E merkure, 30.04.2025, 10:53 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Analogjia e refuzimit, provokimit dhe anarshizmit

E shtune, 22.05.2010, 09:59 PM


ANALOGJIA E REFUZIMIT, PROVOKIMIT DHE E ANARSHIZMIT

 

"Shteti i Kosovës është i rrezikuar të dështojë përshkak të keqqeverisjes....                                                                                                     

Figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar nuk duhet të lejohen të mbajnë përfitimete tyre të jashtëligjshme.... Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit, për të mbajtur pushtetin dhe akumuluar pasurinë...."

Ambasadori amerikan - Christopher Dell

 

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

 

     E majta ekstreme staliniste e Kosovës, e instruktuar nga enveristët komunistë të Tiranës zyrtare, shpalli me bujë e pompë themelimin e shtabit, të zëdhënësit dhe të disa strukturave hije, duke u shpallur luftë të hapur të gjitha institucioneve legale ekzistuese të Kosovës, të cilat funksiononin përgjatë një dekade. Hartoi listat e vrasjeve, duke filluar nga Presidenti i vendit, Kryeministri dhe me radhë akademikë, profesorë, ushtarakë dhe elitën intelektuale të Kosovës, të cilët ishin në përbërje apo përkrahje të vijes institucionale.

 

     Lëndëzimi i skenarit makabër filloi me vrasjen e gazetarëve dhe kulmoi me atentatimin e Ministrit të Luftës, për të vazhduar përgjatë gjithë luftës dhe pas saj. Aksionet vrastare ishin nën përkujdesjen e SHIK-ut, krijesë fatale e Sigurimit inkuizitor të filosllavit Enver Hoxha, qysh në vitet `80-a.

 

     Social-komunistët e Shqipërisë, të kryesuar nga presidenti intrigant prof. Rexhep Mejdani, kompozuan, në Tiranë, "Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës"! Pas çlirimit të Kosovës nga NATO - Pakti, u riatdhesuan edhe ikanakët e hershëm dhe të vonshëm. Emëruan qeverisjet komunale ilegale, të kryesuar nga prefektë militantë partiak, pa përfillur asnjë normë e kriter profesional. Abuzimet me pronat shoqërore e private, taksat e vëna bizneseve, të cilat, më vonë, u konvertuan në gjoba, rekete të përgjakshme, si dhe arroganca e dhuna ndaj të djathtës, të kryesuar nga Lidhja Demoktatike e Kosovës (LDK), shtruan pyetjen e ligjshme: "Dorë e kujt janë këto monstra, që ua ngrinë buzëqeshjen e lirisë shqiptarëve të Kosovës dhe të kombit mbarë??!!

 

     Në ditën e 10-të të lirisë filluan ekzekutimet gjysmë-legale! Viktimat e para ishin oficerët e Brigadës "Mërgimi", bashkëluftëtarë të kolonel Tahir Zemaj, për të vazhduar me atentate të organizuara ndaj kuadrove të përzgjedhura të LDK-së, ushtarakë dhe civilë, kryesisht, pjesëmarrës në luftën për çlirim.

 

     Konglomeratin tejet të dyshimtë, me emërtesën pretenduese UÇK-e, ndërkombëtarët e transformuan në TMK-e. Përveç luftëtarëve pa hile, shefat e të majtës ekstreme staliniste strehuan, në këtë institucion, militantët vrastarë e grabitës, gjoba-vënës maskaxhi, të cilët kishin kontribuar në depozitimin e pasurive për shefat e tyre, që, për një periudhë kohore, relativisht të shkurtër, do të bëheshin milionerë, profiterë kriminalë dhe të pacipshëm të luftës. Si e tillë, TMK-ja do të shërbente, në rast nevoje, si një ushtri-bandë puçiste ndaj kundërshtarëve politikë, në rastin konkret të LDK-së, për ta marrë pushtetin me dhunë e gjak.

 

     Për krime faktike UNMIK-u arrestoi disa vrasës. Ndërkohë, shefat e të majtës ekstreme staliniste ishin përkujdesur për themelimin e shoqatave dhe të organizatave të "pavarura", jo qeveritare (OJQ), të dala nga lufta, edhepse shumica e tyre absolute kurrë nuk kishte hyrë në luftë!! Dhe, me urdhër nga lart, falangat e inkriminuara, marshonin bulevardeve të qyteteve të Kosovës, me thirrjet patetike, emocionuese, por hiç reale: "Lironi djemtë tanë; lironi çlirimtarët; lironi heronjtë"!!!??? Këto maskarada, në mbrojtje të krimit të organizuar, tmerruan opinionin demokratik botëror, duke pyetur me habi: "Çfarë po ndodhë në Kosovë?! Ky popull a mund të ndërtojë shtet ligjor e demokratik, kur me kaq fanatizëm mbron krimin dhe kriminelët?!"

 

     Bota prezente në Kosovë, me suflerimin e vazhdueshëm të Serbisë, duke marrë shkas nga pajtimi i shqiptarëve për të bashkëjetuar me krimin, bëri ca gjyqe, sa për sy e fare, dënoi ca vrasës serialë me nga tre e katër vjet burg (!!!), gjë që nuk ndodhë askund në botë dhe i mbylli sytë karshi krimeve në vijimësi, për ta diskredituar tërësisht Kosovën dhe popullin e saj, duke krijuar imazhin e një populli me instiktin e krimit.  

 

JAKUP KRASNIQI SI OLIVER JOVANOVIQI

 

     Për 11 vjet radhazi Veiu i Mitrovicës vazhdon të mos jetë pjesë e Kosovës. Institucionet legjitime të Kosovës nuk kanë asnjë qasje atje. Aktualisht, kjo është një ndarje faktike. Për gjendjen e krijuar në Veriun e Mitrovicës janë fajësuar, kryesisht, ndërkombëtarët. Por, jo më pak fajtore janë edhe institucionet e Kosovës, të cilat nuk kanë berë asgjë, për t´u dëshmuar se kanë mundësi dhe vullnet, për të krijuar shtet ligjor e demokratik, në pjesën tjetër të Kosovës, të cilën e sundojnë vetë. Përkundrazi, kanë kopjuar metodat kriminale të Oliver Jovanoviqit me shokë; kanë refuzuar çdo nismë të UNMIK-ut më parë dhe të EULEX-it tani, për të luftuar krimin e organizuar politik dhe korrupsionin galopant. Garnitura staliniste, e cila, për 11 vjet bën ligjin e xhunglës në Kosovë, refuzon ndërkombëtarët, (edhepse Kosova vet i ka ftuar), provokon popullin e Kosovës, duke u dhënë poste drejtuese dhe hapësirë mediale vrasësve të shumëfishtë, si dhe ushqen anarshizmin, madje, në shkallë të gjërë, si mundësi praktike, për të sunduar dhe për t´u begatuar hajdutërisht.

 

     Në të kundërtën, në gjendjen e tanishme që është Kosova, me krime numerike nëpër këmbë; me hajni zyrtare e private, ku çdo natë thyhen e vidhën shtëpitë e pambrojtura të mërgimtarëve, kërkesa për rregull e ligj në Veriun e Mitrovicës, tingëllon hipokrite e cinike, për logjikën e ndërkombëtarëve, sepse nuk premton dhe nuk siguron asgjë më të mirë, nga sa është tani. Nëqoftëse luftimi i krimit dhe sundimi i ligjit, do të ishte në nivel në pjesën e Kosovës, të çliruar nga NATO, kam bindjen se kërkesa për ndryshimin e gjendjes atje, do të kishte peshë dhe konsideratë tjetër.

 

     Veç kësaj, duke parë se kasta komuniste - staliniste e Kosovës është e zhytur keqas e thellë, në krime dhe korrupsion, nuk mund të ndërtojë shtet ligjor dhe aq më pak demokraci të mirëfilltë, andaj, ndërkombëtarët, qëllimshëm, e mbajnë Veriun e Mitrovicës, si "Shpatën e Demokleut" mbi qafën e brishtë të Kosovës, si një kërcënim serioz të ndarjes të mundshme e ndoshta edhe më shumë.

 

     Oliver Jovanoviqi është refuzues i rreptë i çfarëdo ndërhyrjeje të institucioneve të Kosovës dhe të ndërkombëtarëve në Veriun e Mitrovicës; është provokator klasik, deri në kalljen e zyrave, si ato të Gjykatës vendore; është anarshist, që nuk njeh rregulla e ligje. Eshtë vet Zoti atje!

 

     Mjerisht, një analogji identike vihet re edhe në Kosovën e sunduar nga shqiptarët, kryesisht, ose më sakt - ekskluzivisht nga e majta staliniste, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke filluar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi dhe me radhë në hierarkinë partiake, qeveritare e deri tek OJQ-it, tellalle të pushtetarëve. (LDK-ja, faktikisht e praktikisht nuk qeverisë asgjë. Ajo miraton krimin dhe anarshizmin e PDK-së, për sa kohë që vazhdon koalicionin. Rrjedhimisht, mban përgjegjësi për gjithçka, madje edhe morale, sepse de jure është bartëse e politikave qeveritare, edhepse de fakto se pyet kush për asgjë. PDK-ja është e liruar nga përgjegjësia morale, sepse stalinistët nuk kanë as moral dhe as parime.)

 

     Nëse prapa Oliver Jovanoviqit qëndron Beogradi zyrtar, garda partiake, qeveritare e shtetërore e Kosovës, ka një frymëzim tjetër kurajues e unikal: bindjen fiktive të krijuar se janë "çlirimtarë" të Kosovës dhe vazhdojnë ta trajtojnë atë si pronë të tyre private, si livadhet e gjyshit! Dhe, kjo ndjenjë megallomane e supremacisë, është rrjedhojë e gënjeshtrës të përsëritur, madje, për 11 vjet me radhë se "ne, Lëvizja ideologjike komuniste, themeluam Shtabin e Përgjithshëm; se ne krijuam UÇK-në; se ne e filluam dhe e mbaruam luftën; se vetëm ne e çliruam Kosovën", paçka se, për ironinë e fatit, asnjëri nga kuadrotë aktualë, qeveritarë e shtetërorë, nuk e përjetoi DITEN E ÇLIRIMIT në Kosovë!!!

 

     Dhe, kjo është mjaft domëthënëse dhe përjashton nevojen e çfarëdo komenti.

 

     Në mbrojtje të krimit të organizuar, veçmas të atij politik, si dhe të korrupsionit ekonomik, më i zëshmi dhe më "hazër xhevapi" është dëshmuar dhe po shquhet, gjithnjë e më shumë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

 

     Ju, zoti Jakup, keni qenë zëdhënës i Rexhep Mejdanit dhe i klanit të tij komunist në Tiranë, prej nga baltoje LDK-në dhe Presidentin Rugova, ndërkohë që ai ishte pengu i Millosheviçit. Dr. Ibrahim Rugova solli NATO-n në Kosovë dhe Ai është NJERIU që i dedikohet i tërë kombi, përveç sojit tënd stalinist. Këtë ua përsëriti shqiptarëve dhe botës mbarë edhe Presidenti ÇLIRIMTAR, Bill Klinton, në nëntorin e vjem në Prishtinë.

 

     Ju, zoti Jakup, keni hyrë në Kosovë pas hyrjes të forcave të NATO-Paktit, pra, pas çlirimit të Kosovës.

 

     Ju, zoti Jakup, nuk keni qenë pjesë faktike e luftës. Por, ama, keni qenë kundërshtar i rreptë i unifikimit të faktorit ushtarak në Kosovë. Rrjedhimisht, keni qenë përçarësi dhe sabotatori i luftës, bilëz, i rrjeshtit të parë dhe këtë e ka dëshmuar dhe faktuar shefi i shtabit tënd, në emër të të cilit, nga vila e Tiranës, lëshoje komunikatat seriale denigruese e shpifarake, për luftëtarët që rezistonin në fushë-beteja në Drenicë, Dukagjin dhe gjetkë, madje, pa e konsultuar dhe pa e pyetur fare as shtabin dhe as shefin e Shtabit të Përgjithshëm!!! Pikërisht, për lansimin e kësaj të vërtete të madhe është vrarë gazetari kombëtar Bardhyl Ajeti, me ç`rast i është përcjellur një "selamë" gjeneralit për të heshtur.

 

     Kur Amerika dhe Evropa e çliruan Kosovën, ju, zoti Jakup, erdhet si kaposh, me flatra palloi, në ulësen e parë të Parlamentit të Kosovës. Përndryshe, do të ishit punëtor baustelle, siç jam unë tani, me atë shëndetin tënd të brishtë klincë, të asaj kohe dhe jo me barkun e bullafiçjen e sotme.

 

     Ju, zoti Jakup, jeni bukëshkalë ndaj Amerikës dhe Evropës, ashtu siç ishit ndaj LDK-së, e cila të nxori nga anonimiteti dhe ju bëri kuadër. Ndërkohë, ju, të nxitur nga Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi e Paskal Milo me shokët komunista, e quanit tradhtar Presidentin Rugova, nga studio e RTV Shqiptar! Por, shtrohet pyetja: kush mund të ishte më afër tradhtisë, ju që ishit 300 km larg luftës, Kosovës, apo Presidenti Rugova, i cili, pas kthimit nga Rambueja, refuzoi ofërtën e Mejdanit, në Aeroportin e Tiranës, për t`u bërë pjesë e intrigimeve dhe të një qeverie, e cila u inkriminua qysh gjatë luftës dhe zgjodhi të kthehet në Kosovë, për ta ndarë fatin me popullin e Tij, edhepse siguria për jetën nuk kalonte shifrën 0 (zëro)?!

 

     Vetëkuptohet, të thirrësh në luftën, të bësh poza të uniformuara në dhomat klimaterike të Televizionit; të bësh pazare me Paskal Milon me shokë, mik për kokë i Millosheviçit dhe i Serbisë, i cili, sot shpif e denigron, në mungesë të Presidentit Rugova, tradhtia nuk ka brirë dhe komenti është i tepërt.

 

     Çfarë i thua kësaj, zoti Jakup?! Ç`fytyrë keni për t`u kapardisur në tempullin më të lartë të një shteti, siç është Parlamenti, të cilin e ngriti urtësisht dhe mençurisht Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova, që, padyshim, për rolin unikat dhe veprën madhore, në bërjen e Kosovës shtet, nuk ka ndërmjetës në Shqiptari, që nga i lavdishmi Skënderbeu.

 

MBROTJA KOLEKTIVE E KRIMIT, PRESUPOZON INKRIMINIM KOLEKTIV

 

      PDK-së, si udhëheqje dhe veçmas kryeparlamentari dhe kryeministri, në mënyrë të përsëritur, pozicionohen në mbrojtje të të akuzuarëve, për krime vrastare apo korruptive. Mrojtja kolektive partiake nuk është vetëm verbale, por edhe institucionale, duke i kalaveshur me poste e pushtet të akuzuarit.

 

     Mrojtjet e tilla kanë qenë dhe vazhdojnë të mbetën skandaloze dhe janë evidentuar nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare, madje mediat prestigjioze të botës vazhdojnë të shkruajnë se krimi ka miratimin e kupolës shtetërore. Kjo është e tmerrshme për një vend si Kosova, e cila duhej të bënte shumë, për të krijuar imazhin e vullnetit të mirë, të bërjes të shtetit ligjor e demokratik. Përkundrazi, është partia në pushtet, është kryeparlamentari  dhe kryeministri me shokë, që po bëjnë të kundërtën, duke u bërë avokatër të neveritshëm të krimeve dhe të kriminelëve.

 

     Lushtakët, Grupi i Llapit, SHIK-u me eksponentët e tij, e dhjetra shembuj të tjerë, të veshur me poste e pushtet e, deri ke rasti i fundit Limaj, janë dëshmi vetëfolëse e mbrojtjes kolektive të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të dukshëm, gjë që lënë për të dyshuar se edhe krimi është kolektiv dhe kupola shtetërore është e mbërthyer nga këto krime.

 

     Ftesa në përurimin e fillimit të punimeve të autostradës dhe rezervimi i ulëses pranë pushtetarëve, të njërit nga shefat e SHIK-ut, Azem Sylës, i cili është i apostrofuar për krime monstruoze seriale, është po aq provokative sa edhe mysafirët e Oliver Jovanoviqit, të cilët vijnë, nga Beogradi, në Veriun e pushtuar të Mitrovicës.

 

     Reagimi mohues e refuzues i zotit Jakup, për të bëmat e SHIK-ut, në rastin "Bllaca", prodhoi efekte të kundërta tek opinionin i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Madje ngjalli dyshimin e bazuar se kryeparlamentari është në dijeni të krimeve brendashqiptare, që përfshin periudhën  gjatë dhe pas luftës, që kap tre shifrorin prej 950 vrasjeve, shumë qindra rrahjesh e maltretimësh, me bazë motivin politik.

    

RASTI LIMAJ - ÇJERRJA E MASKAVE

 

     Bastisja e befasishme e policëve të EULEX-it në sektorin ministral e shtëpiak të zotit Limaj, zgjoi reagimin në kor të PDK-së. Më të zëshmit qenë dy të parët e kësaj partie. Të sekletisur, u hallakatën mendësh dhe folën përçart, sa zgjuan dyshime për shumëçka. Sintagma e përsëritur e kryeministrit "për zëro tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit", tashmë është zgjyrosur deri në atë masë, sa nuk ia vlen të komentohet më.

 

     Për habinë tonë të madhe, të gjithë homologët e tij, që u përkisnin dy partive të ekstremit të majtë, janë treguar të zëllshëm në mbrojtje të krimit, pavarësisht se ndoca syrësh nuk kanë qenë të involvuar vetjakisht në krime. Por, subjektet që përfaqësonin, ishin të zhytura në krime seriale.

 

     "Limaj është dëshmuar edhe në Hagë" - u mburr zoti Thaçi! Haga nuk është Nyenberg. Nëse në Nyrnberg të Gjermanisë,

Gjykata për krime të Luftës të Dytë Botërore, e dha provimin, duke dënuar kriminelët mbi bazën e fajësisë reale, në Hagë drejtësia degjeneroi, degradoi, dështoi tërësisht dhe u përdhos fatalisht. Derisa kryeministri serb Millutinoviç, edhe pas vrasjes të 12 mijë shqiptarëve dhe gjëmës të madhe që i bëri Kosovës, lirohet nga fajësia, si dhe për presidentin Millosheviç, vrasës serial i popujve të ish-Jogosllavisë, përgatitej pafajësia dhe lirimi, por që, fatmirësisht, nuk arriti ta mbijetojë kohën dhe, për rrjedhojë, as ta përjetojë e gëzojë lirinë e pa merituar, fakt ky i denoncuar me kurajo, nga sekretarja e Gjykatës të Hagës, përçka ajo edhe u ndëshkua!

 

     Çuditërisht, Haga shënoi risi unikale në rastin e shqiptarëve të akuzuar. Sikur aplikoi konkursin - kusht se kush arrin të zhdukë dëshmitë, siguron lirinë! Dhe, numri i krimeve shtesë, qofshin maltretime apo likuidime fizike, si me maxhi, dha efekte të duhura, për ta gëzuar lirinë të akuzuarit! Andaj, çfarëdo shpupuritje për Gjykatën e Hagës, kundërmon keqas, ndonëse koha nuk ka arritur t´i mbyllë plagët e hapura që kullojnë gjak e lot.

 

     Vetë togfjalëshi "pronat e Limajt" ose të Limajve, flet mjaftueshëm. Njerëzit tanë punojnë për tre dhe katër dhjetëvjeçarë në Perëndim dhe mezi arrijnë të bëjnë një shtëpi. Ndërsa zoti Limaj, për një dekadë lirie në Kosovë, arrinë të bëjë prona, duke ardhur nga bokërrinat e Malishevës!! Ndërkohë që Kosova është vendi më i varfër i Evropës, me papunësinë masive 80%, me rrogë mesatare 120 - 150 euro dhe pensione 40 euro në muaj.

 

     Zënkat replikuese në Parlament, vitin e kaluar, në gjirin e të majtës ekstreme të Kosovës, denoncuan burimin e pasurimit të paligjshëm të disa personaliteteve të Kosovës. Por, akuzat dhe kundër-akuzat u shuan, si flaka e kashtës, meqë të dyja palët vuanin nga virusi i përbashkët - makro korrupsioni.

 

     Një dekadë më parë kur Sabit Geci u zu "me pelë për dore", në vënie e vjelje gjobash, në klubin "Miami Beach", pronë me qera e Milaim Maraj, nga i cili u kërkua reketi prej 30 mijë markash në muaj, Shoqatat e inkriminuara të "UÇK-së" bënë namin, se kinëse "po sulmohen vlerat e luftës!" Mos, vallë, gjobat, grabitjet e dhunëshme e deri edhe vrasjet e njerëzve të pafajshëm qenkan "vlera të luftës dhe të UÇk-së"?!

 

 Por, Sabit Geci nuk mund të lavdërohet se ka thyer rekordin e reketit, duke i vënë gjobën prej 30 mijë markave në muaj vrellakut Milaim, sepse eksponentë të partisë tjetër simotër të majtë, në Pejë, kanë vjelur reketin prej 40 mijë markash në muaj, nga një firmë bisnesi të shitjes me shumicë, madje pa u shqetësuar fare nga policia apo drejtësia! 30.000 dhe 40.000 marka gjobë mujore! (Luaje macë kyet e buallit!) Dhe, sa qindra bisnese kanë paguar gjoba të ndryshme Kosovë.

 

     Edhe një analizë, sado e thjeshtë qoftë ajo, zbulon përkatësinë e gjobaxhive, reketëxhinjve, gjatë dhe pas luftës, në Kosovë. Pa as më të voglin dyshim, këto janë kontigjente "ushtarësh" e "komandantësh" të "UÇK-së" të Lëvizjes "Popullore" të Kosovës, me kryeshtabistët Azem Syla e Kadri Veseli me shokë. E perifrazojmë kolonelin, fitues të Betejës të Loxhës, Tahir Zemaj se asnjë krim politik, ekonomik dhe ordinierë, nuk është bërë pa pjesëmarrjen TMK-ë dhe të Policisë të Kosovës.

 

Refuzimi që iu bë kthimit në punë të policisë profesionale të Kosovës, nga e majta staliniste, rezultoi me qëllimin për zyrtarizimin e bandave, duke i strehuar në institucionet vitale të shtetit, për ta inkriminuar tërësisht shoqërinë, në nismë të konsolidimit të saj, në Kosovë. Ndërkohë, UÇK-ja e dr. Ibrahim Rugovës ishte e përkushtuar në luftën për çlirim kundër pushtuesit dhe, në asnjë rast e rrethanë, nuk është implikuar në pisllëqe të natyrës ordiniere në raport me bashkëkombasit.

 

     Janë disa qindra njerëz të akuzuar për krime, gjatë dhe pas luftës dhe të gjithë këta, shoqatat që thirren në luftën, natyrisht, të pa bërë atë, i quajnë "komandantë të UÇK-së"! Shtrohet pyetja, sa komandantë ka pasur UÇK-ja? Në luftërat çlirimtare, në vende të ndryshme të botës, numri i pjesëmarrësve vullnetarë në luftë sillet nga 8% deri në 12%, të popullsisë të atij vendi që aspiron lirinë. Në Kosovë pjesëmarrja aktive në luftë ka qenë simbolike, rreth 1%. Sipas statistikave në terren, e djathta me LDK-në ka participua në këtë luftë me 95%, ndërsa e majta me vetëm 5%. Vetë zoti Fatmir Limaj e ka pranuar dhe pohuar se "ushtarët vinin nga radhët e LDK-së". "Ushtarët" e Lëvizjes (LPK) mbetën "rezervë e përhershme" në Perëndim dhe në Tiranë!

 

MARREZITE E PUSHTETAREVE NE RAPORTET ME EULEX - IN

 

     Kryeparlamentari ynë na qenka zënë i "befasuar" para këtij "intervenimi" e "linçimi" të kuadrit partiak e qeveritar, siç është zoti Limaj! Përdorimi i tërminologjisë shabllone, hiç adekuate për rastin në fjalë, na kujton porosinë e shkrimtarit dhe publicistit të shquar, Kim Mehmeti: "Mjaft kemi doktoruar, tani hajde të mësojmë pak"!

 

     Asnjë befasi nuk ka pasur në rastin e bastisjes. Madje është bërë shumë e vonuar. Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka dhënë sinjalin SOS qysh në janar të këtij viti: "Shteti i Kosovës është i rrezikuar të dështojë përshkak të keqqeverisjes.... Figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar nuk duhet të lejohen të mbajnë përfitimet e tyre të jashtëligjshme.... Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit, për të mbajtur pushtetin dhe akumuluar pasuruinë".

 

Më troç se cili është imazhi i Kosovës sot, nuk ka si të thuhet. Kjo është autopsia më reale që i bëhet shtetit fantomë të Kosovës. Pushtetarët e Kosovës kanë dështuar në të gjithë parametrat e drejtimit dhe të konsolidimit të shtetit. Me krimet e bëra ndaj bashkëkombvasëve të vetë dhe kusaritë e babëzitura ndaj pasurive shtetërore, i kanë dhënë argumente faktike Serbisë, për të rritur kuotën e pretendimeve të paligjshme ndaj Kosovës.

 

     Ministri i brendshëm gjerman, Thomas de Maiziére, ia tha hapur homologut të tij Rexhepi se "në Kosovë ka krim të organizuar dhe forma të tjera të krimit".

 

     Krimin e organizuar politik vrastar dhe korrupsionin ekonomik në Kosovë e kanë pohuar, madje me shqetësim, i gjithë kuadri i institucioneve evropiane dhe botërore, të cilët kanë vizituar Kosovën.

 

     Kryeministri edhe kësaj radhe manifestoi papërgjegjshmëri dhe megallomani qumështore, kur tha: "Aksioni i policisë të EULEX-it është kryer pa ndonjë paralajmërim"!!!

 

     Mos, vallë, u dashka t`u besojë EULEX-i zyrtarëve të Kosovës, kur dihet se çdo nismë, për të ndëshkuar kriminelët faktikë, është sabotuar, duke dekonspiruar aksione; duke bërë protesta kundër arrestimit dhe dënimit; duke marrë, ngeshëm, dëshmitë nga objekti i policisë; duke i ikur kriminelët nga burgjet e deri në shantazhimin, maltretimin ose edhe vrasjen e dëshmitarëve të mundshëm, për në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

 

     Te zëmë se EULEX-i e vuri në dijeni ministrin e brendshëm,  Bajram Rexhepin, për ta bastisur të dyshuarin Fatmir Limaj. A do të guxonte ministri, apo kuadrotë e tij, ta mbajë sekretin, duke mos e njoftuar Limajn për vendimin e EULEX-it? Kurrë dhe asnjëherë! Dhe pse? Lë të kthehemi një dekadë prapa. Dr. Rugova President, Bajram Rexhepi kryeministër. Një sjellje sa arrogante, aq edhe të turpshme, sikur të vinte nga rruga dhe jo doktor në mjekësi, ndaj Presidentit, i cili kishte një edukatë supreme familjare. Çfarë kishte ky kryeministër me Presidentin? Asgjë personale. Por, kjo sjellje mizerabël, i ishte imponuar kryeministrit nga partia që ai përfaqësonte. Dhe, përfytyroni po të vinte kryeministër ndonjëri nga ata të rrugës, që kjo parti i ka të bollshëm?! Prandaj, dr. Rugova përjashtoi çdo mundësi koalicioni, bashkëpunimi me këtë soj harbutërish.

 

     Kryeminstri thotë: "Qeveria nuk ka qenë e informuar rreth aksionit të policisë të EULEX-it në shtëpinë e Limajt". Ndërkohë që Prokurori holandez i EULEX-it, Johannes van Vreeswijk, u ka deklaruar mediumeve të Kosovës se "Limaj është i dyshuar për keqpërdorim të miliona eurove". Zoti Thaçi i quan "deklarata politike".

 

     Por, Prokukori i ndërkombëtar, pjesë e misionit të Bashkimit Evropian, duke u përgjigjur akuzave tymnajë, madje pa fije konsiderate për gardën akuzuese, i këshillon zyrtarët e shtetit që "t`i kursejnë ekspertët e misionit të BE-së nga komentet fëmijërore".

 

     "Deklarata e Pieter Feith e nxituar dhe e dëmshme për imazhin e Kosovës" - shfrynë mendjelehtësisht kryeministri ynë. E vërteta është se e majta ekstreme e Kosovës e ka sakatosur dhe sfilitur aq shumë Kosovën, sa nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë imazh pozitiv. Fraza shabllone e kryeministrit  se "Kosova është shtet i pavarur, i lirë, demokratik e multietnik", është demagogji e kulluar. Multietnicitetin e ka me bollëk, madje të tepëruar. Ndërsa liria dhe demokracia janë varrosur, me plumba e kërbaç, pa shpresë ringjalljeje në një të ardhme të afërt.

 

     Shqetësimin për mungesë të plotë të lirisë dhe të demokracisë në Kosovë, e shprehë qartë edhe Prokurori ndërkombëtar Vreeswijk: "Shumë qytetarë janë të frikësuar. Më ka ardhur në majë të hundës një situatë e tillë"! Dhe, si mund të jetë i lirë një popull i frikësuar??!! Atëherë, çfarë kupton kryeministri me fjalët liri e demokraci?! Hipokrizi dhe cinizëm i skajshëm. Dhe, dihet se qytetarët rrojnë me frikën e ndëshkimit në sistemet konkuruese, mes tyre, të komunizmit dhe të fashizmit.

 

     Miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, në përpjekje për ta inkurajuar lidershipin e Kosovës, për të pasur një qasje serioze ndaj zgjedhjeve lokale të nëntorit, bënë vlerësime të qëllimshme paushalle për të mirë. Por, horllëku doli sheshit. Një vezhgues zyrtar shqiptar, i rritur dhe i shkolluar në Gjermani, i specializuar për zgjedhje, i ftuar nga qeveria, bilëz me simpati për kryeministrin, i zhgënjyer tej mase, deklaroi se "zgjidhjet duhej përsëritur jo në tri komuna, por në 22 sosh. Vjedhje votash, blerje individësh, familjarësh dhe të lagjeve të tëra nga PDK-ja dhe AAK-ja. Ku i marrin paratë këto parti?! Kosova me kuadrin aktual korruptiv dhe të dyshimtë për shumëçka, për gjatë kohë, nuk do të jetë në gjendje të vetudhëhiqet. Shantazhimi dhe kapadaillëku ishte i pranishëm kudo. Demokracia çalonte shumë."

 

     Kryeparlamentari ankohet se "EULEX-i ka intervenuar kundër institucioneve  që janë krijuar me gjak". Por, ata që kanë përdhosur luftën, e kanë sabotuar atë, duke vrarë kuadrotë ushtarakë dhe politikë, nuk kanë të dejtë morale të thirrën në gjakun e luftës. Mbushamendja vetvetës, duke përrallisur se "ne e çliruam Kosovën", ka errësuar logjikën e pushtetarëve aktualë, gjë që  nuk arrijnë ta kuptojnë misionin e EULEX-it dhe miliardat që ka dhënë dhe vazhdojnë të japin Evropa dhe bota për Kosovën.

 

     Një retrospektivë sekondash. Si ka gëdhirë Kosova me 10 qershor 1999 dhe si është ngrysur më 12 qershor 1999? Kjo është përgjigja faktike se kush e çliroi Kosovën nga pushtuesi serbosllav. "Gjarpërit serb ia vrau kryet rrufeja nga qielli" - shprehet krijuesi letrar i talentuar, miku im i vuajtjes, Ymer LLugaliu, pedagogu që përballoi me dinjitet burgjet e satanit Enver Hoxha.

 

     Çfarëdo manipulimesh tjera, janë broçkulla, që synojnë shtrembërimin e historisë, njësoj si tutorët e tyre komunistë në Shqipëri, të cilët luftën civile, të instruktuar nga gjenerali topall Dushan Mugosha, e paraqitën si luftë çlirimtare, duke e marrë pushtetin dhunëshëm, natyrisht,me ndihmën e emisarëve jugosllavë, për t`i gjakosur nacionalistët shqiptarë për afro gjysmë shekulli me readhë.

 

     Nuk ka asnjë mëdyshje se të gjithë të ekzekutuarit shqiptarë, në pusira e prapashpine, gjatë dhe pas luftës, po të mos ishin ndërkombëtarët e pranishëm në Kosovë, do të ekzekutoheshin legalisht, me akuza montazhë, njësoj siç bëri idhulli dhe mentori i Jakup Krasniqit me shokë, sllavofili Enver Hoxha, duke filluar me likuidimnin e deputetëve demokratë, me të mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe për të vazhduar deri në varjen publike, në qendrën e Kukësit, të mikut dhe bashkëvuajtësit tim poet - Avzi Nela, në prag të agut demokratik të viteve `90-a.

 

   ARGATET E SE KEQES, BEHEN PJESE E SAJ

 

     Zërit të çjerrë të krerëve shtetërorë zellshëm iu bashkuan edhe ndoca vasalë, kryetarë "partishë", me anëtarësi imagjinare, fiktive, liberal e ekologjik, të cilët defiluan në televizionin ideologjik të paçarrizëve dhe me porosinë e padronëve, anatemuan EULEX-in dhe garantuan pafajësi për të apostrofuarit. Madje e konsideruan të tepërt çfarëdo ndërhyrje nga ndërkombëtarët, sepse "ne kemi organe auditimi, drejtësie"  dhe dokërra të tjera bajate e banale. Ndonjëri syrësh është dajakosur prej këtyre zyrtarëve padronë të tanishëm qysh gjatë luftës. Megjithatë, "marrja nuk ka mbytur askënd" - thotë populli.

 

     Për çudë, gazeta "Bota Sot", e cila ka qenë tradicionalisht në mbrojtje të së mirës dhe në luftë me të keqen, kohëve të fundit i ka çorientuar lexuesit e saj me konformizmin jo parimor, në mbrojtje të së keqes! Dhe, kjo bie në sy qysh në titujt dhe nëntitujt si: "EULEX-i tenton t`i komprometojë institucionet para bisedimeve; fillon beteja e institucioneve të Kosovës me EULEX-in; thyerja e shumëpritur nga intelektualë dhe atdhetarë më në fund po ndodhë...." e tjera "xhevahire" krejt të pa vend, po të kemi parasysh për rastin dhe kontestin e përdorur.

 

     Së pari, EULEX-i ka qenë i drejtpërdrejtë, duke e hetuar si të dyshuar një rast dhe një institucion e jo institucionet e Kosovës, siç përgjithësohet në bashkautorësinë e shkrimit të zonjave gazetare - Lirie Hajdari dhe Shqipe Osmani.

 

     Së dyti, bastisja, hetimi nuk ka të bëjë fare me bisedimet e mundshme në të ardhmen, të Kosovës me Serbinë, siç thuhet, për çështje teknike. Hamendjet e qëllimëshme e dëmtojnë etikën e gazetarëve.

 

     Së treti, beteja e filluar jo nga institucionet, por nga dy krerët e dy institucioneve qendrore, në mbrojtje të interesave të tyre personale e grupore, është i destinuar të dështojë, sepse janë vënë në mbrojtje të krimit, duke përcjellur mesazhin tërësisht të gabuar dhe tejet të dëmshëm, për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

 

     Së katërti, intelektualin, në përmasën që emërtesa e përcakton, nuk presupozon vetë pasja e një diplome. Kjo emërtesë është shumë më e gjërë. Ndërsa atdhetarët janë numerikë, madje edhe pa diploma fare. Por, vrasja, ekzekutimi i rreth një mijë kuadrove të së djathtës, kryesisht të LDK-së, nëse rezulton t`i këtë goditur rrufeja, atëherë përdorimi i termit atdhetarë do të përligjej. Në të kundërtën, gazeta në fjalë demanton atë çfarë vetë, vite me radhë, e ka pohuar dhe faktuar bindshëm në faqet e saj. Për rrjedhojë, "Bota Sot" është e vetmja gazetë, madje në hapësirat gjithëshqiptare, që i ka heronjtë e vetë, të rënë në krye të detyrës, për mbrojtjen e fjalës të lirë, për mbrojtjen lirisë dhe të demokracisë. Pikërisht, ky përkushtim e ka ngritur atë në piedestalin e gazetës kombëtare.

 

     Vërtet, "Bota Sot" ka trajtuar tema serioze për shumë lëshime të ndërkombëtarëve, në veçanti të UNMIK-ut dje dhe të EULEX-i sot, në dëm të Kosovës, qoftë për Veriun e saj, qoftë për çështje tjera, si neutraliteti ndaj statusit, prononcimet paushalle e tjerë. Por, kundërvënia ndaj nismes aktuale të EULEX-it, për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, bie ndesh me aspirimet të gjithmonshme të kësaj gazete.

 



(Vota: 25 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx