E marte, 04.06.2024, 03:14 AM (GMT+1)

Mendime

Shkëlzen Gashi: Intervistë me Adem Demaçin

E marte, 18.05.2010, 09:58 PM


Intervistë

 

Edhe po qe se Kosova bëhet e pavarur,

unë do të jem ithtar i projektit Ballkania

Adem Demaçi Intervistuar nga Shkëlzen Gashi

Në këtë intervistë Nelson Mandela i Kosovës flet ekskluzivisht për bashkimin kombëtar dhe për projektin e tij Ballkania. Ai është i bindur se Ballkania nuk është projekt i dëmshëm. Shqiptarët nuk kanë kapacitet që ta kuptojnë këtë projekt – thotë simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Bile-bile, ai thotë se edhe pasi që Kosova të bëhet e pavarur, do të jetë edhe më tutje ithtar i projektit Ballkania…

A je për bashkim kombëtar a jo?

Shikoni, çështja e bashkimit kombëtar nuk është çështje dëshire. Ajo klasë, e cila e ka krijuar vetëdijen kombëtare, e, e cila klasë na ka munguar gjatë gjithë kohës, sepse klasa kapitaliste e interesuar për ta ruajtur tregun e vet e ka zhvilluar ndjenjën kombëtare duke u munduar që të mos lejojë konkurrentë në tregun e vet kombëtar… ajo klasë ka luftuar për unisimin e gjuhës, për ngritjen e vetëdijes se ne i takojmë një kombi; se ne duhet ta kemi shtetin tonë; se ne s’duhet të na përzihet kërkush etj., etj… E kjo klasë na ka munguar neve. Kur erdhi koha që të fillonin embrionet e para të krijimit të klasës kapitaliste, atëherë në Shqipëri fitoi komunizmi, e cila ishte një brymë e ftohtë që i shkatërroi në themel mundësitë e krijimit të klasës kapitaliste sepse komunizmi doli me idenë e internacionalizmit - çka na duhet neve kombi?! Domethënë, ende pa u bërë kombëtarë, u bëmë ndërkombëtarë…

Tash po e dinamizojmë pakëz intervistën! Ju jeni njeri prej njerëzve kryesorë që jeni angazhuar për bashkim kombëtar dhe…

Ashtu është! Ne të rinjtë atëherë kemi menduar se nuk ka zgjidhje tjetër përveç bashkimit kombëtar…

Pse nuk keni kërkuar republikë, por keni kërkuar bashkim kombëtar?

Sepse prapë do të ishim të lidhur me Serbinë. Po qe se ne kërkonim republikë, prapëseprapë Serbia do ta kishte fjalën kryesore dhe…

Pse s’keni kërkuar atëherë konfederatë ku krejt republikat do të ishin të barabarta…

Atëherë s’kemi pasur ide për konfederata. Pavarësia na dukej zgjidhja më e mirë…

Pavarësia zgjidhja më e mirë apo bashkimi kombëtar…

Pavarësia në kuptimin e bashkimit me Shqipërinë, sepse mendonin se do të na ndihmonte Rusia ngase Rusia e dënonte revizionizmin serb…

Do të thotë keni gabuar që keni kërkuar bashkim kombëtar…

Ka qenë një vlerësim, një strategji e gabuar. Kemi menduar se do të na ndihmojë Rusia, e cila i kishte 100 popuj të shtypur. E lamë Rusinë e u kapëm për Kinën, duke menduar se edhe Kina do të na ndihmonte, sepse edhe Kina filloi njëfarë propaganda anti-jugosllave. E ne thamë: e tash kemi rënë në një miliardë kinezë dhe ka kush na ndihmon, por kinezët vetë e kishin Tibetin, e kishin…

Kur e keni kuptuar se keni gabuar?

Kur kam rënë në burg e kam kuptuar se kam gabuar, pra kur kam rënë në burg kam pasur më shumë kohë të lexoj dhe i kam kuptuar zhvillimet e ngjarjeve. Domethënë, e kam kuptuar Rusinë e Kinën…

Kur ka qenë kjo?

Në kohën e burgut të dytë! Ne kemi rënë në burg në qershor të vitit 1964, domethënë deri në qershor të vitit 1974, pra më janë dashur dhjetë vite që ta kuptoj se kemi vlerësuar gabimisht. Pra më është dashur ta lexoj Leninin krejt, Marksin e Engelsin krejt, pastaj autorë si Raselli, e shumë autorë të ndryshëm botërorë që ta kuptoj të vërtetën.

Dhe e keni kuptuar që keni bërë gabim…

E kam kuptuar që kemi vlerësuar gabimisht! Nga rezistenca jonë kemi arritur ta detyronim regjimin serb që t’u bënte lëshime shqiptarëve. Nga rezistenca jonë, të cilën e filluam në vitin 1964, kur i qitëm flamujt e parë në prill – më 13 prill 1964 – e deri në vitin 1974 u bënë një numër lëshimesh… Amendamentet e Kushtetutës së vitin 1964…

E herën e tretë kur keni rënë në burg për çfarë arsye keni rënë pasi që jo për bashkim kombëtar, pra pasi që e keni kuptuar se keni bërë gabim…

Mos thoni gabim! Nuk është gabim, por është vlerësim i gabuar. Politikisht doli se nuk ka qenë gabim, sepse populli shqiptar megjithatë fitoi me ndryshimin e kushtetutës së vitit 1974. Me Kosovën më nuk mund të luanin majtap si më përpara…

E pse keni rënë në burg herën e tretë atëherë?

Më kanë përcjellur mirë gjatë kohës sa kam qenë në burg dhe e kanë vërejtur se politikisht jam pjekur shumë mirë dhe mund të jem i rrezikshëm për ta…

Qysh i rrezikshëm? Ke mundur të fillosh të gjuash bomba…

Jo, por të organizoj një formë të rezistencës…

Tash për pavarësi e jo për bashkim kombëtar…

Tash kjo ishte diçka tjetër. Ka pasur mundësi të përfundonte në bashkim kombëtar. Unë kam dalur nga burgu pikërisht në kohën kur Kushtetuta e vitit 1974 ka filluar të zbatohej. Kjo kushtetutë parashihte bukur shumë privilegje për Kosovën. Ne nuk e kemi pasur ende të formuluar mirë se çfarë të kërkonim…

Vetëm se jo bashkim kombëtar…

Bashkimi kombëtar varej se si do të vinte puna. Nëse do të vinte puna që bashkimi kombëtar të na sillte interes më të madh, ne do ta kërkonim atë… Nëse do të vinte puna që ne të kërkonim një konfederatë, siç edhe e patën filluar ta kërkojnë sllovenët…

A kanë menduar kështu sikur ju edhe shokët me të cilët keni punuar… pra se më nuk duhet të punohet për bashkim kombëtar…

Jo! Kurrë nuk kanë menduar se duhet të ndërpritet puna për bashkim kombëtar! Është një fenomen me mua dhe me shokët e mi. Gjithmonë kur kam dalur unë nga burgu, shokët i kam gjetur në ato pikat fillestare, pra në ato pikëpamjet fillestare, kurse unë…

Do të thotë i keni tradhtuar shokët…

Kurse unë… S’i kam tradhtuar shokët, por kam ecur përpara… Kurse unë jam kapur me do shokë tjerë të cilët kanë menduar pak më ndryshe. Për shembull kur kam dalur nga burgu i parë jam kapur me do shokë të cilët kanë menduar për bashkim kombëtar, ndërsa në fillim para se të burgosesha unë kanë menduar për do të drejta e anej knej… Nuk luftohet kundër Serbisë! Është e pamundur të luftohet Serbia e poshtë e përpjetë… Kurse burgu i dytë ishte diçka tjetër: duhet vetëm bashkim kombëtar, sepse terrori atëherë - ti s’ke qenë atëherë – ka qenë i papërshkrueshëm…

A ke pasur problem me shokët kur ke dalur nga burgu…?

Nuk kam pasur problem me shokë. Mua më janë afruar njerëz me pikëpamje më të avancuara dhe unë me ta jam kapur…

Më të avancuara do të thotë të heqësh dorë nga bashkimi kombëtar…

Jo! S’është lëshuar pe nga bashkimi kombëtar. As sot s’po lëshohet pe nga bashkimi kombëtar. Tash ne po tentojmë që bashkimin kombëtar ta bëjmë në suazën e trendeve evropiane. Unë nuk jam kundër bashkimit kombëtar sepse kjo është një e drejtë elementare e çdo  populli, mirëpo…

Pasiqë qenka e drejtë elementare e çdo populli, pse s’po angazhoheni atëherë për bashkim kombëtar…

Nuk angazhohem sepse bashkimi kombëtar nuk mund të arrihet me ato mjetet klasike…

Cilat janë ato mjete?

Nuk e kemi forcën! Ne do të binim në konflikt me shqiptarët rreth e rrotull…

Ne biem në konflikt po qe se angazhohemi për pavarësi e i lëmë anash shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi…

Jo nuk biem, sepse krijohet një situatë e qetë ku të gjithë afërsisht gjinden aty ku janë dhe…

E pse s’krijohet kjo situatë e qetë me bashkimin kombëtar? Pse besoni që shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi s’do të kryengriten…

Së pari, ne nuk e kemi klasën që do ta krijonte bashkimin kombëtar. Ende nuk është krijuar klasa kapitaliste. Vetëm klasa kapitaliste mund ta krijojë bashkimin kombëtar. Në procesin që po hyjmë ne do ta kemi shumë të vështirë ta krijojmë klasën kapitaliste. Ju po e shihni se ka njerëz që kanë para, por nuk i harxhojnë për çështje kombëtare, por i harxhojnë për çka po di unë – bukuroshen e kësaj e bukuroshen e asaj… për sport e për poshtë e përpjetë… Me fjalë tjera, ne nuk e kemi klasën kapitaliste sikur që ka lindur te popujt tjerë…

S’mora përgjigje në pyetje! Pse mendoni që nuk do të ketë kryengritje në viset ku jetojnë shqiptarët përreth Kosovës, po qe se nuk bëhet bashkimi kombëtar… A s’i tradhtojmë ne shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi po qe se angazhohemi vetëm për pavarësinë e Kosovës…

Shikoni! Tradhtia është fjalë e rëndë! Nëse ti ke mundësi ta bësh një punë dhe për interesa të ngushta nuk e bën, atëherë i tradhton ata… Por nëse ti nuk ke mundësi, sepse rrethanat nuk të lejojnë, sepse s’ke as mekanizma as forcë, sepse, tekefundit, forca është ajo që i ndërron kufijtë e i ndërron situatat etj., etj., … Ne nuk kemi vetëdije kombëtare të formuar sa duhet. Luftonte Drenica e derdhte gjak, ndërsa nëpër Prishtinë dilnin gocat me miniqa deri në 12:00 të natës… Me fjalë tjera, vetëdija kombëtare është ende në formim e sipër. Popujt tjerë po heqin dorë nga shtetet nacionale dhe ne nuk po hasim në mirëkuptim te të tjerët për shtetin nacional…

Ju jeni për shtet të pavarur të Kosovës…

Unë jam për shtet të pavarur të Kosovës. Jam për një kanton të shqiptarëve në Maqedoni. Jam gjithashtu për një kanton të shqiptarëve në Serbi dhe…

Edhe për një kanton të serbëve në Kosovë…

Le të bëhet edhe një kanton i serbëve në Kosovë, në qoftë se duan ata. Por të bëhet kantoni para se ne të bëhemi të pavarur nuk bën. Atëherë kjo do të nënkuptonte bashkimin e atij kantoni me Serbinë…

Nëse jeni për shtet të pavarur të Kosovës, atëherë jeni edhe për flamur të Kosovës…

Patjetër! Ne duhet ta kemi flamurin tonë! Duhet ta kemi edhe himnin tonë!

A mos po i fyeni pakëz shokët me të cilët keni punuar për bashkim kombëtar…

Ha-ha-ha! Mund të fyhen ata të cilët nuk e kuptojnë realitetin! Sepse nëse dëshiron të bëhesh shtet, duhet ta kesh firmën tënde. Nëse ti dëshiron të jesh Shkëlzen ti duhet ta kesh emrin tënd. S’mund të jesh ti edhe Shkëlzen edhe Adem…

A ke menduar ndonjëherë se kjo ideja e himnit të Kosovës dhe e flamurit të Kosovës është në përputhje me idetë e qarqeve politike shoviniste serbe e greke…

Ne nuk humbim asgjë nëse ne bashkohemi në Evropën e Bashkuar, sepse kufiri do të mbetet formal. Ne humbim vetëm nëse nuk mund të hyjmë në Evropë të pavarur. Atëherë Serbia dalëngadalë do të na kapërdijë, ndërsa nëse hyjmë në Evropë të pavarur, ne automatikisht nuk humbim asgjë… Nuk duam të bëjmë probleme e të ndryshojmë kufij formalë, sepse s’do të na pengojë askush që ne të bashkëpunojmë në të gjitha fushat me Shqipërinë… Kufijtë do të jenë vetëm administrative… Pikërisht sepse ka zgjatur kaq gjatë ndarja e Kosovës dhe Shqipërisë…

Fillimisht keni menduar për bashkimin kombëtar si zgjidhja më e mirë, pastaj pas viteve të ‘90-ta keni menduar se zgjidhja më e mirë është pavarësia… Në vitin 1997 Keni dalur me projektin Ballkania…

Projekti Ballkania ishte një përpjekje që ta mashtronim Serbinë, sepse në atë kohë ne ishim ngritur në kryengritje dhe duke paraparë që do të ketë gjakderdhje të madhe dhe duke e ditur s’jemi të përgatitur që të luftojmë me armatën jugosllave dhe ta mundim atë, atëherë propozimi im ka qenë Ballkania – ku të gjithë, pra Mali I Zi Serbia dhe ne do të ishim shtete me himne; me flamuj; me anëtarë në Kombet e Bashkuara; me armatë… me të gjitha…

Veç pak të lidhur me Serbinë…

Po pak të lidhur me Serbinë në atë mënyrë që të mund të shkoqesh kur të duash. Ne nuk do të humbnim asgjë me këtë konfederatë…

Për vitin 1997 kjo ide s’ka qenë e keqe, por ju tash keni deklaruar për një gazetë beogradase se projekti Ballkania do të mund të realizohej edhe tani dhe ju jeni i gatshëm që…

Veç se tash është një ndryshim këtu: Atëherë kam propozuar derisa kemi qenë të robëruar nga Serbia, kurse tash po propozoj që ne fillimisht të pranohemi si shtet e pastaj hyjmë në biseda për konfederatë. Me fjalë tjera, prapë po dua…

Po do që të na kthesh në Serbi…

Jo, jo nuk është nën Serbi konfederata…

Po ju po thoni se njëherë duhet të bëhemi të pavarur! E pse paskëtaj të futemi në konfederatë me Serbinë…

Jo! Ne po i bashkojmë disa sende që na interesojnë!

Jo s’po duam të kemi asgjë të përbashkët me Serbinë…

Nën kë do të futemi po qe se hyjmë në BE?!

Në Evropë, por jo në Serbi

Çka është ajo Evropë?! Pse po tutesh ti nga Serbia kur ti e ke armatën tënde, ekonominë tënde, politikën tënde…

Po Serbia na ka vrarë, na ka prerë… dhe nuk duam të kemi më lidhje me të…

Na ka vrarë e na ka prerë, por ti nuk mund ta vazhdosh armiqësinë deri në infinit… Krijimi i konfederatës pasi që të bëhet Kosova subjekt i pavarur, pra pasi që të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara – edhe malazezët po duan një gjë të tillë – do të ishte një përparësi e madhe për shqiptarët sepse do të arrinim ta përfundonim konfliktin shqiptaro-serb. A e dini çfarë po thonë serbët?! Ata po thonë se nuk guxojmë t’ia japim Kosovës pavarësinë, sepse menjëherë bashkohet me Shqipërinë dhe krijohet Shqipëria e madhe. Kështu që kur të krijohet konfederata me Serbinë dhe me Malin e Zi, del që ne s’jemi të interesuar të bashkohemi me Shqipërinë, por të bëhen shtet stabil…

Në bazë të kësaj që po e thoni tani del se ne është dashur ta pranojmë Rambujenë…

Jo! Rambujeja nuk e ka nënkuptuar këtë punë, por e ka nënkuptuar autonominë në kuadër Serbisë…

Ka njëfarë ngjashmërie këtu sepse…

S’ka kurrfarë ngjashmërie…

Po, sepse ju fillimisht keni lëshuar pe nga bashkimi kombëtar në pavarësi… edhe ata prej pavarësisë kanë lëshuar pe në autonomi (Rambuje)… S’u bë kurrgjë…

Jo qysh s’u bë kurrgjë…

Ata i kanë vlerësuar objektivisht rrethanat, sikur ju qysh i keni vlerësuar rrethanat kur keni dalë prej burgut dhe keni hequr dorë nga bashkimi kombëtar…

Ata nuk i kanë vlerësuar gjërat si duhet…

Atëherë as ti nuk i ke vlerësuar gjërat si duhet kur ke hequr dorë nga bashkimi kombëtar…

Unë s’kam hequr dorë nga bashkimi kombëtar, por bashkimin kombëtar po e kërkoj sipas mundësive aktuale botërore. E kam kërkuar bashkimin kombëtar me ndihmën e Rusisë e pastaj me ndihmën e Kinës, por kjo ka qenë një fantazi…

Edhe ata që e kanë nënshkruar Rambujenë kanë kërkuar pavarësinë me ndihmën e Amerikës, por kjo ka qenë një fantazi dhe kanë pranuar Rambujenë…

S’është kështu, sepse Amerika ka qenë e gatshme që t’i dalë në ndihmë popullit shqiptar dhe i doli në ndihmë…

Me çka i doli në ndihmë?! Me intervenimin e NATO-s…

Po pra me intervenimin e NATO-s, pastaj me shumë rezoluta të miratuara…

Po ai intervenim është bërë për ta ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Serbisë…

Nuk e kanë pranuar Serbinë në organizatat ndërkombëtare, pra Serbia ishte e anatemuar dhe sikur shqiptarët të qëndronin vetëm edhe pak dhe këtu do të merrej për bazë e drejta për vetëvendosje…

Edhe ju sikur të qëndronit vetëm edhe pak, e të mos hiqnit dorë nga bashkimi kombëtar, ne do t’i ishim bashkuar…

S’ka pasur shanse…

Adem Demaçi dikur simboli i bashkimit kombëtar, sot kundër bashkimit kombëtar…

S’kemi mundur të bashkohemi për shkak të mungesës së klasës kapitaliste…

Është dashur t’i kaloni dhjetë vite në burg që ta kuptoni se ideja e bashkimit kombëtar është ide e gabueshme… Edhe sa vite duhet t’i kaloni në burg që ta kuptoni se projekti Ballkania është i gabueshëm…

Mos ma imputoni këtë ide e gabuar! Unë po them vlerësim i gabuar, kurse ideja e bashkimit kombëtar nuk është e gabuar. Ne po shkojmë kah realizimi i idesë së bashkimit kombëtar, por në kushte dhe rrethana tjera…

Është dashur t’i kaloni dhjetë vite në burg që ta kuptoni se ideja e bashkimit kombëtar është ide e gabueshme… Edhe sa vjet duhet t’i kaloni në burg që ta kuptoni se projekti Ballkania është i gabueshëm… A mjaftojnë pesë vite…

Nuk besoj që është i dëmshëm në qoftë se projekti Ballkania realizohet ashtu si po them unë. Edhe po qe se e fiton Kosova nesër pavarësinë, unë do të jem ithtar i projektit Ballkania… Ballkania do të jetë një shkollë përgatitore për të shkuar në Evropë. Nuk na pranon neve Evropa qysh po mendojnë shqiptarët…

Duhet të lidhemi me Serbinë që të na pranojë Evropa…

Po duhet të lidhemi me Serbinë e me Malin i Zi… Duhet të tregojmë se s’mbajmë inati etj., etj., …

Pse s’bën projekti Ballkania me Shqipërinë – pra Kosova dhe Shqipëria të jenë subjekte të Ballkanisë…

S’ka kuptim me Shqipërinë…

E me Serbinë ka kuptim?

Me Serbinë ka kuptim, kurse me Shqipërinë s’ka kuptim projekti Ballkania…

Me Shqipërinë s’ka kuptim se ata s’na kanë vrarë, kurse me Serbinë ka kuptim se ata na kanë vrarë na kanë masakruar…

Nëse ne jemi një popull, një gjuhë e një gjak, atëherë duhet të bashkohemi - kjo ka kuptim e jo konfederata… Ne mund të bashkohemi me Shqipërinë, por atëherë dalin kundërshtarët e thonë: ja, ne u kemi thënë se Shqipëria e madhe po krijohet, e prandaj ne kemi thënë se s’duhet të njihet pavarësia e Kosovës. Kështu që ne duhet të shkojmë në konfederatë, e cila mund të jetë e përkohshme 10 vjet, 15 vjet… s’ka rëndësi… atëherë kjo do të jetë një përgatitje për shkuarjen në konfederatën e madhe evropiane… Kështu ne paraqitemi një popull jo-hakmarrës, jo-destruktiv…

Ata edhe me pavarësinë po na paraqesin destruktivë, ekstremistë…

Ajo është në natyrën e atyre që nuk duan të japin diçka që të takon, mirëpo pavarësia sot po hahet… Po të kishin shqiptarët kapacitet që ta pranojnë këtë projektin Ballkania atëherë disa shtete që nuk janë dakord t’ia japin Kosovës pavarësinë, do të bindeshin që ne nuk jemi për Shqipëri të madhe…

Faleminderit për intervistën!

Edhe juve faleminderit!

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora