paralajmërimeve për bisedimet e reja të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat me gjasë, do të nisin në vjeshtën e këtij viti, janë dëgjuar fjalët dhe zotimet e politikanëve të vendit dhe të diplomatëve të shteteve më të fuqishme perëndimore, që Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë për çkadoqoftë, por assesi jo për statusin e Kosovës dhe për kufijtë e Kosovës.
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme – thonë me të drejtë politikanët e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë.
Një porosi e tillë kategorike, do të duhej të dëgjohej prej të gjithë politikanëve të vendit, sidomos prej atyre që janë në krye të institucioneve të Kosovës, edhe kur flitet për demokracinë.
Demokracia në Kosovë është e pakthyeshme – kjo porosi na duhet më shumë se kurrë në Kosovën e pasluftës.
Do të dështojnë, gjithsesi, të gjitha variantet tjera politike kuazi-demokratike dhe kripto-komuniste, të cilat kanë marrë hov kohëve të fundit në politikën kosovare.
E kanë shumë gabim ata që mendojnë që mund të hyhet pa u ndëshkuar, pa pësuar, në një konflikt që synon anatemimin dhe ekskomunikimin e gazetarëve, të pjesëtarëve të shoqërisë civile, të politikanëve të opozitës, të atyre që mendojnë ndryshe.
Ka perënduar kjo kohë. S’ka më mbyllje të gojës, s’ka më heshtje përulëse, s’ka më frikë.
Kushdo që në shoqëritë dhe shtetet pas-komuniste, ka provuar që në këtë mënyrë t’i “barazojë hesapet” me të padëgjueshmit dhe rezistuesit, është ndarë keq në fund, në kutitë e votimit, në zgjedhje. Sepse kjo gjendje ndryshohet gjithsesi me zgjedhje të lira, kur barazohen hesapet e qytetarëve me një qeveri.
Jetojmë në Kosovë, në majin e vitit 2010. Duket që dikush ka humbur kalendarin andejpari. E tani kudoqoftë, jo vetëm në atë variantin e shtypur, por edhe në orën e dorës, në celular, në kompjuter, çdo çast, na kujtojnë se në çfarë dite, në cilin vit dhe çka është më e rëndësishmja, në cilën epokë jetojmë.
(Blerim Shala është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)