Mendime
Berat Buzhala: N'kurth
E shtune, 29.05.2010, 06:26 PM
N’kurth
Kryeministri Thaçi duhet të ngritet mbi ngjarjet ditore dhe mbi polemikat me Johanes van Vreeswijk që po e meremeton CV’në në Kosovë. Përshkrimi i vendit të tij të punës është shumë më serioz.
Nga Berat Buzhala
Breshëritë festive në nderim të heroit tonë, prokurorit Johanes van Vreeswijk edhe më tutje po dëgjohen. Qeveria e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, e trembur prej këtyre festimeve delirante, edhe më tutje po qëndron brenda guacës së vet.
Për zyrtarët e Qeverisë, pas prokurorit, gazetarët mbesin kërcënimi më i madh. Nëse do të kishte mundësi, së paku nja gjashtë muaj as në dasma nuk do të takoheshin me kamerat. Janë zënë në një kurth, nga i cili assesi ta heqin këmbën. E më gjasë, në këso rrethanash mënyra e vetme për të dalë prej kurthit, është që ta shkurtojnë këmbën. Por, kjo dhemb shumë. Dhemb aq shumë, sa ta zëmë, kjo Qeveri, e zënë pak si në turp, e ka të pamundshme që të dalë e të konfrontohet me EULEX’in edhe atëherë kur ka të drejtë të pamohueshme. Si në rastin e para tri ditëve, kur në vendin tonë i përcjellë me një shpurë bodigardësh të armatosur u fut Vojisllav Koshtunica, e disa ditë para tij Tomisllav Nikolic, e ditëve në vijim edhe ndokush tjetër.
E ka të pamundshme, pasi tash e tutje çdo konfrontim i Qeverisë me EULEX’in do të konsiderohej tendencioz. Sepse, paraprakisht, ky mision e përgatiti terrenin për ta futur në defansivë totale spektrin politik vendor. Dhe skenari tash e tutje do të jetë shumë i ashiqarshëm. EULEX’i ua ka blerë zemrat kosovarëve me një prokuror që po kërcënon me do dosje. E tash, sa herë që prokurori holandez do ta shohë të nevojshme politikisht, ose do ta arrestojë dikë, ose do të bastisë dikë, ose do të japë ndonjë intervistë të sertë diku. Në këso rrethanash, pra po e përsëris, kur Qeveria e konsideron veten të zënë në kurth, prej Leposaviqit dhe Zveçanit, jo Koshtunica e Nikolic, por do të futet komplet Banda e Zemunit dhe askush këtu nuk do të reagojë. Sepse do të merremi me deklaratat e një prokurori llafazan, i cili tregon zell më të madh për të urdhëruar kontrolle rutinore në sektorin VIP të Aeroportit të Prishtinës, sesa ndonjë kontroll të kësaj natyre në Veriun e Kosovës, territor ky që është liga e parë e kriminalitetit rajonal.
Askush nuk po kërkon prej këtij prokurori grindavec që t’i ndalë hetimet, mirëpo askush nuk e amniston atë dhe Misionin të cilin e përfaqëson ai, që t’i japë trajtim të barabartë tërë territorit të Republikës së Kosovës. Nëse Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrat e kabinetit të tij nuk janë mbi ligjin, siç tha Vreeswijk në një intervistë për Klan Kosova, a e gëzojnë të njëjtin tretman para ligjit edhe Koshtunica & Co? Apo, tash në ketë mjegull të dendur, Kushtetuta dhe ligjet në fuqi vlejnë vetëm për pjesën shqiptare të territorit të Kosovës? Kurrë nuk kisha pasur dëshirë që ta ndaja territorin e Kosovës në pjesën e kontrolluar prej shqiptarëve dhe atë prej serbëve, por EULEX’i është duke e ndarë kështu. Nëse një euro e vjedhur në Prishtinë ka vlerë të barabartë monetare me një euro të kontrabanduar në Leposaviq, pse shumë më shumë prioritet duhet t’i jepet kësaj të Prishtinës sesa asaj të Leposaviqit? Dhe, në fund të fundit, pse për EULEX’in Vojisllav Koshtunica në territorin e Kosovës gëzon tretman më të privilegjuar sesa Kryeministri i Kosovës? Harrojeni Hashim Thaçin si person fizik. Po flasim për Kryeministrin e Shtetit, me të cilin prokurori Vreeswijk - emrin e të cilit tashmë gjysmëlegalisht e mban një rrugë e Prishtinës - publikisht tallej në Klan Kosova.
Por, kjo gjendje do të vijë duke marrë përmasa shumë më alarmante nëse Qeveria e vendit nuk arrin të konsolidohet dhe të dalë prej malit ku është futur. Nëse dikujt i duhet ndonjë këshillë, atëherë sugjerimet e mia do të ishin këto:
1. Qeveria e Kosovës as nuk duhet t’i shpallë luftë Misionit të EULEX-it, por as nuk duhet t’ia shtrijë qafën.
2. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të deklarohet publikisht se personalisht do të jetë partner i EULEX’it në krijimin e rrethanave lehtësuese për arrestimin e secilit zyrtar, për të cilin ky Mision ka prova se është i korruptuar.
3. Kryeministri Hashim Thaçi duhet të jetë ai që do t’i tërheq vërejtjen, jo prokurorit Vreeswijk, por shefit të EULEX’it Yves de Kermabon, se nën maskën e spektaklit të luftimit të korrupsionit në Prishtinë nuk do ta tolerojë përkeqësimin e situatës në Veri të vendit.
Askush më në ketë vend nuk do të mund të ushqehet me deklarata të tipit: “Raportet e institucioneve vendore me ato ndërkombëtare janë të shkëlqyeshme”.
Ato nuk janë dhe nuk duhet të janë të shkëlqyeshme për sa kohë misionet ndërkombëtare e sabotojnë integrimin e gjithë territorit të Kosovës, duke shpikur skandale në Prishtinë. Këto dy procese duhet të shkojnë paralelisht.
Çka vlen në Prishtinë, duhet të vlejë edhe në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe në pjesën veriore të Mitrovicës.