Mendime
Pastor Femi Cakolli: Fjalët e para
E marte, 18.05.2010, 09:58 PM
“Ju jeni letra e jonë, e shkruar në zemrat tona, e lexuar nga të gjithë njerëzit, duke qenë manifestuar se jeni një letër e Krishtit, e hartuar me anë të shërbesës sonë, dhe e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi”. 2Kor.3:2-3
FJALËT E PARA
Nga Pastor Femi Cakolli
femi_cakolli@yahoo.com
Herën e fundit që kur doli numri i pasëm i revistës “letra e gjallë” ishte dhjetori i vitit 2007, dhe tani jemi marsi 2010. Kjo është një kohë e gjatë për publicistikën, për krijuesin dhe për shkrimtarin, por çdoherë e më shumë po dëgjoj komente nga njerëzit se koha po fluturon shpejt sikur muajt janë kthyer në javë. Për 26 muaj në Kosovë kanë ndodhur përplot ngjarje. Në maje është shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik më 17 shkurt të 2008. U mblodh gjithë Kosova dhe mërgata në Prishtinë qysh një ditë më herët dhe pastaj u proklamua ajo që pritej me shekuj. Më kujtohet se dikur kur isha një adoloshent kam qenë bari, ashtu sikur shumica e të atyre që janë rritur në malësi, dhe pothuajse nuk kam lënë gurë pa shkruar dy shkronja: KR
Kjo kohë ishte sidomos prej vitit 1981-87. Këto iniciale i shkruaja me një gur të vogël e të mprehtë dhe tash vërtet Kosova është Republikë. Fjala republikë vjen nga latinishtja (res – do të thotë punë; publica – do të thotë shtet). Kemi kërkuar pra që atëherë pa e ditur dy gjëra: punë dhe shtet; ose punë shtetërore; ose shteti që punon). Nuk do mend se nuk na duhet ndonjë ekzegjet për të thënë më shumë për ndonjë mesazh.
Sigurisht se edhe kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera në Kosovë që i ka shënuar dikush. Kosova ende nuk po njihet nga shtetet islame, sepse ashtu si thonë shumë gazetarë e diplomatë arsyeja mbetet tek dashamirësia që kanë këto shtete islame me Rusinë ortodokse. Për çudi as Vatikani nuk po na njeh! Në botë janë 42 shtete me shumicë protestante dhe deri tani numri më i madh i vendeve që e kanë njohur shtetin tonë vijnë nga ky grup.
Dy ngjarje me shumë rëndësi për komunitetin protestant të Kosovës është se Kisha Prostestante Ungjillore e Kosovës prej prillit të vitit 2009 është anëtare e barabartë në Aleancën Ungjillore Europiane, dhe prej shtatorit të vitit 2009 kjo kishë po ashtu është bëtë anëtare e barabartë edhe në Aleancën Ungjillore Botërore. Kjo aleancë përfaqëson mbi 500 milionë protestantë.
Nuk duhet harruar po ashtu se për herë të parë komuniteti protestant i Kosovës gjatë festës së Pashkës së marsit të vitit 2008 organizoi një shërbesë të hapur publike mbajtur para Teatrit Kombëtar ku morën pjesë afërsisht 1000 të krishterë protestantë.
Dua sërish që të lidhemi me punën. Në gjuhën greke fjala për punën është ergos. Prej këtej kemi edhe fjalët sikur ergativ (veprues), ergonomia (rend, rregull). Kemi dëgjuar shumë për fjalën egoizëm, pra për njeriun vetjak si një shprehi e keqe, por lirisht mund të them se shoh edhe një dukuri tjetër në secilin mes, qoftë edhe mes të krishterëve. Këtë dukuri e quaj ergocentrizëm. Kjo do të thotë se puna ime është më e mirë sesa e jotja; se puna e jote nuk vlen asgjë në krahasim me punën time; prej punës sime jetojnë dhe kanë përfitime të gjithë kurse prej punës tënde nuk ka asgjë. Me këtë dua të them: sa shumë mungon bashkëpunimi, bashkërendimi, respekti për punën e tjetrit në këtë vend!
(Nga revista:”Letra e gjallë”, nr. 18/2010)