E hene, 29.04.2024, 03:06 PM (GMT+1)

Mendime

Artan Behrami: Rreth Prevallës të përbashkuar

E diele, 23.05.2010, 06:59 PM


Rreth Prevallës të përbashkuar

 

Edhe përkundër mosmarrëveshjeve, shumë politikanë janë bashkuar në një kauzë të përbashkët. Ata tashmë kanë ngritur vilat e tyre në pyjet më të bukura të Kosovës – në Prevallë. Dhe këtë e kanë bërë kundër ligjeve që vetë i kanë miratuar. Banorë janë prej presidentit Sejdiu e teposhtë

 

Nga Artan Behrami, Express

 

Debatet e ashpra në Parlamentin e Kosovës mes përfaqësueseve të pozitës dhe opozitës duket të jenë vetëm inskenime. 60 kilometra larg sallës së parlamentit, politikanë nga të gjitha partitë bashkëjetojnë në një fshat të madh. Fshati është ndërtuar në zemër të maleve të Prevallës.

 

Themelet e vilave gjigante janë ngritur në kundërshtim me të gjitha ligjet, që vetë politikanët i kanë miratuar. Ndërtimet në Parkun Nacional në Prevallë janë rreptësisht të ndalura me Ligjin për planifikim hapësinor, Ligjin për mbrojtjen e natyrës, Ligjin për Parkun Nacional “Malet e Sharrit”. Pikërisht këtu, nga presidenti Fatmir Sejdiu e poshtë, pothuajse të gjithë kanë ndërtuar nga një vilë.

 

Një institut i vogël, ende pa u ndërtuar fshati i politikanëve, kishte reaguar ashpër ndaj vendimit të Komunës së Prizrenit dhe vetë Ministrisë së Ambientit, që ka lejuar ndërtimin e vilave në një Park Nacional. Por, Instituti Kosovar për Mbrojtjen e Natyrës nuk ekziston më.

 

Naser Rugova, kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikimit Hapësinor në Kuvendin e Kosovës dhe një ish-punonjës i këtij instituti, beson se ishin ndikimet politike ato që ia vunë drynin këtij instituti.

 

“Ekskluzivisht ndikimet politike kanë ndikuar në ndryshimin e statusit të Institutit, në mënyrë që të mbulohen keqpërdorimet e politikanëve të Kosovës”, thotë Rugova.

 

Edhe Elez Krasniqi, ekspert i natyrës, ish-punonjës në Institutin Kosovar për Mbrojtjen e Natyrës, është i bindur se puna e tyre 30 vjeçare u bë pengesë për shumë politikanë. Sipas tij, ishte i pari ky institut që reagoi kundër ndërtimit të Qendrës Protokollare në Gërmi dhe më pas edhe të fshatit të politikanëve në Prevallë.

 

“Instituti është shuar edhe me mosfunksionimin e tij, nuk dihet se çfarë po ndodh me natyrën”, thekson Krasniqi.

 

Tash e disa muaj ky institut ka kaluar nën Agjencisë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit. Por, puna nuk është më e njëjta, e as statusi i tij. Megjithëkëtë, Rizah Hajdari, nga Agjencia Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit, thotë se shkrirja e Institutit në këtë agjenci nuk ndërlidhet me ndikime politike. “Instituti i Natyrës e ka humbur strukturën që e ka pasur, në staf po mendoj. Kështu që ai është në kuadër të Agjencisë i ka vetëm 3 veta. Nëse shikojmë nga kontesti ligjor, nuk mund të thuhet që është shkatërruar”, vlerëson Hajdari.

 

Por, ndryshe mendon deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova. Ai thotë se kolegët e tij të Parlamentit dhe të partive politike kanë ndikuar që Instituti të shuhet. Ndonëse nuk përmend emra, Rugova thotë se elita e politikës kosovare ka ndërtuar vila, kundër çdo ligji në Kosovë.

 

Sa ishte i plotpushtetshëm në Prizren, Eqrem Kryeziu nga Lidhje Demokratike e Kosovës ia kishte ndarë vetes një vend në mes të Parkut Nacional në Prevallë.

 

Afërsia mes Eqrem Kryeziut dhe presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu shihet më së miri në këtë fshat. Shtëpia e presidentit Sejdiu është ndërtuar afër shtëpisë së Kryeziut, duke bërë bashkëpunimin e tyre të përjetshëm. Edhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini është banor i këtij fshati, derisa aty nuk mungojnë edhe kolegët nga Partia Demokratike e Kosovës.

 

Për harenë në këtë fshat do të përkujdesen shumë këngëtarë dhe artistë, që po ashtu kanë ndërtuar në këtë fshat, natyrisht në mënyrë kundërligjore.

 

“Kanë shkelur edhe normat e ndërtimit. Është ndërtuar me beton dhe hekur, të cilat janë ndërtuar edhe nga elita politike e Kosovës”, shton Rugova. Sipas tij, Prevalla tashmë është degraduar nga këto ndërtime të egra.

 

Kuvendi Komunal i Prizrenit, kur në krye ishte Eqrem Kryeziu, kishte marrë vendim që në Prevallë të ndërtohet një fshat turistik.

 

Shumica e shtëpive janë ndërtuar me material të fortë, ndërsa po ashtu nuk është respektuar hapësira e shtëpive. Por, paraprakisht, të gjithë ndërtuesit kanë thyer ligjin, duke ndërtuar në zonën e dytë mbrojtëse.

 

Ndërkohë, ndërtuesit e fshatit turistik kanë shkelur më shumë se 80 metra të vijës së Parkut Nacional, duke cenuar kështu Parkun. Përveç kësaj, shumica e shtëpive janë ndërtuar, duke shkelur të gjitha normat për ruajtjen e ambientit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora