Mendime
Luan Çipi: Një koment për kumtesën e Reshat Kripës ''Martirët e Tepelenës''
E marte, 25.05.2010, 09:58 PM
NJË KOMENT PËR KUMTESËN E RESHAT KRIPËS “MARTIRËT E TEPELENËS”
Botuar këto ditë ne disa Site te Internetit të Diasporës Shqiptare
Nga Luan Kaman Çipi
I kam lexuar shumicën e krijimeve të shkruara e të botuara nga shkrimtari dhe poeti i bashkëkohor Reshat Kripa, njëkohësisht aktualisht, një nga veprimtarët e gjallë aktiv 60 vjeçar, për liri e demokraci të vërtete, drejtësi e mirëkuptim, nacionalizëm e shqiptari. E lexova, këtë herë, me lot në sy, kumtesën e tij për përvjetorin e kujtimit të 14 Martirëve të Tepelenës, botuar në disa site të internetit të diasporës.
Kam lexuar gjithashtu në shtyp e në libra, kam dëgjuar dhe kam mësuar direkt për shumë krime monstruoze të egërsisë komuniste anë e kënd Shqipërisë, duke mos përjashtuar Malësinë e Veriut dhe Kosovën, ku nacionalizmi Shqiptar ishte më i organizuar dhe më aktiv. Por mendoj se ç’është shkruar e shprehur deri tani, përjashtuar veprën madhore të At Zef Pëllumbit, apo të kujtimeve nga burgu të disa autorëve, viktima të komunizmit, është fare pak.
S’ka dyshim, që Reshat Kripa, me punën intensive të kohëve të fundit, librat e botuara, publicistikën e tij të guximshme dhe botimet e tjera të shumta, thuajse të përditshme, sidomos në sitet e internetit të Diasporës Shqiptare, po bëhet një zë i fuqishëm, që me pastërti dhe kurajë, ka ngritur dhe vazhdon të trajtojë probleme të një rëndësie jetike të letërsisë dhe historisë së mbarë popullit Shqiptar. Por, zëri i tij duhet të dëgjohet nga qarqet përparimtare dhe të vlerësohet nga vetë organet përkatëse shoqërore e shtetërore dhe jo të arrihet deri atje, sa nga disa gazeta, ti refuzohen shkrimet, siç pohon edhe ai vetë.
Nga ana tjetër, prej botimit të fakteve të shumtë historik, të paraqitura disa herë nga Kripa edhe si pasqyrim i denoncimeve të pjesëtarëve të shumtë të Degës së Tiranës të Shoqatës së të përndjekurve politik antikomunist, ku Resha Kripa është kryetar, del si një domosdoshmëri rishikimi i Historisë së Re dhe vlerësimi i drejtë i figurave të vërteta patriotike nacionaliste antifashiste, shumica viktima të terrorit komunist, si dhe evidentimi e demaskimi i mëtejshëm i kriminelëve të vërtetë, duke krijuar, në rang shtetëror një organizëm të posaçëm kompetent.
Unë gjithashtu, me këtë rast, duhet të tërheq vëmendjen e organeve përkatëse, e në radhë të parë të Prefekturës. Qarkut dhe Bashkisë së Vlorës, për ta vlerësuar siç e meriton, Reshat Kripën, këtë shkrimtar të talentuar dhe në të njëjtën kohë, luftëtar të hershëm e të vendosur antikomunist, për ti dhënë atij sa është gjallë, vendin dhe nderet që meriton.