Mendime
Halit Bogaj: Nikoliq ishte zbutur
E diele, 30.05.2010, 07:19 PM
NIKOLIQ ISHTE ZBUTUR
Nga Halit Bogaj
Erdhi më në fund çasti kur edhe çetniku Nikoliq ta pranonte faktin e kryer dhe realitetin se Kosova kishte humbur përgjithmonë,me ç’rast gjatë vizitës së tij në Veri të Mitrovicës do t’u ketë thënë serbëve se nuk ka asgjë nga’’Ndarja e Kosovës’’, ngase siç thotë ajo fjala popullore’’Bjen një kashtë e i nxjerr gjashtë’’. Nëse do të ndahej dhe copëtohej Kosova ,atëherë të njejtën gjë do ta kërkonin edhe Kosova Lindore/siç po quhet ndryshe Lugina e Preshevës/, Vojvodina dhe Sanxhaku, e pse jo edhe ndonjë krahinë tjetër atje te Timoku ose afër kufirit serbo-bullgar, për të mbetur vetëm ajo Serbia e dikurshme rreth ‘’Pashallëkut të Beogradit’’, siç ka pas thënë njëherë ideologu çetnik Vojisllav Sheshel i cili gjendet me banim të përhershëm në Hagë, e që para dy vitesh i ofendonte gjyqtarët duke i quajtur’’Priftërinj katolikë’’ose Karla Del Ponten ’’Prostitutë’’. Në një rast, në një koment, përkitazi me ofendimet shesheliane që ia bënte trupi gjykues, një komentues serb i ka pas thënë Sheshelit se ofendimet e tij që ua bënte gjyqtarëve do t’i paguajë shtrenjtë kur të vijnë 5 minutat e tyre të cilat do të jenë amshim për të, gjë që kishte të drejtë të pa kontestuar komentuesi në fjalë.
Ngjashëm me Nikoliqin në Veri, foli edhe Jeremiqi nl OKB i cili thoshte se duhej biseduar me shqiptarët e Kosovës, gjë që na dukej çudi e madhe se si kishte ndryshuar gati në mënyrë radikale njeriu që nuk donte të dëgjonte fare për dialog duke u krekosur dhe duke thënë ‘’se Kosova ishte Serbi’’, kurse tani kishte ndryshuar definitivisht!Si duket të dytë e kanë pasur shumë vështirë gjersa janë zbutur deri në atë shkallë por nuk kanë pasur rrugë tjetër , ngase u ka ardhur,siç thotë populli ynë’’Laku në fyt’’, ose ajo thënia e njohur e arushanit Riçard Holbruk i cili ua tërhiqte vërejtjen serbëve ‘’Se do të mbeten edhe pa Kosovën edhe pa Evropën’’.Pra edhe Nikoliqi, si të gjithë të tjerët që duan të vijnë në pushtet, përgatitet për t’i ndarë ‘’ëmbëlsirat e kolltukut’’.Edhe ai e ka parë se nuk po u shkon përherë kungulli mbi ujë dhe se ka ardhur koha që edhe Serbia më në fund të mbushet mend dhe të ecën në drejtim të duhur si të gjitha vendet e Ballkanit të trazuar të cilat duhen ta lënë anash të kaluarën e hidhur dhe të përgjakshme.Do të vijë në pushtet duke u zbutur dhe duke iu përshtatur rregullave të reja të kërkuara nga Bashkësia ndërkombëtare , të cilave, siç e pamë dje, duhet t’u përshtaten edhe Sali Berisha dhe Edi Rama, të cilët u ftuan urgjentisht në Bruksel për t’i tejkaluar diferencat e tyre politike dhe për ta shpënë vendin përpara.
Nikoliq kësaj radhe do t’u ketë treguar vocrrakëve të tij në Veri se Serbia është nën llupën e vëzhgimit dhe se duhet t’i përmbush kriteret e kërkuara evropiane, por duke qenë edhe në rrezik të shpërbërjes së re, nëse kërkon ndarjen e Kosovës..Do t’u ketë thënë atyre se është më mirë nëse shkon një dorë/Kosova/se sa të shkojnë dy duart dhe dy këmbët/ Vojvodina, Sanxhaku dhe Lugina e Preshevës/.Kjo është analoge edhe me rastin e mospranimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë nga ana e Millosheviqit, i cili po ta pranonte atë do të duhej gjithsesi të pajtohej edhe me hyrjen e 120.000 trupave ushtarake të NATO-s në Serbi, të cilat do ta kapnin për veshi dhe do ta dërgonin automatikisht në Hagë.Dikush do të thotë se prapëseprapë e dërguan të lidhur si qenin atje , por ajo ndodhi dy vjet e gjysmë pas kapitulimit të tij.
Se ishte dorëzuar i tëri, Nikoliq tregonte edhe me fjalinë e tij’’Se gjendja e tanishme duhet të marrë fund’’, duke u pajtuar në tërësi me rrjedhat e reja dhe me erërat që janë duke fryrë momentalisht, e sidomos pas takimit të Tadiqit dhe Silajxhiqit me kryeministrin turk në Ankara dhe dje Takimi i Hashim Thaçit dhe Erdogainit atje..
Nikoliq më në fund e kishte kuptuar se më’’ në Kosovë nuk do të ketë as ushtri as polici serbe dhe se ata/domethënë shqiptarët/ do ta kenë Presidentin dhe parlamentin e tyre’’, të cilët tani nuk qenkan ilegalë dhe terroristë, siç ishin deri dje!!!Ja pra se çka të bën zori dhe presioni i ushtruar ndërkombëtar, kur është shumë e domosdoshme dhe kur nuk ka rrugë tjetër.
Dhe në fund duhet theksuar se kur ishte pyetur se a do të bisedonte me Thaçin, ai kishte thënë:’’Nëse do të jetë pjesë e delegacionit të udhëhequr nga OKB-ja ,çka mund të bëjmë tjetër’’?!.