Mendime
Albert Zholi: Jetimët, ëndrra mes dallgëve të politikës
E shtune, 22.05.2010, 09:58 PM
Jetimët, ëndrra mes dallgëve të politikës
Nga Albert ZHOLI
Jeta njerëzore është e çuditshme, pasi për të fituar mbi fatin duhen sakrifica, fuqi morale e përballime të rënda. Por ata që duhet të kenë më shumë fuqi, sakrifica, privime, ëndrra, lotë, ato që kanë më shumë ditë të trishta dhe pak ditë gazmore kanë qenë dhe janë fëmijët jetimë. Të trishtuara, pasi nuk kishin (apo kanë) ngrohtësinë e vatrës familjare, por disi gazmore, për shkak të lodrave e çapkënllëqeve në orët e pushimit. Ata, për të arritur diccka më minimale kanë sfiduar jetën, kanë sfiduar hallet, duke i thënë vetes stop, mjaft me ndihmën e shtetit, të shtetarëve inidiferentë, por investo vetë për të qënë dhe ti pjesë integrale e shoqërisë.
20 Maji dhe politikanët
Kjo ditë në mesin e muajit të Pranverës së bukur, me këmbnguljen dhe kërkesën e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, është caktuar dita Kombëtare e Fëmijëve Jetimë. Politika e quan ditë feste. Edhe një pjesë e jetimëve me moshë të vogël kështu e quan...Në këtë ditë prej disa vitesh, turma të mëdha fëmijësh jetimë, të ndara në grupe të ndryshme, grumbullohen në salla të mbyllura, në salla Hotelesh me yje, apo Institucionesh shtetërore, ku krerë të këtyre institucioneve, deputetë, kryetarë partish, apo ministra referojnë si para auditoreve të shkollave, apo universiteteve për masat e “mëdha dhe të vazhdueshme”, që ka marrë e po merr qeveria (qeveritë) për këtë shtresë fëmijësh në nevojë, për projekte të mëdha “të realizuara”, për objektiva që janë vetëm deklarta të guximshme që fluturojnë në erë pa gjetur shinat e vënies në jetë. Dhe pasi hanë
një drekë të bollshme, marrin një pako në duar, mes buzëqeshjeve hipokrite, jetimët largohen për në shtëpitë e tyre mes buccimave të zërave të politikanëve, për një jetë më të mirë, mes ëndrrave të bukura që i bën të fërkojnë duart gjithë gëzim, pa ditur se ata burra apo gra që quhen politikanë, pas atij momneti do të kujtohen, fiks një vit më vonë për ta!!!. Pas kësaj dite, për një vit me radhë ata ecin mes dhimbjeve, halleve, problemeve, shqetësimeve, mungesës së dorës së ngrohtë. Ata kthehen në realitetin e tyre të zymtë, plot skamje, indiferencë, plot hidhësi. Kalvari u vuajtjeve të tyre është i pafund. Histori të dhimbshme, të trishta ka me mijëra në të katër anët e Shqipërisë për fëmijët jetimë e të varfër. Ata ecin në labirinthet e jetës, me ëndrrën dhe shpresën e madhe se ndoshta edhe atyre një ditë do tu ccelet dielli i jetës që t'i ngrohë.
E vërteta e 20 Majit..
Në të vërtetë nuk është ditë feste. Në fakt është ditë apeli, ditë fushate, ditë sensibilizimi e iniciuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ku mbarë shoqëria, shteti, politika, organizatat, prindërit dhe biznesmenët duhet të jenë më afër fëmijëve jetimë. Në optikën e kësaj dite, ccdo shqiptar duhet të shikojë përtej vetvetes,familjes, diku larg: Si ditën e dashurisë së veçantë, të një dite fushate hyjnore, ku të gjithë duhet të kthejmë sytë natyrshëm, ndjeshëm, emocionalisht, prindërisht, tek ajo pjesë e fëmijëve që quhen jetimë. Ata nuk kanë lindur jetimë…Dikush nga aksidentet, dikush nga lufta, dikush nga gjakmarrja (plagë primitive në kohët moderne), dikush nga sëmundja, dikush nga braktisja (ka edhe prindër të tillë), dikush nga varfëria, dikush nga tradhëtia, dikush nga xhelozia, dikush... Por ata tashmë jetojnë pa familje, pa prindër, ata kanë një emër
që të shkakton dhimbje: Jetimë! Në botën e sotme të bollëkut por dhe varfërisë, të kibernetikës por dhe të fiseve primitive, të shkëlqimit verbues dhe kasolleve me trarë, të luksit të shfrenuar dhe dëshirës për dy lecka, të pijeve brilante dhe etjes së madhe për një pikë ujë, të makinave luksoze dhe karrocave të dorës, ata qëndrojnë në miniaturë, më larg të dyja përballjeve. Ata nuk gëzojnë luksin, por as nuk i trishton varfëria. Ata janë më shumë se të varfër, ata janë larg kërkesës për luks, sepse u mungon diçka më e madhe se luksi dhe varfëria më e madhe: dashuria prindërore. Ata nuk mund t’i ngrohë as zjarri në vatër, astemperatura e kondicionerit, as prushi në mangall, as soba elektrike, as lekët e shumta, as shtëpia e mobiluar. Jo! As dielli, as jorgani nuk mundet të ngrohë shpirtin e përvëluar të fëmijëve, që, më së shumti se çdo gjë, u mungon dashuria prindërore. Ndoshta
dhe për këtë mungesë ngrohtësie Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve është përcaktuar më 20 Maj. Kjo datë përkon me pikun e pranverës, stinës më të bukur, stinës së luleve, të ajrit të pastër, të gjelbërimit natyror, të gëzimit fëminor me hapësira për lodra. Si vetë sinqeriteti, buzëqeshja dhe dëshira për jetë e fëmijëve, është Pranvera. Kjo stinë për nga bukuria dhe gjallëria njësohet me vetë fëmijët. Kjo është stina e tyre, apo më mirë ata janë vetë Pranvera. Nuk ka zemër të durojë lotët e tyre, nuk ka zemër, sado e sertë, të mos qeshë me gëzimin dhe çiltërsinë e tyre. Por kur sheh jetimët, të qeshurën e tyre të venitur, strukjen e tyre brenda vetvetes, e ndjen sinqerisht se atyre u mungon jo diçka, por shumë.
Faktet..
Sipas z. Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, në Shqipëri, në regjimin komunist ka pasur 25.000
fëmijë jetimë, të cilët, sipas brezave në vite, ishin sistemuar në Shtëpitë e Fëmijëve, të vendosura gjeografikisht në disa qytete të vendit. Ata kanë pasur një përkujdesje shtetërore të zakonshme, por që në fund të fundit nuk ekzistonte rreziku i trafikimit. Njëkohësisht, ata qëndronin edhe nëpër familjet e të afërmve, apo në familjet shqiptare që nuk kanë pasur fëmijë. Ndërsa sot në Shqipëri ka 3- 4 herë më shumë jetimë. Aktualisht në Shqipëri funksionojnë me kapacitet maksimal 26 Qendra rezidenciale Jetimore shtetërore dhe joqeveritare (OJF) prej të cilave 11 janë Shtëpi Fëmijësh në juridiksionin e shtetit. Këto shtëpi ndodhen në Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Tiranë, Shëngjin, Shkodër. Nga viti në vit kushtet e tyre janë përmirësuar ndjeshëm, si dhe është rritur në maksimum siguria. Të tjerë fëmijë jetimë janë akomoduar në Qendra Jetimore Rezidenciale, që
drejtohen nga OJF të huaja dhe vendase dhe të vendosura kryesisht në Tiranë, Elbasan, Shkodër, etj. Në këto qendra ka pasur dhe ka probleme të ndryshme sigurie. Sipas statistikave, rreth 1.300 fëmijë jetimë i takojnë komunitetit të romëve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të paregjistruar në zyrat e gjendjes civile. Zërat për trafikimin e qenieve njerëzore dhe pikërisht fëmijëve, i përkasin këtij kontigjenti. Ndaj edhe
20 Maji është një apel mbarëshqiptar për t’i thënë “JO” trafikimit të tyre. Kjo ditë është shumë pranë 1 Qershorit, Festës së Fëmijëve, ku të gjithë ne duhet të shqetësohemi për këtë kategori. Nuk ka muzikë më të bukur se zërat e të vegjëlve, s’ka ndjesi më të bukur për njerëzit, kur me dashamirësi të sinqertë ndihmojnë këta fëmijë.
Pitagora...
Jo më kot populli thotë se Kombi fillon te nënat dhe vazhdon te fëmijët. Nuk është malli pasuri, por pasuria e vërtetë është fëmija. “Gratë na bëjnë poetë, ndërsa fëmijët filozofë. Ruajini lotët e fëmijëve tuaj, që të kenë mundësi t’i derdhin mbi varrin tuaj”, ka thënë mijëravjeçarë më parë Pitagora. Kjo thënie e tij sot është apel, një thirrje për një qëllim të madh. Dhe ky apel është se nuk ka nismë më të bukur, më sinjifikative se sa të punosh që fëmijët jetimë të jenë po aq të lumtur sa janë fëmijët e tjerë. Apeli i 20 Majit është: Politikanë, shoqëri civile, biznesmenë, njerëz të ndershëm, jetimët nuk duhen ndihmuar në një ditë, porn ë të 365 ditët e vitit. Cdo ditë për ta duhet të jetë një 5 Maj i vërtetë.